Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka bërë të ditur se Koalicioni i Vullnetit e po përgatit një fazë të re negociatash për sigurinë në Ukrainë.
Sipas tij, objektivi kryesor është “sqarimi i plotë i garancive të sigurisë që duam për Ukrainën”, përgatitja e vizitës së presidentit Volodymyr Zelensky nesër në Uashington dhe organizimi i një takimi të ardhshëm ku do të marrin pjesë presidenti rus Vladimir Putin, SHBA, Ukraina dhe Europa.
Deklaratat u dhanë nga Macron përmes videokonferencës, drejtpërdrejt nga rezidenca e tij verore në fortesën e Brégançon, gjatë hapjes së takimit me liderët e Koalicionit të Vullnetarëve.
Ndërkohë pas përfundimit të takimit online ku mori pjesë edhe lideri i Kievit, Volodymyr Zelensky Macron theksoi se do i kërkojnë Trump më shumë informacion lidhur me garancinë e sigurisë për Ukrainën.
Nesër, gjatë takimit të tyre në Uashington, liderët europianë do t’i kërkojnë presidentit Donald Trump të sqarohet “sa larg” do të shkojë për të respektuar garancitë e sigurisë për Ukrainën, njoftoi presidenti francez Emmanuel Macron.
“Nuk mund të ketë diskutime territoriale mbi Ukrainën pa udhëheqjen ukrainase,” theksoi Macron më pas në një intervistë televizive.
“Gjithë puna e bërë brenda Koalicionit është për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, dhe nuk mund të ketë ndarje mbi këtë mes SHBA-së, Ukrainës dhe Europës” nënvizoi më tej.
Pjesëmarrësit e takimit
Në takimin online ishin gjithashtu kryeministrja italiane Giorgia Meloni, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe nga Brukseli, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky së bashku me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Ky takim shihet si një hap i rëndësishëm në konsolidimin e qëndrimit të përbashkët perëndimor përballë agresionit rus dhe si një përgatitje për bisedime më të gjera ku pritet të ulen në tryezë të gjithë aktorët kryesorë të konfliktit.
sn