VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

CARL BILDT – BASHKIMI EVROPIAN T’I PËRKUSHTOHET ME SHUMË BALLKANIT

By | May 13, 2015

Komentet

CDU-CSU: Zgjedhjet pa opozitën janë problematike, opsion mbetet shtyrja

Unioni Kristiandemokrat dhe Kristiansocial (CDU/CSU) përmes një deklarate ekskluzive për Deutsche Welle-n shpreh shqetësimin për gjendjen në Shqipëri.

Ndër të tjera sugjerohet shtyrja e datës së zgjedhjeve.

Në një deklaratë të përbashkët, dy deputetët, Johann David Wadephul, zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU në parlamentin gjerman dhe njëherazi drejtues i grupit të punës së Ballkanit Perëndimor, si dhe Christian Schmidt, CSU, raportuesi për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm dhe ish-ministër federal, shprehin shqetësimin e tyre për krizën e brendshme politike në Shqipëri dhe për zgjedhjet lokale që do të zhvillohen pa opozitën.

Deklarata e Plotë:

“Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen evropiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.

Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.

Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë.

Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje.

Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik.”

Eksportet – Kosova në vendin e dytë për mallrat e Shqipërisë

Për të tretin muaj rradhazi, Kosova ka mbajtur vendin e dytë në listën e partnerëve kryesorë tregtarë të Shqipërisë, sa i përket eksporteve.

Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se Kosova është në vend të dytë pas Italisë në listën e vendeve ku Shqipëria eksporton më shumë.

Kthesa ka nisur në muajin janar të këtij viti, e ndikuar nga dy faktorë. Faktori i parë është taksa 100 % për produktet serbe që ka vendosur Kosova vitin e kaluar duke favorizuar kështu produktet që vijnë/kalojnë nga Shqipëria, si dhe fakti që eksportet e mineraleve nuk po orientohen më nga Spanja.

Këtë vit, niveli i eksporteve të Shqipërisë drejt Kosovës arriti në 8.9 miliardë lekë, në një kohë që drejt Spanjës eksportet ishin në nivelin e 5.9 miliardë lekëve. Një vit më parë, raportet ishin të përmbysura. Drejt Kosovës u eksportuan 5.8 miliardë lekë mallra ndërsa drejt Spanjës u eksportuan 8 miliardë lekë.

Por çfarë po eksporton Shqipëria në Kosovë?

Referuar të dhënave të INSTAT, rezulton se Shqipëria në prillin e këtij viti ka eksportuar më shumë “ushqime, pije e duhan”, “minerale e lëndë djegëse”, “produkte kimike e plastike” si dhe “materiale ndërtimi e metale”.

Në grupin e mallrave “ushqim, pije e duhan” rezulton se Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës 266 milion lekë më shumë gjatë këtij viti, “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” 1.7 miliard lekë më shumë, “produkte kimike dhe plastike” 208 milion lekë më shumë si dhe “materiale ndërtimi dhe metale” 624 milion lekë më shumë.

VIDEO – Largimi i ish-oficerëve të Sigurimit nga Institucionet, Agron Tufa në Kuvend: Po mbrohen haptazi me arrogancë

Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit gjatë paraqitjes së raportit vjetor në Parlament ka kritikuar krerët e institucionet shqiptare se nuk kanë marrë masa për të larguar ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit nga postet drejtuese.

Sipas Tufës, ish-oficerëve të Sigurimit po u krijohet mbrojtje dhe po u lejohet të mbajnë postet drejtuese në administratën shtetërore.

Sipas drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, institucionet shtetërore nuk denjojnë të kthejnë përgjigje për ish-oficerët e Sigurimit të Shtetit, qoftë dhe për përputhshmërinë e diplomave që mbajnë postet drejtuese.

Për Agron Tugën për këto ish-oficerë kërkoi të ndiqet shembulli i Gjermanisë.

Mënjanimi i ish-oficerëve të Sigurimit të shtetit të cilët janë në institucionet shumë të rëndësishme që financohet nga buxheti i shtetit, kanë arritur një nivel tejet të lartë, absurd dhe të papranueshëm për një shoqëri demokratike.

Me përjashtim të fare pak institucioneve në varësi të Kuvendit apo Kryeministrit, pjesa dërrmuese e institucioneve të varura dhe të pavarura të shtetit, as denjojnë t’i binden ligjit për informimin, duke shkelur kështu çdo të drejtë Kushtetuese mbi informimin.

Ne jemi të bindur se krerët e këtyre institucioneve i mbrojnë haptazi, e madje me arrogancë ish oficerët e sigurimit në poste drejtuese, kjo është e amoralshme sepse ky kontingjent nuk e ka vendin në institucionet e shtetit tonë demokratik, qoftë edhe për pa përputhshmëri diplome.

Në mënyrë të ngjashme ka vepruar Gjermania e cila e ka bërë fakt këtë edhe pa ligj lustracioni, duke mos i njohur diplomat e kësaj kategoria dhe praninë e tyre në administratë”, tha Agron Tufa në Parlament.

Minatorët protestë para Kuvendit, pensionisti: Do djeg veten (videot)

TIRANË

Një grup minatorësh kanë dalë sot në protesta para parlamentit për të shprehur kundërshtimin ndaj projektligjit që pritet të miratohet sot për statusin e tyre.

Ata kanë kërkuar miratimin e statusit të minatorit, një premtim i kahershëm por duke plotësuar kërkesat e tyre dhe deklarojnë se ligji i qeverisë nuk i përmbush.

Një prej minatorëve në pension tha se nëse nuk plotësohen këto kërkesa do të djegë veten pasi ndihet i diskriminuar nga një e drejtë që ia jep Kushtetuta.

“Nuk shton kuotat tona. Na le shumë poshtë. Unë kam 16 vite punë, po ta shumëzosh me 1%, mund të ngrihet 22 mijë lekë të vjetra. Ku do shkoj me këto. Unë barazohem me kooperativistin. Me këtë ligj përfitojnë zyrtarët që janë shpikësit e pensioneve falsë. Ne që kemi punuar ngelemi jashtë skeme. Ato kanë marrë konsulencë me sindikata sllave. Unë jam i mendimit do djeg veten, jam i diskriminuar. Kur më jepet kjo e drejtë nga Kushtetuta këta ma mohojnë. I pari Arben Ahmetaj, Ilir Beqaj e me radhë. Në 2009 bëmë marrë veshje me Ramën dhe tha brenda 6 muajve në pushtet do t’u jap statusin. U bënë 6 vjet dhe status s’ka”, tha minatori.

Takimi prekës i dy ish të burgosurve shqiptarë, derdhin lotë sërish në burgun famëkeq komunist

Dje u shënua 35 vjetori i revoltës së të burgosurve të Qafë- Barit, dhe shumë vujatës të tmerrit të atij burgu kanë shkuar sërish në “ferr” për të mos harruar se çfarë ndodhi. Por ajo që ka qenë mjaft prekëse, ka qenë një takim mes dy miqve, dikur të burgosur në Qafë- Bari dhe që kishin mbi 3 dekada që nuk shihnin njëri tjetrin.

Kosta Gjordeni dhe Tonin Dema, mezi e kanë njohur njëri-tjetrin e më pas janë përqafuar mes lotësh. Jozef Radi shkruan në statusin e tij në rrjetin social se këta dy bashkëvuajtës takohen pas ngjarjeve të vitit 1984.

‘Dy bashkëvuajtes të tmerrit të majit 1984 takohen mbas shumë vitesh… Kosta Gjordeni nji nga herojtë e Revoltës qe nga ajo ditë mbajti 30 vite plumbin ne shpatull dhe ishte me nje dore… me dy miqtë e tij Tonin Dema dhe Zef Luka… lotët e kësaj bisede në takimin mes tyre, dhe dhimbja qe vazhdon të jetojë në shpirtrat e tyre, ishin nga çastet më prekëse të kësaj dite…

Me qindra njerez takuan dramen dhe qendresen e tyre nen diktature…’, shkruan Jozef Radi./Express

Haradinaj mbron Sali Berishën: Thaçi është bashkëpunëtor i Aleksandër Vuçiqit (video)

Kryeministri Ramush Haradinaj në emisionin Pressing ka komentuar përplasjet e ashpra mes Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishën.

Haradinaj, kur pyetet nëse mendon se Berisha ka qenë “argat i Millosheviqit”, ashtu sic e quan Thaci, thotë se kjo nuk mund të qëndrojë aspak.

“Thaçi është bashkëpunëtor i Aleksandër Vuciqit” , ka thënë Haradinaj.

Ai tutje ka treguar një histori që ia ka rrëfyer Berisha për lidhjen e tij me Kosovën që kur ka qenë fëmijë.

“Sali Berisha ma ka treguar një histori me agjin e tij. Më ka treguar se kur ka qenë i vogël ka ecur deri në një kodër në zonës ku ka jetuar. Prej atje ku shihej Kosova. Agja i ka thënë se atje është Kosova dhe ajo është zemra e Shqipërisë”, ka treguar Haradinaj.

Sipas Kryeministrit, kjo tregon se lidhja e Berishës me Kosovën është e thellë dhe ai nuk mund të shihet si bashkëpunëtor i Serbisë asnjëherë. /Express/

Zëri i Amerikës: Në Shqipëri Gjykata e Lartë mbetet me dy anëtarë

Në Shqipëri, Gjykata e Lartë rrezikon të mos kryejë më as funksionet më minimale, pasi që prej ditës së sotme ajo ka mbetur vetëm me dy gjyqtarë. Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) vendosi shkarkimin nga detyra të anëtarit të kësaj gjykate, Edmond Ismailaj, i cili në qershorin e vitit të shkuar kishte kaluar me sukses, filtrin e parë të procesit të verifikimit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) nuk kishte gjetur asnjë problem në të tri shtyllat e procesit, si atë që lidhej me pasurinë, ashtu dhe me integritetin e tij moral dhe përgatitjen profesionale.

Por pak javë më vonë Komisioneri Publik vendosi të ankimojë vendimin e KPK-së për Islamajn. “Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit”, shpjegonte në korrik të vitit të kaluar Komisioneri Publik.

Problemet për anëtarin e Gjykatës së Lartë, sipas Komisionerit, lidheshin me pasurinë e tij. Për disa seanca me radhë Zoti Islamaj u mbrojt përpara KPA-së duke theksuar se të gjitha provat janë në linjë me vendimin e marrë më parë nga KPK-ja dhe se nuk bëhet fjalë për deklarime të rreme apo fshehje të pasurisë duke qenë se një pjesë e madhe e saj, është e trashëguar.

Por në vendimin e sotëm Kolegji i Posaçëm i Apelimit, trupa gjykuese tha se sipas saj gjyqtari nuk kishte mundur të provonte se disa pasuri të paluejtshme të bashkëshortes së tij (një apartament, një lokal dhe një garazh) kishin burime të ligjshme, sikundër dhe për vlerat në cash të deklaruara prej tij. Kolegji ishte i mendimit se deklarimi i gjyqtarit nuk ishte i saktë.

Gjykata e Lartë, sipas një ndryshimi ligjor të vitit 2013 duhet të ketë 19 anëtarë. Ligji e rriti me 5 numrin e gjykatësve të saj, por përplasjet politike mes shumicës dhe ish presidentit Nishani, bënë që anëtarët shtesë të mos zgjidheshin. Përpara nisjes së Vettingu-t, 5 nga gjykatësit e Lartë dhanë dorëheqjen, pasi kishin mbushur vitet e mandatit në detyrë, ndonëse ligji parashikon se ata mund të qëndrojnë deri në momentin e zëvendësimit.

Mes 9 anëtarëve të mbetur, vetëm 4 prej tyre i rezistuan Vettingut. Njëri prej tyre Mehdi Bici, u largua pasi u zgjodh anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pas vendimit për gjyqtarin Islamaj, në Gjykatë mbetet vetëm kryetari i saj Xhezair Zaganjori, ndaj të cilit gjithashtu është një proces i hapur në KPA, dhe Ardian Dvorani. Disa dhjetra mijëra dosje janë grumbulluar ndërkohë, në pritje të shqyrtimit.

Haradinaj vizitë në Berlin, zbulohen data e takimit me Merkelin

KOSOVE

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në 5 dhe 6 qershor pritet të qëndrojë në një vizitë zyrtare në Gjermani ku do të zhvillojë një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel. Lajmi bëhet i ditur nga zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, e cila ka njoftuar se Haradinaj në fillim të qershorit do të udhëtojë drejt Berlinit në një vizitë dy ditore.

“Me ftesë të kreut të Bundestagut gjerman, kryeministri do të marr pjesë në Lutjet e Mëngjesit që organizohen atje. Pastaj do të ketë takime me deputetë të Bundestagut, si dhe më 6 qershor do të zhvillojë një takim pune me Kancelaren Merkel”, tha Gashi.

Sipas saj, axhenda e takimeve të kryeministrit Haradinaj në Berlin ende nuk është finalizuar. Zëdhënësja Gashi u shpreh e bindur se  tashmë që dihen  kërkesat e Haradinaj, do të mund të mbështeten te Gjermania.  Më herët Haradinaj ka thënë se gjatë Samitit të Berlinit në Gjermani i është premtuar liberalizimi i vizave, ndërsa ka pohuar se si kohë opsionale muajin shtator .

Jahjaga pozicionohet kundër ideve të Thaçit, Ramës e Vuçiqit: I rrezikshëm ripërcaktimi i kufijve

Për herë të parë, ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka folur për idenë e shkëmbit të territoreve. Jahjaga nga Tirana ka thënë haptazi se kjo ide është e rrezikshme, duke u pozicionuar kundër idesë së presidentit Hashim Thaci, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, e presidentit serb, Aleksandër Vuciq, raporton Gazeta Express

Ish-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nga Tirana tha se ripërcaktimi i kufijve është një retorikë e rrezikshme.

Gjatë një aktiviteti të zhvilluar për “Sfidat e Sigurisë në Ballkan dhe roli i aktorëve të jashtëm në kohën e tranzicionit euroatlantik”, Jahjaga tha se diskutimet për korrigjimin e kufijve është një temë shumë e ndjeshme, që nënkupton kthimin në të kaluarën.

“Rajoni jonë është ekspozuar ndaj një retorike të rrezikshme rreth ripërcaktimit të kufijve. Një temë që është tejet e ndjeshme dhe ky diskutim nënkupton kthimin tonë në të kaluarën të shënuar me periudha të dhunshme të vuajtjes dhe të përçarjeve”, deklaroi ajo.

Atifete Jahjaga ngriti edhe shqetësimin e ndikimit rus në rajon, nëpërmjet aleatit të saj, Serbisë.

“Rusia, në një sistem vlerash të kundërta nga ato të BE vazhdon të ketë influencë të madhe në Ballkan, sidomos përmes aleatit të saj në rajon, Serbisë. Rusia vazhdon të ushtrojë ndikim të madh në rajonin tonë, sidomos në vende si Serbia duke përdorur mjete ekonomike, politike e kulturore. Edhe përmes nxitjes së sedimenteve nacionaliste. Qëllimi i tyre është i njohur, zvogëlimi i BE dhe NATO-s në Ballkan si forca për promovimin e vlerave demokratike”, tha ajo.

(Video) Arkiv: Reuter dhe Zëri i Amerikës fokusohen tek fjalimi kritik i shkrimtarit Dritero Agolli në Kongresin e 10-të të PPSH

Lexuesit po i sjellim përcjelljen që i kanë bërë agjensitë e huaja të lajmeve Kongresit të PPSH mbajtur më 10 qershor 1991, kur edhe ndryshoi emrin në PS dhe drejtimin e mori Fatos Nano. Vihet re se gazetarët e huaj janë fokusuar edhe tek fjala e Dritero Agollit, e cila sikur shihet, është shume kritike. “Bërtitjet tuaja” iu drejtua Dritero Agolli sallës, kur salla filloi të reagojë kundër tij, “jashtë çdo civilizimi janë pasqyrë e një partie që është shtrirë në shtrat dhe po jep shpirt!”

 

13 qershor 1991

LAJME PËR SHQIPËRINË KOMUNISTËT SHQIPTARË PËRFUNDOJNË KONGRESIN TIRANË, 13 qershor/ROJTER/ –

Jan Kremar shkruan: Partia Komuniste e Shqipërisë e përfundoi kongresin e stuhishëm prej katër ditësh me një emër të ri dhe një udhëheqës të ri, por liberalët theksojnë se ai nuk mundi të eleminojë trashëgiminë e themeluesit stalinist.

Kongresi emëroi ekonomistin liberal 38 vjeçar Fatos Nano si udhëheqësin e ri të mërkurën në darkë dhe zgjodhi një komitet qendror prej 81 anëtarësh me një përzierje liberalësh dhe përkrahësish të vijës së ashpër, pas një debati të gjatë dhe të ashpër.

Liberalët në parti shpresonin se kongresi do të bënte një shkëputje të qartë nga 46 vjetët e sundimit autokratik, por theksuan se ata u zhgënjyen nga rezultati.

“Përmbajtja e debatit tregon shkallën e reformës për të cilën ka nevojë partia… Shumë anëtarë nuk kuptojnë thelbin e këtyre reformave”, theksoi Spiro Dede, liberal i zgjedhur si nje nga sekretarët e partisë. “Nuk është thjesht një problem i ndryshimit të emrit, është një problem i ndryshimeve thelbësore”, shtoi ai.

Në kongres, liberalët u përleshën me anëtarët e vijës së ashpër lidhur me trashëgiminë e ish-diktatorit Enver Hoxha, portreti prej bronxi i të cilit i vështronte delegatët nga pjesa e mbrapme e sallës. Shumë delegatë kritikuan dënimin e Hoxhës nga shkrimtari Dritëro Agolli për vrasjen ose burgimin e kundërshtarëve dhe çuarjen e Shqipërisë në shkatërrim ekonomik, moral dhe social.

Agolli, i cili u zgjodh në Komitetin Qendror të partisë dhe në Byronë Politike prej 13 anëtarësh pas një debati të gjatë, u zotua se do të rinovojë tërësisht partinë.

“Ne shprehim dëshirën për të rigjallëruar dhe për t’i provuar vendit dhe botës se ne do të jemi në gjendje të luajmë një rol të rëndësishëm në një shoqëri pluraliste”, theksoi ai.

 

Radio “Zëri i Amerikës” 11 qershor 1991

REPORTAZH NGA DITA E DYTË E PUNIMEVE TË KONGRESIT TË 10-të TË PPSH-së

Sot shkrimtari i njohur Dritëro Agolli mbajti një fjalim në Kongresin e 10-të të PPS-së.

Siç vihet në dukje në reportazhin që vijon, fjalimi i zotit Agolli ngjalli interesim të madh dhe shkaktoi debate të ashpra në radhët e delegatëve të kongresit.

Rinovimi i partisë, tha D.Agolli, mund të bëhet vetëm duke pranuar dhe korrigjuar gabimet kryesore të PPSH-së.

Gabimi kryesor, tha ai, ishte diktatura e hekurt që vendosi Enver Hoxha për të mos lejuar asnjë mendim të lirë. Kushdo që kishte një mendim tjetër nga i tij zhdukej.

Kushdo që ngrihej kundër izolimit lidhej me zinxhirë, kushdo që ngrihej kundër tufëzimit, i cili rrënoi plotësisht fshatin, përplasej në qeli.

Nën maskën e kolegjialitetit miratoheshin vendime të marrëzishme. Kur nuk gjendej naftë, burgoseshin inxhinierët e talentuar të akuzuar për spiunazh.

Praktikisht u zhdukën të gjithë anëtarët e mëparshëm të Byrosë Politike dhe të KQ-së.

Ata që mbetën u bënë servilë, lakmitarë dhe karrieristë.

Lufta e klasave u kthye në një terror në gjirin e popullit dhe të partisë. U rrit kulti i Enver Hoxhës, kulti i Partisë dhe kulti i Sigurimit të Shtetit. Morën përmasa të papara abuzimi, ryshfeti, u shemb tradita e burrërisë shqiptare. Zyrtarët e lartë bridhnin nëpër botë në një kohë që populli vuante.

Gabimi i dytë, tha zoti Agolli, ishte vija ekonomike, që varfëroi deri në ekstrem Shqipërinë, në këtë kohë, sipas burimeve nga Tirana, në sallën e kongresit bëhet një zhurmë e madhe.

Delegatët provincialë fillojnë të bëjnë thirrjet në kor: “Parti-Enver jemi gati kurdoherë”. Shumë prej tyre kërkojnë që t’i pritet fjala zotit Agolli, të tjerë kërkojnë që ai të nxirret jashtë nga kongresi dhe nga partia.

Shkrimtari i shquar e priti me gjakftohtësi këtë stuhi enveriste dhe duke iu drejtuar kongresit tha: “Me këtë qëndrim që po mbani këtu ju po provoni se PP-ja nuk do të rinovohet. Thirrjet tuaja jashtë çdo civilizimi janë shprehje e një partie që po jep shpirt”.

Mes thirrjeve histerike të mjaft delegatëve, Dritëro Agolli vazhdoi të bëjë analizën e rrugës së PPSH-së që e çoi Shqipërinë në katastrofë.

Ai vuri në dukje humbjen e interesimit për punën, stimulimin e njerëzve të paaftë dhe luftën kundër të aftit, luftën kundër çdo gjëje të bukur.

Gabimi i tretë, vazhdoi D.Agolli, ishin shkelja e të drejtave të njeriut, nxitja deri në ekstrem e luftë së klasave, plotfuqia e agjentëve të Sigurimit të Shtetit, Shefat e kuadrit gërmonin biografitë e njerëzve.

Njerëzit trembeshin nga njëri-tjetri. Kushdo dyshohej se ishte spiun.

Gabimi i katërt ishte politika e jashtme e izolimit të plotë. Dje na ofroheshin kredi dhe nuk i pranonim, ndërsa sot kërkojmë kredi dhe asnjeri nuk na jep. Frika e hijes së E.Hoxhës, theksoi D.Agolli, nuk e le PP-në të rinovohet.

Në kongres e mori fjalën edhe presidenti Ramiz Alia. Ai fajësoi udhëheqjen, duke përfshirë edhe veten, për gjendjen e rëndë që po kalonte vendi. Ai foli në përgjithësi për gabime dhe për shkelje të të drejtave të njeriut, por në përgjithësi fjalimi pati pak elementë konstruktivë.

 

 

 

 

 

Uashington, përkujtohet revolta në burgun e Spaçit dhe Qafë Barit (video)

Në prag të 35 vjetorit të revoltës në burgun e Qafë Barit më 22 maj 1984, ku të burgosurit politikë u ngritën kundër sistemit komunist, për herë të dytë pas kryengritjes në burgun e Spaçit më 21 Maj 1973, organizata Vatra dhe aktivistë Shqiptaro-amerikanët kundër komunizmit përkujtuan revoltat e këtyre dy ish burgjeve famëkeqe përmes një ceremonie të organizuar pranë memorialit për viktimat e komunizmit në Uashington. Pjesëmarrësit kërkuan më shumë vëmendje ndaj krimeve të komunizmit dhe bënë thirrje për ndëshkimin e tyre. Kolegia Rudina Dervishi ka përgatitur kronikën.

Bashkëvuajtësit e burgut të Spaçit dhe Qafë Barit, zgjodhën përmendoren kushtuar viktimave të komunizmit në Uashington për të kujtuar revotën e 21 maj të vitit 1973 në Spaç dhe atë të 22 majit të vitit 1984 në Qafë Bari që shihen si dy nga lëvizjet më të njohura kundër regjimit komunist.

“Gjordeni e kishte mbiemrin. Kos Gjordeni. Ata e qëlluan që aty… Ai filloi bërtiti dhe atëherë u revoltuan të burgosurit që ishin në mencë. Hapën derën me forcë. U përleshën me policinë e cila iku nga kampi”.

Naim Staravecka ka qënë i burgosur në Spaç nga viti 1979 deri në vitin 1983 për t’u transferuar më pas në burgun e Qafë Barit. Ai mban mbi supe shumë vuajtje dhe ka qënë dëshmitar i asaj revolte.

“Me thënë të drejtën unë sjell në kujtesë ata djem aq të rinj, dhe aq të mirë sa ishin që i pushkatuan dhe u sollën me ta mizorisht. Një tmerr i vërtetë dhe mbas revoltën aty në kamp bëhej barbari e vërtetë. Nuk e di në janë trajtuar kështu izraelitët në kohën e gjermanëve”.

“Nuk kemi shumë raste si ky”, thotë Lek Mirakaj, ku njerëzit të mbyllur brenda telave nën kamzhikun e policit, të ngrihen për të kërkuar liri dhe demokraci. Zoti Mirakaj kërkon më shumë vëmendje ndaj ngjarjeve të tilla që e nderojnë kombin shqiptar dhe flasin për shembullin e luftës për demokraci.

“Ne sot këtu erdhëm për t’i dhënë një mesazh si opozitës ashtu edhe ekzekutivit. Ata mund të bëjnë sikur s’ka ndodhur asgjë, por brezat që do të vijnë janë të interesuar, pavarësisht të bijtë e kujt do të jenë. Do të kenë nevojë me mësu të vërtetën, ashtu siç po ndodh në tërë botën”.

Pëllumb Lamaj, organizatori kryesor i kësaj ceremonie i bën apel klasës politike dhe institucioneve shqiptare t’i kushtojnë më shumë vëmendje të kaluarës dhe të dënojnë krimet e komunizmit.

“Unë do t’i bëjë thirrje institucioneve shqiptare, atyre që merren me historinë, me kulturën, ti kushtojnë më shumë vëmendje të kaluarës. Është një periudhë 50 vjeçare, një periudhë që mbolli vetëm terror, mbolli vrasje, i ndau shqiptarët me luftën e klasave … dhe shqiptarët nuk mund të ecin përpara pa hequr nga supet këtë turp dhe krim historik do të thosha unë”.

Gati tre dekada pas rrëzimit të regjimit komunist, krimet e kryera gjatë asaj periudhe vazhdojnë të mos u kushtohet vëmendja dhe kujtesa që meritojnë.

VIDEO – Masakra e Dubravës: Kush janë 31 serbët e dyshuar për vrasjen e shqiptarëve

954 të burgosur shqiptarë ishin vendosur në Burgun e Dubravës.  Madje shumë nga ta ishin grumbulluar aty edhe nga burgjet tjera të Serbisë.  E gjithçka duket se kishte ndodhur me një skenar. Qëllimi ishte kryerja e një masakre ndaj shqiptarëve të pambrojtur.

Dibran Istrefi

Nga 19 maj deri me 24 të po atij muaji të viti 1999, në këtë vend u ekzekutuan mizorisht 123 shqiptar.

Edhe autorët e këtij krimi nuk janë të panjohur.

Madje për ta Shoqata e të Burgosurve Politik në vitin 2007 ka ngritur një Kallëzim Penal.

Në këtë dokument të siguruar nga T7, janë të rreshtuar emrat e 31 serbëve që kanë marr pjesë në këtë masakër.

MASAKRA E DUBRAVËS, DIHEN AUTORËT

Listën e kryeson Aleksandër Rakoqeviq, që atë botë kishte qenë drejtor i Burgut.

Sipas Kallëzimit Penal, ai kishte urdhëruar kryerjen e masakrës.

“Ka urdhëruar Komandantin e Burgut të Dubravës, Miodrag Vidiqin që të përgatisë skenarin e masakrës së burgut të Dubravës që ka filluar të zbatohet me datën 16.05.1999, k urdhëruar, kontrolluar dhe udhëhequr personelin e burgut dhe të burgosurit serb.”

I dyti në listë është renditur Miodrag Vidiq.

Ai që njihej me nofkën “ Miki” ishte komandat i Burgut të Dubravës. K

“Ka zbatuar urdhrat e drejtorit të burgut Aleksandër Rekoqeviq për përgatitjen e skenarit të masakrës së Dubravës, ka përgatitur skenarin e masakrës së Dubravës dhe nga data 16 maj deri me 24 maj 1999 ka urdhëruar gardianët dhe burgosurit serb në burgun e Dubravës, për vrasje, torturim dhe keqtrajtim si k vrarë  vet me dorën e tij.”

Në këtë Kallëzim Penal është përfshirë edhe Branko Komatina, që dyshohet edhe si pjesëmarrës në zhdukjen e Ukshin Hotit. Pos kësaj, bazuar në këtë dokument Branko Komatina kishte ekzekutuar me dorën e tij edhe Rasim Plavën e Shkelzen Pepshin.

E pos strukturës komanduese e gardianëve në kryerjen e kësaj masakre kishin marr pjesë edhe të burgosur serb, që ishin liruar e armatosur në atë kohë.

I tillë është rasti edhe me Boban Bashkoviq.

Ai shihet në foto që nën kërcënimin e armës i detyronte Përparim Efendiun, Ali Gutaën, Napoleon Gutaën dhe Kolë Berishaën, që të bartin kufomat.

Më pas sipas Kallëzimit Penal, që të katërit i kishte ekzekutuar.

Shumë shqiptar duket se kishte vrarë edhe i burgosuri tjetër serb, Ilia Mishkoviq, që ishte nga Çaçaku i Serbisë.

Madje për të ka edhe foto. Tronditëse janë edhe rrëfimet e të mbijetuarve që kanë dhënë deklaratat e tyre në këtë KallëzIM Penal.

Osman Llugaxhiu, kishte rrëfyer se me 21 maj në fushën e sportit ishin ekzekutuar mizorisht shumë shqiptarë, të cilët paraprakisht ishin rreshtuar.

Ai thotë se atë cfarë kishte përjetuar ishte e tmerrshme.

“Gjatë tërheqjes kam parë skena të tmerrshme: njerëz me gjymtyrë ( kokë, këmbë e krah etj) të gjymtuara, në trupin e njeriut kishte eksploduar predha e trombllonit dhe me këtë pamje tmerrohesh.”

Ndërkohë, Sinan Bytyqi tregon se si kishte ndodhur vrasja e shqiptarëve në fushën e sportit. S

“Na kanë thirrur dhe urdhëruar të rreshtohemi. Kërkonin që rreshtat të afrohen sa më afër murit, kinse për të na numëruar. Dhe, vetëm ku i kemi parë me “zola”, trombllone duke gjuajtur drejt neve. Ky është tmerri, që ende, kur më kujtohet, nuk mund të qetësohem.”

Ndërkohë, Haxhi Ukaj, ka rrëfyer se si para syve të tij ishin ekzekutuar dy të burgosur.

“Këtu numëronim minutat e fundit të jetës, pas shumë konsultimesh mes veti të vdekur se të vdekur, filluam të dilnim përjashta. Në oborr të gjithëve na detyruan të ulemi. Në këtë moment një ushtar serb, aty para nesh i pushkatoi dy të burgosur vetëm pse deshi.”

Të gjitha këto por edhe dëshmi të tjera tronditëse janë dorëzuar në ish Gjykatën e Qarkut në Pejë.

Më pas kjo lëndë është marrë nga misioni i EULEX. Por, Nati Hasani thotë se ata nuk bënë asgjë.

Tani kjo lëndë gjendet në mesin e qindra lëndëve të tjera në Prokurorinë Speciale.