Shtetet e Bashkuara kanë arrestuar presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, pas një operacioni sekret ushtarak të përmasave të mëdha, të planifikuar për muaj me radhë nga agjencitë amerikane të inteligjencës dhe ushtria, raporton BBC.
Sipas mediave amerikane, për muaj të tërë spiunët e SHBA kishin monitoruar çdo lëvizje të Maduro-s, duke përfshirë vendndodhjen, zakonet e përditshme dhe rrethin e tij të sigurisë. Një ekip i vogël, ku përfshihej edhe një burim brenda qeverisë venezueliane, luajti rol kyç në mbledhjen e informacionit.
Operacioni, i koduar “Operacioni Vendosmëria Absolute”, u finalizua në fillim të dhjetorit pas muajsh planifikimi dhe stërvitjesh intensive. Trupa elitare amerikane kishin ndërtuar madje edhe një kopje të saktë të banesës së sigurt të Maduro-s në Karakas për të praktikuar hyrjen. Kongresi amerikan nuk ishte informuar paraprakisht për ndërhyrjen.
Urdhri për nisjen e misionit u dha nga presidenti amerikan Donald Trump të premten në mbrëmje, në orën 22:46 sipas kohës lokale amerikane. Operacioni u zhvillua gjatë natës dhe zgjati rreth dy orë e njëzet minuta, duke përfshirë ndërhyrje nga ajri, toka dhe deti.
Maduro u arrestua dhe u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku aktualisht ndodhet në Qendrën Metropolitane të Paraburgimit në Brooklyn. Ai është paditur për akuza që lidhen me drogën dhe armët, akuza të cilat i ka mohuar më herët. Një fotografi e publikuar nga mediat amerikane e tregon atë me pranga në duar, i rrethuar nga agjentë federalë, pak pas mbërritjes në Nju Jork.
Gjatë një konference për shtyp në Mar-a-Lago, Donald Trump e cilësoi operacionin si “brilant” dhe deklaroi se synimi i tij ishte çlirimi i popullit venezuelian. Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara do të marrin përkohësisht përgjegjësinë për qeverisjen e Venezuelës, deri në realizimin e një tranzicioni që e përshkroi si “të drejtë dhe të ndershëm”.
Ndërhyrja ka shkaktuar reagime të menjëhershme dhe kritika të ashpra nga disa vende të rajonit. Presidenti i Brazilit, Lula da Silva, deklaroi se kapja me forcë e liderit venezuelian përbën “një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm për komunitetin ndërkombëtar”, duke rritur tensionet politike në Amerikën Latine dhe më gjerë. Panorama