“Ballkani i Hapur do të hidhet në kosh”, Berisha: Shtëpia jonë do të pastrohet! Kreu i qeverisë aktuale, një Escobar
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë, deklaroi prerazi se projekti i Ballkanit të Hapur do të marrë fund, duke e cilësuar atë si një dëm ekonomik për shqiptarët.
“Ballkani i Hapur stop. Do të hidhet në kosh! Argati i Vuçiçit do të përgjigjet për krimin ekonomik që ka kryer ndaj shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Ai gjithashtu theksoi se një nga shtyllat kryesore të programit të tij është “pastrimi i shtëpisë”, duke nënkuptuar largimin e korrupsionit dhe të gjithë atyre që kanë abuzuar me pushtetin.
“Shtëpia jonë do të pastrohet! Po si mund të hyjë Zoti në një shtëpi të ndotur? Librat e shenjtë thonë se duhet pastruar më parë. Por sot, shtëpinë e kanë në dorë hajdutët më të mëdhenj të kohërave. Kryeministri aktual nuk është gjë tjetër veçse një ‘Toto Rino’, një Escobar”, tha Berisha, duke e krahasuar Edi Ramën me figura të botës kriminale.
Në përfundim, ai i bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen për të sjellë ndryshimin, duke premtuar një Shqipëri të drejtë dhe të lirë.
“Shqipëria e shpresës realizohet në 3 muaj”, Berisha: Markat ‘Made in Albania’ do të mbushin dyqanet!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë, prezantoi vizionin e tij për “Shqipërinë Madhështore”, duke premtuar masa urgjente për të nxjerrë vendin nga kriza ekonomike.
“LaCivita e ka deklaruar qartë: ai ka ardhur për të mbështetur projektin tonë për Shqipërinë Madhështore! Programi ynë është gati dhe do të nisë me një paketë emergjence që do të nxjerrë çdo shqiptar nga varfëria ekstreme brenda tre muajve”, tha Berisha.
Ai nënvizoi se çdo shqiptar që rikthehet në vend do të përfitojë nga 5 vite pa asnjë taksë dhe stimuj të tjerë për nxitjen e investimeve.
“Shqipëria e shpresës do të jetë realitet! Do të ndërtojmë një ekonomi prodhuese ku markat shqiptare do të mbushin dyqanet dhe do të vërshojnë në tregjet ndërkombëtare”, shtoi ai, duke premtuar mbështetje të madhe për sipërmarrjen dhe prodhimin vendas.
Në fund, Berisha ftoi shqiptarët të bëhen pjesë e këtij ndryshimi: “Do të bëhet gjithçka nën moton: ekonomi, ekonomi, ekonomi! Shqipëria Madhështore do të jetë krenaria jonë, një vend i fuqishëm dhe i begatë”.
“Shqipëria e shpresës realizohet në 3 muaj! Një paketë emergjence që nxjerr cdo shqiptar jashtë varfërisë ekstreme. Çdo shqiptar që do të kthehet në Shqipëri do të jetë 5 vite pa asnjë taksë dhe do të ketë stimuj të tjerë për nxitjen e investimeve në vend. Shqipëria madhështore do të jetë Shqipëria e krenarisë sonë. Shqipëria madhështore do të jetë Made in Albania! Mendoni për një moment, fshatrat nga ku keni ardhur, pasuritë përrallore që ka vendi, nuk i ka vend tjetër në aq territor në Evropë dhe në Botë! Do të bëhet gjithçka nën moton, ekonomia ekonomia ekonomia! Shqipëri prodhuese, markat shqiptare do mbushin dyqanet, do vërshojnë”, u shpreh ai.
“Askush nuk do e besonte po t’ua thosha 3 muaj më parë”, Berisha: Mbështetja ndërkombëtare për opozitën po rritet! Kryestrategu i Trumpit në krah të PD
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë në Milano, denoncoi qeverisjen aktuale, duke e cilësuar atë si një regjim që grabit pasuritë e shqiptarëve dhe burgos kundërshtarët politikë.
“Ju jetoni në një vend të lirë dhe e dini se nuk ndodh që kundërshtarët politikë të burgosen për të vjedhur mandatet. Nuk ndërtohen rrugë dhe shkolla me 10-fishin e çmimit për të grabitur qytetarët. Nuk pasurohet një grusht hajdutësh në krye të shtetit dhe qeverisë me pasuritë e popullit”, tha Berisha.
Ai theksoi se mbështetja ndërkombëtare për opozitën po rritet, duke përmendur se strategu kryesor i rikthimit të Donald Trump është tashmë pjesë e fushatës së PD.
“Kush do ta besonte nëse do ta thosha disa muaj më parë se për të drejtuar fushatën tonë ka ardhur kryestrategu i planetit? Apo se qindra parti të qendrës së djathtë, në tre rezoluta, do të dënonin regjimin e Edi Ramës dhe narkodiktaturën?”, deklaroi ai.
Berisha u bëri thirrje emigrantëve të angazhohen dhe të kontribuojnë për ndryshimin politik në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e votës për të rrëzuar qeverinë aktuale.
“2025-a, viti i shqiptarëve”, Berisha nga Milano: Historia përsëritet! Diaspora do të promovojë fitoren e PD si studentët në ‘92-shin
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me emigrantët shqiptarë në Milano, deklaroi se viti 2025 do të jetë viti i diasporës dhe i fitores së opozitës.
“Në 10 vite, 45% e shqiptarëve janë larguar nga vendi. Shqipëria është bërë një vend ku qytetarët largohen nga varfëria dhe mjerimi, si kurrë më parë që nga diktatura staliniste. Por çdo gjë ka një fund. Diktaturat nuk jetojnë përgjithmonë”, tha Berisha.
Ai u bëri thirrje emigrantëve shqiptarë të regjistrohen dhe të votojnë më 11 maj, duke e cilësuar këtë akt si një nga dhuratat më të çmuara që mund t’i bëjnë kombit dhe familjeve të tyre.
“Historia përsëritet. Në vitin 1992, shqiptarët me votën e tyre rrëzuan diktaturën më të egër të Europës. Atëherë, ishin studentët promotorë të ndryshimit. Sot, në vitin 2025, jeni ju – shqiptarët e diasporës – që do të bëheni promotorë të fitores së PD dhe opozitës shqiptare”, deklaroi ai.
Berisha e cilësoi rotacionin politik si të pashmangshëm dhe e quajti qeverinë aktuale një narkodiktaturë, duke premtuar ndryshim me fitoren e opozitës.
“Në 12 vite u larguan 1.1 milionë shqiptarë”, Noka nga Milano: Diaspora duhet të votojë për ndryshimin në 11 maj!
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në takimin me diasporën shqiptare në Milano, akuzoi qeverisjen e Edi Ramës për mungesë të ofrimit të mundësive dhe për keqtrajtim të shqiptarëve.
“Qeveria e Ramës nuk u ka ofruar shqiptarëve asgjë, përveç diskriminimit dhe dhunës,” tha Noka, duke theksuar nevojën që diasporën shqiptare të angazhohet masivisht në votime për të sjellë ndryshimin.
Ai e përshkroi Rilindjen si “frontin e errësirës,” duke thënë se “në këto 12 vite, shqiptarët nuk panë dhe nuk prekën jetën normale, përveç dhunës, terrorit dhe diskriminimit.”
Noka përmendi gjithashtu ndikimin e Xhorxh Soros, duke pretenduar se ai kishte planifikuar të kthente Shqipërinë në një vend të papërshtatshëm për shqiptarët, duke e bërë atë një parajsë për mafien, përmes Edi Ramës.
“Gjatë këtyre 12 viteve, 1.1 milionë shqiptarë ikën nga vendi. Tani është detyra jonë të çmontojmë Rilindjen dhe ta shpëtojmë Shqipërinë. Ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë dhe do të arrijmë fitoren më 11 maj,” përfundoi Noka.
“Është koha e shqiptarëve!”/ Mediu përcjell mesazhin e LaCivita në takimin me diasporën në Milano: Do ta bëjmë Shqipërinë të madhe!
Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, gjatë takimit me emigrantët shqiptarë në Milano, përcolli një mesazh nga këshilltari i fushatës së Donald Trump, Chris LaCivita.
“Do ta bëjmë Shqipërinë të madhe dhe partneriteti me SHBA do të jetë i jashtëzakonshëm për t’i kthyer vlerat më të mira shoqërisë shqiptare”, citoi Mediu nga komunikimi i tij me LaCivitën.
Ai theksoi se emigrantët shqiptarë nuk duhet vetëm të votojnë, por edhe të angazhohen për të ardhmen e Shqipërisë.
“Shqipëria ka nevojë për ju në parlament, në qeveri dhe për investimet tuaja. Sot është koha juaj, koha e shqiptarëve, koha e Shqipërisë. Nëse nuk veprojmë tani, vendi ynë do të zhytet edhe më thellë në korrupsion dhe mungesë lirie”, tha Mediu.
Ai akuzoi qeverinë aktuale për varfërimin dhe largimin e shqiptarëve nga atdheu, ndërsa u bëri thirrje emigrantëve të regjistrojnë çdo votues të mundshëm për zgjedhjet e 11 majit.
“Shqipëria është një vend i bekuar nga Zoti, ka gjithçka që mund të ëndërrojmë. Por pse shqiptarët u detyruan të largohen? Sepse kemi një qeveri që nuk qeveris, por sundon. Hipokrizia e tyre nuk ka limite – ju përzunë nga Shqipëria dhe tani kërkojnë votën tuaj”, përfundoi ai.
Duka i përgjigjet Ramës: “Këneta” e Rilindjes qelbet era korrupsion. Vota e diasporës mund të largojë sistemin e kalbur
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ishte sot pjesë e takimit të Partisë Demokratike me diasporën shqiptare në Milano, ku theksoi rëndësinë e votës së emigrantëve për të sjellë ndryshimin në Shqipëri.
“Këneta e Rilindjes qelbet era korrupsion. Ky sistem i kalbur mund të shkulet vetëm nëse e largojmë dhe për këtë na duhet vota juaj,” u shpreh Duka, duke ironizuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama që e ka cilësuar PD-në vazhdimisht si “kënetë.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve jashtë vendit që të votojnë kundër qeverisë aktuale dhe të ndihmojnë në sjelljen e fitores për një Shqipëri më të drejtë dhe më të pastër nga korrupsioni.
Takimi i PD në Milano, Topalli: Diaspora do të sjellë rotacionin dhe ndryshimin në Shqipëri
Koordinatorja e Diasporës në PD, Jozefina Topalli, gjatë një takimi në Milano, u shpreh se shqiptarët jashtë vendit do të luajnë një rol kyç në rotacionin politik dhe ndryshimin e së ardhmes së Shqipërisë.
“Sot jemi fizikisht në Milano, por zemrat tona janë në Shqipëri, në vendlindjen që nuk e keni lënë asnjëherë pas,” u shpreh Topalli. Ajo ndau historinë e një të riu që ishte larguar nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare, duke kujtuar lotët dhe bekimin e nënës së tij, si dhe sfidat e mëdha për t’u integruar jashtë vendit.
“Sot ai ka ndërtuar një familje dhe një jetë të suksesshme, ashtu si shumë të tjerë që dikur u larguan me anije nga Durrësi, Vlora dhe Shëngjini,” shtoi ajo.
Duke theksuar rëndësinë e diasporës, Topalli shprehu bindjen se shqiptarët jashtë vendit do të jenë vendimtarë në ndryshimin e Shqipërisë, për ta bërë atë më të drejtë, më të zhvilluar dhe një vend për të cilin të gjithë të ndihen krenarë.
PD takim me Diasporën në Milano/Garo: Pas 11 majit, do të kemi një sherif të ri në qytet, ai është Sali Berisha
Partia Demokratike ka organizuar të dielën, një takim me mbështetës e simpatizantë të PD që jetojnë e punojnë në Itali.
Në takimin e organizuar në Milano, zëdhënësja e PD, Floriana Garo, tha se më 11 maj, PD me Berishën kryetar, është më e bashkuar dhe e fortë, si dhe më e hapur me plot të rinj me integritet që do ti çojë përpara vlerat.
“Ka ardhur koha për ne të djathtët që të investojmë tek qytetarët, familjet, tek rinia dhe e ardhmja. Ka ardhur koha që Diaspora ta shohë atdheun si mundësi për të jetuar.
Një vend pa taksa për 5 vjet,minimum jetik 200 euro, rroga e pensione të dyfishuara. Një vend ku të dashurit tuaj jetojnë të qetë e të sigurt dhe ju nuk rrini me kokën pas për ta”, u shpreh Garo.
Garo tha se PD ka nevojë për mbështetjen e diasporës, për të rrëzuar sipas saj narkoqeverinë që po shkërmoqet dita-ditës.
Sipas saj, Chris LaCivita ka ardhur ti sjellë fitoren PD dhe më 11 maj, do të jetë një sherif i ri në qyet.
“Dhe ai do të jetë Sali Berisha”, tha zëdhënësja e PD, Floriana Garo. bw