Nga Boldnews.al
Pasi u betua në Parlament, Avokati i Popullit, Endrit Shabani, lëshoi një puthje për të 35 deputetët e opozitës që i dhanë firmën për ta përfshirë në listën finale të kandidaturave. Gjesti i Shabanit ishte cinizëm malinj, por puthja e tij ngjan me prekjen e vdekjes së moralit opozitar.
Paradoksalisht, në ditën që opozita protestonte disi dhunshëm në Parlament kundër qeverisë dhe zevëndëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar leje për ta arrestuar, në pritje për të bërë betimin ritual ishte edhe Avokati i Popullit.
Ai u shfaq. Mezi dukej, por i kishte krijuar vetes një pompozitet fals, që e ka pasur, e ka dhe do ta ketë, ndonëse vetëm sytë e errësuar të opozitës lanë litarin jashtë me “fenomenin Shabani”. Nuk është i rëndësishëm posti që mban. Në një vend që çdo institucion është zhul dhe i kapur, s’ka si të bëjë dritë Endriti.
Opozita u degradua moralisht mjaft rëndë kur Endrit Shabani, kanakari i Ramës, mori plot 35 vota nga deputetët e opozitës si një nga shtatë kandidaturat e mbështetura prej tyre.
Po kujt ia dhanë këto vota? Ai nuk është fshehur kurrë. Kushdo që njeh “Shab-politikën” e kishte të qartë se oportunizmi ishte moto e jetës së shtirur profesionale, duke u vetëshpallur si Oksfordist, paçka se askush nuk ia ka parë një copë fletushkë që e vërteton.
Më shumë se dija vlen morali dhe Shabani i kishte dhënë provat se për një copë post u vetëofrua të shkatërronte edhe krijesën e vogël “Shqipëria Behet”, duke e “shthurur” me nismën e tij. Ky koalicion siguroi 64 mijë vota në rang kombëtar dhe vetëm një deputet, që “Shaban-politika” e vuri në një pazar me dajën, hallat, tezet dhe farefisin që vrau qoftë edhe një fije shprese.
Që Shabani ishte thika në duart e Ramës fare mirë e dinte Partia Demokratike por në një proces të pisët u zhyt vetë në këtë llum, teksa i dhanë 35 vota mbështetëse dhe pasi panë reagimin e anëtarësisë, PD kërkoi falje, por një falje që nuk pati asnjë vlerë.
Shabani me firmat e deputetëve të PD-së dhe me votat e PS-së u zgjodh Avokat i Popullit ndërsa në ditën e betimit u dha një puthje deputetëve mbështetës të PD-së me ironi therëse duke u treguar se çdo nismë ka një çmim, në mos menotar çmim degradimi për të cilin opozita u vetëofrua të bëhej konkubinë e orgjisë qeveritare, ku edhe Shabani pati orën e tij të harbimit.