Artistja ruse në një performancë kundër luftës në Ukrainë.
Robert Coalson
Vetëm disa mijëra rusë kanë protestuar publikisht kundër pushtimit të Ukrainës, duke rrezikuar që të arrestohen, të gjobiten, të burgosen, apo të largohen nga vendet e punës dhe vetëm që të mbajnë një qëndrim parimor kundër agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.
Qeveria ruse, me kontrollin e saj të rreptë mbi mediat kombëtare dhe makinerinë e saj të fuqishme të zbatimit të ligjit, nuk ka kursyer asnjë përpjekje për të mbytur një disidencë të tillë dhe për t’i penguar ata që e kundërshtojnë luftën, që të përhapin mesazhin e tyre për publikun e gjerë.
Radio Evropa e lirë foli me shumë nga ata persona që kanë protestuar në të gjithë vendin për të zbuluar se përse ndiheshin të detyruar të ndërmerrnin këtë rrezik dhe për të dëgjuar historitë e tyre të thëna nga vetë ata.
Vyacheslav Chernov
Vyacheslav Chernov është një biznesmen nga qyteti i Tashtarolit në rajonin e Kemorovos në Siberi. Ai është akuzuar dy herë për “ekstremizëm”për aktivizmin e tij politik, ndërsa biznesi i tij është shënjestruar nga zyrtarët lokalë.
Vyacheslav Chernov
“Ky shtet ka 1001 mënyra për të shkatërruar çka është e shtrenjtë për ty”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Ai ka vuajtur një periudhë administrative të paraburgimit për deklaratat e tij kundër luftës, por u përgjigj pa nguruar kur u pyet nëse ai i trembet një dënimi të mundshëm me burgim.
“Përse duhet të kem frikë?”, deklaroi Chernov. “Unë po flas të vërtetën. Dhe nëse duhet të vuaj – nuk më vjen turp të vuaj për të vërtetën…. Cili është qëllimi të jetosh në rehati nëse ndërgjegjja jote nuk është e pastër? Kjo është torturë, jo të jetuarit. Nëse unë humbas vetveten, kjo do të ishte një katastrofë më e madhe për mua se sa të humbas lirinë time. Nëse autoritetet mendojnë që mund të më thyejnë duke më dërguar në burg, atëherë le ta provojnë”.
Aikhal Ammosov
Aikhal Ammosov është një aktivist dhe muzikant në qytetin lindor të Siberisë, Yakutsk, i cili është dënuar dy herë për “huliganizëm” për vizatimin e grafiteve kundër luftës.
Aktualisht, ai po përballet me akuza penale “për diskreditim të forcave të armatosura”pasi shkroi sloganin “Jo luftës”. Ai tha se u mbajt pesë ditë në izolim pas arrestimit të tij dhe u kërcënua me armë dhe një paralizues elektrik: “Ata u munduan të më thyenin, mendërisht”.
Ai i tha Radios Evropa e Lirë se ishte i sigurt se do ta dërgonin në burg.
“Është e frikshme pasi këto akuza që po ngrihen ndaj meje po përdoren për t’ua mbyllur gojën të gjithë atyre që duan paqe”, tha ai.
“Ata arrestojnë njerëz si unë dhe më pas të gjithë në Yakutsk frikësohen. Ne jemi shumë larg Moskës dhe Shën Peterburgut. Këtu nuk jemi të mbrojtur…. Praktikisht, këtu nuk ka asnjë aktivist të të drejtave të njeriut”.
“Mendoj se shumë njerëz janë të frikësuar në Yakutsk”, deklaroi Ammosov. “Ata na kanë terrorizuar që nga koha e Bashkimit Sovjetik. Prindërit dhe gjyshërit tanë kanë qenë njerëz të tmerruar… Nëse Rusia është një shtet diktatorial, atëherë Yakutia është një qytet ultra-diktatorial. Këtu mund të mbetesh i gjymtë përjetë nëse ke një opinion të ndryshëm nga ai ‘zyrtar’ ”.
“Kur të fillojnë të kthehen arkivolet, njerëzit do të kuptojnë dhe kur sytë e tyre do të hapen, ata do të dalin të protestojnë në rrugë”, u shpreh Ammosov.
“Por për momentin, duket sikur ata duan më shumë luftë, më shumë gjakderdhje. ‘Do ta shkatërrojmë Ukrainën dhe më pas do të shkojmë më tej…’ Njerëzit janë përfshirë aq shumë në këtë dhe janë aq jotolerantë ndaj njerëzve që mendojnë ndryshe…saqë ata i kërcënojnë seriozisht ata, duke i përndjekur dhe duke thënë: ‘Do t’iu thyejmë këmbë e duar’ ”.
Ammosov deklaroi se është marrë fshehurazi me aktivitete kundër luftës që nga dita kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, më 24 shkurt.
“Dhashë dorëheqje edhe nga puna…në mënyrë që të kundërshtoja luftën me kohë të plotë”, tha ai. “Ata më përndoqën për dy muaj, pak a shumë. Kam qenë i fshehur, duke qëndruar në vende të ndryshme çdo natë.”
Maria Ponomarenko
Maria Ponomarenko është një gazetare nga qyteti i Barnaulit në rajonin e Altait, në Siberi. Aktualisht ajo ndodhet në paraburgim në pritje të gjyqit në Shën Peterburg, ndërsa përballet me akuzat për “diskreditim të forcave të armatosura” mbi një postim në mediat sociale për bombardimet ruse të civilëve në qytetin e Ukrainës, në Mariupol. Ajo rrezikon të marrë një dënim prej dhjetë vjetësh.
Maria Ponomarenko
Ajo iu përgjigj pyetjeve me shkrim nga qelia e saj.
“[Lufta] në Ukrainë është e dhimbshme”, shkroi ajo. “Një dhimbje në shpirt, në zemër, në mendje. Kur filloi lufta, ndjeva një dëshpërim të thellë, sepse më dukej e pamundur të ndalohej kjo çmenduri vëllavrasëse. Unë kam të drejtë ta quaj ‘luftë’…. Në javët e para, madje edhe tani, ndjeva emocione shkatërruese, një ndjenjë faji. Por unë kam bërë gjithçka që kam mundur. Nuk heshta. Unë nuk dhashë aprovimin tim. Heshtja në Rusi sot është e barabartë me nxitjen e një krimi”.
“Një makinë represive po na mbyll gojën”, vazhdoi Ponomarenko. “Por, edhe në kushte të tilla, kur mund të burgosesh për pesë apo dhjetë vjet, ne gjejmë njerëz të guximshëm që refuzojnë të marrin mbi vete barrën e pjesëmarrjes në vrasjen e popullsisë civile të Ukrainës. Ne po luftojmë, megjithëse nuk ka shumë si ne. Tani shumë varet nga rusët e lirë. Nëse vetëm pesë për qind e rusëve gjejnë guximin dhe vendosmërinë, ndryshimet do të vijnë”.
Anna Krivonos
Anna Krivonos është një gazetare në qytetin e largët lindor të Yuzhno-Sakhalinskut. Ajo u gjobit me 30.000 rubla (475$) për një postim në mediat sociale të 2 marsit të quajtur “Sakhalin Oblast dëshiron Paqe”, ku u bëhej thirrje njerëzve që të nënshkruanin apelin e saj kundër luftës.
Kur shkroi atë postim, u shpreh ajo, ishte e sigurt se do të mund t’i bindte njerëzit se lufta në Ukrainë ishte imorale dhe e rrezikshme.
“Unë isha absolutisht e bindur për këtë”, tha ajo dhe shtoi: “Mendova se njerëzit që e mbështetën këtë ferr, thjesht, nuk e kishin menduar sa duhet”.
Megjithatë, me kalimin e kohës ajo ka ndryshuar mendim.
“Gjatë gjithë këtyre muajve, njerëzit mund të gjenin çdo informacion, ata mund të kontrollonin dhe të shihnin burime të shumta”, deklaroi Krivonos.
“Nëse do të kishin dëshirë. Nëse dikush po e mbështet atë çfarë po ndodh, atëherë kjo është një zgjedhje e vetëdijshme. Nuk kemi për çfarë të flasim më. Kohët e fundit po mendoja se po shkoj në polici, në gjykatë dhe gjithçka për asgjë”, thotë ajo.
“Në fakt edhe atëherë, në fillim të prillit, nuk kishte kuptim”, shtoi ajo. “Nënshkrimet erdhën shumë ngadalë. Disa njerëz nënshkruan dhe më pas më kërkuan që të hiqja emrin e tyre, duke thënë se kishin ndryshuar mendim. Unë kam shumë miq, por nga të gjithë ata, vetëm tre nënshkruan. Ishte një mësim i dhimbshëm”.
Seanca e saj gjyqësore zgjati vetëm pak minuta, tha Krivonos, por la përshtypje të paharrueshme për të.
“Kisha ndjesi shumë të çuditshme”, kujton ajo. “Kishte një ndjenjë lirie, sigurie absolute dhe të së vërtetës. Më herët ndieja ankth dhe frikë. Por, në sallën e gjyqit – vetëm liri. Mendoj se gjyqtarja, një grua rreth moshës sime, kishte gjithashtu ndjenja të çuditshme. Doja ta kapja nga supet dhe t’i thosha: ‘Nuk ke pse ta bësh këtë. Ti e ke një zgjedhje’, sepse edhe mua më vinte keq për të”.
Aleksandr Dneprov
Aleksandr Dneprov është një specialist 33-vjeçar informatike në Naberezhnye Chelny, qytetin e dytë më të madh në rajonin e Tatarstanit.
Ai ka zhvilluar i vetëm protesta kundër luftës që nga prilli. Ndryshe nga të tjerët, ai nuk është ndaluar nga policia.
“Askush nuk është interesuar për mua”, tha ai.
I pyetur për të përshkruar ndjenjat e tij më 24 shkurt, kur Rusia nisi luftën e saj të paprovokuar në Ukrainë, Dneprov tha se njëra prej tyre ishte “turpi”.
“Kisha ndjenja të përziera – turp dhe mosbesim që presidenti ynë kishte kryer një krim kaq monstruoz”, tha ai.
“Nuk do të thosha se kisha frikë – u lëndova dhe u turpërova para popullit ukrainas. Më parë nuk isha ndier si pjesëmarrës në ndonjë ngjarje politike”, vazhdoi Dneprov.
“Por, atë ditë ndjeva se nuk ishte e mundur të heshtja më. Duhet ta pranonim se ishim fajtorë. A mund ta kishim ndaluar këtë më herët? Është një pyetje e vështirë, sepse nuk e dinim se do të vinte deri te lufta. Nuk e kam besuar kurrë se qeveria ime mund të kryente një agresion të tillë”, u shpreh ai.
“E gjithë kjo histori është sajuar nga vetë Rusia dhe fajin e ka vetëm Rusia”, shtoi Dneprov.
Kamil Churayev
Kamil Churayev është një dizajner dhe artist në Ufa, kryeqytetin e rajonit të Bashkortostanit. Ai ka zhvilluar i vetëm tri protesta kundër luftës, por nuk është arrestuar.
“Ajo që ndodhi dhe ajo që po ndodh është aq e tmerrshme dhe domethënëse – dhe prek fjalë për fjalë secilin prej nesh – sa që do të ishte e pandershme të pretendosh se disi nuk të përfshin ty”, tha Churayev për Radion Evropa e Lirë. “ [Protestat] Ishin një reagim i natyrshëm, një dëshirë për t’u përcjellë njerëzve se unë personalisht jam kundër asaj që po ndodh…. Çfarë mund të bëj? Mund të shkarravit në një copë letër dhe të dal jashtë [për të protestuar]. Nuk mund të bëj asgjë tjetër”.
“Miqtë e mi nga Ukraina shkruajnë se është e rëndësishme që ata të shohin mbështetje nga njerëzit në Rusi”, tregoi ai.
“Unë e konsideroj të drejtën time të shenjtë t’i emërtoj gjërat ashtu siç janë në të vërtetë”, tha Churayev.
“Nëse po zhvillohet një luftë, unë do ta quaj atë luftë”.
Ravil Sharafutdinov
Ravil Sharafutdinov është një avokat 29-vjeçar nga Syzran, një qytet në rajonin e Samaras. Ai u bë qytetari i parë i Syzranit që u arrestua për protesta kundër luftës kur zhvilloi i vetëm një protestë më 3 maj. Ai u gjobit me 30,000 rubla (475 dollarë) për “diskreditim të forcave të armatosura”.
Ravil Sharafutdinov
“Që nga fillimi kam qenë kategorikisht kundër luftës”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
Por, vetëm pas rreth 10 javësh lufte ai protestoi publikisht.
“Unë mendoj se u bë fizikisht e vështirë të qëndroja i heshtur”, tha ai. “Ndërgjegjja ime nuk po gjente paqe. Çdo ditë që kalonte, bëhej gjithnjë e më i qartë dallimi mes të zezës dhe të bardhës. Dhe, nuk është e mundur të balancosh mes të zezës dhe të bardhës…. Ti e kupton që nëse dëshiron të qëndrosh në dritë, duhet të kalosh kufirin dhe të ndalosh së mos bëri asgjë. Të paktën, kështu ishte për mua”.
Në mars, ai u përpoq të protestonte.
“Unë u përpoqa të merrja një pankartë në qendër të qytetit”, kujton ai. “Qëndrova për disa minuta dhe kuptova se nuk isha gati të më çonin me furgon policie në qeli. Unë kam tre fëmijë të vegjël dhe gruan”.
Më vonë ai arsyetoi se protesta të tilla nuk janë të paligjshme.
“Mund të marr një gjobë ose të kaloj disa ditë në burg”, tha ai dhe shtoi “por të paktën do të mbetem një qenie njerëzore”.
Pavarësisht arrestimit të tij, Sharafutdinov planifikon të vazhdojë protestën, megjithëse shpreson t’i shmangë akuzat penale.
“Por, nëse bëhet fjalë për një çështje penale, kështu qoftë”, tha ai. “Do të shkoj në gjykatë. Unë do ta mbroj veten”.
Yevgenia Isayeva
Yevgenia Isayeva është një artiste në Shën Petersburg. Menjëherë pas pushtimit të 24 shkurtit, ajo u shfaq në qendër të qytetit me një fustan të bardhë, të lyer me bojë të kuqe që simbolizonte gjakun. Protesta e saj zgjati 10 minuta dhe ajo u dënua me tetë ditë burgim për “huliganizëm”.
Yevgenia Isayeva gjatë protestës së saj kundër luftës në Ukrainë
“Protesta ime…ishte një lloj përvoje lirie për mua”, tha ajo. “Që nga 24 shkurti nuk mund të jetoja normalisht. U ndjeva keq dhe për herë të parë pas shumë vitesh pata kriza paniku. Por, ky gjest më ndihmoi. U ndjeva më mirë”.
“Propaganda shtetërore përpiqet t’i bindë të gjithë, se njerëzit si unë e kanë humbur logjikën”, tha Isayeva. “Por, nuk e kam humbur mendjen. I thashë policisë në stacion se historia do të na gjykojë dhe se kjo do të ndodhë shumë shpejt”.
“Ne jemi të gjithë të burgosur të këtij sistemi”, shtoi ajo. “Por nëse thjesht ngremë duart lart, atëherë e gjithë kjo errësirë do të na përpijë, do të na fundosë. Por, ka të vërteta absolute për të cilat ne duhet të flasim”.
“Tani është momenti më i mirë për të vepruar”, tha Isayeva, “dhe jo për t’u dorëzuar. Ne duhet të ndihmojmë njëri-tjetrin. Të kyçësh veten dhe të ndihesh fajtor, për mendimin tim, nuk është produktive”.
Shkruar nga Robert Coalson bazuar në raportimin e Radios Evropa e Lirë
Skeptikët dhe dyshuesit nuk është hera e parë që i vënë në diskutim projektet e mëdha të infrastrukturës, kështu ndodhi së fundmi edhe me projektin që do të “bashkojë” Italinë nëpërmjet urës mbi ngushticën e Messinës, e cila do ta lidhë atë me ishullin e Sicilisë.
EUROPË- Projekti gjigant për të lidhur Europën dhe Afrikën duket se po i afrohet realitetit, por sfidat për t’u kapërcyer janë po aq të mëdha. Tuneli nën Detin Mesdhe, një projekt i jashtëzakonshëm që do të lidhë dy kontinentet.
Skeptikët dhe dyshuesit nuk është hera e parë që i vënë në diskutim projektet e mëdha të infrastrukturës, kështu ndodhi së fundmi edhe me projektin që do të “bashkojë” Italinë nëpërmjet urës mbi ngushticën e Messinës, e cila do ta lidhë atë me ishullin e Sicilisë.
Projekti është miratuar përfundimisht, edhe pse nuk është përcaktuar koha për realizimin konkret të infrastrukturës.
Ndërkohë një ide edhe më e madhe dhe po aq e ndërlikuar kthehet në vëmendjen publike. Bëhet fjalë për tunelin nën Detin Mesdhe, midis Marokut dhe Spanjës, me të cilin synohet objektivi ambicioz për të lidhur Europën dhe Afrikën dhe për të revolucionarizuar të gjithë sektorin e transportit.
Qarkullimi i mallrave, lëvizja e turistëve, madje edhe emigracioni do të mundet të përfitojnë nga kjo lidhje nënujore, por sfidat për ta çuar projektin deri në fund janë ende të shumta.
Sytë janë drejtuar nga viti 2030, i cili me Kupën e Botës së FIFA-s të organizuar pikërisht nga Maroku, Spanja dhe Portugalia do të ofronte rastin ideal për inaugurimin e tunelit.
Megjithatë duket një afat utopik, pasi do të mund të duhen edhe 10 vjet më shumë deri në finalizimin e projektit.
Nga ana tjetër, bashkëpunimi mes qeverive spanjolle dhe marokene, duke përfshirë këtu edhe investimet, është i fortë dhe i vendosur. Jo rastësisht studimet e projektimit kanë marrë një përshpejtim të madh, duke treguar përparime të konsiderueshme krahasuar me analizat e së kaluarës.
Një tunel nën Detin Mesdhe apo një urë mbi Ngushticën e Gjibraltarit?
Ura mbi ngushticën e Messinës në Itali vazhdon të jetë në qendër të debateve, pengesave dhe diskutimeve, por nisur nga kompleksiteti dhe optimizmi, projekti i ngjan shumë atij të Ngushticës së Gjibraltarit.
Dallimi është se ura mbi Gjibraltar e studiuar prej dekadash, nuk mund të ndërtohet aktualisht për arsye strukturore dhe inxhinierike, karakteristikat e territorit nuk e lejojnë ndërtimin e një ure të sigurt, megjithëse distanca nuk është e madhe.
Duhet mbuluar një distancë prej vetëm 14 kilometrash midis brigjeve spanjolle dhe atyre marokene, por është e pamundur të vendosen në mënyrë të sigurt pilastrat/këmbët e urës në një fund deti që arrin deri në 900 metra thellësi, duke pasur parasysh gjithashtu rrymat shumë të forta detare dhe nivelin e lartë të presionit.
Nga idetë e para të urës deri më sot, teknologjia ka përparuar shumë dhe mjetet moderne mund të ofronin zgjidhje për këto probleme, përfshirë këtu edhe aktivitetin e lartë sizmik, por kjo zgjidhje kërkon një kosto të jashtëzakonshme financiare.
Infrastruktura e nevojshme për të ndryshuar gjithë zonën detare do të ishte shumë më e gjatë, më komplekse dhe më e shtrenjtë se vetë ura, pa llogaritur dëmin e madh mbi ekosistemin detar dhe qarkullimin natyror përmes Ngushticës së Gjibraltarit.
Prandaj më shumë se referimi te modeli i urës në Messinë, po punohet duke vlerësuar tunelin e Mançës, për të reduktuar një pjesë të vështirësive.
Tuneli i Mançës është tuneli nën Detin e Veriut që lidh Britaninë e Madhe me Francën, me një gjatësi totale rreth 50 km, prej të cilave rreth 38 km janë nën ujë. Tuneli u hap në vitin 1994 dhe u deshën 6 vite për ta përfunduar.
Lidhja midis Europës dhe Afrikës
Ideja e një tuneli nën Ngushticën e Gjibraltarit nuk është e re, duke pasur periudha të ndryshme interesi që nga vitet ’30, derisa u arrit një pikë kthese në vitin 2023.
Spanja dhe Maroku ndanë 2,3 milionë euro për analizat e reja gjeoteknike, ndërsa këtë vit, Spanja ka nisur një studim të ri fizibiliteti. Aktualisht, një komitet i përbashkët po punon për të përkufizuar projektin, duke përfshirë edhe ekspertë ndërkombëtarë.
Me interes për lexuesin janë disa të dhëna teknike për tunelin Spanjë-Marok.
Qeveritë e Spanjës dhe Marokut po zbatojnë një plan pune 3- vjeçar për përgatitjen e projektit, i cili ka filluar në vitin 2023.
Njëherësh po projektohet të ndërtohet edhe një “tunel test” (exploratory gallery) për të verifikuar kushtet gjeologjike dhe presionet ujore. Sipas disa burimeve mediatike, të cilat nuk janë të konfirmuara teknikisht, gjatësia e përgjithshme e tunelit do të jetë rreth 60 km, ndërsa pjesa nën ujë, rreth 28 km. Thellësia nën fundin e detit, rreth 465 metra.
Lidhur me koston financiare, një studim vlerëson që vetëm pjesa spanjolle mund të kushtojë rreth 9 miliardë euro, ndërsa vlerësime të tjera flasin për një kosto totale rreth 15 miliardë euro.
Si do të funksionojë tuneli?
Do të projektohen dy tunele hekurudhore, një për çdo drejtim, për transport pasagjerësh dhe mallrash, si dhe një galeri shërbimi dhe emergjence mes dy tuneleve.
Gjithashtu do të ketë linja energjetike, fibra optike si infrastrukturë fikse midis dy kontinenteve. Zona ka kompleksitet tektonik, është pranë pllakave tektonike Eurazi-Afrikë, ka aktivitet sizmik, si dhe shtresa të vështira gjeologjike.
Projektohet që tuneli të transportojë rreth 12.8 milionë pasagjerë në vit, si dhe të qarkullojnë nëpërmjet tij rreth 13 milionë tonë mallra. Pritet që fonde të vijnë jo vetëm nga Spanja dhe Maroku, por edhe nga Bashkimi Europian.
Përveç aspektit ekonomik, projekti ka një rëndësi të madhe gjeopolitike, pasi do të lidhë dy kontinente dhe do të ndikojë në zhvillimin e bashkëpunimit ndërmjet tyre./MONITOR
Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kërkuar Evropës që të marrë përsipër shumicën dërrmuese të aftësive mbrojtëse konvencionale të NATO-s deri në vitin 2027, me qëllim që të zvogëlojë pjesëmarrjen e saj në bashkëpunimin mbrojtës të aleancës.
Sipas informacionit të cituar nga Reuters, propozimi i Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë Evropës përgjegjësinë më të madhe për mbrojtjen konvencionale të NATO-s deri në vitin 2027 ka ngritur shqetësime midis zyrtarëve evropianë, të cilët e konsiderojnë afatin jorealist.
Dëshira e Uashingtonit për autonomi më të madhe evropiane në sektorin e mbrojtjes u paraqit në një takim në SHBA, ku zyrtarët e Pentagonit thanë se progresi i Evropës në forcimin e aftësive të saj mbrojtëse që nga fillimi i pushtimit heroik të Ukrainës deri më tani nuk i ka kënaqur Shtetet e Bashkuara.
Zyrtarët e Pentagonit kanë paralajmëruar se nëse Evropa nuk e përmbush afatin e vitit 2027, Shtetet e Bashkuara mund të ndalojnë pjesëmarrjen në disa mekanizma koordinimi mbrojtës të NATO-s, sipas pesë burimeve që folën me ‘Reuters’.
Shtetet e Bashkuara duan që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe të zvogëlojnë varësinë e tyre nga mbështetja amerikane e mbrojtjes. Por disa zyrtarë evropianë thonë se afati i vitit 2027 është jorealist, pasi Evropa ka nevojë për më shumë burime për të zëvendësuar disa nga aftësitë mbrojtëse të SHBA-së.
Aleatët e NATO-s po përballen gjithashtu me vonesa në prodhimin e pajisjeve ushtarake, dhe disa nga armët dhe sistemet mbrojtëse më të përparuara amerikane do të duheshin vite për t’u dorëzuar nëse porositen sot. Në të njëjtën kohë, SHBA-të ofrojnë aftësi që nuk mund të blihen thjesht, të tilla si zbulimi, mbikëqyrja dhe mbledhja unike e inteligjencës, të cilat kanë rezultuar kritike për përpjekjet e luftës së Ukrainës.
Zyrtari i NATO-s, duke folur në emër të aleancës, tha se aleatët evropianë kanë filluar të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e kontinentit, por ai nuk komentoi mbi afatin e vitit 2027.
“Aleatët e kanë njohur nevojën për të investuar më shumë në mbrojtje dhe për të zhvendosur barrën e mbrojtjes konvencionale nga Shtetet e Bashkuara në Evropë”, tha ai.
Bashkimi Evropian ka vendosur një qëllim për ta bërë kontinentin të aftë për të mbrojtur veten deri në vitin 2030, duke u përqendruar në forcimin e mbrojtjes ajrore, dronëve, aftësive të luftës kibernetike dhe fushave të tjera.
Zyrtarët dhe analistët thonë se edhe ky afat është jashtëzakonisht ambicioz. Panorama
Rezultatet e studimit të vitit 2025 nxjerrin në pah vendet më të sigurta në botë dhe, sipas renditjes së re, pesë vendet më paqësore janë: Islanda, Irlandë, Zelanda e Re, Austri, Zvicër.
TIRANA– Me peizazhin politik kaq të paqëndrueshëm, është e dobishme të dini se sa i sigurt është destinacioni juaj i udhëtimit. Çdo vit, Instituti për Ekonomi dhe Paqe publikon Indeksin e Paqes Globale, një analizë gjithëpërfshirëse e sigurisë në botë.
Rezultatet e studimit të vitit 2025 nxjerrin në pah vendet më të sigurta në botë dhe, sipas renditjes së re, pesë vendet më paqësore janë: Islanda, Irlandë, Zelanda e Re, Austri, Zvicër.
Të pesë vendet e para renditen lart sepse kanë institucione të qëndrueshme, korrupsion të ulët dhe infrastrukturë që funksionon mirë, atë që hulumtimi e quan tregues pozitivë të paqes, duke i bërë ato destinacione ideale për udhëtime.
Mbretëria e Bashkuar renditet në vendin e 30-të (dy vende më lart nga viti i kaluar) dhe SHBA-të renditen në vendin e 128-të, duke ruajtur pozicionin e tyre menjëherë poshtë Mozambikut, Afrikës së Jugut dhe Kenias.
Në vitin 2020, Islanda ishte në vendin e parë, me Zelandën e Re, Portugalinë, Austrinë dhe Danimarkën që plotësonin pesë vendet e para. Studimet vjetore shpesh vënë në dukje se shumica e këtyre vendeve më të sigurta në botë janë gjithashtu vende që shfaqen rregullisht në listat e vendeve më të mira për t’u vizituar.
Kanadaja, Singapori, Republika Çeke, Japonia dhe Zvicra ishin ndër dhjetë vendet e para atë vit. Në vitin 2025, Singapori, Portugalia , Danimarka, Sllovenia dhe Finlanda tani janë ndër dhjetë vendet e para.
Sigurisht, ka kuptim; një botë më pak paqësore çon në rritje të paqëndrueshmërisë ekonomike dhe një ulje të ndjeshme të PBB-së globale. Nëse njerëzit janë të preokupuar me luftimet ose të shqetësuar për jetën e tyre, ata nuk mund të krijojnë art, të ndërtojnë shtëpi, të drejtojnë biznese ose të presin familje që vijnë për vizitë.
Ku renditet Shqipëria?
Në rajon, vendin më të mirë e mban Mali i Zi, i cili renditet në pozicionin e 34-t. Maqedonia e Veriut, e pozicionuar në vendin e 51-të, qëndron gjithashtu përpara Shqipërisë. Pas Shqipërisë renditen Bosnje-Hercegovina në vendin e 59-të, Kosova në vendin e 63-të, si dhe Serbia, e cila mbyll listën rajonale në pozicionin e 64-t./ Dosja.al
Presidenti amerikan Donald Trump pritet të shpallë brenda dy javëve kalimin në fazën e dytë të planit të tij të paqes për Gazën, raportoi televizioni izraelit Channel 12, duke cituar zyrtarë të lartë amerikanë. Sipas burimit, njoftimi mund të bëhet para Krishtlindjeve, pak përpara takimit të planifikuar midis Trumpit dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në SHBA.
Sipas raportimit, SHBA dhe ndërmjetësuesit ndërkombëtarë po zhvillojnë bisedime me Hamasin për një marrëveshje që do ta detyronte organizatën të heqë dorë nga kontrolli në Gaza dhe të nisë procesin e çmilitarizimit, dy pika kyçe të fazës së dytë, të pazgjidhura që nga armëpushimi i tetorit.
Marrëveshja parashikon që Hamasi të dorëzojë fillimisht armët e rënda, si raketa dhe predha, e më pas të heqë dorë gradualisht edhe nga armët e lehta. Pranimi i këtyre kushteve nga Hamasi do të jetë parakusht për fazën e dytë të planit, e cila përfshin edhe tërheqjen e forcave izraelite nga zona të caktuara përgjatë të ashtuquajturës “Vija e Verdhë”.
Një zyrtar i lartë amerikan tha për Channel 12: “Jemi afër momentit të së vërtetës. Hamasi duhet të vendosë nëse do të heqë dorë nga pushteti dhe të nisë çmilitarizimin në këmbim të tërheqjes së IDF, ose të refuzojë dhe të përballet me pasojat.”
Plani parashikon gjithashtu krijimin e një Këshilli të Paqes të drejtuar nga Donald Trump, i cili do të mbikëqyrë administrimin e Gazës, si dhe formimin e një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi për sigurinë e territorit.
Trump pritet ta drejtojë Këshillin së bashku me rreth dhjetë liderë nga vende arabe dhe perëndimore. Nën Këshill do të funksionojë një komitet ndërkombëtar i udhëhequr nga ish-kryeministri britanik Tony Blair, si dhe nga këshilltarët e Trump, Jared Kushner dhe Steve Witkoff, të shoqëruar nga figura të tjera globale.
Në nivel operacional, parashikohet krijimi i një komiteti teknokratësh palestinezë me 12–15 anëtarë, të pa lidhur me Hamasin apo Fatahun, të cilët do të merren me administrimin e përditshëm. Disa prej tyre ndodhen aktualisht në Gaza, ndërsa të tjerë pritet të mbërrijnë nga jashtë.
Deklarata të forta ka dhënë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, pas takimit të ministrave të Jashtëm të Aleancës, ku mungoi Mark Rubio. Rutte iu përgjigj mesazhit kërcënues të presidentit rus, Vladimir Putin, i cili deklaroi se “nëse Evropa do luftë, Rusia është gati”.
“Putin mendon se mund të na lodhë, por ne nuk shkojmë askund. Sot është edhe një provë tjetër se ai gabon”, u shpreh Rutte. Sipas tij, veprimet e Kremlinit vetëm sa forcojnë vendosmërinë e NATO-s për të mbështetur Ukrainën dhe për të rritur presionin ndaj Rusisë.
Shefi i NATO-s theksoi se aleanca mbetet “plotësisht mbrojtëse”, por paralajmëroi se është “gati të bëjë gjithçka që duhet për të mbrojtur një miliard qytetarët e saj dhe territorin e saj”.
Rutte nuk ngurroi të lavdërojë edhe Donald Trump, duke thënë se “ishte i vetmi në botë që arriti të thyejë ngërçin mbi luftën në Ukrainë”.
Ai pranoi se NATO nuk ka një “Plan B” nëse negociatat dështojnë, luftimet vazhdojnë dhe SHBA ndalon furnizimin me armë për Kievin. Megjithatë, Rutte u shpreh se nuk duhet menduar për këtë skenar, pasi SHBA “ka qenë shumë konsistente” në mbështetjen për Ukrainën, ashtu si edhe aleatët e tjerë.
Shefi i NATO-s shtoi se pritet që vendet evropiane dhe Kanadaja të rrisin angazhimin e tyre. Dy të tretat e anëtarëve të Aleancës, sipas tij, kanë premtuar furnizime të reja përmes listës së prioriteteve të Ukrainës (PURL), me një vlerë të përgjithshme prej rreth 4 miliardë dollarësh.
Rutte bëri të ditur se edhe Australia dhe Zelanda e Re do të kontribuojnë në këtë fond, si partnerët e parë joanëtarë të NATO-s që i bashkohen PURL. Panorama
VOAL- Takimi i së martës në Kremlin midis delegacionit amerikan dhe Vladimir Putin nuk arriti të sjellë përparim të rëndësishëm në çështjen ukrainase. Bisedimet pesë-orëshe nuk arritën një marrëveshje, veçanërisht për çështjet territoriale.
“Mund të flasim për një bllokim të konsiderueshëm”, shpjegon Andrea Vosti, korrespondent i RSI në Uashington. “Pretendimet territoriale të Moskës, të cilat në këmbim të paqes kërkojnë të gjithë Donbasin, dhe garancitë e sigurisë për Kievin mbeten pikat kryesore të ngërçit”, tha ai për Radiogiornale.
Edhe pse këshilltari i Putinit, Kirill Dmitriev, i quajti bisedimet “të dobishme dhe konstruktive”, duket se nuk ka pasur përparim të rëndësishëm. Një tjetër këshilltar i presidentit rus, Yuri Ushakov, deklaroi se “paqja nuk është më afër, por as më larg”.
Putin duket i vendosur të mos i nënshtrohet presionit të SHBA-së. “Ai është gati të luftojë një dimër tjetër sesa të pranojë një kompromis të ulët”, thekson Vosti, “sidomos tani që Ukraina është në mbrojtje dhe trupat e Moskës po fitojnë terren përgjatë frontit”.
Donald Trump, nga ana tjetër, po tregon shenja padurimi. Presidenti amerikan mbështetej në lidhjen e tij personale me Putinin për t’i dhënë fund luftimeve, por ambiciet e udhëheqësit rus e kanë komplikuar situatën. Administrata amerikane ka ofruar stimuj të tillë si rikthimi i Rusisë në G8 dhe lehtësimi i sanksioneve, por pa sukses.
“Trump është i ngopur me këtë luftë”, thekson Vosti. Gjatë një takimi të kohëve të fundit të kabinetit presidencial, udhëheqësi amerikan e quajti situatën “një katastrofë”, duke specifikuar se Shtetet e Bashkuara nuk po ofrojnë më ndihmë të pakthyeshme për Ukrainën.
“Për presidentin amerikan, edhe lufta në Ukrainë tani është bërë një transaksion ekonomik”, përfundon korrespondenti ynë. Ndoshta pikërisht për këtë arsye, Shtëpia e Bardhë dhe Kremlini kanë vendosur t’i mbajnë konfidenciale detajet e diskutimeve mbi Ukrainën.
Prandaj, paqja në Ukrainë duket ende larg, me Putinin të vendosur në qëndrimet e tij dhe Trumpin gjithnjë e më të frustruar nga mungesa e përparimit në negociata.
Kanadaja është lejuar të bashkohet me programin e financimit të mbrojtjes të BE, SAFE, njoftuan liderët e të dyja palëve. Ky veprim vjen ndërsa pjesa më e madhe e Perëndimit armatoset kundër agresionit rus.
BE dhe Kanadaja njoftuan të hënën se ishte arritur një marrëveshje për të lejuar Otavën të marrë pjesë në instrumentin e financimit të mbrojtjes së Evropës SAFE, prej 150 miliardë eurosh (174 miliardë dollarë).
Në një deklaratë të përbashkët, Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe Kryeministri kanadez Mark Carney e përshkruan marrëveshjen si “hapin tjetër në bashkëpunimin tonë gjithnjë e më të thellë dhe një simbol të prioriteteve të përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Kanadasë”.
Çfarë tjetër thanë udhëheqësit e BE dhe Kanadasë?
“Në këto kohë trazirash gjeopolitike, SAFE është një mjet për të rritur bashkëpunimin, për të përmbushur objektivat e mbrojtjes dhe për të shpenzuar më me efikasitet, duke adresuar njëkohësisht urgjencat afatshkurtra dhe nevojat afatgjata”, deklaruan Von der Leyen dhe Carney në deklaratën e tyre.
“Së bashku, ne do të krijojmë zinxhirë furnizimi mbrojtës elastikë midis industrive tona në një kohë vendimtare për sigurinë globale”, pohuan ata.
Çfarë synon të bëjë SAFE?
Programi SAFE (Veprimi i Sigurisë për Evropën) synon t’u ofrojë kredi anëtarëve të tij me kushte të favorshme për blerjen e përbashkët të armëve me partnerë të tjerë. Kreditë do të garantohen nga buxheti i BE.
Programi u krijua në një kohë kur BE kërkon të forcojë industrinë e mbrojtjes në përgjigje të kërcënimit ushtarak në rritje të Rusisë, ndërsa Shtetet e Bashkuara duket se po tërhiqen nga solidariteti i tyre tradicional i mbrojtjes me Evropën.
Vendimi i Kanadasë për t’u bashkuar me projektin vjen ndërsa ky vend po përpiqet gjithashtu të zvogëlojë varësinë për mbrojtjen nga fqinji i saj, duke pasur parasysh ftohjen në rritje të administratës Trump.
Edhe pse blerjet e përbashkëta të armëve të bëra me ndihmën e SAFE duhet të kenë të paktën 65% të komponentëve të tyre të prodhuar brenda 27 shteteve anëtare të BE-së, shteteve jo-anëtare, si Kanadaja, mund t’u lejohen përjashtime. Britania e Madhe gjithashtu kishte njoftuar dëshirën për t’u bashkuar me programin SAFE, por në fund u tërhoq për shkak të kuotës së hyrjes që kërkohej nga vendet pjesëmarrëse./DW
Zyrtarët amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner (dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump), u takuan me kreun e Fondit Rus të Investimeve Direkte, Kirill Dmitriev, në qendër të Moskës, përpara bisedimeve të tyre me Presidentin rus Vladimir Putin.
Sipas një burimi të cituar nga CNN, Witkoff dhe Kushner ecën nëpër Sheshin e Kuq të Moskës dhe më pas hynë në Kremlin për bisedimet e tyre të planifikuara me presidentin rus.
Ndërkohë, ata u filmuan duke ecur pranë Sheshit të Kuq dhe më vonë duke hyrë në Kremlin, sipas agjencisë së lajmeve TASS dhe gazetës Izvestiya.
Më herët, ata drekuan në një restorant në Moskë, të vlerësuar me yje Michelin, përpara se të shkonin në Kremlin për bisedime, të cilat pritet të përqendrohen në propozimet amerikane për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, thanë burime ruse. gsh
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog (djathtas), dhe kryeministri Benjamin Netanyahu. (Fotografi nga arkivi).
Radio Evropa e Lirë
Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog, ka thënë të hënën se do të përqendrohet vetëm tek “interesat më të mira të Izraelit” kur ta shqyrtojë kërkesën e kryeministrit Benjamin Netanyahu për ta falur për akuzat për korrupsion.
“Do të shqyrtohet në mënyrën më të drejtë dhe më të saktë. Unë do t’i marr parasysh vetëm interesat më të mira të Shtetit të Izraelit dhe të shoqërisë izraelite”, tha Herzog në një deklaratë.
Netanyahu njoftoi të dielën se kishte paraqitur kërkesën për falje, duke thënë se çështjet e gjata gjyqësore po e copëtonin Izraelin.
Ndërkohë, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i shkroi muajin e kaluar Herzogut, duke i kërkuar ta falë Netanyahun.
Netanyahu i ka mohuar vazhdimisht akuzat për korrupsion.
Ai dhe bashkëshortja e tij Sara akuzohen në një rast se kanë pranuar më shumë se 260.000 dollarë në formë dhuratash luksoze si puro, bizhuteri dhe shampanjë nga miliarderë në këmbim të favoreve politike.
Kryeministri akuzohet gjithashtu se ka kërkuar të negociojë mbulim më të favorshëm mediatik nga dy media izraelite në dy raste të tjera.
Meqenëse çështjet kanë nxjerrë në pah përçarje të thella në shoqërinë izraelite midis mbështetësve dhe kundërshtarëve të tij, Netanyahu tha se po kërkon që të falet në mënyrë që t’i “ulë tensionet dhe ta promovojë pajtimin që vendit tonë i duhet kaq shumë”.
Netanyahu e ka mohuar vazhdimisht fajësinë në rastet gjyqësore dhe nuk e pranoi fajësinë as të dielën kur njoftoi se i ka kërkuar presidentit ta falë.
Ai doli para gjykatës në Tel Aviv, ku protestues pro dhe kundër tij brohoritën slogane. Disa prej protestuesve ishin të veshur me uniforma ngjyrë portokalli të stilit të të burgosurve.
“Ai duhet të gjykohet si çdo qytetar tjetër në Izrael”, tha për AFP protestuesja Paula Keusch.
Por, demonstruesi pro Netanyahut, Rafael Shamir tha: “Nëse e mira e vendit e çon Netanyahun të kërkojë pezullimin e gjyqit, atëherë unë e mbështes atë”.
Në Izrael, falja tradicionalisht është dhënë vetëm pasi procedurat ligjore kanë përfunduar dhe i pandehuri është dënuar.
Avokatët e Netanyahut argumentuan se presidenti mund të ndërhyjë kur është në rrezik interesi publik, si në këtë rast, me synimin për të shëruar ndasitë dhe për të forcuar unitetin kombëtar.
VOAL- Negociatat për të arritur një marrëveshje paqeje për Ukrainën kanë rinisur. Të dielën, delegacionet nga Kievi dhe Uashingtoni u takuan në Florida për të provuar të zgjidhnin çështjet më komplekse. “Bisedimet ishin pozitive, por mbetet shumë për t’u bërë”, tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio.
Ka shumë palë të përfshira dhe Rusia, sigurisht, duhet të jetë pjesë e ekuacionit. Ne kemi qenë në kontakt në nivele të ndryshme me palën ruse dhe gjithashtu kemi një kuptim të mirë të pikëpamjeve të tyre.
Sot, të hënën, Presidenti ukrainas Zelensky do të udhëtojë përsëri në Paris për të fituar mbështetje të mëtejshme evropiane, ndërsa i dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, pritet të takohet përsëri me presidentin rus në Moskë nesër.
Për të mësuar më shumë, Radiogiornale kontaktoi gazetarin dhe kontribuesin Davide Maria De Luca në Kiev. “Po,” tha De Luca për Radiogiornale, “presidenti ukrainas do të udhëtojë për në Francë. Të dy janë shumë afër. Zelensky shpesh takohet me Macron në kohë krize për të kërkuar këshilla dhe mbështetje. Dhe kjo vizitë na tregon se po shohim përparim, hapa të rëndësishëm në negociata. Por varet shumë nga ajo që ne e përcaktojmë si përparim.”
“SHBA-të dhe Ukraina,” vazhdoi De Luca, “kanë negociuar për ditë të tëra në Gjenevë dhe Florida për një plan draft për t’ua paraqitur rusëve. Pra, ndoshta në orët e ardhshme, me mbërritjen e Witkoff në Moskë, do të dimë se çfarë mendon Rusia për këtë plan: cilat pika i vlerëson më shumë, cilat pika i vlerëson më pak. Pra, mund të ketë përparim, në kuptimin që pozicioni i Moskës do të jetë më i qartë. Megjithatë, duket shumë e pamundur që të arrihet përparim i mëtejshëm në orët e ardhshme. Ka shumë pyetje të hapura. Distanca midis dy palëve është shumë e madhe.”
Gazeta amerikane “Miami Herald” ka zbuluar detaje të një telefonate konfidenciale midis presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe homologut të tij venezuelian Nicolás Maduro, gjatë së cilës Uashingtoni i kërkoi kreut të Caracas-it të largohej menjëherë nga vendi.
Sipas burimeve të gazetës, Trumpi i transmetoi Maduros mesazhin se ai mund të shpëtonte veten dhe njerëzit më të afërt vetëm nëse pranonte të largohej pa vonesë.
Biseda mes dy liderëve nuk pati sukses, pasi qëndrimet e tyre rezultuan shumë të largëta. SHBA kërkonte dorëheqjen e menjëhershme të Maduro-s dhe largimin e tij nga territori venezuelian me qëllim rivendosjen e qeverisjes demokratike. Në kundërpërgjigje, pala venezueliane propozoi një tranzicion ku opozita do të merrte kontrollin politik, ndërsa Maduro dhe aleatët e tij do të ruanin komandën mbi forcat e armatosura.
Burimet e cituara nga “Miami Herald” theksojnë se Uashingtoni i ofroi Maduro-s, bashkëshortes së tij Cilia Flores dhe djalit të tij garanci për kalim të sigurt vetëm nëse ai pranonte të jepte dorëheqjen menjëherë. Kjo ndodhi në një kohë kur SHBA-të kishin shpallur një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij, vlera më e lartë e ofruar ndonjëherë për një udhëheqës në detyrë, si dhe 25 milionë dollarë për figurën e rëndësishme të pushtetit, Diosdado Cabello.
Sipas një burimi të dytë, telefonata u konsiderua si një përpjekje e fundit për të shmangur një konflikt të drejtpërdrejtë, por dështoi sepse Maduro kërkoi amnisti të përgjithshme për të dhe ekipin e tij, kërkoi të ruante kontrollin e plotë mbi forcat e armatosura duke iu referuar modelit të Nikaraguas të vitit 1991, ndërsa SHBA këmbëngulte në dorëheqjen e tij të menjëhershme. Këto dallime e bënë të pamundur arritjen e një marrëveshjeje dhe biseda përfundoi pa rezultat. bw
Papa Leoni XIV në bisedë me gazetarët gjatë fluturimit nga Stambollin në Bejrut
Në fluturimin nga Stambolli për në Bejrut, Papa Leoni XIV foli me gazetarët në bord. Ati i Shenjtë falënderoi Turqinë për pritjen që iu bë, veçanërisht qeverinë për sigurimin që vizita të ishte një sukses. Më pas ai iu përgjigj pyetjeve të dy gazetarëve turq në lidhje me dialogun me Erdoganin dhe luftërat në Gaza dhe Ukrainë, dhe konfirmoi idenë e një udhëtimi të bashkësive të krishtera në Jeruzalem për 2000-vjetorin e Shëlbimit në vitin 2033.
R.SH. /Vatikan
“Good afternoon! !Good afternoon! !” Në fluturimin nga Stambolli për në Bejrut, pjesa e dytë e udhëtimit të tij të parë ndërkombëtar apostolik, Papa Leoni XIV u drejtoi një përshëndetje surprizë 81 gazetarëve në fluturimin papnor: “Jam i lumtur t’ju përshëndes. Shpresoj se keni kaluar një kohë të mrekullueshme në Turqi, ashtu si unë. Mendoj se ishte një përvojë e mrekullueshme”. Më pas Ati i Shenjtë falënderoi vendin që e priti dhe të gjithë ata që e bënë të mundur vizitën tre-ditore, dhe iu përgjigj pyetjeve të dy gazetarëve turq. Njëra në veçanti ka të bëjë me perspektivat për paqe në Gaza, për të cilën Papa riafirmon zgjidhjen me dy shtete. Lidhur me Ukrainën, Ati i Shenjtë bën thirrje për dialog dhe armëpushim, duke theksuar rolin e mundshëm ndërmjetësues të Turqisë.
Siç e dini, arsyeja kryesore për të shkuar në Turqi ishte 1700-vjetori i Koncilit të Nikesë. Ne mbajtëm një kremtim madhështor, shumë të thjeshtë por të thellë, në vendin e një prej Bazilikave të lashta të Nikesë për të përkujtuar ngjarjen e madhe të marrëveshjes së të gjithë komunitetit të krishterë dhe rrëfimit të besojmës së fesë, Besojmën Nikeno-Kostandinopojane. Përveç kësaj, kremtuam disa ngjarje të tjera.
Personalisht dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë për punën e bërë për përgatitjen e vizitës, duke filluar nga nunci apostolik, stafi dhe i gjithë ekipi në Romë që u morën me organizimin. Por falënderoj veçanërisht qeverinë e Turqisë, Presidentin Erdogan dhe shumë njerëz që ai vuri në dispozicion për të siguruar që udhëtimi të ishte një sukses i plotë: helikopteri i tij personal, të gjitha mjetet e transportit, organizimi dhe prania e ministrave në momente të ndryshme. Mendoj se ishte një sukses i madh. Isha shumë i lumtur që përjetova momente të ndryshme me Kishat e ndryshme, komunitetet e ndryshme të krishtera dhe Kishat ortodokse, duke kulmuar këtë paradite me Liturgjinë Hyjnore me Patriarkun Bartolomeu, e cila ishte një festë e mrekullueshme. Shpresoj që të gjithë të keni pasur të njëjtën përvojë.
Baris Seçkin (Anadolu Ajansi): Në fillim të udhëtimit tuaj papnor, ju iu referuat paqes botërore dhe rajonale. Në këtë drejtim, cili është komenti juaj për rolin e Turqisë në arritjen dhe ruajtjen e paqes rajonale dhe globale, dhe cilat kanë qenë bisedimet tuaja me Presidentin Erdogan mbi këtë temë?
Duke ardhur në Turqi, dhe tani në Liban, natyrisht kishte një temë të veçantë: të jesh një lajmëtar i paqes, duke dashur të promovosh paqen në të gjithë rajonin. Turqia ka shumë cilësi në këtë drejtim: është një vend me shumicë myslimane dhe gjithashtu ka praninë e komuniteteve të shumta të krishtera, një pakicë të vogël, e madje edhe njerëz të feve të tjera që janë në gjendje të jetojnë në paqe. Është një shembull, do të thoja, i asaj që të gjithë po kërkojmë në mbarë botën. Përtej dallimeve fetare, përtej dallimeve etnike, përtej shumë dallimeve të tjera, njerëzit mund të jetojnë në paqe. Vetë Turqia ka pasur disa momente në historinë e saj kur nuk ka qenë gjithmonë në gjendje ta bëjë këtë, dhe duke përjetuar këtë përvojë dhe duke qenë në gjendje të flas me Presidentin Erdogan për paqen, mendoj se është një element i rëndësishëm dhe i rëndësishëm i vizitës sime.
Seyda Canepa (NTV): Shenjtëria Juaj, përtej deklaratave zyrtare, ju dhe Presidenti Erdogan keni folur për situatën në Gaza, duke pasur parasysh se Vatikani dhe Turqia ndajnë të njëjtin vizion për zgjidhjen dy popuj, dy shtete. Lidhur me Ukrainën, Vatikani ka theksuar vazhdimisht rolin e Turqisë, duke filluar me hapjen e korridorit të grurit në fillim të konfliktit. Pra, a shihni ndonjë shpresë për një armëpushim në Ukrainë dhe një proces më të shpejtë paqeje në Gaza në këtë kohë?
Ne sigurisht që kemi folur për të dyja situatat. Selia e Shenjtë prej disa vitesh e ka mbështetur publikisht propozimin për një zgjidhje dy shtetesh. Ne të gjithë e dimë se Izraeli ende nuk e pranon këtë zgjidhje, por e shohim atë si zgjidhjen e vetme që mund të ofrojë një zgjidhje për konfliktin në vazhdim. Ne jemi gjithashtu miq të Izraelit dhe po përpiqemi të ndërmjetësojmë me të dyja palët, duke ndihmuar të afrohemi për një zgjidhje të drejtë, me drejtësi, për të gjithë. Kam folur për këtë me Presidentin Erdogan dhe ai padyshim që është dakord me këtë propozim. Turqia ka një rol të rëndësishëm që mund të luajë në këtë.
E njëjta gjë vlen edhe për Ukrainën. Tashmë disa muaj më parë, me mundësinë e dialogut midis Ukrainës dhe Rusisë, presidenti ndihmoi shumë për të mbledhur të dyja palët. Fatkeqësisht, ende nuk kemi parë një zgjidhje, por sot ka përsëri propozime konkrete për paqe. Dhe shpresojmë që Presidenti Erdogan, me marrëdhënien e tij me presidentët e Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mund të ndihmojë në këtë drejtim, duke nxitur dialogun, një armëpushim dhe duke parë se si ta zgjidhim këtë konflikt, këtë luftë në Ukrainë.
(Matteo Bruni, red.) më sugjeroi që të thoja një fjalë pas takimit të rëndësishëm ekumenik në Nikea, dhe pastaj, dje paradite, biseduam për takime të mundshme në të ardhmen. Njëri do të ishte në vitin 2033, dy mijë vjet të Shëlbimit, të Ngjalljes së Jezu Krishtit, e cila është qartë një ngjarje që të gjithë të krishterët duan ta festojnë. Ideja u pranua. Ende nuk e kemi dërguar ftesën, por ekziston mundësia e festimit të kësaj ngjarjeje të madhe të Ringjalljes në Jerusalem në vitin 2033, për shembull. Ka ende vite për t’u përgatitur. Megjithatë, ishte një takim shumë i bukur, sepse të krishterë nga tradita të ndryshme ishin të pranishëm dhe patën mundësi të merrnin pjesë gjatë kësaj kohe. Faleminderit. Përshëndetje të gjithëve, udhëtim të mbarë!
Komentet