DANCË NË SHI…
( Cikël poetik )
1. Dancë në shi
Ju që thoni
a mendoni
se lumturia
është e gjitha diell…?!
…pa provuar
dancin në shi
2. Fjala e mirë
Kur të mungon një kafe,
dobësi, brenga, pikëllim
e mërzi të shprazen
e si kokrrizë breshëri kërcasin
kudo mbi ty pa mëshirë…
një ekspres i shpejtë
të sjell energji,
e hurp e të çelë sytë
si një sheqer diabeti
mbaje pranë vehtes gjithmone, hidhe në atë kafe
fjalën e mirë.
3. Buzëqeshja…
Njerëzit e duan shiun,
bën çadrat…
Njerëzit e duan diellin,
zgjedhin hijen..
Njerëzit e duan erën,
mbyllin dritaret…
Kur të dua
më thonë njerëzit,
Unë buzëqesh thoshte Lorcia
Rrufetë askush nuk i do,
buzëqeshja,
rrufepritëse e mirë…
…Edhe pse poetin e madh
nuk e mbrojti nga urrejtja e ndyrë.
4. FOLSH ME GISHTA
Edhe sa herë
do ta shoh nanën,
numëroj me gishta….
Edhe sa herë
do ta shoh babën,
numëroj me gishta…
Vëllezërit, motrat, shokët, miqtë
me gishta,
me gishta…
Nuk na paskan nëmë
pahiri nanat ne kurbetqarëve,
Folshi me gishta….
5. DJERGA E FUNDIT
Rreth sofrës
disa në shkëmba ulë,
të tjerë në gjunjë,
ngjyejnë në koritën e drunjtë
ditët e bjeshkës,
darkë e djergës,
një darkë lamtumire,
si pas një varrimi,
n’heshtje
pa zhurmë.
përtej derës së stanit
qeni larosh
me shpinë të rogume
ndukë,
e terë lugin e fundit t’djergëve pa e ditë
se ai lugë
kurr ma nuk ka me u qull.
torishtës tanë natën
i dhimbti shtati,
deshtë, rrunzat e kingjat
ma gardhin me shpindë
nuk ja krujnë.
e gurra
nuk e ndal ma vajin,
aty nuk do vijnë ma sytë e çikave t’zanune
me e puthë,
e n’brushtull t’sapunit mbi rrasë,
as gishtat e butë…
6. SHTEGTIM
N’vjeshtën e mrrolune
një nga një e në tufë,
harabela t’hutuem,
u nisën
nëpër botë kryq e t’thurë,
të gjejnë atdheun e ri…
Atdheun e pa nënkresave,
pa sofër shtruar,
pa shkame
e t’netëve pa netë,
e rrugëve plot dritë t’pa dritë
e zhurmë.
strukë endacak nën urë,
me lumë dallgësh plotpërplotë andrra,
që mëngjesin kurr nuk e prunë.
ato lulet e borës,
te bukura e me sy blu,
ndër lara borë,
e nën trungje lisash,
që pranverë nuk pritën kurr.
7. LUTJE ATDHEUT
A më fal dy metra dhe ….?
dy metra, dy metra,
pak ma pak a
pak ma shumë,
sa një kuti,
t’i marr me vehte,
ti mbaj në kurriz,
ngado që të hidhem…
vetëm dy metra
e me to në shpindë
të mburrem,
të fryhem si patriot,
e atdhetar i fismë….
Ani pse nuk bëra asgjë për ty,
asnjë urë nuk ngrita,
asnjë gurrë a krue,
a asnjë pemë atje,
nuk mbolla për ty…
Unë lypsari i atdheut,
edhe larg teje,
dua të mjel për lavdi…
ani,
pse nuk bëra asgjë për ty….
Atdheu im i mirë
më përgjigjet me Jo,
me një Jo të madhe,
pa mëshirë…
Nuk mund të ngelem
Atdhe vdekatarësh,
me gropa vorresh të hapura,
mbushë me ujë të zi…
Për pëndim
që ke ikë,
të jap vetëm një grusht dhe,
edhe atë e ke borxh gjithë jetën,
është borxh i përhershëm,
e ke borxh edhe për nipër e fëmijë…
E mos harro,
pa e njohur ketë borxh,
askund në ketë tokë,
nuk do të ketë dy metra dhe,
për të rehatuar eshtrat e tu
në atë,
të fundit ditë.
8. Në Majen e Hekurave
ku nisi gjuha e Zotit.
Retë e bardha,
shkumë të lodhura nga përplasja e deteve pa anë me brigjet,
mbështeten kryet këtu në jastekun e dallgëve,
lidhen anijet me bistekin e zanave që e ruajtën ndryshkin e hekurt të kohëve dhe emrin e pandryshkur të legjendës prehistorike.
Nisën në ato shpate të thepisura,
rreknimin e gurëgacëve, kcimin hucla,
gjuhën e trupit të banorëve kapuçbardhë të Alpeve, fëmijë të parë të zotit e të dritës.
Në vallen e dasmës me qiellin,
zanat pushtuan horizontet e reja,
me pelhurat e grisura të velave të thyera qepën
xhubletën pellazge,
fustanin e Dardanise epike.
Me shkumën e shpellave hala pa gojë,
mbushen dyshekët e tyre fluturues te nusërisë,
ku shqipet i rrahin me krahë, jehonat e piskamat e majave kurr nuk pushojnë prej tyre.
Cicërimat e para
me A, B e C,
fjalë të diellit,
ja kthyen tokës gjuhën dhe frymën,
detit ja lanë gjëmen e vetminë,
shpateve e luginave bukurinë e magjishme,
njerëzve të këtyre anëve kryelartësinë dhe sytë e kaltër të dashurisë,
zemrës së tyre oqean besën dhe mikpritjen.
9. E PARA….?!
Ah, e para puthje,…
a ishte vërtetë e para …?!
Ah, e para dashuri,…
a ishte vërtetë e para…?!
E kush e mban mend
borën e parë në jetë…
a lulën e parë që ke këputur…?!
E kush e mban mend
qarjen e parë në jetë…
a buzëqeshjen e parë te lumtur…?!
Po zogun gushkuq duke ndjekë,
në bjeshkë,
a kur në grusht
ke kapur për herë të parë,
një flutur…?!
E megjithatë,
e para mbetet gjithmonë
e bukur.
10. MËSUESIT
Në stacionet e mia
e gjeta udhës,
në rrugëtimin pa rrugëgjurmë, midisgrykave e shpateve të thepisura
më tregoj rrugën.
diku më zgjati dorën,
diku më rrahi shpatullat,
diku më fali busullën.
nga torba e tij,
e nxori mollën e fundit,
gjysmën e madhe të saj
ma dha me maje briski,
e pa frikë bashkë me atë,
mikun më besnik
si alpinist
deri në maje,
po e bëj udhën…