Politikat anti-korrupsion në dekadën e fundit në Shqipëri nuk kanë dhënë ndonjë rezultat dhe niveli i korrupsionit mbetet njësoj si një dekadë më parë, sugjerojnë gjetjet e një vëzhgimi të kryer nga Lidershipi i Evropës Juglindore për Zhvillim dhe Integritet (SELDI) që u prezantua të enjten në Tiranë.
BIRN
Vëzhgimi përfshin vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Bosnje Hercegovina, të cilat mbështeten me asistencë financiare nga Bashkimi Europian nëpërmjet programeve që nxisin integrimin e këtyre vendeve.
Të gjithë grafikët e prodhuar nga sondazhi i kryer në popullsinë e këtyre vendeve gjatë viteve 2022-2024, e nxjerrin Shqipërinë në krye të perceptimit për korrupsionin e lartë, nivelin e ryshfetit dhe mungesën e besimit se korrupsioni mund të mundej.
Kurba e perceptimit të korrupsionit për Shqipërinë qëndron në të njëjtin nivel me atë të një dekade më parë, ndërsa vendet fqinje tregojnë një tendencë në rënie në vitet e fundit.
“Në 2023/2024, shqiptarët ishin më të cenuarit nga korrupsioni, pasi 80% e popullsisë shqiptare është e prirur për të pranuar ose ofruar ryshfet,” konstatohet në raport.
Me përjashtim të Kosovës dhe Malit të Zi, përqindja e individëve që raportojnë se u kanë dhënë ryshfet zyrtarëve publikë është afërsisht në nivelin e një dekade më parë edhe në vendet e tjera.
Shqiptarët shfaqen mungesë besimi me rënien në 20% të optimizmit në luftën anti-korrupsion në kontrast me vendet e tjera, ku shënohet një rritje e lehtë e besimit se korrupsioni mund të luftohet.
Sipas SELDI-it, të dhënat tregojnë se “politikat antikorrupsion në rajon nuk priren të prodhojnë një efekt të qëndrueshëm”.
Të dhënat e survejimit u diskutuan të enjten në Forumin Rajonal mbi Qeverisjen e Mirë me temë “Politikat Kundër Korrupsionit dhe kapjes së shtetit – Progresi drejt anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, apeloi për gjetjen e mekanizmave për ndryshimin e kësaj situate duke i cilësuar të dhënat për vendet e përfshira në studim si “shumë më të larta se mesatarja e BE-së”.
Duke iu referuar Shqipërisë, ai tha se “presim që puna e qeverisë për strategjinë antikorrupson të miratohet dhe të zbatohet e plotë në veçanti në sektorët Kadastra, Tatimet, Dogana, prokurimi publik, arsimi dhe shëndetësia”.
Ndërsa në një mesazh për gjithë rajonin ai theksoi se ishte e rëndësishme që të mos minoheshin përpjekjet e bëra kundër korrupsionit.
“Është e rëndësishme që partnerët në rajon të shmangin veprimet që minojnë luftën anti-korrupsion, për shembull dobësimi i transparencës në prokurimin publik, apo akte ligjore të porositura të cilat anashkalojnë procedurat standarde, apo kufizimin e mandateve të organeve të pavarura anti-korrupsion,” u shpreh ai.
Ambasadori vuri theksin tek forcimi dhe pavarësia e shoqërisë civile dhe përfshirja e saj aktive konsultimet për formësimin e politikave antikorrupsion dhe monitorimin e tyre.
I ftuar në takim, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani i kategorizoi përpjekjet e vendeve të rajonit në këtë drejtim në tre etapa, ndërtimi i strukturave të posaçme anti-korrupsion, krijimi i një legjislacioni të mirë që u garanton pavarësinë dhe krijimi i kushteve teknike, mjetet dhe teknologjinë për të punuar këtyre strukturave.
Duke iu referuar punës së strukturës që ai drejton, Dumani tha se ka shënuar suksese në 5 vitet e jetës dhe se ka kapacitetet dhe aftësitë për të ushtruar ndjekjen penale ndaj subjekteve të ndryshme. pavarësisht profilit të tyre politik apo publik dhe profileve të larta të krimit të organizuar.
Ai shtoi se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sfidë institucionale vetëm e SPAK-ut, por kërkon angazhim të veçantë të të gjitha institucioneve dhe shoqërisë civile në veçanti.
Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali e ftuar për të përshëndetur foli për përkushtim dhe vullnet të mazhorancës që po qeveris që prej një dekade vendin për të mbështetur institucionet anti-korrupsion, pa komentuar gjetjet e vëzhgimit.
Ndërsa ministrja e shtetit për Administratën dhe Anti-korrupsionin, Adea Pirdeni, prezantoi një sërë hapash ligjorë e mekanizmash veprimi, që sipas saj, qeveria po i ndërmerr për të minimizuar hapësirat për korrupsion.
Por, përfaqësuesja e opozitës, Jorida Tabaku, u tregua kritike ndaj angazhimeve qeveritare duke iu referuar vëzhgimit të SELDI-it si shqetësues për situatën e korrupsionit në vend.
Ajo tha se në parlament kanë kaluar ligje të porositura që tregojnë ‘kapjen e shtetit” dhe se dokumenti negociues i qeverisë për anëtarësim në BE nuk parashikon masa reale për anti-korrupsionin.
“Këtë duhet të ndryshojë qeverisja dhe jo të hartojë procese integrimi në letër dhe strategji anti-korrupsioni në letër,” shtoi Tabaku.
Vëzhgimi i prezantuar në forum vë theksin tek mosefikasiteti i politikave anti-korrupsion dhe asistencës financiare të Bashkimit Europian ndaj këtyre vendeve.
“Prevalenca e ryshfetit për mbi 20 vjet dhe gjetjet e fundit të tij tregojnë se arritjet në kontrollin e korrupsionit kanë qenë zhgënjyese,” konkludon ai.
Komentet