Udhëheqësit e zemëruar të Bashkimit Evropian do të shqyrtojnë një përgjigje të përbashkët të hënën ndaj veprimit të Bjellorusisë, që detyroi uljen në Minsk të një avioni që po fluturonte në një linjë brenda vendeve të BE-së, në mënyrë që të arrestonte një gazetar të shquar të opozitës.
Raman Pratasevich, i cili drejtoi një aplikacion të popullarizuar të mesazheve që luajti një rol kryesor në mbështetjen e organizimit të protestave masive kundër presidentit autoritar të Bjellorusisë, ishte në avionin e kompanisë Ryanair që po fluturonte nga Athina e Greqisë për në Vilnius të Lituani, që bëri një ulje të detyruar në kryeqytetin bjellorus, Minsk, ndërsa fluturonte mbi Bjellorusinë.
Kontrolli fluturimeve bjellorus paralajmëroi ekuipazhin e avionit për një kërcënim të pretenduar me bombë e urdhëroi uljen në Minsk, ndërsa një avion luftarak bjellorus shoqëroi avionin e kompanisë Ryanair.
Menjëherë pas uljes, 26-vjeçari Pratasevich dhe e dashura e tij ruse, u morën nga policia. Avioni më në fund u lejua të vazhdojë fluturimin dhe u ul në Vilnius disa orë pas orarit.
Presidenti lituanez, Gitanas Nauseda, e quajti të dielën incidentin një “akt terrorist të sponsorizuar nga shteti” dhe propozoi ndalimin e uljes së avionëve bjellorusë në aeroportet e Bashkimit Evropian dhe “sanksione serioze” kundër qeverisë bjelloruse.
Udhëheqës të 27 vendeve anëtare të BE-së që hapin një takim dyditësh të hënën, e vunë në krye të rendit të ditës këtë çështje mes dënimit të përbashkët të presidentit bjellorus, Aleksandër Lukashenko.
Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, e cilësoi veprimin bjellorus ” një përpjekje tjetër të hapur nga autoritetet bjelloruse për të heshtur të gjithë zërat e opozitës”. Ai e quajti uljen e detyruar të avionit një “hap të papranueshëm” duke vënë theksin te një përkeqësim i mëtejshëm i marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Ministria e Jashtme Bjelloruse të hënën kundërshtoi ashpër ato që i cilësoi si deklarata “agresive” të BE-së, duke këmbëngulur që autoritetet e vendit vepruan “në përputhje të plotë me rregullat ndërkombëtare”.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e quajti incidentin “tronditës” dhe akuzoi qeverinë bjelloruse për rrezikimin e jetës së udhëtarëve, në mesin e të cilëve kishte edhe disa amerikanë. Ai bëri thirrje për lirimin e gazetarit Pratasevich dhe që Këshilli i Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil të shqyrtojë incidentin.
Faqet që ndjekin fluturimet treguan se avioni ishte rreth 10 kilometra nga kufiri lituanez, kur u detyrua të ndërrojë rrugëtimin.
“Unë e pashë këtë djalosh bjellorus me të dashurën të ulur pas nesh. Ai u tmerrua kur piloti tha që fluturimi është devijuar për në Minsk. Ai tha se atje e pret dënimi me vdekje”, tha udhëtari Marius Rutkauskas pasi avioni arriti më në fund në Vilnius. Ata i morën ata dhe “ne nuk i pamë më”, tha ai.
Gazetari Protasevich ishte bashkëthemelues i kanalit Telegram NEXTA Live, i cili ka mbuluar protestat që shpërthyen në Bjellorusi pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale gushtin e kaluar. Autoritetet bjelloruse e kanë cilësuar atë si ekstremist dhe kanë ngritur akuza kundër tij për nxitje të trazirave. Gazetari Pratasevich, mund të përballet me 15 vjet heqje lirie nëse dënohet.
Muaj protestash në Bjellorusi u nxitën nga zgjedhja e Lukashenkos për një mandat të gjashtë presidencial, në një palë zgjedhje në muajin gusht që opozita i denoncoi si të manipuluara. Më shumë se 34 mijë njerëz janë arrestuar në Bjellorusi që nga gushti dhe mijëra janë rrahur brutalisht.
Komentet