VOAL- Kandidati i pavarur për kryetar bashkie të Beratit, Pavlo Shkarpa, nëpërmjet një mesazhi në prag të votës së 9 nëntorit, ia kujton kundërshtarit Ervin Ceca, ushtrues i detyrës në krye të bashkisë, se në podcastin e Kryeministrit ai u paraqit tejet të pasigurt, i rezervuar dhe dukshëm i intimiduar. Z. Shkarpa ia kujton gjithashtu kundërshtarit se Berati meriton drejtim me integritet, guxim dhe dashuri të sinqertë për qytetin:
Ervin,
Në podcastin e Kryeministrit, të pashë tejet të pasigurt, të rezervuar dhe dukshëm të intimiduar. Me keqardhje, po ta them hapur: ti po vepron më shumë si marionetë, sesa si kryetar që mbron me dinjitet qytetin e Beratit.
Mungesa jote e përgjigjes ndaj thirrjes sime për dialog tregon frikë dhe mungesë guximi për t’u përballur me mua, me qytetarët dhe me realitetin e Beratit. Je i ri, por i mbyllur në mënyrën e të menduarit dhe ajo që të mungon më shumë është pavarësia.
Unë nuk jam larg qytetit; jam në zemër të tij.
Veprimet e mia flasin vetë: kam lobuar për futjen e Beratit në UNESCO, kam themeluar grupin e këngës popullore “Shyqyri Fuga”, dhe kam kontribuar konkretisht për kulturën, traditën dhe komunitetin tonë. (Fotot më poshtë e dëshmojnë, me intelektualët e mirënjohur Xhorxh Zallemi, Myslym Otova dhe dirigjentin Ermir Dizdari, të shoqëruar atëkohë nga Dekani i Trupit Diplomatik, Shpëtim Caushi, Sekretari i Përgjithshëm të Këshillit të Europës, z. Terry Davies, në Strasbourg).
Po ti, Ervin, çfarë ke bërë për Beratin?
Deklarata bosh, mungesë prezence dhe qëndrime të varura nga lart. Në duart e tua, Berati rrezikon të shkatërrohet, sepse ti je thjesht një figurë e komanduar, jo një drejtues me vizion.
Ti del në qytet me patronazhistë dhe me lekët e qytetarëve; unë kam ecur në çdo lagje dhe fshat me djersën dhe mundin tim. Ndaj, kur të flasësh për mua, laje mirë gojën.
Sa për ju, Edi Rama dhe qeveria juaj, jeni bërë si ulkonja që ha këlyshët e vet pushteti juaj do të shembet nga brenda, nga padrejtësitë që vetë ushqeni.
Unë jam gati të përballem hapur, të flas dhe të dëshmoj për punën time të vërtetë në shërbim të qytetit. Sepse Berati nuk njihet nga fjalët, por nga veprat. Dhe veprat e mia janë aty, të prekshme, për t’u parë nga të gjithë.
Berati meriton më shumë se retorikë politike.
Berati meriton drejtim me integritet, guxim dhe dashuri të sinqertë për qytetin.