Në artikullin e tyre të përbashkët për median gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Rama dhe Vuçiç propozuan integrimin në BE pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë si dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse.
GJERMANI- Gjermania duket se ka rrëzuar propozimin e kryeministit Edi Rama dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç, të cilët propozuan një qasje të re strategjike për avancimin e procesit të zgjerimit të BE-së. Në artikullin e tyre të përbashkët për median gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, Rama dhe Vuçiç propozuan integrimin në BE pa të drejta vetoje, pa komisionerë shtesë si dhe pa prekur strukturat vendimmarrëse.
Në lidhje me këtë propozim të tyrin ka reaguar deputeti i CDU-së, Peter Beyer, i cili është njëkohësisht edhe drejtues i Grupit të Ballkanit Perëndimor në Bundestag. Gjatë një interviste për podkastin serb “Gjysmë Ore Demostat”, Beyer u shpreh se pa reforma nuk ka integrim ekonomik dhe se ndonëse vendet kanë bërë një rrugë të gjatë, përsëri nuk mjafton.
“Që nga Deklarata e Selanikut e vitit 2003, e cila ishte 23 vjet më parë, Bashkimi Evropian ka bërë një premtim për perspektivën evropiane të rajonit. Kur bëhet fjalë për besueshmërinë, Bashkimi Evropian duhet të kontribuojë më shumë në besueshmërinë e tij. Duhet pranuar gjithashtu se shumë shoqëri dhe vende në rajon, përfshirë Serbinë, kanë bërë një rrugë të gjatë. Është bërë shumë. A mjafton? Nuk është. Kjo është arsyeja pse kjo është gjithashtu një thirrje për veprime shtesë si për qeveritë, shoqërinë civile dhe qytetarët, por edhe për Brukselin, Parisin dhe Berlinin”, tha Peter Bayer.
Deputeti gjerman u shpreh se propozimi i kryeministrit Rama dhe presidentit Vuçiç ngjalli reagime të ndryshme dhe kritika. Ai theksoi se ekonomia është e rëndësishme, por jo e mjaftueshme për integrimin. Sipas tij, procesi duhet bërë më tërheqës për qytetarët.
“Ne e kemi parë që kryeministri shqiptar Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç së fundi bashkëshkruan një opinion mbi këtë temë, i cili ngjalli reagime të ndryshme, mbështetje, por edhe kritika. Unë mund ta kuptoj qëllimin e tyre. Ata madje propozuan se ndoshta nuk do të ishte e nevojshme që menjëherë të kishin edhe të drejtën e vetos.
Pra, po flitet për akses në tregun e brendshëm ose në tregun unik. Siç thoshte me të drejtë Bill Clinton, “është ekonomia, budallenj”. Po, sigurisht që ekonomia është e rëndësishme, por kjo nuk mund të mbarojë vetëm aty. Nuk mund të përfitosh vetëm nga tregu i brendshëm dhe pastaj të harrosh gjithçka tjetër. Prandaj shumë njerëz po lodhin mendjen për të gjetur çfarë mund të bëhet për të krijuar stimuj, edhe sa i përket popullaritetit të procesit të anëtarësimit në shoqëritë përkatëse, si ta bëjmë më tërheqës, si të rrisim motivimin dhe mbështetjen” ka thënë Beyer.
Sipas tij flitet për qasje në tregun e vetëm, por nuk mund të reduktohet vetëm në ekonomi. Në lidhje me këtë, ai tha se ka disa njerëz në Evropë, referuar Ramës dhe Vuçiç të cilët mendojnë se duhet të ndalemi në anëtarësimin e asociuar, pa anëtarësim të plotë dhe që BE-ja të ofrojë vetëm anëtarësim të pjesshëm për kandidatët. Por, Peter Beyer tha se kjo nuk mund të jetë një zgjidhje, pasi do ishte një tradhti ndaj premtimeve të të Bashkimit Europian.
“Ju nuk mund të keni akses në treg dhe të injoroni gjithçka tjetër. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz sot po mendojnë se si të gjejnë një mënyrë për ta bërë procesin më tërheqës dhe motivues për qytetarët. Si të rritet mbështetja për integrimin evropian në shoqëri? Si ta bëjmë procesin më tërheqës?
Dua t’ju paralajmëroj për një gjë. Ka njerëz në Evropë që mendojnë se duhet të ndalemi në anëtarësimin e asociuar, pa anëtarësim të plotë në fund, që BE-ja të ofrojë bujarisht vetëm anëtarësim të pjesshëm për kandidatët. Kjo do të ishte një tradhti dhe është një tradhti ndaj vetes. Më kujtohet Selaniku në vitin 2003. Në atë kohë, ne premtuam një perspektivë evropiane dhe ky premtim duhet të mbetet i vlefshëm”, tha Bayer.
Mediat shkruajnë se ai është njohës i mirë i situatës në rajon dhe ka marrë pjesë aktive në bisedime të rëndësishme me të gjitha qeveritë e Ballkanit Perëndimor. I pyetur nëse zgjerimi është i rëndësishëm për stabilitetin e rajonin, por edhe për stabilitetin e Bashkimit Evropian, ai u përgjigj se asgjë nuk ka ndryshuar në këtë drejtim.
“Ndoshta edhe përkundrazi është edhe më e rëndësishme sot për stabilitetin dhe integrimin e të gjithë Evropës. Edhe nëse e shohim Bashkimin Evropian jo vetëm si një klub prej 27 vendesh anëtare, por gjeografikisht nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme që të gjitha vendet, dhe veçanërisht Serbia si një vend kyç dhe më i madh në rajon, si për sa i përket popullsisë ashtu edhe për sa i përket territorit, ta marrin seriozisht procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha ai.
Deputeti gjerman theksoi se ka shumë faktorë, forca dhe aktorë të tjerë që po përpiqen të ushtrojnë ndikimin e tyre në rajon.
“Nëse shohim Rusinë dhe luftën e saj të agresionit kundër Ukrainës, ose Kinës ata kanë burime të mëdha financiare në dispozicion dhe përdorin ndikimin e tyre përmes projekteve, infrastrukturës, por edhe politikës. Kjo është diçka që ne në Evropë nuk duhet ta pranojmë, dhe kjo është arsyeja pse ka shumë diskutime se si të avancohet qasja ndaj integrimit evropian dhe si ta përshpejtojmë atë.
Nga këndvështrimi im, si qytetar gjerman dhe parlamentar, duke folur për interesat dhe vlerat, jam i bindur se vlerat dhe standardet evropiane janë shumë më të mira për qytetarët e Serbisë dhe vendeve ë tjera të rajonit sesa ato të ofruara nga këto vende“, shpjegon ai.
Kur u pyet nëse zgjerimi deri në fund të mandatit të këtij Komisioni Evropian është realist, ai përgjigjet se ka qenë gjithmonë një pyetje e vështirë dhe se ai ka qenë gjithmonë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për përcaktimin e afateve kur një vend do të bëhet anëtar, sepse kjo nuk është një qasje serioze.
“Kur flasim për një qasje serioze, asgjë nuk ka ndryshuar në krahasim me atë që më parë shpesh quhej parimi i ‘regatës’. Çdo vend që dëshiron të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian duhet të gjykohet sipas meritave të veta. Nëse ka përmbushur kriteret acquis të BE-së, kriteret e Kopenhagës dhe reformat e nevojshme. Kjo është ajo që është thelbësore,” tha Bayer.
Çfarë kërkuan Rama dhe Vuçiç në artikullin e medias gjermane?
Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti serb Aleksander Vuçiç janë bërë bashkë për të kërkuar anëtarësimin në Bashkimin Evropian sa më shpejt. Të dy ata kanë publikuar një editorial të përbashkët në Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), ku kërkojnë integrimin në BE pa të drejtë vetoje.
Kërkesat e tyre bazohen në idenë e një integrimi të përshpejtuar të vendeve kandidate të përgatitura në tregun e brendshëm të BE-së dhe në hapësirën Shengen, pa cenuar balancën ekzistuese institucionale të Unionit. Për Ramën dhe Vuçiç, kjo formulë mundëson përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët, duke forcuar njëkohësisht pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të BE-së.
Dy udhëheqësit shprehin zhgënjim për mungesën e zgjerimit të BE-së që prej vitit 2013, duke e cilësuar realitetin aktual si dekurajues për rajonin. Ata theksojnë se Ballkani Perëndimor përfaqëson një vijë të re fronti për investime dhe argumentojnë se Brukseli duhet ta shohë rajonin si një hapësirë strategjike në kontekstin e zhvillimeve të reja gjeopolitike.
Sipas tyre një formulë e tillë është më e pranueshme për vendet anëtare që hezitojnë përballë një zgjerimi të ri dhe do ta bënte më të lehtë shpjegimin e procesit të integrimit para opinionit publik evropian./Dosja.al