11:29
Cilësimi i veprimeve të UÇK-së
Clark po pyetet tani për cilësimet që ia bënin ndërkombëtarët Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fillimet e saj.
Halling i kërkoi atij të tregojë nëse është e vërtetë që veprimet e para të UÇK-së cilësoheshin si terroriste nga bashkësia ndërkombëtare.
“Ka pasur diskutime lidhur me këtë pikë. Më kujtohet që ambasadori Robert Gelbard e kishte quajtur terroriste familjen Jashari. Por, ai u qortua për këtë dhe deklarata e tij u tërhoq dhe u korrigjua”.
Halling e lexoi një deklaratë që Clark e kishte bërë më 1998, ku kishte thënë “E dënojmë dhunën kundër personave që kanë shprehur orientimin e tyre politik në mënyrë jo të dhunshme, po ashtu dënojmë metodat terroriste që përdoren për të arritur synime të caktuara”.
Kur prokurori i tha se “pra edhe ju vetë i keni lidhur veprimet e asaj kohe që po ndodhin në Kosovë me veprime terroriste”, Clark u përgjigj duke shpjeguar se “metoda terroriste kam dënuar unë”.
11:19
Clark pyetet për zemërimin e komandantit të KFOR-it me Thaçin
Tani prokurori Halling e lexoi një përmbledhje të komandantit të KFOR-it, Klaus Reinhardt, (1999-2000), i cili kishte folur në një konferencë për media me Hashim Thaçin, ku kishte shprehur shqetësim për gjendjen në Luginën e Preshevës dhe e kishte dënuar përdorimin e dhunës atje.
Reinhardt tha se “Thaçi e akuzoi palën serbe që kishte filluar dëbimin e shqiptarëve dhe pretendoi se ata ishin detyruar të iknin nëpër bjeshkë me gjësendet e fundit të tyre dhe nuk e tha asnjë fjalë për t’u distancuar nga UÇPMB-ja dhe nuk foli për sigurinë. Ai e bëri të kundërtën duke folur rrejshëm dhe duke bërë propagandë”.
“I thashë që keqpërdori besimin tim dhe i thashë që më ka zhgënjyer shumë dhe se nuk do të dalë më para kamerave më të. Gjenerali Clark po ashtu më tha se ishte i inatosur, sepse Thaci i kishte premtuar diçka krejt tjetër”.
I pyetur nëse i kujtohet kjo ngjarje e përshkruar nga Reinhardt, Clark tha: “Po, më kujtohet”.
Megjithatë, i pyetur nëse është përshkrim i saktë, Clark tha: “Nuk kam qenë atje dhe nuk e di çfarë ka ndodhur. Por, e di që ishte një situatë ku po bëhej kalimi i UÇK-së nga një organizatë ushtarake dhe rezistence në një person që kërkonte të siguronte të ardhmen politike për veten dhe Kosovën”.
“Unë kam lexuar që ka pasur dhunë ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, tha Clark.
Sa për dijeni, UÇPMB, apo Ushtria Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, ishte një grup i armatosur shqiptar që veproi në Luginën e Preshevës (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc) gjatë viteve 2000–2001.
Ajo u shpërbë pas marrëveshjes së Konçulit në vitin 2001, ku pjesëtarët e saj u çarmatuan nën mbikëqyrjen e KFOR-it dhe NATO-s.
10:44
Tani seanca kalon në sesion publik, por së pari 10 minuta pushim.
10:26
Seanca tani ka kaluar në sesion privat përkohësisht, ku Clark pritej të pyetej për vizitën e tij në Kosovë në gusht 1999.
Kjo pasi disa dokumente që do të shfaqeshin në gjyq nuk lejohen për publikun.
Radio Evropa e Lirë

