Një kapitull i ri po hapet në marrëdhëniet e mbrojtjes gjermano-turke, pasi qeveria gjermane thuhet se është gati t’i japë fund vetos së saj të gjatë dhe të miratojë shitjen e avionëve Eurofighter në Ankara.
Sipas njoftimeve, Berlini ka vendosur t’i japë një përgjigje pozitive kërkesës paraprake të Airbus për Turqinë, duke hapur negociata zyrtare për dorëzimin e avionit.
Detajet teknike dhe pikat e negociatave për prokurimin e Eurofighter janë një temë kryesore diskutimi gjatë vizitës së Ministrit të Jashtëm gjerman Johann Vandeful në Ankara sot (17 tetor).
Në një intervistë me gazetën Hurriyet, Vandeful theksoi se është në interes të vendit të tij dhe të NATO-s që Turqia të marrë këta avionë luftarakë.
“Gjermania dhe Turqia përballen me sfida të mëdha në forcimin e aftësisë mbrojtëse të NATO-s në Evropë. Ne kemi vendosur që Turqia, si aleate, mund të forcojë fuqinë e saj parandaluese me ndihmën e Eurofighters. Kjo është në interesin tonë, pasi Turqia është një partner strategjik kyç për ne brenda Aleancës. Megjithatë, negociatat mbi detajet janë ende duke vazhduar”, tha ndër të tjera ministri gjerman.
Programi Eurofighter Typhoon është bashkëpunimi më i përparuar i aviacionit në Evropë dhe po zhvillohet bashkërisht nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Spanja. Shitja në një vend të tretë kërkon miratimin e të katër shteteve.
Edhe pse Turqia kishte marrë sinjale pozitive nga Londra dhe Madridi që në vitin 2022, kundërshtimi i Berlinit deri më tani ka qenë pengesa më e madhe për përfundimin e marrëveshjes.
Ankaraja planifikon të blejë fillimisht 24 avionë Eurofighter, me qëllim rritjen e numrit në 40 avionë në një fazë të dytë. Vlera totale e marrëveshjes, duke përfshirë trajnimin, mbështetjen teknike, pjesët rezervë dhe licencat e softuerit, vlerësohet në rreth 6 miliardë dollarë.
Çdo avion kushton rreth 120 milionë dollarë, ndërsa një pjesë e prodhimit dhe mirëmbajtjes është planifikuar të kryhet në Turqi, duke forcuar industrinë vendase të sistemeve të mbrojtjes.
Shumica e avionëve luftarakë pritet të vijnë nga Mbretëria e Bashkuar dhe Spanja, vende që tashmë kanë deklaruar qëllimin e tyre për të mbështetur në mënyrë aktive programin. Panorama