Ai theksoi se ndërhyrja e faktorit ndërkombëtar është e domosdoshme për të verifikuar dhe vërtetuar denoncimet e opozitës mbi farsën elektorale.
“Zgjedhjet janë sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare. Dhe detyrimisht, duke qenë palë në zgjedhje, ti pretendimet e tua duhet t’i verifikosh dhe vërtetosh me opinionet e miqve dhe aleatëve të tu. Por në rrafshin tjetër, çështjen e zgjidhin shqiptarët”, tha Berisha, duke theksuar se PD, në këtë rast, ka shtuar përpjekjet për të angazhuar diasporën dhe mbështetje nga qytetarët shqiptarë jashtë vendit.
Berisha i dha një vlerësim pozitiv vendimit të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister, për të dërguar një mision faktmbledhës në Shqipëri për të verifikuar denoncimet për zgjedhjet e 11 majit.
Pjesë nga deklarata:
Zoti Berisha, beteja e opozitës tani është të denoncojë farsën elektorale tek faktori ndërkombëtar apo ta vijojë betejën në Shqipëri?
Betejë shumëplanëshe. Pa diskutim edhe tek faktori ndërkombëtar.
Pse faktori ndërkombëtar?
Zgjedhjet janë sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare.
Dhe detyrimisht duke qenë palë në zgjedhje, ti pretendimet e tua duhet t’i verifikosh dhe vërtetosh me opinionet e miqve dhe aleatëve tu.
Por, në rrafshin tjetër, çështjen e zgjidhin shqiptarët.
Unë e them, miqtë tanë, faktori ndërkombëtar, forcat demokratike e damkosin Edi Ramën si të tillë, por për të larguar Edi Ramën, e largojnë vetë qytetarët shqiptarë.
Në këtë betejë, kësaj radhe PD, krahas dimensionit ndërkombëtar, ka edhe dimensionin diasporë. Unë e pashë, një revoltë e jashtëzakonshme tek qytetarët shqiptarë, shtetas të Belgjikës, të cilëve vota iu është përvetësuar, vota iu është dhunuar nga regjimi i Tiranës.
Si e shikoni ju paralajmërimin e zotit McAllister, i cili tha se edhe Komisioni i Jashtëm në Parlamentin Europian do të dërgojë një mision faktmbledhës në Shqipëri, ashtu siç bëri dje me dije edhe PPE?
Unë e përshëndes këtë vendim të kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian si një mbështetje e madhe për përpjekjet e shqiptarëve për demokraci.
E konsideroj jashtëzakonisht të rëndësishëm.
Në qoftë se në harkun kohor të 24 orëve, njoftohen dy misione faktmbledhëse kjo tregon se Shqipëria tashmë është një emergjencë, është një e sëmurë mbi të cilin ka një fokus të madh nga tempulli i demokracisë, nga Brukseli. Nga Parlamenti Europian.
Edhe një pyetje të fundit, në Komisionin e Jashtëm nuk munguan edhe përfaqësuesit e mazhorancës, të cilët mbërritën në Bruksel, një gjë të cilën e kishit paralajmëruar ju. Si e shikoni ardhjen e tyre?
Ardhja e tyre ishte njëlloj sikur qeveria të niste dy spiunë. Por morën përgjigjen më të mirë, qoftë në Komisionin e Jashtëm, kështu edhe nga Asambleja Politike e PPE.