VOAL

VOAL

Ceremoni madhështore në Sheshin Skënderbej në Tiranë

June 10, 2017

Komentet

VOA: Kosova kremton 17 vjetorin e pavarësisë

Edlira Bllaca

Parakalimi i trupave të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës, ngritja e flamurit shtetëror si dhe veprimtari të tjera ishin pjesë e shënimeve për nder të 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës.

Udhëheqësit e Kosovës ritheksuan sakrificën e popullit dhe mbështetjën e aleatëve si thelbësore në shënimin e kësaj dite.

“Përkulemi me respekt të thellë për familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e kombit, të gjithë dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e martirët që e bënë këtë ditë të mundshme me sakrificën e tyre të jashtëzakonshme. Historia jonë nuk do të ishte e njëjtë pa mbështetjen e aleatëve tanë, falenderimi ynë i përjetshëm shkon për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për NATO-n, për shtetet evropiane dhe demokracitë gjithandej botës sikur për të gjithë miqtë ndërkombëtarë që qëndruan me ne në momentet më të vështira dhe na ndihmuan që ta bëjmë të mundur lirinë dhe pavarsinë”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Nën ritmin e hapave të këmbëve të ushtarëve e policëve tanë sot dëgjojmë hapat e luftëtarëve të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës, por edhe hapat e rrugës sonë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s të nisur me 1999 por e cila do të vazhdojë deri në anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe Bashkimin Evropian”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përvjetori i shtatëmbëdhjetë i pavarësisë e gjen Kosovën në një periudhë të paqartësive e mundësive të hapura për formimin e qeverisë së re të vendit, pas zgjedhjeve parlamentare të nëntë shkurtit.

Vëzhguesit thonë se skenarët e mundshëm të formimit të qeverisë së re që përfshijnë lëvizjen Vetëvendosje me pakicat joserbe apo partitë opozitare të bashkuara, nuk ofrojnë fuqinë e duhur vendimmarrëse përballë sfidave të shumta që e presin vendin në planin e brendshëm dhe të jashtëm.

Krahas sfidave si përmirësimi i gjendjes ekonomike, arsimit dhe shërbimeve shëndetësore dhe luftimi i varfërisë, në planin e jashtëm qeveria e re do të përballet me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe me përpjekjet për ripërtëritjen e marrëdhënieve me fuqitë perëndimore, të cilat e kanë kritikuar qeverinë e Kryeministrit Kurti për veprimet e saj në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.


Presidenti amerikan, Donald Trump në një mesazh urimi për Presidenten Vjosa Osmani, me rastin e shtatëmbëdhjetë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se lidhjet midis popujve të të dyja vendeve janë të forta dhe se pret zgjerimin e tyre duke theksuar se “Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vazhdim të vitit”.

Sekretari amerikan i Shtetit Marko Rubio uroi Kosovën në përvjetorin e pavarësisë, duke theksuar se ky është një rast për të reflektuar mbi qëndrueshmërinë, vendosmërinë dhe aspiratat e popullit të Kosovës.

Sekretari Rubio tha në mesazhin e urimit se Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, shumë etnik dhe i begatë.

Ai tha se paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës.

Richard Grenell uron Kosovën – Mbajtja e Hashim Thaçit në Hagë është padrejtësi

I dërguari i Presidentit Trump për misione të posaçme, Richard Grenell uroi siç tha të gjithë miqtë në Kosovë për 17 vjetorin e pavarësisë.

Në një postim në rrjetet sociale, zoti Grenell tha se megjithatë, ky moment historik është lënë nën hije nga një padrejtësi e rëndë. “Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo prapa grilave në Hagë”.

Ai shkroi se evropianët nuk kanë arritur të veprojnë siç u shpreh kundër kësaj padrejtësie në pesë vitet e fundit dhe se institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t’i dhënë fund kësaj padrejtësie për shkak të politikës.

“Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund”, tha zoti Grenell.

Udhëheqës të vendeve të ndryshme si Franca, Gjermania, Italia dhe të tjerë në urimet e tyre u zotuan për mbështetjen e Kosovës në përparimin drejt integrimit euroatlantik, fuqizimin e demokracisë si dhe qëndrueshmërisë në rajon, duke vënë theksin te normalizimi i plotë i marrëdhënieve me Serbinë si diçka thelbësore në këtë proces.

Newborn

Newborn

Kosova shpalli pavarësinë e saj më 17 shkurt të vitit 2008, nëntë vjet pasi ndërhyrja e NATO-s i dha fund luftës gati dyvjeçare që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë dhe mijëra të zhdukur.

Pavarësia e saj është njohur nga më shumë se 100 vende të botës, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia me mbështetjen e Rusisë dhe Kinës.

Pavarësia e Kosovës- Krerët e institucioneve nderojnë figurën e presidentit historik Ibrahim Rugova

Më 17 shkurt, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova.

Ata shprehën mirënjohjen për rolin e tij historik në rrugën drejt pavarësisë së vendit.

Në këtë ceremoni u vendosën kurora lulesh në nderim të Rugovës.

Pas homazheve te varri i ish-presidentit, delegacioni vazhdoi vizitën tek varri i veprimtarit të shquar Adem Demaçi.

Ata kujtuan kontributin e tij të jashtëzakonshëm për lirinë dhe të drejtat e popullit shqiptar, duke theksuar se sakrifica dhe përkushtimi i tij do të mbeten përherë në kujtesën kombëtare.

Gjatë ditës krerët institucional kanë bërë nderime dhe pranë Monumentit të të Pagjeturve dhe Memoriali i Fëmijëve të vrarë. sn

Kosova 17 vite shtet, Vjosa Osmani: Nuk ka asgjë që e ndal Republikën tonë të lirë dhe të përjetshme!

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka uruar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Pas ngritjes solemne të flamurit, Osmani falënderoi të gjithë ata që dhanë jetën e sakrifikuan për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe sovrane.
Në një prononcim për mediat ajo u shpreh se Kosova do të ecë përpara pasi nuk ka asgjë që e ndalë Kosovën e lirë, të pavarur dhe sovrane.

“Është një ditë që ne ju themi faleminderit nga zemra, një falënderim të përhershëm për të gjithë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka në mënyrë që ne sot së bashku ta festojmë këtë ditë të shenjtë e historike. Duke filluar nga arkitekti i Pavarësisë sonë, presidenti historik, dhe komandanti legjendar Adem Jashari që udhëhoqi UÇK-në, e deri tek secili qytetar i Republikës sonë që sakrifikoi me mundë e me gjak në mënyrë që sot të gëzohet kjo ditë. Edhe një herë në emër të të gjithë qytetarëve të Kosovës, faleminderit për kontributin e dhënë, do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane, dhe të përjetshme. Urime!”, tha Osmani. bw

Liderët botërorë urojnë Kosovën në 17-vjetorin e pavarësisë

Radio Evropa e Lirë

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, uroi Kosovën me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.

Në mesazhin e tij thuhet se Shtetet e Bashkuara “e kanë mbështetur me krenari rrugëtimin e Kosovës për t’u bërë një vend sovran, demokratik, multietnik dhe i begatë”.

“Paqja rajonale, siguria dhe zhvillimi ekonomik mbeten thelbësore për prosperitetin e qëndrueshëm të Kosovës”, thuhet në mesazhin e sekretarit Rubio.

Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi edhe nga presidenti amerikan, Donald Trump.

Aty thuhej se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.

Kosovën e uroi edhe presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, duke rikujtuar se shteti i tij, në shkurt të vitit 2008, ishte ndër vendet e para që njohu shtetësinë e saj.

“Gjatë këtyre viteve, kemi thelluar vazhdimisht bashkëpunimin tonë, qoftë në politikat e sigurisë, në reformat për përafrimin me BE-në apo në fushën e politikave të klimës dhe energjisë”, thuhet mes tjerash në urimin e presidentit gjerman.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se “përballë çrregullimeve dhe fragmentimit të botës, perspektiva evropiane e Kosovës, si dhe të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të rikonfirmohet”.

“Franca mbetet një aleate e përkushtuar e Kosovës dhe do të vazhdojë ta mbështesë stabilitetin, zhvillimin dhe perspektivën evropiane të saj”, thuhet në mesazhin e presidentit Macron.

Në mesazhin e presidentit të Italisë, Sergio Mattarella, thuhet se vendi i tij “mbetet një partner i përkushtuar i Kosovës” dhe se ai mbështet “përparimin e saj drejt integrimit euroatlantik dhe fuqizimin e demokracisë dhe stabilitetit në rajon”.

“Jam shumë i kënaqur që shtetet tona ndajnë lidhje kaq të forta dhe pres ta forcojmë më tej miqësinë tonë”, tha në mesazhin e tij të urimit mbreti britanik, Charles III.

Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tjerë perëndimorë.

Vendi sot njihet nga më shumë se 100 shtete të botës, por nukë është ende anëtar i Kombeve të Bashkuara, apo i organizatave të tjera si Bashkimi Evropian e Këshilli i Evropës.

Për të avancuar drejt integrimit, Kosovës i duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Serbinë.

Dy vendet janë në negociata për rreth 14 vjet, por ende larg qëllimit përfundimtar.

Në 17-vjetorin e pavarësisë kujtohet sakrifica e popullit për liri

Obelisku i pavarësisë Newborn në Prishtinë i ngjyrosur me ngjyra të reja, sikurse çdo përvjetor të pavarësisë. Shkurt, 2025.

 

Radio Evropa e Lirë

Kosova shënon sot 17-vjetorin e pavarësisë së saj, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008.

Qeveria e vendit mbajti një mbledhje festive, në të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu mirënjohje dhe nderime për “të gjithë ata që u sakrifikuan dhe u flijuan” për lirinë.

“Liria për të cilën kemi sakrifikuar kaq shumë, kërkon demokraci, e cila mundëson që të dëgjohet zëri i popullit dhe të mbrohen të drejtat e qytetarëve”, tha Kurti.

Sipas tij, Republika e Kosovës “sot është më e fortë dhe më vitale se kurrë më parë – jo vetëm se kemi investuar në siguri dhe në mbrojtje, por sepse kemi forcuar institucionet demokratike dhe kemi normalizuar funksionimin e tyre”.

“Ekonomia po rritet vit pas viti, shpejt e qëndrueshëm”, tha po ashtu Kurti.

Duke iu drejtuar gazetarëve pas ngritjes solemne të flamurit të Kosovës, pranë ndërtesave të Qeverisë dhe Kuvendit, presidentja Vjosa Osmani tha se kjo ditë kujton “sakrificën shekullore të popullit” për lirinë dhe pavarësinë.

“Do të ecim përpara, sepse nuk ka asgjë që mund ta ndalë Republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane dhe të përjetshme”, tha Osmani.

Një sërë organizimesh, përfshirë edhe parakalimin e trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës, priten gjatë ditës në Kosovë, për nder të 17-vjetorit të pavarësisë.

Kosova është e sapodalë nga një proces zgjedhor dhe është në pritje të formimit të institucioneve të reja.

Fituese në zgjedhjet e 9 shkurtit doli Lëvizja Vetëvendosje e Kurtit, por pa siguruar shumicën e nevojshme prej 61 deputetësh për ta formuar qeverinë e vetme.

Një ditë më herët, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi se ka pranuar një mesazh urimi për përvjetorin e pavarësisë nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump.

Aty thuhet se Trump e “përgëzon popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë” dhe vë në pah “qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces”.

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe me padurim presim që t’i zgjerojmë ato – veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime – me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona”, thuhet mes tjerash në letër.

Qeveria e Kurtit, viteve të fundit, është kritikuar nga zyrtarët amerikanë, për shkak të disa hapave të cilësuar si të pakoordinuar kundrejt komunitetit serb.

Autoritetet e Kosovës, përveç tjerash, kanë hequr nga përdorimi dinarin serb dhe kanë mbyllur shumicën e institucioneve të Serbisë, prej të cilave serbët kanë marrë shërbime të ndryshme.

Qeveria i ka justifikuar këto veprime si shtrirje të autoritetit të saj dhe në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e vendit.

Por, për shkak të tyre, edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë disa masa ndëshkuese kundër Kosovës, duke i pezulluar disa fonde dhe takime të nivelit të lartë.

Shtatëmbëdhjetëvjetori i pavarësisë e gjen Kosovën si shtet të njohur nga rreth 117 vende të botës.

Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës etj.

Komisionerja europiane Kos: Zgjerimi i BE-së në Ballkanin Perëndimor po përshpejtohet, ndikuar nga gjeopolitika

Paneli i diskutimit mbi Ballkanin Perëndimor në Konferencën e Sigurisë në Mynih

 

VOA Ilirian Agolli

Përfaqësues të Bashkimit Europian theksuan në Konferencën e Sigurisë në Mynih se anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE do të përshpejtohet, duke shqyrtuar arritjen e kritereve dhe të meritës. Komisionerja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos, tha sot në një panel diskutimi gjatë kësaj konference, se krahas standarteve të kërkuara, një ndikim të rëndësishëm në anëtarësimet e reja kanë edhe gjeopolitika dhe vullneti i vendeve anëtare. Kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama dhe Mickoski, shprehën vendosmërinë për këtë anëtarësim, duke kërkuar shpejtim të procesit.

Komisionerja e BE-së për zgjerimin, Marta Kos, tha sot në Mynih se procesi i zgjerimit po ndikohet nga gjeopolitika, ndërsa vendet po i përmbushin teknikisht kërkesat.

Duke folur në panelin e diskutimit të konferencës së sigurisë mbi gatishmërinë për të përshpejtuar anëtarësimit të Ballkanit në BE, komisionerja Kos tha se anëtarësimi në BE është bërë më i vështirë, tani, ndryshe nga disa vite më parë kur shiheshin disa çështje ekonomike.

Ajo shtoi se tani ka forca të jashtme që ndikojnë, përçajnë dhe duan të shohin që BE-ja të dështojë, ndaj përparësi nuk është vetëm zgjerimi, por është Bashkimi i Europës, ndaj procesi i anëtarësimit po bëhet gjithmonë e më i rëndësishëm, sepse BE- u krijua për të ruajtur paqen, lirinë, sigurinë dhe prosperitetin dhe këtu qëndron fuqia e saj.

“Kur vjen fjala për pjesën teknike, ne mund të përmbyllim me Malin e Zi dhe Shqipërinë deri në vitin 2026 apo në 2027, por ka edhe një pjesë politike, që do të thotë se asnjë hap i rëndësishëm nuk mund të ndërmerret pa vullnetin e shteteve anëtare”, tha komisionerja Kos.

Ajo theksoi se duhet folur me shtetet anëtare për sa mund të bëjnë në pjesën e bazuar në meritat, por edhe sa i takon vullnetit politik, sepse gjeopolitika luan një rol të rëndësishëm, dhe se zgjerimi mund të jetë elementi më i rëndësishëm i garancisë së sigurisë.

Komisionerja Kos theksoi se duhet bërë një dallim mes pjesës teknike dhe asaj politike të procesit, ndërsa disa njerëz shohin një mospërputhje midis procesit të bazuar në meritë dhe gjeopolitikë, ose midis vlerave dhe procesit ekonomik, por nëse merret në konsideratë situata, mund të bëhet shumë më tepër.

Krahas vendeve të Ballkanit Perëndimor, ajo shtoi se disa vende nga veriu i Europës po rivlerësojnë mundësinë e përfshirjes në BE, duke theksuar nga ana tjetër se procesi i zgjerimit po përshpejtohet, sidomos me Ukrainën dhe se BE-ja po punon 2-3 herë më shpejt se sa punon zakonisht.

Ndërsa kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria dëshiron dhe përpiqet prej shumë kohësh që të anëtarësohet në BE, e cila së bashku me Ballkanin Perëndimor duhet të bëhen gjithnjë e më të aftë për t’iu përshtatur sfidave të reja dhe për të fituar kohën e humbur me kaq shumë rregullore e bisedime dhe me kaq pak veprim.

“Mendoj se kjo tani mund të përshpejtohet shumë më tepër dhe BE-ja duhet të ndryshojë”, tha zoti Rama. Ai vërejti se BE po ndryshon shumë ngadalë dhe shumë pak, edhe pse ka ndryshuar qëndrim ndaj Ballkanit Perëndimor dhe për sa i takon ritmit të përafrimit me të, por sipas tij, BE-ja ka sot shumë nevojë për Ballkanin Perëndimor.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, kujtoi se Shkupi e ka nisur rrugëtimin për në BE shumë përpara Shqipërisë dhe Kroacisë, dy dekada e gjysmë më parë, e tashmë Kroacia është pjesë e BE-së, por Maqedonia e Veiut ka mbetur në të njëjtin vend, ku ishte dy dekada e gjysmë më parë.

“Qëllimi ynë është dhe do të mbetet që të bëhemi pjesë e Bashkimit Europian dhe për këtë nuk ka dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim”, tha zoti Mickoski. Ai vërejti se procesi i bazuar në meritë Shkupit i duket si një objektiv që gjithnjë zhvendoset dhe është i komplikuar, sepse disa vende shtojnë herë pas here kërkesa ndaj Maqedonisë së Veriut, si ndryshimi i emrit apo i flamurit etj., çka prekin çështje të brendshme të vendit dhe sjellin vuajtje nga standartet e dyfishta.

Përfaqësues të BE-së mendojnë se çështjet dypalëshe duhen zgjidhur jashtë Bashkimit Europian dhe se ato kohë pas kohe vështirësojnë ecurinë e vendeve drejt Bashkimit Europian.

Komisionerja Kos tha se tashmë është koha që të ecet përpara edhe në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, mes Sofies dhe Shkupit, e Bosnjes po ashtu, sepse tani është koha e duhur për të forcuar Bashkimin e Europës në pikëpamje të sigurisë, mbrojtjes dhe paqes.

Trumpi uroi për 17-vjetorin e Pavarësisë! Osmani: SHBA, mbështetje e fuqishme për Kosovën

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka mirëpritur letër urimi nga presidenti amerikan Donald Trump, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Osmani ka falënderuar presidentin amerikan Trump, për letrën e urimit për pavarësinë e Kosovës.

Sipas zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, Presidenti Trump ka dërguar një mesazh urimi për popullin e Kosovës, duke lavdëruar përkushtimin dhe vendosmërinë që ka shoqëruar procesin e pavarësisë. Ai ka theksuar mbështetjen e fortë të SHBA-ve për Kosovën dhe përpjekjet për të krijuar një shoqëri demokratike, që i ofron mundësi për të gjithë qytetarët pa asnjë dallim.

Gjithashtu, Presidenti Trump ka nënvizuar rëndësinë e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe organizmat euroatlantikë dhe ka vlerësuar mbështetjen e Kosovës ndaj Ukrainës në luftën kundër agresionit rus.

Në fund, ai ka theksuar se Dita e Pavarësisë është një mundësi për të vlerësuar arritjet e deritanishme dhe për të parë përpara me shpresë për një të ardhme të shkëlqyer për Kosovën.bw

Presidenti Trump uron Kosovën për 17 vjetorin e pavarësisë

VOA Leonat Shehu

Presidenti amerikan Donald Trump thotë se Shtetet e Bashkuara mbështesin plotësisht Kosovën dhe përkushtimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike ku të gjithë qytetarët e saj të mund të jetojnë së bashku dhe në begati.

Në një mesazh për Presidenten Vjosa Osmani, me rastin e shtatëmbëdhjetëvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, zoti Trump shprehet se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën, ndërsa ajo forcon institucionet demokratike dhe promovon rritjen ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi.

Në mesazh, Presidenti Trump thotë se lidhjet midis popujve të të dyja vendeve janë të forta dhe se pret zgjerimin e tyre, përfshirë rritjen e mundësive për investime, për të sjellë mirëqenie më të madhe për të dy vendet.

“Shtetet e Bashkuara presin të ndërtojnë një marrëdhënie më produktive me qeverinë e Kosovës në vazhdim të vitit. Ndërsa punojmë me Kosovën dhe fqinjët e saj për të ndërtuar një rajon më të begatë dhe më të sigurt, është e rëndësishme që Kosova të integrohet më tej në komunitetin euroatlantik”, thuhet në mesazh.

Presidenti Trump gjithashtu vlerëson në mesazhin e tij mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën përballë agresionit rus.

Liderët europianë në një takim urgjent në Paris, gjithçka që duhet të dini në lidhje me samitin e thirrur nga Macroni

 

Liderët evropianë, përfshirë kryeministrin britanik Keir Starmer , do të mblidhen javën e ardhshme në Paris për një samit urgjent mbi luftën në Ukrainë.

Takimi, i cili ka të ngjarë të mbahet të hënën, pritet të diskutojë përpjekjet e SHBA për të përjashtuar liderët evropianë nga bisedimet e paqes, pozicionin që Evropa duhet të marrë për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës në NATO dhe se si mund t’i ofrohen Ukrainës garancitë e sigurisë, qoftë përmes NATO-s ose ndonjë force evropiane.

Mediat britanike raportojnë se ata që do të ftohen në Paris nga Emmanuel Macron do të ishin sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe liderët e Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Polonisë.bw

Ndryshimet klimatike dhe ndërhyrjet në mjedis kanë zgjeruar përmasat e erozionit në bregdetin e Shqipërisë

VOA Pëllumb Sulo

Në Shqipëri, ndryshimet klimatike dhe ndërhyrjet në mjedis po shoqërohen me shtimin e erozionit në vijën bregdetare. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, zonat më të rrezikuara nga erozioni bregdetar janë Kune- Vaini në Lezhë dhe grykëderdhja e Lumit Buna në Shkodër.

Ndryshimet e shpejta, të vërejtura vitet e fundit në vijën bregdetare të Shqipërisë, dëshmojnë për ndikimin e thellë të ndryshimeve klimatike, zhvillimeve urbane të parregullta, por edhe pasojave që sjellin ndërhyrjet në mjedis. Sipas ekspertëve të mjedisit, 1/3 e vijës bregdetare të Shqipërisë, prej më shumë se 400 km, rrezikohet nga erozioni.

Në mënyrë të vazhdueshme, deti Adriatik po merr sipërfaqe nga plazhet dhe pyjet, me ndikim në ekosistemet natyrore dhe veprimtarinë ekonomike të komuniteteve lokale në bregdet.

“Erozioni bregdetar nuk është realisht një fenomen i ri. Është realisht problematikë në bregdetin e Adriatikut, duke filluar nga delta e Lumit Buna duke vazhduar në zonën e Kune Vainit dhe në shumë segmente të tjerë bregdetar. Ai sjell dëmtime shumë të mëdha në ekosistemet bregdetare, por, njëherazi, edhe në shumë drejtime të tjera që kane lidhje me natyrën”, thotë profesor Ervis Krymi, Universiteti i Shkodrës.

Një studim i organizatës mjedisore “Eco Albania” veçon faktin se, erozioni në bregdetin e Adriatikut, më së shumti është i pranishëm në sektorë të gjerë të grykëderdhjes së Semanit, në skajin jugor të gjirit të Durrësit (Karpenit), në jug të Gjirit të Lalzit, grykëderdhjen e lumit Mat, në Tale, Kune-Vain të Lezhës, si dhe disa zona në Velipojë.

Kune Vaini është zona më e prekur në Shqipëri nga erozioni bregdetar. Këtu, banorët dhe bizneset vendase kanë ngritur prita me thasë me rërë, në përpjekje për të frenuar vërshimin e mëtejshëm të detit në territor.

Eksperti i mjedisit Jak Gjini, i cili ndjek në vazhdimësi ecurinë e erozionit në vijën bregdetare të Shëngjinit, thotë se në zonën e Kune Vainit, çdo vit erozioni merr 2-3 metër nga bregu ranor.

“ Në mënyrë të veçantë, në periudhën aktuale, zona është mjaft e ekspozuar ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike dhe shpejtësisë me të cilën po ndodhin këto ndikime. Në mënyrë të veçantë, erozioni bregdetar është i tillë që po tejkalon edhe parashikimet e skenarëve për zonën. Mjafton të kujtojmë se, vetëm në pjesën veriore të grykëderdhjes së Lumit Drin, deti avancon deri në 20 metër në vit dhe e gjithë zona goditet nga stuhitë detare dy herë në vit, duke u bërë mjaft frekuente dhe të pranishme për zonën”, thotë ai.

Stuhitë e herëpashershme detare, përgjatë bregdetit të Shëngjinit, të cilat ndodhin nga muaji tetor, deri në marsin e vitit pasues, shoqërohen me erodimin e bregut të detit dhe dëmtimin e brezit pyjor me pisha.

“ Si rezultat, janë prishur balancat natyrore të furnizimit të bregdetit me sedimente të ngurta duke sjellë ndryshime gjeomorfologjike të fuqishme, të cilat kanë ndikuar jo vetëm në vlerat natyrore të zonës, por edhe aktivitetin social-ekonomik të kësaj zone si në bujqësi, peshkim, turizëm, aktivitete këto që janë mjaft të rëndësishme për zonën”, thotë ai.

Përveçse në vijën bregdetare Kune Vain, erozioni po shfaqet mjaft agresiv edhe në grykëderdhjen e Lumit Buna. Krahasimi i pamjeve satelitore, nga viti 2012 deri në janarin e këtij viti, dëshmojnë për ndryshimet e thella në deltën e Lumit Buna dhe zhdukjen graduale të ishullit të vogël të Franc Jozefit.

“ Është shumë e rëndësishme që këto ekosisteme bregdetare të mirëmenaxhohen, të merren masa për mbrojtjen e tyre, të ruhet gjithnjë e më tepër nga ndërhyrja në shtretërit e lumenjve, marrjen e inerteve. Ndërhyrjet mund të dëmtojnë sedimentet e shumta përgjatë vijës bregdetare. Po ashtu, është e rëndësishme mbjellja e më shumë pemëve, pasi kjo do të ndihmonte që fenomenet negative të erozionit mos të na godasin përgjatë vijës bregdetare”.

Nëse nuk merren masa të shpejta për të frenuar avancimin e mëtejshëm të detit në brendësi të vijës bregdetare të Adriatikut, sipas ekspertëve të mjedisit, pasojat e erozionit do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë dhe afatgjatë në mjedisin natyror, ekonominë dhe jetën e rreth 430 mijë banorëve që jetojnë përgjatë vijës bregdetare, por edhe në ecurinë e mëtejshme të sektorit turistik, si një nga burimet kryesore të ekonomisë së vendit.

Presidentja Vjosa Osmani takon komandantin suprem të forcave aleate për Evropën: Roli i NATO-s në Kosovë, i pazëvendësueshëm

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u takua të shtunën në Mynih, me Komandatin Suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) në NATO, gjeneralin Christopher Cavoli.

Presidentja Osmani e cila po ndjek punimet e konferencës së Sigurisë, ka vlerësuar rolin e NATO-s në këto 23 vite, që sipas saj, është i pazëvendësueshëm për Kosovën.

Në një postim në rrjetet sociale, presidentja Osmani thotë se në këtë kohë përcaktuese për kontinentin evropian, “riafirmova përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për një bashkëpunim të ngushtë me aleancën, duke kontribuar aktivisht në sigurinë e rajonit dhe më gjerë”.

Më poshtë postimi i plotë

Në Konferencën e Sigurisë në Mynih, pata një takim të frytshëm me Gjeneralin Christopher Cavoli, Komandantin Suprem të Forcave Aleate për Evropë (SACEUR) në NATO.

Diskutuam mbi rolin e pazëvendësueshëm të NATO-s në Kosovë gjatë 23 viteve të fundit në mbrojtje të sigurisë dhe stabilitetit. Në këtë kohë përcaktuese për kontinentin evropian, riafirmova përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për një bashkëpunim të ngushtë me aleancën, duke kontribuar aktivisht në sigurinë e rajonit dhe më gjerë. bw

Osmani mban takim “të rëndësishëm” me delegacionin e kongresistëve amerikanë në konferencën e Mynihut

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përkrah delegacionit të kongresistëve amerikanë në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih, 15 shkurt.

 

Radio Evropa e Lirë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ka zhvilluar një takim “jashtëzakonisht të përzemërt dhe të rëndësishëm” me delegacionin e kongresistëve amerikanë në ditën e dytë të Konferencës së Sigurisë në Munih.

Në një shkrim në Facebook të shtunën, Osmani tha se mbështetja e Kongresit Amerikan ka luajtur një rol kyç në shkrimin e historisë së Kosovës së lirë, të pavarur dhe sovrane.

“Kjo mbështetje vazhdon edhe sot, ndërsa punojmë së bashku për të adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi që thellojnë dhe fuqizojnë më tej aleancën tonë historike”, shkroi ajo.

Ajo nuk dha më shumë hollësi rreth asaj se çfarë është diskutuar në këtë takim.

Përveç Osmani, në Konferencën e Sigurisë në Munih nga Kosova po marrin pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, dhe ministren e Jashtme Donika Gërvalla.

Ata e kanë shfrytëzuar këtë konferencë, e cila nisi të më 14 dhe përfundon më 16 shkurt, për të zhvilluar plot takime në margjinat e saj.

Në ditën e parë të konferencës, që të tre u takuan ndaras fillimisht me të dërguarin e ri të Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, me të cilin biseduan në lidhje me pritjet nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë.

“Do të vazhdojmë të punojmë me aleatët tanë që ky proces të përmbyllet me njohje të ndërsjellë dhe mbrojtjen e sovranitetit, kushtetutshmërisë dhe integritetit territorial të Republikës sonë”, tha Osmani pas takimit me Sorensenin të premten.

Presidentja Osmani u takua të premten edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Alain Berset, me të cilin kanë diskutuar për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në këtë organizatë.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të përbënte një fitore jo vetëm për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe për vetë Evropën dhe vlerat e saj themelore”, tha Osmani të premten.

Kosova ka qenë vetëm një hap larg anëtarësimit në këtë organizatë më 2024, mirëpo e ka humbur shansin, meqë nuk e ka përmbushur kërkesën e Francës dhe Gjermanisë që të ndërmarrë hapa drejt formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, menjëherë pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pati miratuar rekomandimin që Kosova të pranohej në këtë organizatë.

Në mbrëmje, Osmani e ka publikuar edhe një fotografi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe kryeministrin e Holandës, Dick Schoof, të cilët i ka përshkruar si “përkrahës të fuqishëm të paqes e sigurisë në Kosovë”.

Në ditën e parë të tubimit, Osmani u takua edhe me presidenten e Zvicrës, Karin Keller-Sutter, si dhe mbajti takime veç e veç me dy anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Zhelko Komshiq dhe Denis Beqiroviq.

Në Konferencën e Sigurisë në Munih merr pjesë ‘ajka’ e diplomatëve botërorë, ndonëse këtë herë sytë janë te delegacioni i administratës amerikane, Donald Trump, dhe negociatat potenciale me Ukrainën për dhënie fund të luftës së nisur nga Rusia, gati tre vjet më parë.


Send this to a friend