Situata në Durrës është mobilizuar përgjithësisht por mbetet problematike gjendja në disa zona, kryesisht në periferi të qytetit.
DURRËS- Pas reshjeve të dendura të shiut, bilanci janë rreth 800 banesa të përmbytura. Situata në Durrës është mobilizuar përgjithësisht por mbetet problematike gjendja në disa zona, kryesisht në periferi të qytetit.
Sipas shtabit të emergjencave në prefekturë, gjendje vijon e pa stabilizuar, kryesisht në zonat më të ulëta dhe më problematike, si ish-Këneta, Spitalla, Nishtulla dhe zona të tjera. Edhe në burgun e Durrësit situata mbetet problematike. Kati i parë i godinës ka prani të lartë uji. Për sa i përket mësimit nuk po zhvillohet as sot në disa shkolla oborret e të cilave janë nën ujë.
Mbrëmjen e kaluar janë evakuuar 304 persona, ndërsa numri i të prekurve mund të rritet, në varësi të situatës në terren dhe verifikimeve. Besohet se uji është tërhequr nga rrugët kryesore dhe nga autostrada Durrës-Tiranë, duke normalizuar qarkullimin, por në disa lagje vijon prania e ujit dhe nevoja për ndërhyrje emergjente për banorët e izoluar që nuk ia dalin dot pa ndihmë.
Godina, biznese dhe sipërfaqe të tëra tokash u përmbytën. Dhjetra automjete u dëmtuan nga uji si rezultat i situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe mosfuksionimit normal të rrjetit të kanalizimeve./Dosja.al