Para se të varej në litar në korrik të vitit 1937, Ismet Toto la një letër-testament që do të lexohej nga rinia shqiptare në mbarë vendin. Një amanet që nuk i përkiste vetëm familjes, por një brezi të tërë që ia kushtoi jetën atdhetarisë.
Mbesa e Ismet Totos, historiania Nevila Nika, e lexon këtë letër me një krenari të përzier me dhimbje. Nuk është vetëm një dokument i një kohe të shkuar, është gjurma e një historie, jetë e ndërprerë padrejtësisht. Një testament që mishëron dinjitetin e një intelektuali të shquar, një prej figurave më të ndritura të viteve ’30, shkrimtar, publicist, përkthyes dhe nëpunës i shtetit shqiptar.
Historia e Shqipërisë, rrëfen Nevila Nika për “TemA”, është e gdhendur në plagët e familjes në një shekull. Familja Toto u ndëshkua nga tri regjime njëri pas tjetrit. Drama nis më 1937, pas kryengritjes së Delvinës, kur gjyshi i saj Ismet Toto, së bashku me dy vëllezërit dhe xhaxhain, u pushkatuan. Katër burra të së njëjtës familje u shuan brenda pak ditësh. Pas tyre, u mbyll një epokë, një histori e shkruar me gjak, një sakrificë e lavdishme e tre vëllezërve që e deshën atdheun, lirinë dhe dijen.
Dhjetë vite më vonë, historia u përsërit. Në vitin 1947, Selaudin Toto, vëllai i Ismetit, i vetmi burrë i mbetur i familjes, u dënua me pushkatim nga diktatura komuniste. Tragjedia e Toto-ve nuk ishte e vetme. Edhe familja e Hoxha Kadri Prishtinës, gjyshit nga babai i Nevilës, ka bilancin e burrave të vrarë nga regjimet. Dy familje të mëdha atdhetare, të përndjekura në shekuj, të cilat nuk u ngrohën kurrë nën asnjë regjim, sepse zgjodhën të digjen për liri.
Mes këtij bilanci të përgjakur, Nevila Nika ndalet tek letra-testament e gjyshit të saj. Një shkrim i shkurtër, por i madhërishëm, ku dëshpërimi përzihet me krenarinë, dhe jeta me vdekjen.
Ismet Toto shkruante në korrik të vitit 1937:
“Sulmova jetën dhe më pushtoi vdekja me kthetrat e saj të ndyra. Më masakroi për së gjalli. Kënga ime papritur u kthye në një ulërimë shurdhuese… Por unë, besnik i trurit tim të shëndoshë, i tronditur qëndroj në këmbë dhe vërej se ligjet e psikologjisë së turmës janë të vërteta: sundojnë vetëm ata njerëz që meritojnë të jetojnë, ata që janë në lartësinë e vdekjes dhe e shikojnë atë drejt, pa frikë. I vdekur mund të jesh më i madh dhe më i fuqishëm se i gjallë. Më tepër na udhëheqin të vdekurit sesa të gjallët. Madhështia e një njeriu kompletohet pasi vdes… Nga hiçi erdha, në hiç shkojmë. Ai çast i shkurtër që quhet jetë duhet mbushur me fisnikëri, me shpirtngrohtësi, me gjallëri e mendime. Sa je gjallë, digju! Nëpër atë djegie lësho dritë dhe ngrohtësi. “Bota nuk është e atyre që ngrohen, bota është e atyre që digjen.”
Ndiqni rrëfimin e Nevila Nikës dhe do të gjeni aty personazhe që ndërthuren nëpër ngjarje të rëndësishme të historisë. Përplasja e Ismet Totos dhe Mentor Çokut me Enver Hoxhën, kur ky i fundit ishte ende i ri. Kryengritja e Delvinës dhe vrasja e katër burrave të një shtëpie. Angazhimi i familjes Toto në Luftën Çlirimtare dhe zhgënjimi në diktaturë. Si u soll Nexhmije Hoxha me gratë e familjes Toto që kishin kthyer shtëpinë e tyre në bazë të luftës për liri. Arrestimi i Verës, nënës së Nevilës, në ngjarjen e 4 shkurtit në Tiranë dhe më pas vrasjet, arrestimet, përsekutimet gjatë diktaturës komuniste. Bilanci tragjik i vrasjes së burrave të familjes Toto dhe Prishtina në tri regjime.