“Mbledhësit e puplave” u ka paraprirë filmave “Gjethi i gjerë”, “Era”, “Edukimi Special” e “Kurthi për gjeneralin”, që po ashtu do të shfaqen gjatë kësaj jave.
Gruaja e të ndjerit Bekim Fehmiu, Branka Fehmiu hapi Javën e Filmit për Bekim Fehmiun. E emocionuar ajo ka treguar se kinemaja ABC, ku dhe ka nisur java dedikuar aktorit, e emocionon shumë sepse Bekim Fehmiu ka kaluar kohë shumë të mira. Për Brankën ishte shumë e rëndësishme që Bekim Fehmiu kishte arritur që të thyejë disa barriera.
“Bekim Fehmiu ka qenë artisti i cili e ka thyer perden e hekurt në lindje”, ka treguar Branka Fehmiu, teksa ka shtuar se është shumë e lumtur që e ka hapur këtë festival të titulluar “Mirëdita, dobar dan”. Ndër të tjera ajo ka treguar që artistët arrijnë që përveç të thyejnë barriera të shumta, të rregullojnë edhe marrëdhënie.
“Artistët janë inxhinierët që ndërtojnë ura bashkëpunimi në mes të popujve që kanë qenë në konflikt”, ka treguar Fehmiu.
Njëri nga organizatorët e festivalit, Kushtrim Koliqi, tha për “Zërin” se ceremonia e hapjes së Javës së filmit për Bekim Fehmiun ka tejkaluar pritshmëritë sepse për të gjitha netët janë të rezervuara të gjitha vendet në Prishtinë dhe Prizren për të parë filmat e aktorit Fehmiu, ani pse në fillim kanë menduar që nuk do të arrijnë këtë sukses. “Prej që e kemi konceptuar javën e filmit të Bekim Fehmiut ne kemi pasur pak frikë për shkak së këta janë filma të vjetër, por edhe tash këta filma po kanë konkurrencë sepse po bëhen shumë filma të arritur, por ne kemi një garanci shumë të fortë sepse kemi emrin e Bekim Fehmiut”, ka treguar Koliqi, teksa ka shtuar se prania e njerëzve në këtë javë të filmit është indikator i mirë që vitin e ardhshëm ta organizojnë ndryshe.
“Vitin e ardhshëm të mos e bëjmë me vetëm pesë filma dhe jo vetëm në Prishtinë e Prizren”, ka treguar Koliqi.
Ani pse filmin “Mbledhësit e puplave” e kanë parë disa herë, shumë të pranishëm kishin ardhur që dhe një herë më shumë ta shikojnë filmin me aktorin Bekim Fehmiu. Ka të atillë që thonë se kanë ndjenjën që filmin e shikojnë sikur për herë të parë.
Regjisorja Burbuqe Berisha ka thënë për gazetën se “Java e Filmit për Bekim Fehmiun” është një prej organizimeve më të mira. “Bekim Fehmiu ka prodhuar për të gjitha gjuhët e botës ndërsa në gjuhën shqipe asnjëherë, nuk ka qenë faji i Bekimit, por faji ynë ndoshta që nuk i kanë ofruar mundësitë”, ka thënë Berisha teksa ka shtuar se Bekim Fehmiu është aktori më i mirë që e kemi pasur ndonjëherë dhe është mburrje kombëtare, trashëgimi kulturore sepse ai ende jeton në filma dhe në shirita të filmave.
Aktorja Anisa Ismajli është shprehur se aktori Bekim Fehmiu meriton edhe më shumë sesa ky organizim. “Mendoj që një njeri si Bekim Fehmiu, një fytyrë kaq eminente meriton edhe më shumë. Ai ka pasur brengë shumë të madhe se mos është harruar nga njerëzit. Pas vdekjes ai ka lënë vepra të jashtëzakonshme, madje kur përmendet emri i tij mburremi që jemi aktorë dhe shqiptarë”, ka treguar Ismajli
Ani pse filmin “Mbledhësit e puplave” e ka parë shumë herë, piktorja Zake Prelvukaj ka ardhur sërish sepse i pëlqen interpretimi i aktorit Bekim Fehmiu. “Sot me të vërtetë u ndjeva shumë e kënaqur me një interpretim që kurrë nuk e shkel koha, mund të them me vite dhe vite që do të vijnë sepse ai është art që i mbijeton kohës, dhe ende nuk e ka tejkaluar asnjë artist deri tani Bekim Fehmiun”, ka treguar Prelvukaj.
Projektet filmike të Bekim Fehmiut “Mbledhësit e puplave”, “Gjethi i gjerë”, “Edukimi Special” dhe “Kurthi për Gjeneralin” do të shfaqen në Prishtinë gjatë “Javës së Filmit të Bekim Fehmiut”, i cili është organizuar në kuadër të festivalit “Mirëdita Dobar Dan” që vjen në Kosovë pas prezantimit të skenës kulturore të Kosovës në Serbi. /Zëri/
Komentet