Sot, në këtë shekull, nuk ka asnjë filozof, asnjë intelektual, asnjë analist në rruzullin tokësor që të ketë ndikim në politikbërjen e një shteti sa ka filozofi dhe gjeopolitiku ultrafashist rus, Aleksandar Dugin.
Nëse analizohen e krahasohen me vëmendje fjalët e Duginit me veprimet e Putinit, atëherë del se këso përputhjesh, në zbatimin e teorisë në praktikë, ndodhin rrallë në histori.
Dugini propagandon luftën kundër civilizimit perëndimor me të gjitha mjetet e mundshme, ndërsa Putini e zbaton këtë luftë me shtypje të popujve jorusë në Federatën e Rusisë, me rrëmbimin e territoreve, frikësimin dhe kërcënimin e vazhdueshëm të popujve fqinjë, me agresion të përgjakshëm kundër Ukrainës, me luftë të shumëllojshme hibride kundër çdo shteti demokratik e shoqërie liberale…
Në “Direktivat” që i publikoi para disa ditësh në portalin Geopolitika, Dugini është shumë i drejtpërdrejtë :
“Fitorja jonë në tokat tona të vjetra, pra në Ukrainë, është e pamundur pa një Fitore ndaj vetë neve, brenda kufijve të dikurshëm të Federatës Ruse. Prandaj sot ne po zhvillojmë një luftë në të cilën do të fitojmë vetëm nëse fitojmë në të dyja frontet njëkohësisht.
Në Ukrainë ne do ta mundim Perëndimin, i cili po lufton kundër nesh, pikërisht në atë moment kur ne do ta mundim dhe do ta dëbojmë Perëndimin nga vetja jonë – liberalizmin dhe tradhtinë që na zaptuan në vitet 1990, duke ia nënshtruar gjykimit atë realitet historik, ato gabime dhe ato krime që i bëmë vetë, kur e shkatërruam shtetin e madh dhe tradhtuam Botën Ruse.
Prandaj tribunali që ne do ta formojmë pas Fitores sonë ndaj kriminelëve nazistë ukrainas, do të jetë njëkohësisht edhe një tribunal për historinë tonë, për vitet 1990, mbi gjithçka që çoi në këtë spirale të tmerrshme të një lufte të brendshme vëllavrasëse dhe të përgjakshme.
Sot, fati i Fitores sonë atje dhe fati i shërimit, rilindjes dhe zgjimit të popullit tonë këtu – janë gjëra të pandashme. Ne mund të fitojmë vetëm kur kjo luftë të bëhet me të vërtetë popullore, ruse, dhe kur përmes saj, ta mundim edhe vetën tonë.
Ne, thjesht, jemi të detyruar të krijojmë diçka tjetër – pra Botën Ruse. Të cilën duhet ta argumentojmë, ta themelojmë dhe t’i përgatisim institucionet e saj të reja, të miratojmë një kushtetutë të re – ta riformojmë në thelb shtetin tonë, i cili do të jetë një ringjallje e plotë e atij realiteti e fillese historike, që është Rusia e Përjetshme, e Madhe dhe e Mirë.
Duhet të zgjohemi me të vërtetë për të përmbushur atë që na është lënë amanet që nga krijimi i shtetësisë sonë dhe Pagëzimi i Rusisë.
Tani po farkëtohet plani i kësaj Fitoreje: si t’i mundim edhe ata, edhe vetën tonë, dhe si t’i ringjallim, si t’i rikrijojmë, si t’i këndellim edhe ata, edhe veten tonë. Njëkohësisht. Sepse shuarja e “Ukrainës” (dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme) nënkupton shuarjen njëkohësisht të “Federatës Ruse” të viteve ’90.
Këto dy realitete të rreme, karikaturale, janë rezultat i shpërbërjes së një fuqie organike, të Perandorisë (Bashkimi Sovjetik gjithashtu e dëmtoi shumë atë, megjithatë pati edhe shumë arritje).
Megjithatë, tani nuk duhet të debatojmë për të kaluarën, por të ecim drejt të ardhmes. Dhe në atë të ardhme nuk do të ketë as Ukrainë, as Federatë Ruse, por një Botë e Madhe Ruse e ringjallur… Fuqia jonë e re botërore me një Ide të Re Botërore Ruse, e cila do të rikthejë gjithçka më të mirë, më të lashtë, dhe më në fund do t’i përmbushë amanetet e shenjtorëve tanë të mëdhenj dhe heronjve të historisë sonë. » *
********
Duke parë veprimet agresive dhe qëndrimet e palëkundshme të Rusisë në njërën anë dhe sjelljen çemberleniste të Fuqive Përëndimore, kryesisht të SHBA-së ndaj Putinit, shihet ashiqare braktisja qyqarisht e Ukrainës heroike, duke e lënë pa armë dhe duke i dërguar ultimatume që t’i dorëzojë territoret e saj që po i lanë, për çdo ditë, me gjak…
Kjo është aq më e rëndë, kur dihet botërisht se, në dhjetor të vitit 1994, nën presionin diplomatik dhe ekonomik të SHBA-ve sidomos po edhe të BE-së, pas premtimeve absolute se do t’i garantohet integriteti territorial dhe sovraniteti, Ukraina ia dorëzoi Rusisë 1240 koka bërthamore që ishin në territorin e saj, bashkë me mjetet përcjellëse për lansim, përfshirë këtu edhe raketat interkontinentale…
Po e nënvizoj: asokohe Ukraina ishte Fuqia e Tretë Bërthamore në botë!
Po t’i kishte ato armë, kush do të guxonte ta sulmojë Ukrainën dje ose sot? Askush!
Në këtë mënyrë kaq të paskrupull, nuk po braktiset vetëm Ukraina, por edhe themelet e vlerave të civilizimit përëndimor, sepse kështu, Përëndimi, me një cinizëm të pafalshëm, po e miraton rrëmbimin e territoreve të një shteti sovran nga krimineli e fashisti i pandreqshëm, Aleksandar Aleksandroviq Putin.
Ky poshtrim, është edhe më i keq se dikur sjellja e Chemberlenit dhe Deladiesë, kur, në shtator të vitit 1938, miratuan aktet grabitçare të Hitlerit, kur ky e copëtoi Çekosllovakinë.
Mais, revenons à nos moutons;
më duhet t’ua përkujtoj lexuesve të këtyre rreshtave se në vizitën e para 7 muajve në Rusi, kreu i Kishës Ortodokse Serbe dhe familjari i Vuçiqit, Porfirije, kërkoi me përgjërim nga patriku rus, Kiril dhe kryetari i Rusisë, Putin, që edhe serbët të jenë patjetër pjesë e Botës Ruse.
Ky është edhe një argument më shumë që paritë e shqiptarëve, të cilat i ka bâ dreqi pikë e pesë, me mendu pak më thellë se si po sillen dhe sa pak po përgatiten për t’u bërë ballë rreziqeve evidente që u kanosen krejt shqiptarëve e më se shumti Kosovës.

*https://www.geopolitika.ru/…/direktiva-dugina-my-ne…