Për dy javë mandat, deputetët e rinj kanë marrë nga 744 mijë deri në 1.5 milionë lekë, ndërsa pagat, qiratë dhe shpërblimet rriten pa kontroll…
55 deputetë të rinj të PS, PD dhe Partisë së Lirisë kanë marrë nga 744 mijë deri në 1.5 milionë lekë dieta vetëm në dy javët e para të mandatit, përveç pagës dhe shpërblimeve mujore. Edhe veteranët vazhdojnë të përfitojnë miliona, si rasti i Niko Peleshit që mori 1.9 milionë lekë dieta, përveç pagës dhe rimbursimit të qirasë, ndonëse zotëron disa apartamente në Tiranë. Batërdia financiare e Kuvendit vazhdon me ritme të pandalshme, ndërsa taksat e shqiptarëve rrjedhin për djersën e deputetëve të sapozgjedhur.
Edhe deputetët e rinj po flasin në emër të popullit. Por, ashtu si deputetët veteranë, ata e nisën mandatin duke përlarë taksat e qytetarëve përmes dietave, përveç pagës mujore 3.1 milionë lekë dhe 770 mijë lekë për karburant, telefon dhe mbledhje komisionesh parlamentare.
Në faqen zyrtare të Kuvendit është publikuar pasqyra e përfitimeve financiare të deputetëve për muajin shtator 2025. Në kolonën “Dieta për udhëtimet brenda vendit”, konstatohet batërdia e dietave që kanë marrë 55 deputetë të rinj të PS, PD dhe Partisë së Lirisë.
Ata e filluan mandatin më 12 shtator 2025 dhe u betuan se do të punojnë për hallet e popullit. Por për dy javët e para të mandatit, kanë marrë nga 744 mijë deri në afro 1.5 milionë lekë dieta. Kanë deklaruar se kanë qenë në zonat e tyre elektorale për takime me qytetarët dhe kanë dorëzuar në zyrën e financës së Kuvendit vërtetime për fjetje në hotele, ndërsa kuota ushqimore është e përcaktuar 140 mijë lekë në ditë.
Sipas listës që publikon “Pamfleti”, dieta kanë marrë deputetë të qarqeve Durrës, Lezhë, Shkodër, Kukës, Dibër, Gjirokastër, Vlorë, Berat, Elbasan, Korçë, të cilët i kanë shtëpitë atje.

Ndër deputetët e rinj të PS dhe PD që kanë përfituar nga 1 milion e 489 mijë lekë për dy javët pas nisjes së mandatit janë Gjin Gjoni, Kliti Hoti, Jozefina Topalli, Bora Muzhaqi, Zegjine Çaushi, Tërmet Peçi, Skënder Pashaj, Igli Cara, Xhenis Çela, Klodiana Çapja, Ilva Gjuzi, Kiduina Zaka, Loer Kume, Luçiano Boçi, Manjola Luku, Marjana Koçeku, Aulona Bylykbashi, Piro Dhima, Bledi Çomo, Blendi Himçi dhe të tjerë.
Ndërsa deputetët e rinj që kanë marrë nga 744 mijë deri në 1 milion lekë janë Bardh Spahia, Sara Mila, Tedi Blushi, Agron Gaxho, Ana Dajko, Ani Dyrmishi, Ardit Bido, Iris Luarasi, Belind Kelliçi, Besart Xhaferi, Brunilda Haxhiu, Enno Bozdo, Agron Malaj, Gent Strazimiri, Erald Kapri dhe të tjerë.
Edhe deputetët veteranë vazhdojnë të marrin miliona lekë shtesë mbi pagat përmes dietave dhe shpërblimeve mujore për karburant, telefon dhe pjesëmarrje në komisione parlamentare.
Rasti tipik është Niko Peleshi. Përveç pagës mujore 3.9 milionë lekë si kryetar Kuvendi, në shtator 2025 mori 1.9 milionë lekë dieta si deputet. Ai merr edhe 290 mijë lekë në muaj për rimbursim qiraje si i pastrehë në Tiranë, megjithëse në Tiranë zotëron tre apartamente.
E pse mos t’i marrin? Taksat e shqiptarëve janë./Pamfleti