ANGLI- Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka publikuar një komunikatë, përmes së cilës një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme britanike (Foreign Office) dënon ashpër deklaratat e ministres serbe Snezhana Paunoviç kundër Kosovës.
Sipas reagimit, në një kohë kur vendet e Ballkanit Perëndimor janë të angazhuara për ndërtimin e një të ardhmeje paqësore, të qëndrueshme dhe shumetnike, deklarata të tilla rrezikojnë të rihapin ndasitë e së kaluarës dhe të nxisin tensione në rajon.
Në komunikatë theksohet se Mbretëria e Bashkuar mbështet përpjekjet për stabilitet dhe bashkëjetesë në Ballkanin Perëndimor, ndërsa retorika që mund të nxisë përçarje konsiderohet e papranueshme.
Ambasada britanike bën të ditur gjithashtu se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i ka hedhur poshtë komentet e bëra nga ministrja Paunoviç.
“Dënojmë deklaratat e ministres serbe Snezana Paunoviç, përfshirë referencat e saj ndaj spastrimit etnik të Kosovës. Ato janë krejtësisht të neveritshme dhe nuk kanë vend në shoqërinë e sotme”, thuhet në njoftimin e publikuar. Udhëheqësit politikë të përgjegjshëm duhet ta refuzojnë një gjuhë të tillë në mënyrë të qartë dhe pa asnjë mëdyshje”, thuhet më tej në komunikatë./Dosja.al