Jo vetëm që e ndjekin njëri-tjetrin, por Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç nuk kursejnë as Like-t për njëri-tjetrin në rrjetet sociale.
Një ditë më parë, Vuçiç pëlqeu postimin e kryeministrit për Ballkanin e Hapur, ku sulmonte Vjosa Osmanin dhe presidentin malazez, Milo Gjukanoviç.
Ky moment ka sjellë reagimin e liderit historik të PD, Sali Berisha, nga Korça ku takoi demokratët.
Berisha tha se Rama dhe Vuçiç e pëlqejnë njëri-tjetrin dhe nuk fshihen më.
Gjithashtu, Berisha akuzoi Soros se kërkon t’i emërojë kryetarin PD-së, në mënyrë që kjo e fundit të shndërrohet në shtojcë të Edi Ramës.
“E keni vënë re tani, nuk ka më të fshehur, Vuçiç dhe Rama i bëjnë like njëri-tjetrit si me qenë dy adoleshentë edhe në Facebook, po, pëlqehen. Është fakt real, nuk e fshehin. Pra, kemi edhe mafien e George Soros. Është mafia e George Soros që kërkon t’i emërojë PD-së kryetarin, që kërkon ta bëjë shtojcë të Edi Ramës Partinë Demokratike.
Por ne jemi në të drejtën tonë, pasioni jonë është liria e shqiptarëve. Ne vazhdojmë këtë betejë, vazhdojmë këtë mision, më të vendosur se kurrë si një lëvizje e fuqishme e udhëhequr nga PD. Si një lëvizje e fuqishme e cila do të bëjë me vete çdo shqiptar që beson te ky vend, që do që ky vend të bëhet nga shqiptarët, që vendos t’i thotë vetes të bashkohemi me këtë lëvizje, të mos themi më kurrë “ç’më duhet mua”, të mos themi më kurrë “s’ke ç’ti bën”, t’i harrojmë këto, por kemi ç’ti bëjmë dhe e përmbysim me siguri, kemi ç’ti bëjmë dhe e ndryshojmë këtë gjendje, rikthejmë Shqipërinë në rrugën e saj”, u shpreh Berisha.
‘Demokratët u kërcënuan që mos t’i bashkoheshin Foltores’/ Berisha: Ne u ngritëm si njerëz të lirë…
Gjatë takimit entuziast në qytetin e Korçës, ish-kryeministri Sali Berisha tha se demokratët janë shantazhuar e kërcënuar prej mujash që të mos i bashkoheshin Foltores.
Berisha u shpreh se demokratët janë kërcënuar se do të hiqen nga puna nëse do t’i bashkoheshin lëvizjes së tij, apo se do u hiqeshin vizat amerikane, por u ngritën absolutisht si njerëz të apasionuar pas lirisë.
Berisha: Në të gjithë këtë situatë, mund të themi se zhvillim historik, ishte vepra juaj, vepra e demokratëve shqiptarë që ngritën në një afat kohor rekord opozitën e vërtetë shqiptare. U ngritët si misionarë të vërtetë. Këto 10 muaj, kanë qenë muaj presionesh të mëdhash mbi ju.
Kanë qenë muaj shantazhesh, kërcënimesh. Njëri ju kërcënonte se do ju heq nga puna po u bashkuat me lëvizjen. Tjetri ju kërcënonte se do ju pushonte gruan apo prindërit nga puna. Tjetri ju kërcënonte se viza amerikane nuk do i shihni me sy. Ne u ngritëm absolutisht si njerëz të apasionuar pas lirisë. Ne u ngritëm sepse e konsiderojmë pluralizëm jetik për veten tonë, për fëmijët tonë dhe të afërmit tonë. Ne u ngritëm pavarësisht nga privacionet që mund të pësonim.
Berisha: I dhamë fund kryetarokracisë! Asnjë nga kerët e degëve nuk është i emëruar
Ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi në takimin me demokratët e Korçës se asnjë nga krerët e degëve të PD nuk janë të sugjeruar apo emëruar nga lart, por janë zgjedhur me vullnetin e lirë të demokratëve.
Berisha deklaroi se i kanë dhënë fund kryetarokracisë ndërsa shtoi se një kryetar partie duhet të respektojë vullnetin e anëtarëve të partisë së tij.
“Për herë të parë në ekzistencën e PD, sot asnjë kryetar partie nga Tropoja deri në Gjirokastër, nga Korça në Peshkopi, nuk është absolutisht i emëruar, i përzgjedhur, i përcaktuar, i sugjeruar nga qendra e PD.
Të gjithë janë të zgjedhurit e demokratëve. Kjo ka qenë e qëllimshme, së pari fundi i kryetarokracisë. Kryetari nëse do që të drejtojë partinë, ka aq shumë gjëra për të bërë.
Gjëja më e madhe që bën është të respektojë vullnetin e anëtarëve të partisë së tij.”-deklaroi Berisha.
Berisha: George Soros non grata në Shqipëri, akti i parë i PD në pushtet
Lideri historik i PD, Sali Berisha deklaroi nga Korça se George Soros do të shpallet non grata në Shqipëri.
Berisha tha gjithashtu se i ka kërkuar Parlamentit Europian dhe Kongresit të SHBA, të ndalojnë veprimtarinë e Soros jashtë SHBA.
“Nga aktet e para të PD në pushtet do të jetë George Soros non grata. George Soros me rivendosjen e monizmit në Shoqërinë Civile në Shqipëri, me vendosjen e drejtësisë në kontrollin e qeverisë, me implikimin direkt në shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës, është një armik i vërtetë i demokracisë shqiptare.
Kam kërkuar nga PE dhe Kongresi i SHBA, të ndalojnë çdo veprimtari politike të tij jashtë SHBA. Dhe kjo për Shqipërinë, ai nuk do të ketë vend më dhe veprimtaria e tij nuk do të ushtrohet në territorin e Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Berisha.
syri.net
Komentet