14:30
Clark: Thaçi nuk ishte përgjegjës në UÇK
Wesley Clark u pyet nga avokati i Thaçit për takimin me komandantin Çeku dhe komandantët lokalë të UÇK-së për çështjen e demilirarizimit.
Ai u pyet nëse Thaçi kishte ndikim të kufizuar ndaj komandantëve lokalë, dhe ai u përgjigj me po.
“Më kujtohet që e kam parë Thaçin. Ishte i veshur mirë, dukej më perëndimor se të tjetër. Nuk dukej se kishte qenë në mal duke luftuar për një-dy vjet rresht. Ishte e qartë se nuk ishte përgjegjës aty, nuk komandonte aty”, tha Clark.
“Ai [Thaçi] ishte aty. Ishte njëri prej personave që e njihja më mirë. Nuk e kisha takuar më parë me Çekun. Por nuk mund të merresha përmes Thaçit. Ai nuk ishte përgjegjës”, shtoi ai.
Sipas tij, UÇK-ja nuk ishte një ushtri e organizuar, por kishte grupe luftëtarësh në nivel rajonal dhe lokal “që ishin mbledhur për të mbrojtur komunitetet e tyre”.
14:17
Clark: Ka pasur përpjekje të serbëve për të spastruar etnikisht veriun
Gjenerali Clark u pyet për tensionet mes serbëve dhe shqiptarëve në korrik të vitit 1999 në qytetin e Mitrovicës. Ai tha se “nuk kam menduar asnjëherë që UÇK-ja” ka organizuar trazira, por pohoi se ka pasur presion që shqiptarët të nxirreshin nga pjesa veriore e lumit Ibër.
“Nuk mendoj se ka qenë e organizuar. Nuk e kam pasur kurrë përshtypjen se kjo ka qenë e organizuar nga UÇK-ja. Këto ishin grupe individuale”, tha Clark.
Ai kujtoi se ishte ankuar te sekretari i atëhershëm i NATO-s dhe ministrat e Mbrojtjes dhe të Jashtëm të Francës, pasi atje ishin të dislokuar trupat franceze të KFOR-it, për shkak, siç u shpreh, përpjekjes së serbëve për ta spastruar nga shqiptarët pjesën veriore të Ibrit.
“Jam takuar me ministrin [e Mbrojtjes të Francës, Alain] Richard që më tha jo u kemi dhënë urdhër trupave franceze që të mbrojnë serbët në atë zonë dhe të mbështesin ata. Kemi pasur vështirësi për këtë. Por kështu funksionojnë trupat e NATO-s. Më vonë kam çuar përforcime atje në mënyrë që shqiptarët të mund të jetojnë atje”, tha Clark.
14:09
Clark: UÇK-ja nuk kishte zinxhir komandues
Më shumë lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Clark theksoi se nuk ka pasur kontroll civil mbi UÇK-në.
Ndërsa i pyetur nëse ka qenë e mundur që UÇK-ja të ketë pasur zinxhir komandues funksional me hierarki të plotë e NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara të mos e kenë ditur, Clark tha shkurtimisht: “Jo”.
13:56
Takimi me Thaçin
Clark tha se në takim me delegacionin shqiptar në bisedimet e paqes në Rambuje më 1999, e kishte takuar edhe Hashim Thaçin disa herë.
Ai tha se Thaçi nuk ishte komandanti ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kur u takova me të herën e tretë, unë kërkova ndihmë, por nuk mora asnjë ndihmë sepse ai nuk ia kishte idenë fare se çfarë po ndodhte”.
Ai tutje tregoi se e kishte pyetur Thaçin t’i shpjegonte se në cilat pika ndodhej ushtria serbe dhe në cilat UÇK-ja, për ta shmangur shënjestrimin e civileve gjatë bombardimeve.
“Unë e pyeta ku janë ata dhe ku jeni ju? Ku duhet të sulmoj unë në terren, cilat janë caqet e mia? Ai nuk më dha asnjë përgjigje”, tha Clark.
Clark foli edhe për përshtypjet e tij të para për Thaçin, duke e cilësuar si person bindës.
“Ai ishte vetëm njëri nga personave atje. Ishte personi më me autoritet, më i riu dhe më bindësi. Pra, ishte personi që ishte i veshur më së miri, i kishte flokët e palosura në mënyrën më të përshtatshme. Më sa kuptova jetonte në Zvicër dhe fliste gjermanisht, nuk fliste shumë anglisht asokohe, ndërsa unë flisja pak gjermanisht dhe ishte e vështirë të komunikonim”.

