Nuk po flas për hapësirat e gjelbërta, sepse Tiranën e kanë betonizuar të dyja palët, dhe sa herë riciklohen i kap histeria për gjelbërim dhe malli për oksigjenin e pemëve dhe pyjeve.
Farsë e vërtetë. Edhe besueshmëria tek kryetarët e bashkive është zero. Unë e imagjinoja Tiranën me tram për shembull.
Po mbrëmë më bëri përshtypje numri i kafeneve të Tiranës, që i përmendi kryetari i Bashkisë Erion Veliaj.
Hapësirën e Tiranës e kanë pushtuar 10.000 kafene, në një raport 1 kafene për çdo 80 frymë, kur në qytetet europiane raporti ishte 1 me 800-1200 banorë.
Në këto 10.000 kafene shqiptarët vrasin kohën e tyre. Tash 25 vjet.
Ky është edhe aktiviteti kryesor i kryeqytetit.
Në fakt, kjo duhej të ishte tema e Opinionit, por Blendi shpesh bën zjarrfikësin, kur në Tiranë plas ndonjë skandal bombë, ai në vend që të merret me të, hap një temë pa asnjë lidhje.
Në vendin më të varfër të Europës, në metropolin e Tiranës banorët dënden me esspresso, turke, kapuçino, makiato, kafe amerikane, kafe-late si tek poezia e Preverit, kafe Moca e ku ta dijë unë se çfarë lloje kafesh kanë shpikur shqiptarët.
Pashë një barman tek emisioni i Arian Çanit, që krijonte figura mbi filxhanin e kafesë, jo këto banalitetet me zemra, por art i mirëfilltë, djaloshi vinte nga Prishtina, për të sjellë eksperiencën e tij tek 10 mijë kafeteritë e Tiranës! Sarkazmus! Mos e merrni me të vërtetë.
Kur bisedonim me babain tim, ai më tregonte se kur nisej për reportazhe në zonat veriore dhe më vonë kur punonte në Vaun e Dejës, gjithmonë ndalej në Milot të pinte kafe tek një zonjë që bënte një kafe të jashtëzakonshme. Kafja e Maries ? Nuk jam e sigurt për emrin.
Në Tiranë me 10 mijë kafene, duhet të ketë kafene të famshme ku ndalen VIP-at shqiptarë, dhe kur në Tiranë janë 10 mijë, kushedi sa kafene janë në rrang republike.
Kafenemania është çerekshekullore në Tiranë. Tranzicioni nisi me kafene dhe do të mbyllet me kafene.
Më kujtohet ky deputeti i PS, Fidel Ylli e nisi karierën si shoqërues i Meksit dhe ndërkohë kishte hapur kafenenë e tij afër Ministrisë të Mbrojtjes dhe tek Fideli, kështu quhej, një hapësirë e mrekullushme e Parkut Rinia, mblidheshin të gjithë. Pa kupona, veç mblidh pare.
Vendi jonë nuk prodhon asgjë, veç parazitizëm. Sepse s’ka parazitë më të mëdhenj se klasa politike.
Prandaj gëlojnë kafehanet.
Tek Opinion, mendova se dikush do të revoltohej e të thosh quo vadis Tirana me 10mijë kafene, por ata janë vetë frekuentues të rregull të tyre.
Prandaj askënd nuk e shqetësoi ky fakt, veç vijuan me shqetësimin e tyre hipokrit për betonizimin e hapësirave të gjelbëra, si një avaz i vjetër që do të marrë fund, kur të mos ketë mbetur më asnjë centimetër katror hapësirë e pabetonizuar.
Pika e dytë ishte Sazan Guri. Të them të drejtën i kam ndjekur gjithmonë me interes betejat e tij si veprimtar ambientalist, aq më tepër kur Tirana shënohet si një nga qytetet më të pabanushme prej smogut dhe cilësisë të ajrit që thithin banorët.
Erioni Veliaj i tha Sazani Gurit se të birin ai e kishte punonjës të bashkisë, që duhet të jetë i punësuar nga kundërshtari politik, dmth nga Lulzim Basha.
Kështu janë NGO në Shqipëri. Bishta të politikës. Zor se gjen një NGO me integritet të pastër. Gjithmonë një krah i politikës i mban dhe ata u shpërbejnë.
Kishte vërtetë konflikt interesi prania e Sazan Gurit në atë emision.
Etika e ambientalistit gojëshpatë nuk duhej t’ia lejonte vetes që të ishte i pranishëm në atë diskutim bjerrakohë, si kafeneja e 10 mijë e një e Tiranës tonë.
Komentet