Një senator tjetër republikan ka bërë thirrje për rrëzimin e Donald Trump të dielën, duke e akuzuar presidentin për zbritjen në “çmenduri” për nxitjen e tij të një turme mbështetësish që shkatërruan Capitol Hill-in e SHBA-së në trazirat vdekjeprurëse të së mërkurës.
Senatori i Pensilvanisë, Pat Toomey foli ndërsa demokratët përgatiteshin të futnin artikuj të fajësimit kundër Trump në Dhomën e Përfaqësuesve të hënën dhe një sondazh i ri zbuloi se shumica e amerikanëve besojnë se ai duhet të hiqet nga pushteti para se Joe Biden të betohet për ta zëvendësuar atë.
“Sjellja e Presidentit pas zgjedhjeve ishte jashtëzakonisht e ndryshme nga sjellja e tij para se të binte në një nivel çmendurie dhe të merrej me një aktivitet që ishte absolutisht i paimagjinueshëm dhe i pafalshëm”, tha Toomey për CNN, transmeton Gazeta Express.
“Sjellja ishte e egër. Dhe duhet të ketë përgjegjësi. Unë mendoj se presidenti e ka skualifikuar veten e tij për të mos shërbyer më kurrë në detyrë”.
Një listë në rritje e republikanëve e kanë kritikuar Trumpin për inkurajimin e kryengritjes. Toomey u bëri jehonë thirrjeve nga senatorja e Alaskës, Lisa Murkowski kundër presidentit.
Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve janë të përgatitur të prezantojnë artikuj të fajësimit të hënën, duke e akuzuar Trumpin për “rrezikimin e madh të sigurisë së Shteteve të Bashkuara” dhe institucioneve të tyre.
Deri tash, asnjë president i SHBA-së nuk është hequr nga detyra përmes fajësimit. Presidenti raportohet të jetë duke përgatitur mbrojtjen e tij ligjore.
Përpjekjet për të aplikuar amandamentin e 25-të të kushtetutës amerikane, i cili parashikon heqjen e një presidenti të gjykuar të paaftë dhe zëvendësimin e tij nga zëvendëspresidenti, duket se nuk do të kenë sukses.
Disa republikanë kanë bërë thirrje që Trump të japë dorëheqje dhe ta lë Pence që ta zëvendësojë për pjesën e mbetur të mandatit, duke i bërë jehonë vendimit të ish-presidentit të SHBA-së, Richard Nixon për t’ia dorëzuar pushtetin Gerald Ford më 1974. Trump dhe Pence thuhet se nuk kanë folur që nga trazirat në Capitol Hill.
Dy të tretat e Senatit duhet të votojnë që një president të fajësohet dhe të hiqet. Megjithëse Murkowski nga Alaska ka thënë që Trump duhet të shkojë dhe Ben Sasse nga Nebraska ka treguar gjithashtu mbështetje për fajësimin, një shumicë e tillë duket e pamundur. /Express/
“Jemi në një regjim që po i dëbon njerëzit”, kështu u shpreh analisti Fatos Lubonja, në një intervistë në News 24, ndërsa foli për 8 dhjetorin, Ditën e Rinisë, situatën politike në vend, korrupsionin dhe situatën në opozitë.
Gjatë kësaj interviste, Lubonja renditi një sërë problematikash me të cilat përballet rinia shqiptare, duke theksuar se fatkeqësisht mungojnë hapësirat që rinia të ketë mundësinë të ecë përpara.
“Çështja e madhe e rinisë është ti krijosh mundësinë të shprehin potencialin e tyre dhe që të arrihet kjo duhet të ketë liri demokraci. Ndërsa ajo kohë, ajo liri e asaj kohe ishte liri e dhuruar. U bënë protesta, por të shoqëruara me ikje të madhe, me dëshirën për t’i ikur këtij vendi”, tha ai.
Ndalur tek situata në Partinë Demokratike, “Foltorja”, apo takimet e Ervin Salianjit, Lubonja tha se është për të ardhur keq që opozita vazhdon të qëndrojë në stilin e vjetër. Lubonja u shpreh kritik edhe ndaj mazhorancës, duke thënë se është e përfshirë nga skandale dhe korrupsioni.
“Është një thirrje që bëhet nga njerëz që kanë humbur njëlloj besimi, një thirrje që thotë bashkohuni në udhëheqjen tonë, por ajo që ka munguar gjithmonë është përfshirja reale e rinisë. Politika jonë e ka katandisur popullin si spektator që rri në stadium. Demokracia është pjesëmarrje në jetën politike të vendin, vendimmarrje e përbashkët. Ky autoritarizëm që kërkon rininë në një moment të caktuar për protestë, por që nuk e mobilizon ditë për ditë, nuk ecën. Mazhoranca është katastrofë, por edhe opozita në stilin e vjetër”, u shpreh Lubonja.
Gjithashtu Lubonja u shpreh se ka një mungesë të ndjeshmërisë, pavarësisht të gjitha skandaleve të ndodhura.
“Gjithë populli duhet të ishte te Kryeministria për skandalin e tmerrshëm. Bëhet fjalë për 50 milionë euro vetëm në një tender dhe populli e rinia janë indiferentë”, tha Lubonja.
Ndërsa u shpreh se janë vjedhur miliona euro, dhe rinia është tejet indifirente. “Më duket sikur janë të gjithë në një teatër”, tha ai.
Gjatë intervistës, foli edhe situatën e sigurisë në Evropë, duke thënë se “është një kohë ku vlerat e demokracisë kanë dalë në plan të dytë dhe po dominon forca dhe interesat ekonomike.
“ Është shqetësuese sepse i bën jehonë një fjalimi që ka bërë Venc, pra kemi të bëjmë me një ngjarje historike nëse do të vazhdojë kjo politikë e Trump. Ky është debati i madh, cili është fati jonë, cili do të jetë fati i Europës? Ajo që bie në sy është një aleancë e Trump me figura të rëndësishme…Jemi në një kohë kur vlerat e demokracisë, kanë dalë në plan të dytë dhe dominon forca dhe interesat ekonomike”, tha Lubonja. gsh
Tri kompani të Elektroprivredës së Serbisë (EPS) – kompania shtetërore energjetike serbe – të regjistruara me seli në Kosovë, kanë borxhe që tejkalojnë gjysmë miliard euro.
Termocentralet e Kosovës, Minierat Sipërfaqësore të Kosovës dhe Elektrokosmet renditen ndër 100 humbësit më të mëdhenj në Serbi, tregojnë raportet financiare të publikuara në Regjistrin Ekonomik të këtij vendi, të cilat i analizoi Radio Evropa e Lirë.
Këto kompani, me adresa fiktive në Kosovë, vazhdojnë të operojnë edhe 25 vjet pasi Serbia humbi kontrollin mbi pasuritë dhe menaxhimin e sistemit energjetik të Kosovës.
Prodhimi dhe shpërndarja e energjisë elektrike janë në duart e kompanive kosovare, ndërsa këto tri kompani serbe, me mbi 3.100 të punësuar, veprojnë nga Beogradi.
Të dhënat e Agjencisë për Regjistrat e Bizneseve të Serbisë (APR) tregojnë se ato vazhdojnë të akumulojnë borxhe, me një deficit total që kalon 580 milionë euro.
Çfarë bëjnë duke pasur parasysh që në Kosovë nuk operojnë?
Këto tri kompani, për Prishtinën zyrtare nuk ekzitojnë, sepse nuk njihen nga ligjet e Kosovës.
Por, Beogradi zyrtar, i cili e kundërshton pavarësinë e Kosovës, vazhdon ta konsiderojë veten si pronar të objekteve të sistemit elektroenergjetik në Kosovë.
Mosmarrëveshjet pronësore, si dhe çështjet tjera që rëndojnë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, janë tema të dialogut që zhvillojnë dy vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Ky proces, megjithatë, është i bllokuar prej vitesh dhe Marrëveshja e arritur për Energjetikën nuk zbatohet plotësisht.
Raportet financiare, të disponueshme publikisht dhe të analizuara nga Radio Evropa e Lirë, tregojnë se tri ndërmarrjet – Termocentralet e Kosovës, Minierat Sipërfaqësore të Kosovës dhe Elektrokosmet – në fakt ofrojnë shërbime për Elektroprivredën e Serbisë.
Punëtorët e tyre angazhohen kryesisht në punë të ndryshme ndihmëse brenda sistemit të EPS-it: nga remonti dhe mirëmbajtja e objekteve elektroenergjetike deri te leximi i njehsorëve në Serbi.
Në raportet e tyre financiare thuhet, gjithashtu, se këto kompani punësojnë punëtorë, të cilët, pas luftës së vitit 1999, janë “dëbuar nga vendet e punës”, ndërsa vetë firmat janë “penguar” ta kryejnë veprimtarinë e tyre në sistemin energjetik të Kosovës.
Edhe pse kanë humbje të akumuluara, këto tri ndërmarrje me adresa fiktive në Kosovë shpallin tenderë dhe u japin punë kompanive të ndryshme private dhe shtetërore në Serbi.
Vetëm në vitin 2025, ato kanë lidhur më shumë se 80 kontrata dhe marrëveshje me vlerë mbi 5 milionë euro, konstatoi REL-i, duke analizuar të dhënat zyrtare nga portali i prokurimeve publike.
Për nevojat e këtyre ndërmarrjeve janë blerë, për shembull, automobila, kamionë, autobusë, karburante, makina, vegla dhe pajisje e materiale të ndryshme ndërtimore.
Para janë shpenzuar edhe për telefona mobilë dhe pajisje kompjuterike.
EPS-i dhe tri ndërmarrjet e tij vartëse me adresa në Kosovë nuk u janë përgjigjur pyetjeve të REL-it në lidhje me mënyrën e funksionimit të tyre.
Përgjigje nuk ka as në pyetjet në lidhje me blerjen e mallrave dhe shërbimeve të ndryshme, duke pasur parasysh se ndërmarrjet nuk e kryejnë veprimtarinë e tyre bazë – prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike.
Në shumë prej këtyre tenderëve, punët i kanë fituar kompani që nuk kanë pasur konkurrencë, sepse kanë qenë të vetmet që janë paraqitur me ofertë.
“Kur nuk ka konkurrencë, lindin dyshime për korrupsion”, vlerëson profesori në pension i Fakultetit Teknologjik-Metalurgjik në Beograd, Petar Gjukiq.
REL-i pyeti edhe Qeverinë e Serbisë dhe Ministrinë e Energjisë atje se cili është plani për ndërmarrjet e EPS-it me adresa në Kosovë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori përgjigje.
“Shpenzim i pastër”
Termocentralet e Kosovës, Minierat Sipërfaqësore të Kosovës dhe Elektrokosmet janë plotësisht të varura financiarisht nga kompania mëmë, Elektroprivreda.
Dhe nuk janë të vetmet, pasi EPS-i është pronar edhe i disa kompanive të tjera vartëse në Serbi.
“EPS-i ka në varësi ndërmarrje joproduktive dhe paratë brenda këtij sistemi po keqpërdoren”, vlerëson Gjukiq.
Ndërmarrjeve me seli fiktive në Kosovë, EPS-i u transferon para për pagat e punonjësve dhe shpenzimet tjera të nevojshme, në mënyrë që ato të mund të funksionojnë.
“Ata nuk janë të punësuar formalisht në EPS, por marrin të ardhura nga EPS-i”, shton Gjukiq.
Sipas të dhënave nga raporti financiar i Elektroprivredës për vitin 2024, mbi 54.7 milionë euro janë shpenzuar vetëm për pagat e punonjësve të ndërmarrjeve me seli në Kosovë.
Por, shpenzimet për paga nuk janë i vetmi fond që u transferohet atyre.
EPS-i paguan edhe shërbimet ndihmëse brenda sistemit energjetik serb, në të cilat janë të angazhuara këto tri ndërmarrje.
“EPS-i u jep punë që – me shumë gjasa – do të mund t’i kryente edhe vetë”, thekson Gjukiq.
Këshilli Fiskal i Serbisë, një organ i pavarur shtetëror që analizon të hyrat dhe shpenzimet publike, i përshkruan këto transfere për tri ndërmarrjet si “shpenzim i pastër”.
“Prandaj, këto pagesa duhet të përjashtohen nga bilanci i EPS-it, pasi ato nuk përfaqësojnë shpenzime të aktivitetit të vetë kompanisë, por një lloj ndihme sociale”, ka vlerësuar Këshilli Fiskal i Serbisë në raportin e vitit 2022.
Po ashtu, nuk është e qartë nëse të 3.100 punonjësit e këtyre ndërmarrjeve janë realisht të angazhuar çdo ditë.
Punësimet e reja
Edhe pse objektiv zyrtar është ulja e numrit të punëtorëve, tri ndërmarrjet e EPS-it me seli në Kosovë, gjatë vitit 2024, kanë pranuar punonjës të rinj me kontrata të përhershme – nga dhjetë në Termocentralet e Kosovës dhe Minierat Sipërfaqësore të Kosovës dhe 18 të tjerë në Elektrokosmet, tregojnë raportet financiare.
“Kjo bëhet për arsye populiste. Ju i mbani këta njerëz të punësuar brenda një sistemi të madh. EPS-i është një rezervuar gjigant votash për çdo pushtet, përfshirë edhe këtë”, thotë Gjukiq.
Lëvizja opozitare në Serbi “Kreni-promeni” i ka renditur Termocentralet e Kosovës dhe Minierat Sipërfaqësore të Kosovës në mesin e ndërmarrjeve publike ku, sipas saj, punonjësit kanë raportuar presione, kërcënime dhe shantazhe nga drejtuesit.
Sipas pretendimeve të tyre, punonjësve u është kërkuar – nën kërcënimin e humbjes së vendit të punës – të marrin pjesë në tubimet e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), në kohën kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, përballet me protesta të mëdha antiqeveritare.
Radio Evropa e Lirë nuk ka arritur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, ndërsa SNS-ja nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Çfarë (nuk) bëjnë Termocentralet e Kosovës?
Termocentralet e Kosovës janë të regjistruara brenda sistemit energjetik serb si kompani për prodhimin e energjisë elektrike, edhe pse nuk kanë asnjë kontroll mbi termocentralet në territorin e Kosovës.
Kjo kompani ka mbi 770 të punësuar, të cilët, sipas raporteve financiare, merren kryesisht me punë remonti dhe mirëmbajtjeje për sektorë të ndryshëm të EPS-it.
Në listën e të punësuarve të kësaj kompanie përfshihen edhe 88 punëtorë nga ndërmarrjet publike të Kosovës, të themeluara brenda sistemit paralel serb, të cilat autoritetet zyrtare në Prishtinë i konsiderojnë të paligjshme.
Por, çfarë punojnë konkretisht këta punëtorë dhe ku janë të angazhuar? Këtyre pyetjeve të Radios Evropa e Lirë, kompania nuk iu përgjigj.
Ndërtesa në qendër të Beogradit, ku ndodhet selia e Termocentraleve të Kosovës.
EPS-i është financuesi i vetëm i Termocentraleve të Kosovës – vetëm për paga dhe shpenzime të tjera thelbësore ka paguar 13.7 milionë euro, ndërsa për shërbimet që kompania kryen për sektorin energjetik serb, janë transferuar rreth 2.5 milionë euro të tjerë.
Megjithatë, Termocentralet e Kosovës prej vitesh punojnë me humbje.
Këto humbje, ndër të tjera, justifikohen me borxhet nga kreditë e huaja të marra para vitit 1999, si dhe me pamundësinë për të përdorur pronën në territorin e Kosovës.
Në fund të vitit 2024, humbjet totale të Termocentraleve të Kosovës kapnin vlerën e mbi 355 milionë eurove, duke e renditur këtë kompani në vendin e dhjetë të ndërmarrjeve më të mëdha humbëse në Serbi.
Tabela me emrin e kompanisë në adresën në Beograd.
Ndërkohë, kjo kompani gjatë vitit 2025 ka lidhur 50 marrëveshje dhe kontrata me kompani private dhe shtetërore në Serbi, me vlerë mbi 970 mijë euro.
Janë blerë gjithashtu materiale dhe mjete të ndryshme pune, janë paguar trajnime profesionale dhe kontrolle mjekësore për punëtorët, si dhe mirëmbajtja e pajisjeve.
Lista në portalin e prokurimeve publike të Serbisë, ku shfaqen disa nga kontratat që Termocentralet e Kosovës kanë lidhur me kompani në Serbi.
Kontrata më e vlefshme – mbi 180 mijë euro – i është dhënë një kompanie private, e cila është përgjegjëse për furnizimin me veshje dhe pajisje mbrojtëse. Kompania nuk kishte konkurrencë, pasi ishte e vetmja që aplikoi në konkurs.
Ndër marrëveshjet e nënshkruara ishte edhe një kontratë me Telekomin e Serbisë, për shërbime dyvjeçare të telefonisë mobile, me vlerë mbi 57 mijë euro. Telekomi ishte po ashtu ofertuesi i vetëm.
Termocentralet e Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të Radios Evropa e Lirë lidhur me mënyrën e funksionimit dhe tenderët që shpallin.
Çfarë (nuk) bëjnë Minierat Sipërfaqësore të Kosovës?
Nxjerrja e linjitit dhe qymyrit është regjistruar si aktivitet i ndërmarrjes Minierat Sipërfaqësore të Kosovës, edhe pse – për më shumë se 25 vjet – ajo nuk ka kontroll mbi minierat e Kosovës.
Sot, sipas raportit financiar, ndërmarrja ka mbi 1.900 punonjës.
Siç thuhet, një pjesë e madhe e tyre kryen detyra shërbimi për kompanitë e Elektroprivredës së Serbisë – për shembull, riparojnë dhe mirëmbajnë objektet termoenergjitike dhe lexojnë matësit e energjisë.
Selia e kompanisë Minierat Sipërfaqësore të Kosovës në lagjen Çukarica të Beogradit.
Gjatë vitit 2024, EPS-i i ka transferuar kësaj kompanie mbi 50 milionë euro – 41.7 milionë euro për pagat e punonjësve dhe për shpenzimet e funksionimit të ndërmarrjes. Për punët ku EPS e ka angazhuar këtë kompani, janë transferuar edhe 8.4 milionë euro shtesë.
Në fund të vitit 2024, Minierat Sipërfaqësore të Kosovës shënuan një rezultat pozitiv, me fitim prej 1.4 milion eurosh.
Por, përveç performancës pozitive, në llogaritë e tyre janë grumbulluar edhe humbje nga vitet e mëparshme.
Kështu, Minierat Sipërfaqësore të Kosovës janë renditur në vendin e 49-të mes ndërmarrjeve më humbëse në Serbi, me më shumë se 111 milionë euro borxhe.
Borxhet justifikohen me detyrimet e prapambetura për kredi të huaja, të marra para vitit 1999, si dhe me faktin që ndërmarrja nuk e ka në dispozicion pronën në Kosovë.
Tabela me emrin e kompanisë në selinë në Beograd.
Por, borxhet e prapambetura nuk e pengojnë që të operojë në Serbi.
Në portalin e prokurimeve publike janë të regjistruara 23 kontrata dhe marrëveshje që Minierat Sipërfaqësore të Kosovës i kanë lidhur gjatë vitit 2025 me kompani shtetërore dhe private.
Vlera e këtyre punëve tejkalon tre milionë euro.
Lista e disa prej kontratave që ndërmarrja Minierat Sipërfaqësore të Kosovës ka lidhur me kompani në Serbi gjatë vitit 2025, e disponueshme në portalin e prokurimeve publike.
Përmes tenderëve, kompania ka blerë materiale ndërtimi, veshje pune dhe pajisje mbrojtëse, si dhe kompjuterë dhe sisteme për digjitalizimin e arkivave.
Sipas kontratave, parku i automjeteve është duke u përditësuar gjithashtu dhe blerja e minibusëve, kamionëve dhe makinave i është dhënë kompanisë së njëjtë private që ka qenë e vetmja që ka aplikuar në konkurs.
Kontrata më e vlefshme iu dha Industrisë së Naftës së Serbisë.
Kompania është ngarkuar me blerjen e karburanteve në vlerë mbi 1.5 milion euro.
Ajo ishte e vetmja që aplikoi në këtë konkurs.
Minierat Sipërfaqësore të Kosovës nuk iu përgjigjën pyetjeve të REL-it rreth veprimtarisë së tyre dhe tenderëve që shpallin.
Edhe pse në Regjistrin Ekonomik të Serbisë si aktivitet i ndërmarrjes Minierat Sipërfaqësore të Kosovës figuron nxjerrja e qymyrit dhe selia e saj në Obiliq, ajo nuk e kryen këtë aktivitet. Këtë hapësirë e menaxhon Korporata Energjitike e Kosovës (KEK).
Çfarë (nuk) bën Elektrokosmet?
“Partner i besueshëm dhe shtyllë mbështetëse në furnizimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike në pjesën veriore të Kosovës” – ky është përshkrimi në faqen zyrtare të kompanisë Elektrokosmet.
Megjithatë, në Kosovë kjo nuk funksionon prej kohësh.
Sipas të dhënave nga raportet financiare të kompanisë, furnizimi me energji elektrike në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës është bërë nga kjo kompani deri në dhjetor të vitit 2020.
Autoritetet e Kosovës e kanë konsideruar atë si të paligjshme, pasi Elektrokosmet nuk kishte lejen përkatëse për veprimtarinë.
Furnizimin dhe faturimin e energjisë në komunat veriore e ka marrë në dorë kompania Elektrosever në vitet e fundit.
Selia e kompanisë Elektrosever në Mitrovicë të Veriut.
Ajo është në pronësi të Elektroprivredës së Serbisë, por është e regjistruar sipas sistemit të Kosovës dhe funksionon sipas ligjeve të Kosovës – çfarë edhe është një nga pikat e Marrëveshjes për Energjetikën midis Prishtinës dhe Beogradit.
Në fillim të vitit 2024, Elektrosever nisi t’i dërgonte faturat e para të energjisë elektrike për konsumatorët në katër komuna: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Më herët, banorët e këtyre komunave nuk kanë paguar për energjinë elektrike për rreth 25 vjet.
Matës të energjisë elektrike në veri të Kosovës.
Arsyeja përse Elektrokosmet vazhdon të funksionojë brenda sistemit serb dhe shpall tenderë, edhe pse vetë kompania pranon se nuk kontrollon më kapacitetet e energjisë elektrike në Kosovë, nuk i është shpjeguar Radios Evropa e Lirë.
Borxhe milionëshe për Elektrokosmetin
Sipas raportit të fundit financiar për vitin 2024, Elektrokosmet gjeneron pjesën më të madhe të të ardhurave nga ofrimi i shërbimeve për degët e Elektroprivredës serbe.
Kompania ka 441 të punësuar.
Sipas raportit, punonjësit janë të angazhuar në leximin e matësve të energjisë në Beograd dhe Nish, në kontrollin e stacioneve matëse, në sportelet e EPS-it dhe në punë të tjera ndihmëse.
Megjithatë, vit pas viti, Elektrokosmet shënon humbje në bilancin financiar.
Raporti financiar për vitin 2024 tregon se kompania ka përfunduar vitin me një humbje prej 12.4 milionë eurosh.
Humbja totale e Elektrokosmetit është shumë më e madhe – 115.5 milionë euro, për shkak të borxheve të grumbulluara ndër vite.
Në të njëjtin raport, Elektrokosmet i justifikon borxhet me arsye “politike” dhe me “përqindje të lartë të humbjeve komerciale dhe teknike”.
Rrjeti i kabllove të energjisë elektrike në Mitrovicë të Veriut, 2023.
Më shumë se një milion euro për tenderët e Elektrokosmetit
Edhe pse ka humbje dhe nuk kryen aktivitetet për të cilat është themeluar, Elektrokosmet vazhdon të blejë pajisje dhe të paguajë shërbime për kompani të ndryshme në Serbi përmes tenderëve.
Sipas të dhënave të publikuara në portalin e prokurimeve publike, gjatë vitit 2025, Elektrokosmet ka lidhur kontrata me vlerë mbi një milion euro.
Më e vlefshmja ka qenë marrëveshja me Industrinë e Naftës së Serbisë – një kontratë dyvjeçare për furnizime me karburante për automjetet zyrtare, me vlerë afërsisht 770 mijë euro.
Detajet e marrëveshjes së lidhur midis Elektrokosmetit dhe Industrisë së Naftës së Serbisë, të disponueshme në portalin e prokurimeve publike.
Industria e Naftës e Serbisë ishte e vetmja që iu përgjigj këtij tenderi.
Gjatë vitit 2025, Elektrokosmet lidhi marrëveshje dyvjeçare edhe me disa kompani private për mirëmbajtjen dhe servisimin e automjeteve, me vlerë rreth 350 mijë euro.
Katër kompanitë që i fituan këto punë, ishin të vetmet që aplikuan në tender.
Degë të tjera të regjistruara të Elektrokosmetit në Kosovë
Përveç selisë në Beograd, Elektrokosmet ka të regjistruar në Regjistrin Ekonomik të Serbisë edhe tetë degë të tjera në Kosovë.
Dega në Mitrovicë është regjistruar në adresën “Filip Vishnjiq bb”, ku ndodhet selia e firmës Elektrosever në sistemin kosovar.
Dy degë janë të regjistruara në Prishtinë, dhe nga një në Gjakovë, Prizren, Gjilan, Pejë dhe Ferizaj.
Megjithatë, në këto qytete nuk ekzistojnë degë të firmave shtetërore serbe.
Shumica e ndërmarrjeve dhe institucioneve publike që veprojnë në sistemin paralel serb, të cilat Prishtina i ka konsideruar të paligjshme, janë mbyllur në Kosovë dhe janë zhvendosur në Serbi.
Adresat kosovare të kompanive të EPS-it – “vetëm në letër”
Sipas të dhënave nga Regjistri Ekonomik i Serbisë, selitë e dy ndërmarrjeve të EPS-it – Minierat Sipërfaqësore të Kosovës dhe Termocentralet e Kosovës – janë të shënuara brenda kompleksit elektroenergjitik në Obiliq, pranë Prishtinës.
Në këto lokacione ndodhen sot objektet e Korporatës Energjetike të Kosovës.
Por, në fakt, këto dy kompani të EPS-it operojnë nga adresat e tyre në Beograd.
Termocentrali “Kosova B” në Obiliq, i menaxhuar nga KEK-u.
Selia e Termocentraleve të Kosovës ndodhet në qendër të Beogradit, në adresën “Obiliqev venac”, ndërsa selia e Minierave Sipërfaqësore të Kosovës është në lagjen Çukarica të Beogradit.
Kompania e tretë e EPS-it, Elektrokosmet, pretendon se ka seli në Prishtinë.
Ajo është e regjistruar në adresën “Krala Petra I Oslobodioca” – një rrugë që nuk ekziston më me këtë emër, pasi tani mban emrin e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton.
Sot, aty gjendet kompania kosovare për shpërndarjen e energjisë elektrike – KESCO.
Selia e KESCO-s në Prishtinë.
Ndërsa, selia e Elektrokosmetit në Beograd është e regjistruar në rrugën “Arçibalda Rajsa”, në lagjen Çukarica.
Thirrje për reformimin e EPS-it
Edhe pse, si kompania më e madhe shtetërore, regjistron të ardhura milionëshe nga prodhimi dhe shitja e energjisë elektrike, EPS-i mbetet njëkohësisht edhe firma me humbjet më të mëdha në Serbi.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrin e Bizneseve, në vitin 2024, EPS-i ishte firma më e suksesshme në Serbi, me të ardhura mbi 200 milionë euro.
Megjithatë, humbjet e akumuluara nga vitet e mëparshme, në vlerë prej 2.4 miliardë eurosh, e renditën atë edhe në vendin e parë për nga humbjet më të mëdha.
Reformimin e EPS-it nga Qeveria e Serbisë e ka kërkuar edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, me qëllim zvogëlimin e humbjeve.
Në raportin për vitin 2024, EPS-i njoftoi se reforma është në zhvillim, duke u zbatuar në bashkëpunim me konsulentë ndërkombëtarë dhe ekipe profesionale vendase.
Qëllimi, sipas EPS-it, është të përmirësohet efikasiteti dhe të rritet transparenca në menaxhimin e kompanisë.
Sa u përket reformave për kompanitë me seli të regjistruara në Kosovë, EPS-i nuk i ka kthyer përgjigje Radios Evropa e Lirë.
Në vitet e trazuara të ‘90-ës, kur tensionet etnike dhe gjeopolitike tronditnin strukturat e rajonit, qyteti i Gjilanit me rrethinë vlerësohej të kishte rreth 20 mijë serbë, ndërsa Mitrovica me rrethinë rreth 10 mijë. Edhe pse këto shifra të kësaj pakice në mënyrë të vazhdueshme janë paraqitur të fryra, në raste deri mbi 50 për qind përmes politikave të kolonizimit dhe jo si rezultat i zhvillimeve vendore demografike, ky realitet i shtonte një dimension shtesë presionit të kohës dhe tensioneve mbi strukturën shoqërore të trevës.
Këto të dhëna nuk janë vetëm numra, ato janë pasqyrim i realitetit politik që e rrethonte Kosovën para luftës. Nën peshën e atyre rrethanave, pa vullnetin qytetar, pa organizimin shoqëror dhe pa përkushtimin institucional, rreziku i një ndarjeje territoriale në baza etnike për Gjilanin ishte tejet i prekshëm dhe jo thjesht një skenar teorik.
Në këtë kontekst, përgjegjësia historike e Gjilanit dhe Anamoravës shkon përtej kufijve lokalë.
Kjo trevë u bë mekanizëm stabiliteti në një kohë kur energjitë destabilizuese ishin të shumta. Vendosmëria për të ruajtur kohezionin, për të mbajtur rendin shoqëror dhe për të qëndruar në anën e drejtë të historisë, shpaloset si një kontribut që shpesh nuk është vlerësuar me peshën që meriton.
Pas vitit 2000, barrës së brendshme iu shtua edhe ndikimi dhe mbështetja e dy proceseve të tjera historike: zhvillimet në Luginën e Preshevës (UÇMB) dhe ato në Dardano–Iliridës në Maqedoni (UÇK). Këto lëvizje politike e ushtarake nuk u pasqyruan vetëm në tituj gazetash, por në jetët, vendimet, mobilizimin dhe sakrificën e njerëzve të kësaj treve.
Pasojat e tyre u përjetuan në gjithçka: ekonomi, familje, siguri, migrim dhe në strukturën sociale të përditshmërisë. Kjo e ktheu Anamoravën jo thjesht në vëzhguese të historisë, por në pjesëmarrëse aktive, shpesh me kosto të lartë.
Historinë e Gjilanit dhe Anamoravës nuk e bën vetëm kronologjia; e bën roli i saj në ruajtjen e orientimit kombëtar në një kohë kur dilemat ishin të mëdha dhe garancitë të pakta. Ky është dimensioni që rrallë theksohet kur flasim për peshën strategjike të trevave të Kosovës.
Por krahas rolit historik, ka vend të drejtpërdrejtë edhe për reflektim. Kontributet e kësaj zone nuk janë shndërruar gjithmonë në prioritet zhvillimor ose investim substancial. Infrastruktura, planifikimi ekonomik, mbështetja institucionale dhe vëmendja strategjike shpesh nuk kanë qenë në raport me atë çfarë është kërkuar dhe dhënë ndër vite.
Politika nuk është thirrur të shpërblejë, por të reflektojë – dhe reflektimi ka munguar. E shkuara nuk duhet përdorur si dekor argumentesh, ajo është themel i të ardhmes. Anamorava ka treguar se di të mbajë barrë historike, di të kontribuojë dhe di të sakrifikojë. Por historia, nëse merret seriozisht, kërkon që përgjegjësia e kaluar të shndërrohet në vizion të së ardhmes.
Sepse aty ku një trevë ka qenë lokomotivë e proceseve kombëtare, zhvillimi duhet të jetë binar paralel, jo stacion i harruar.
Në ditët kur politika shpesh matet me cikle zgjedhore, është mirë të kujtojmë se historia matet me breza. Dhe brezat e Anamoravës e kanë të drejtën që historia e tyre të mos mbetet vetëm rrëfim, por të bëhet pjesë e planifikimit dhe e vendimmarrjes për të ardhmen.
Donald Trump Jr ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara mund të tërhiqen nga mbështetja për Ukrainën, duke lënë të hapur mundësinë që presidenti amerikan Donald Trump të ndryshojë kursin e politikës së jashtme.
Komentet e tij u bënë gjatë një konference mbi Lindjen e Mesme, ku ai mbajti një fjalim kritik ndaj Kievit dhe aleatëve perëndimorë.
Megjithëse nuk ka rol zyrtar në administratë, Trump Jr mbetet figurë qendrore në lëvizjen MAGA, dhe deklaratat e tij pasqyrojnë skepticizmin e disa zyrtarëve pranë presidentit për vazhdimin e ndihmës ndaj Ukrainës, shkruan The Guardian.
Akuza kundër elitës ukrainase: “Të pasurit ikën, fshatarët po luftojnë”
Trump Jr akuzoi elitat e pasura të Ukrainës se janë larguar nga vendi, duke lënë “klasën fshatare” të përballet me pasojat e luftës. Ai madje pretendoi, pa ofruar prova, se gjatë një vizite në Monako kishte vënë re se gjysma e supermakinave në rrugë mbanin targa ukrainase.
Kritika e ashpër ndaj Zelensky-t
Në një sulm direkt ndaj presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Trump Jr tha se ai po e zgjat konfliktin për arsye politike, duke pretenduar se nuk do të fitonte zgjedhjet nëse lufta përfundon.
Ai shtoi se Zelensky po trajtohet si “figurë e shenjtë nga e majta”, ndërsa Ukraina, sipas tij, ishte “më e korruptuar se Rusia”.
BE-ja dhe sanksionet, në shënjestër
Trump Jr kritikoi edhe shefen e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, duke argumentuar se sanksionet kundër Rusisë kishin rezultuar në rritje të çmimit të naftës, gjë që i mundëson Moskës financimin e luftës.
“Të presësh që Rusia të falimentojë nuk është plan.” tha ai.
Sipas tij, gjatë fushatës së vitit 2022, vetëm tre persona përmendën Ukrainën si çështje të rëndësishme, ndërsa fluksi i drogës nga Venezuela ishte “rrezik shumë më i menjëhershëm për amerikanët”.
A mund të tërhiqet Trump? Trump Jr: “Ndoshta po”
I pyetur nëse Donald Trump mund të tërhiqet thjesht nga konflikti, ai u përgjigj se kjo ishte e mundur, duke e cilësuar babain e tij si “një nga njerëzit më të paparashikueshëm në politikë”. gsh
Së fundmi, qeveria shqiptare i ka hapur luftë frontale informalitetit. Biznese të mëdha e të vogla po hyjnë gjithnjë e më shumë në një sitë të imët, për t’u vënë në darën e ligjit çdo shkelje, sado e vogël të jetë.
Por krahas bizneseve të shënjestruara nga qeveria, me të cilat përballemi në përditshmëri, vitet e fundit ka lulëzuar një lloj tjetër biznesi, i cili serviret në formën e spektaklit, me regji drita, muzikë dhe entuziazëm.
Motivimi.
Salla që mbushen dhe njerëz që kërkojnë zgjidhje të shpejta, ndërsa figurat publike e kanë shndërruar këtë interes masiv në mënyrën më të mirë për t’u dhënë një dorë individëve që kanë nevojë të rriten emocionalisht dhe financiarisht.
Një nga figurat më të njohura si motivues i masave është Ermal Mamaqi, një figurë e njohur e showbiz-it shqiptar, i cili ka pasur një karrierë si DJ, aktor humori, këngëtar, producent dhe madje edhe biznesmen në sektorin e gastronomisë.
Në fakt, lokali që Mamaqi provoi të hapte në kryeqytet, nuk mbijetoi gjatë, dhe pronarit ambicioz iu desh ta mbyllte pa lënë aspak gjurmë.
Gjëra që ndodhin në një treg kaq të egër të Tiranës, ku në çdo hap që hedh ka restorante luksoze. Sidoqoftë, menjëherë pas këtij eksperimenti jo të suksesshëm në biznes, ish-aktori u orientua drejt një fushe krejt tjetër: trajnimeve motivuese. Seminare, fjalime për suksesin, strategji për arritje personale dhe profesionale — të gjitha këto të strukturuara në formën e një pakete që premton transformim.
Një realitet i ambalazhuar bukur, por që fsheh një anë tjetër, të cilën nuk e tregojnë dritat e skenës. Paketat për trajnime me Mamaqin vijnë me një çmim jo të vogël, një investim financiar që shumë pjesëmarrës e bëjnë me bindjen se ndryshimi nis pikërisht aty.
Por ka edhe një paketë tjetër, tërësisht informale, e cila nuk kalon aspak në sitën e organeve tatimore.
Para në dorë, por asnjë faturë nuk jepet, nga një vajzë në stendë e cila vetëm mbush zarfet plot. Dhe kjo ndodh në një zonë shumë të frekuentuar të Tiranës, ku syri dhe veshi i institucioneve pretendohet të jenë më të vëmendshëm.
Një praktikë që hap shumë pikëpyetje për metodat se si ky individ operon, në një aktivitet publik që reklamohet në rrjetet sociale, televizione dhe kudo, por njëkohësisht duke kryer evazion fiskal në mes të Tiranës. Pak metra larg një dyqani fruta-perimesh apo një byrektoreje, të cilët gjobiten qoftë edhe për një kupon të vetëm tatimor.
Evazioni fiskal nuk mund të matet me të mëdhenj e të vegjël, as me njerëz të thjeshtë e të famshëm. Ai është një fenomen që duhet goditur, dhe për këtë qeveria meriton duartrokitje, por kur një aktivitet i tillë kaq i madh, i paralajmëruar prej kohësh, kryhet në informalitet, atëherë pyetja vjen natyrshëm…
A jemi vërtet të gjithë të barabartë përpara ligjit?/Piranjat
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se prodhimi i municioneve “Made in Kosova” do të nisë në vitin 2026.
Valona Tela
Në Ballkan, ku balancat e sigurisë mbeten të brishta dhe veprimet shtetërore shpesh interpretohen përtej peshës së tyre reale, edhe hapat e vegjël marrin rëndësi të shtuar. Në këtë kontekst, prodhimi i planifikuar i municionit nga Kosova është një hap i kufizuar, por me potencial për të ndikuar në mënyrën se si vendi perceptohet në fushën e mbrojtjes.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, konfirmoi se fabrika e parë e municioneve në Kosovë do të ndërtohet në Jahoc të Gjakovës, ndërsa prodhimi i parë pritet të dalë në fund të vitit 2026. Dhe, aktiviteti nuk do të ndalet me kaq.
“Kjo zonë industriale do të shërbejë edhe për investitorë të tjerë, me të cilët jemi në kontakt dhe do të prodhojmë lloje të ndryshme të produkteve ushtarake – dronë ushtarakë dhe civilë ‘Made in Kosova’”, tha Kurti më 27 nëntor.
Marrëveshja për fabrikën u nënshkrua më 16 dhjetor, 2024, mes Qeverisë së Kosovës dhe prodhuesit shtetëror turk, MKE.
Radio Evropa e Lirë nuk arriti të kontaktojë drejtpërdrejt me kompaninë, por, sipas një deklarate të saj nga tetori, Kosova do të pajiset me makineri për prodhimin e fishekëve dhe plumbave, një linjë prodhimi dhe montimi, laborator dhe pajisje testimi. Personeli i MKE-së do të ofrojë edhe shërbime prodhimi, mirëmbajtjeje, riparimi dhe asistencë teknike për stafin kosovar.
I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s në Bruksel nuk dha një vlerësim të drejtpërdrejtë për njoftimin e Kosovës se do të nisë prodhimin e municionit në vitin 2026, as për standardet specifike që vendi duhet t’i ndjekë, por u shpreh vetëm se “misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja, mbetet i përqendruar në zbatimin e mandatit të OKB-së, duke ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së, EULEX”.
NATO-ja nuk e ka mbështetur shndërrimin e FSK-së në ushtri – proces që pritet të përfundojë në vitin 2028. Autoritetet e Kosovës, përfshirë Kurtin, thonë se ai po zhvillohet sipas standardeve të NATO-s dhe se armatimi i blerë gjatë katër vjetëve të fundit – në vlerë mbi 430 milionë euro sipas tij – vjen nga vende anëtare të aleancës: SHBA-ja, Turqia, Gjermania e të tjera.
“Duke e rritur ushtrinë, e sigurojmë Republikën. Duke e ngritur Forcën e Sigurisë së Kosovës, e forcojmë partneritetin me aleatë”, tha Kurti.
Koloneli amerikan në pension, Ray Wojcik, e sheh vendimin e Kosovës për të prodhuar municione si një “iniciativë fantastike” – në linjë me pritjet e NATO-s që vendet aspiruese të zhvillojnë kapacitete industriale mbrojtëse. Në vlerësimin e tij, Kosova po e nis këtë prodhim në kohën e duhur: për të forcuar aftësitë e saj ende të kufizuara, për t’iu përgjigjur kërkesave më të larta të sigurisë pas luftës në Ukrainë dhe për të rritur bashkëpunimin rajonal me aleatët.
“Një nga gjërat pozitive për Kosovën, falë pranisë shumëvjeçare të misionit të NATO-s, KFOR, është marrëdhënia e ngushtë dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me aleatët. Kosova e ka diskutuar këtë nismë veçanërisht me SHBA-në dhe Mbretërinë e Bashkuar – dy nga aleatët e saj më të afërt, të cilët janë shumë mbështetës për të”, thotë Wojcik për programin Exposetë Radios Evropa e Lirë.
Wojcik, i cili ka shërbyer si udhëheqës i Zyrës së Bashkëpunimit të Mbrojtjes në Ambasadën amerikane në Prishtinë, përmend edhe marrëveshjen rajonale të mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e cila, sipas tij, mbështet iniciativën për prodhimin e municioneve në Kosovë.
Argyro Kartsonaki, nga Instituti për Kërkime të Paqes dhe Politika të Sigurisë në Hamburg, pajtohet se është logjike që një shtet i vogël të përpiqet të forcojë sigurinë e vet, por paralajmëron, po ashtu, se këto veprime mund të perceptohen si kërcënim nga fqinjët, duke i rritur tensionet, në vend se t’i ulin ato.
“Kjo nuk do t’i ndryshojë dinamikat e sigurisë në Ballkan. Ajo që mund të bëjë, megjithatë, është t’i ushqejë narrativët. T’i japë edhe një element propagandës dhe diskurseve populiste të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Nëse kjo pastaj ekzagjerohet, mund të krijojë frikë dhe pasiguri të perceptuar. Dhe, frika e perceptuar është po aq reale sa edhe kërcënimi i vërtetë. Pikërisht këtu qëndron edhe delikatesa e këtij vendimi”, thotë Kartsonaki për Exposenë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka interpretuar marrëveshjen e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë si shenjë të një gare armatimi, duke theksuar se Serbia “do të mbrohet me sukses nga çdo agresor i mundshëm”.
Në të njëjtën linjë, kryetari i Komisionit parlamentar për Mbrojtje në Serbi, Millovan Drecun, ka pretenduar se fabrika turke e municioneve në Kosovë cenon sigurinë dhe pozitën e serbëve në vend, por pa sjellë prova konkrete për këtë.
Serbia, përndryshe, mbetet fuqia dominuese ushtarake në rajon, me një buxhet mbrojtjeje dukshëm më të lartë se ai i Kosovës dhe i vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Sipas Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm – SIPRI, Kosova në vitin 2024 ka ndarë rreth 162 milionë dollarë për mbrojtjen, ndërsa Serbia rreth 2.2 miliardë.
Serbia, po ashtu, mbetet eksportuesja kryesore e armëve dhe municioneve në rajon, duke përbërë mbi 65% të totalit të eksporteve, sipas Institutit për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta në Evropën Juglindore dhe Lindore (SEESAC). Pas saj renditen Bosnje dhe Hercegovina dhe vendet e tjera të rajonit, si Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, të cilat eksportojnë gjithçka – nga municionet e lehta deri te minat dhe raketat.
Koloneli Wojcik thotë se Kosova duhet t’i adresojë perceptimet e Serbisë duke komunikuar qartë se iniciativat e saj të mbrojtjes, përfshirë prodhimin e municioneve, synojnë t’i përmbushin standardet e NATO-s dhe të shërbejnë si mjet mbrojtës, jo si kërcënim.
“Është një përpjekje për stabilitet rajonal, pasi mund të veprojë si mjet parandalues ndaj Serbisë agresive, e cila ka kapacitete të mëdha prodhimi armësh dhe municionesh. Prandaj, për një sasi shumë të vogël armësh ose municionesh që do të prodhojë Kosova, nuk ka arsye shqetësimi për serbët”, thotë Wojcik.
Se çfarë lloji dhe çfarë sasie municionesh synon të prodhojë Kosova, nuk dihet saktësisht, pasi një pjesë e madhe e informacionit në fushën e mbrojtjes është e klasifikuar. Në një deklaratë të mëhershme për Radion Evropa e Lirë, ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci – tani në detyrë – ka thënë se Kosova nuk mund të bëhet plotësisht e vetëqëndrueshme, por mund ta zvogëlojë varësinë nga vendet e tjera, duke prodhuar municione dhe armatime që përdoren më shumë dhe sigurohen më vështirë.
Kartsonaki, nga Instituti për Kërkime të Paqes dhe Politika të Sigurisë, thotë se Kosova, si një vend i vogël, nuk mund të zhvillojë një industri të madhe të mbrojtjes, pa kufizuar ndjeshëm buxhetin e saj për fusha të tjera të rëndësishme.
“Çështja është se ju keni një shtet të vogël, me nivele të larta të varfërisë dhe papunësisë. A është ky vërtet investimi më i mirë që mund të bëni? Këtu nuk bëhet fjalë për Gjermaninë, e cila mund të prodhojë armë në një shkallë më të madhe, por, njëkohësisht, ka mjaft fonde për të mbuluar edhe aspektet sociale të shtetit”, thotë Kartsonaki.
Koloneli Wojcik thekson se buxheti i kufizuar i mbrojtjes e detyron Kosovën të veprojë me kujdes maksimal, duke investuar burimet në mënyrë të zgjuar. Ai nënvizon nevojën që përpjekjet në industrinë e mbrojtjes të koordinohen ngushtë me aleatët kryesorë dhe të shmangen partneritetet që mund të dëmtojnë stabilitetin rajonal ose përafrimin me Perëndimin.
Për të qenë efektiv, ai thotë se sektori i mbrojtjes duhet të funksionojë sipas standardeve ndërkombëtare, duke përfshirë transparencën, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit.
“Mendoj se Kosova ka treguar rezultate të qëndrueshme. Shtetet e Bashkuara nuk do të kishin dhënë ndihmë për kaq shumë vite për sigurinë Kosovës, nëse do të kishte shqetësime për korrupsion në Ministrinë e Mbrojtjes. Kjo është një shenjë e mirë, dhe përpjekja për prodhimin e municioneve duhet të ndjekë të njëjtin model – duke u mbikëqyrur nga NATO-ja dhe partnerët kryesorë, si SHBA-ja dhe Mbretëria e Bashkuar. Ndaj, rreziku për keqmenaxhim është shumë i ulët”, thotë Wojcik.
Shtetet e Bashkuara kanë në Kosovë kampin Bondsteel, që shërben si baza më e madhe ushtarake amerikane në Ballkan. NATO-ja ka ende mbi 4.000 paqeruajtës – kryesisht në veri të vendit, ku, në dy vjetët e fundit, janë shënuar tensionet më të rënda etnike që nga shpallja e pavarësisë, më 2008.
Forca e Sigurisë së Kosovës është e armatosur lehtë, por që nga ardhja e Kurtit në pushtet në vitin 2021, buxheti i mbrojtjes ka shkuar duke u rritur.
Edhe në nivel global, të ardhurat nga industria e armëve janë rritur ndjeshëm gjatë vitit 2024 – nxitur nga shpenzimet e larta ushtarake për shkak të luftërave në Ukrainë dhe në Gazë, si dhe tensioneve gjeopolitike rajonale dhe globale. Sipas Institutit SIPRI, shitjet e armëve dhe shërbimeve ushtarake janë rritur për 5.9 për qind vitin e kaluar, duke arritur një rekord prej 679 miliardë dollarësh.
Me fjalët e kolonelit Wojcik, prodhimi i municioneve në Kosovë mund të jetë në dobi edhe të aleatëve të NATO-s, përfshirë Ukrainën.
Historia e Samantha Stitch është një makth i gjallë që filloi më shumë se një dekadë më parë dhe kulmoi në një rrëmbim të tmerrshëm që mund të kishte qenë direkt nga një film horror.
Që nga vitet e saj të para në universitet, kur mirësia ndaj një studenti u shndërrua në obsesion, deri në natën e tmerrshme kur u gjet e lidhur në një bodrum të papërshkueshëm nga zhurmat, Samantha përjetoi një dekadë mbikëqyrjeje, frike dhe pasigurie për jetën e saj.
Historia e saj tani është shndërruar në një seri dokumentarësh, “Stalking Samantha: 13 Years of Terror”, duke nxjerrë në dritë detajet e përvojës së saj. Më poshtë, ajo rrëfen me detaje atë që ka përjetuar, që nga paraqitjet e para të Thomas deri te lirimi i saj dhe dënimi i tij, në një histori që shkakton tronditje, ankth dhe emocion.
Zgjimi në tmerr
Ishte mesnatë kur Samantha Stitch u zgjua nga zhurma e hapave jashtë dhomës së saj të gjumit. Zemra i rrihte fort. Ajo futi dorën nën dyshek, duke kërkuar sëpatën që kishte fshehur për vetëmbrojtje. Por tashmë ishte tepër vonë.
Christopher Thomas, burri që e kishte ndjekur për më shumë se një dekadë, qëndronte mbi shtratin e saj me “një vështrim djallëzor”, siç e përshkruan ajo. Ai e mbylli gojën, e mbajti të lidhur dhe e rrëmbeu, duke e mbajtur rob për gati 15 orë në një bunker të papërshkueshëm nga zhurmat që kishte ndërtuar në një depo të izoluar pranë shtëpisë së saj.
Takimi i parë
Në vitin 2011, Samantha, atëherë studente në Universitetin Shtetëror Grand Valley, u takua me Thomasin në një grup të krishterë. “Duhet të kem qenë në vitin e tretë kur e takova,” kujton ajo. “Po luanim frisbee në fushën e gjelbër në ndërtesën time të apartamenteve jashtë kampusit, dhe ai doli dhe erdhi të luante.”
Ajo e përshkruan atë si “një djalë shumë të çuditshëm”, rreth tetë vjet më të madh, dhe mendonte se ai thjesht e kishte të vështirë të bënte miq. Kështu që ajo ishte e sjellshme me të. Por ai filloi t’i fliste vazhdimisht në rrjetet sociale, duke treguar interes – të cilin ajo e refuzoi me mirësjellje. Përshkallëzimi i obsesionit
Gjërat u përkeqësuan kur Thomas u shfaq në stacionin e autobusit dhe më vonë në dyqanin e luleve pasi gjyshi i saj vdiq. Samantha e përballi publikisht:
“Po i bërtisja. I thashë, ‘Të kam kërkuar kaq shumë herë të më lësh rehat. Nuk e di pse po shfaqesh në dyqanin tim të luleve. Nuk e di pse mendon se kam ndonjë interes të flas me ty. Të kam bllokuar, të kam thënë të më lësh rehat.’”
Edhe pse mendoi se do ta ndalonte, obsesioni vazhdoi. Edhe kur u transferua në një shtet tjetër për një stazh, Thomas e ndoqi. Pastaj ajo kërkoi dhe mori një urdhër ndalimi shtatëvjeçar. Për një kohë, ajo ndihej e sigurt, derisa e pa përsëri në një konferencë të madhe me 20,000 persona.
Historia e saj është dokumentuar në detaje në serinë “Stalking Samantha: 13 Years of Terror”, e cila rrëfen ngjarjet me intervista dhe pamje arkivore, duke treguar se si obsesioni u zhvillua në sjellje terroriste.
Pas shtatë vitesh heshtjeje, makthi është rikthyer
Samantha mendonte se jeta e saj kishte marrë një kthesë të papritur. Derisa e pa përsëri në një ndeshje futbolli:
“Zemra më u thye “, thotë ajo. Thomas u regjistrua në të njëjtën palestër dhe ligë futbolli. Edhe pse po e shikonte përsëri Samanthan, ajo nuk mund ta akuzonte për asgjë kriminale. Kërkesa për një urdhër të dytë ndalimi u refuzua. Disa muaj më vonë, nata e rrëmbimit do të ndryshonte gjithçka. Thomas u dënua me 40 deri në 60 vjet burg.
Rrëmbimi
Më 7 tetor 2022, Thomas hyri me forcë në shtëpinë e saj ndërsa ajo po flinte. “Ai më vuri krahët rreth qafës dhe më mbyti që të ndaloja së bërtituri dhe tha: ‘Dua vetëm të flas’.”
Aie lidhi, ia mbylli gojën dhe e çoi në hapësirën e izoluar nga zhurmat që kishte ndërtuar: thasë rëre në tavan, një shtrat, pranga në mur.
“Ishte si diçka nga një film horror”, thotë ajo. Atje, ai zbuloi se kishte ndjekur lëvizjet e saj me GPS për më shumë se një vit dhe se donte të martohej me të, pavarësisht se e dinte se ajo nuk ishte e interesuar.
Pazari për jetën e saj
Samantha e kuptoi se e vetmja mënyrë për të mbijetuar ishte ta qetësonte. Ajo përdori njohuritë e saj si terapiste për ta bindur se mund të ishin miq dhe të harronin të kaluarën.
Por Thomas kërkoi seks për ta lënë të shkonte. Samantha mori, siç thotë ajo, një “vendim të tmerrshëm, por jetësor” për të shpëtuar jetën e saj. Në fund, ai e la të shkonte.
“Isha e sigurt gjithë ditën se do të vdisja, dhe pastaj ai thjesht… më la të shkoja te makina ime. Nuk mund ta kuptoja se çfarë kishte ndodhur.”
Samantha shkoi menjëherë në spital dhe raportoi sulmin. Brenda 36 orësh, Thomas u arrestua. Policia gjeti gjurmues GPS, mijëra dollarë në mjete dhe armë. Në mars të vitit 2024, ai u dënua për rrëmbim, torturë dhe mbikëqyrje, me një dënim prej 40 deri në 60 vjet burg. bw
Një autoambulancë ukrainase që u sulmua me dron nga Rusia në muajin gusht në rajonin e Harkivit.
Yevhenia Nazarova, Serhiy Horbatenko
Vladyslav Dolynniy dhe ekipi i tij ishin brenda një qendre mjekësore në Bilenke, një fshat në pjesën e lumit Dnjepër që kontrollohet nga ukrainasit në jug të Zaporizhjës, kur dëgjuan një shpërthim.
Kur dolën jashtë gjetën një autoambulancë të parkuar aty pranë që ishte goditur nga një dron, dhe xhami i saj i pasmë ishte thyer dhe brenda kishte pësuar dëmtime.
Askush nuk u lëndua, por ishte një ngjarje e pakëndshme.
Sipas kreut të departamentit operativ në Qendrën rajonale për Kujdes të Shpejtë Mjekësor dhe për Mjekësinë e Katastrofave, Dolynniy, kjo ishte hera e parë që një autoambulancë në rajonin e Zaporizhjës u godit nga një dron i llojit FPV.
Për herë të parë në Zaporizhja, por jo në mbarë Ukrainën.
Makinat mjekësore dhe personeli janë goditur në disa rajone në vijën e frontit, nga Sumi në verilindje e deri në Herson në jug, ku autoritetet thonë se kanë qenë objekt sulmesh shumë herë që nga 26 shkurti i vitit 2022, dy ditë pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.
Dhe, situata po përkeqësohet.
Teksa Rusia dislokon dronë më të avancuar dhe që është më vështirë të detektohen, ekipet mjekësore në vijën e frontit po e gjejnë gjithnjë e më shumë veten në rrezik. Autoambulancat dhe ekipet e emergjencës – të mbrojtura sipas ligjit ndërkombëtar – po bëhen cak në fushëbetejë nga ushtria ruse, sipas ushtarëve dhe personelit mjekësor ukrainas.
Personeli mjekësor, që operon pranë vijës së frontit, thotë se edhe autoambulancat më nuk mund të garantojnë mbrojtje.
“Ne kemi një makinë që shkon në fshatrat në vijën e frontit dhe është e pajisur me [pajisje për ndërprerjen e sinjaleve] dhe një sistem paralajmërimi që detekton frekuencat e dronëve FPV. Por, sot kjo më nuk është garanci sigurie sepse dronët me fibra optikë nuk transmetojnë sinjal dhe [pajisjet për ndërprerjen e sinjaleve] nuk funksionojnë kundër tyre”, tha për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Dolynniy.
“Kur shfaqen dronët që nuk operojnë me frekuenca të radios, por me fibra optike, nuk ka asnjë mbrojtje nga ta. Pikë së pari, nuk mund t’i lokalizosh”, tha Dolynniy.
Një problem tjetër, shtoi ai, është se “evakuimet po bëhen më larg nga zonat e luftës”.
“Shumë më e vështirë”
Analisti ushtarak ukrainas, Serhiy Hrabskiy, shpjegoi se përdorimi në rritje i armëve me rreze të gjatë veprimi, përfshirë dronët me fibra optike që janë të aftë të godasin deri në 50 kilometra distancë, po i detyron mjekët që t’i çojnë ushtarët e plagosur më larg vijës së frontit, duke i lënë ekipet e shpëtimit dhe të shpëtuarit në rrezik për periudha më të gjata kohore.
“Një gjë është të qëndrosh në një zonë të rrezikshme për 10 minuta dhe tjetër gjë nëse duhet të qëndrosh për gjysmë ore. Kjo e bën punën e ekipeve mjekësore shumë më të vështirë”, tha Hrabskiy.
Ai po ashtu tha se zhvillimi i shpejtë i dronëve po krijon sfida për sistemet e detektimit: “Mund t’i përshtatësh pajisjet e tua të detektimit për një grup frekuencash, por çfarë ndodh kur droni fillon të përdorë një spektër? Duhet t’i riprogramosh vazhdimisht sistemet për t’i kapur dhe për të kuptuar se në çfarë frekuencash po operojnë”.
Në gusht të vitit 2024, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se kishte konfirmuar 1.940 sulme ndaj ndërtesave shëndetësore, makinave dhe punëtorëve shëndetësorë në Ukrainë që nga nisja e pushtimit. Ky është numri më i lartë i dokumentuar ndonjëherë në ndonjë emergjencë humanitare.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Ukrainës, të paktën 443 makina të emergjencave shëndetësore janë shkatërruar ose janë dëmtuar që nga nisja e pushtimit dhe të paktën 815 ndërtesa shëndetësore janë dëmtuar ose shkatërruar në mbarë vendin.
“Transporti mjekësor tani është shndërruar në një nga caqet kryesore për operatorët e dronëve sulmues rusë”, tha Oleksiy për Realitetet e Donbasit të Radios Evropa e Lirë, punëtor shëndetësor në Brigadën e 154-të Motorike për evakuim. Ai u prezantua vetëm me emër.
“Më herët, gjatë luftërave të kaluara, askush nuk e prekte kryqin e kuq. Mjekët e shënjonin veten me kryqe të kuqe dhe nuk shënjestroheshin”, tha ai. “Lufta aktuale nuk ka fytyrë njerëzore – rusët po shkatërrojnë kryqin e kuq”.
Sipas Konventës së Gjenevës, “njësitet mobile mjekësore, por edhe transportet e të plagosurve, të sëmurëve ose të pajisjeve mjekësore, nuk mund të sulmohen në asnjë rrethanë dhe gjithmonë duhet të respektohen dhe të mbrohen nga palët në konflikt”.
Ministria e Shëndetësisë tha se dëmet më të mëdha ndaj infrastrukturës shëndetësore janë në rajonet e Donjeckut, Harkivit, Hersonit, Zaporizhjës dhe Luhanskut – që të gjitha gjendet përgjatë vijës së frontit në luftën më të madhe në Evropë që nga viti 1945.
Një nga rajonet që shënjestrohet më së shpeshti është Hersoni, ku forcat ruse kërcënojnë ushtarët dhe civilët ukrainas nga territori i pushtuar përtej lumit Dnjepër. Më 17 nëntor, në një nga dy sulmet ndaj ekipeve mjekësore në Herson, një shofer i autoambulancës i moshës 64-vjeçare pësoi lëndime nga copëzat e predhave ndërkaq një punëtor shëndetësor 32 vjeç pësoi tronditje dhe lëndim në kokë.
“Duhet të dokumentohen”
Rusia pretendon se nuk shënjestron ndërtesa civile, pavarësisht dëshmive gjithnjë e më të shumta që tregojnë të kundërtën – përfshirë sulme të shumta vdekjeprurëse ndaj spitaleve, disa nga të cilat gjenden larg vijës së frontit.
Në korrik të vitit 2024, dy persona u vranë në spitalin më të madh të fëmijëve në Ukrainë, Ohmatdit në Kiev, si pjesë e një vale sulmesh që lanë të vrarë të paktën 43 persona brenda një dite.
Në nëntor të vitit 2022, një sulm me raketë ndaj repartit të lindjeve në Vilniansk, në rajonin e Zaporizhjës, vrau një fëmijë të porsalindur dhe plagosi nënën e tij dhe një mjek.
Dokumentimi i sulmeve ndaj personelit mjekësor, automjeteve dhe objekteve shëndetësore është pjesë thelbësore e përpjekjeve të ardhshme kombëtare dhe ndërkombëtare për llogaridhënie, tha Dmytro Hladkiy, një avokat ukrainas që ka dokumentuar raste të tilla në Zaporizhja që nga viti 2022.
“Duhet të dokumentohen, në mënyrë që pas shumë vitesh askush të mos mund të thotë se ‘nuk ka ndodhur asgjë’ apo se ‘nuk ka prova të mjaftueshme’”, tha Hladkiy për Shërbimin ukrainas të REL-it.
Në total, hetuesit ukrainas dhe ndërkombëtarë kanë hapur më shumë se 150.000 raste për krime lufte dhe mizori të pretenduara ruse, një numër që vazhdon të rritet ndërsa regjistrohen sulme të reja.
Ministri i Kulturës në Serbi, Nikolla Sellakoviq, i ka përsëritur akuzat kundër Zyrës së Prokurorit për Krim të Organizuar, pasi është marrë në pyetje nga ky institucion. Ai është i dyshuar në hetimet për falsifikim të dokumenteve, mbi bazën e të cilave Qeveria ia ka hequr ndërtesës së ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave statusin e objektit të mbrojtur. Në ato hapësira planifikohet të ndërtohen ndërtesa biznesore dhe për banim nga kompania e Jared Kushnerit, dhëndrit të presidentit amerikan, Donald Trump. (Përgatitën: Krenare Cubolli dhe Ibrahim Berisha)
Keni nevojë për ndihmë me një rubinet që pikon? Inteligjenca Artificiale shpesh e kupton problemin, dhe me një kosto shumë më të ulët sesa një hidraulik.
Nëse dini si ta përdorni Inteligjencën Artificiale, ajo mund t’ju kursejë shumë kohë dhe para. Po lidhni një kontratë për një makinë të re me qira? Sigurohuni që të ngarkoni një fotografi të kontratës në ChatGPT përpara se ta firmosni. Keni nevojë për ndihmë me një rubinet që pikon? Inteligjenca Artificiale shpesh e kupton problemin, dhe me një kosto shumë më të ulët sesa një hidraulik. Nëse jeni prindër me një fëmijë të vështirë, mund të përdorni tani chatbot-e për t’u përgjigjur pyetjeve tuaja brenda sekondave, në vend që të prisni për një takim te pediatri.
Dhe nëse i jepni Claude një PDF me listën e verërave, ai do t’ju ndihmojë të gjeni shishet me raportin më të mirë mes cilësisë dhe çmimit. Të gjithë këta shembuj përbëjnë pjesë të një ndryshimi shumë më të madh. Me përhapjen e Inteligjencës Artificiale, po zhduket një nga shtrembërimet më të qëndrueshme të kapitalizmit modern: avantazhi informativ që gëzojnë shitësit, ofruesit e shërbimeve dhe ndërmjetësit ndaj jush si konsumatorë.
Kur secili prej jush ka në xhep një “gjeni” digjital, bëheni më pak të prekshëm ndaj mashtrimeve dhe produkteve të shitura me informacion të shtrembëruar, duke përfituar vetë dhe duke rritur efikasitetin e përgjithshëm të tregut. “Ekonomia e mashtrimit”, ku kompanitë përfitojnë nga mungesa e transparencës, konfuzioni apo përtacia juaj, po gjen më në fund kundërshtarin e saj.
Avantazhet informative kanë ekzistuar po aq gjatë sa vetë tregjet. Në Anglinë mesjetare, tregtarët përdornin peshore të falsifikuara për të mashtruar blerësit; pronarët e bareve shtonin kripë në birrë për t’i bërë më të etur klientët. Këto praktika nuk janë thjesht bezdisëse. Në një artikull të vitit 1970, ekonomisti George Akerlof, më vonë fitues i Çmimit Nobel, e ilustroi këtë dukuri përmes tregut të makinave të përdorura. Është e vështirë për ju si blerës të dini nëse një makinë funksionon siç duhet apo është një “limon” me probleme të fshehura.
Për pasojë, prireni të supozoni më të keqen. Si rezultat, shitësit e ndershëm, që nuk duan të ngatërrohen me ata që dyshohen për mashtrime, tërhiqen nga tregu. Cilësia bie, dhe ju e keni gjithnjë e më të vështirë të gjeni shërbime të ndershme. Interneti e ka bërë më të vështirë për tregtarët t’ju mashtrojnë. Falë shërbimeve si Carfax dhe platformave të tjera të të dhënave për automjete, mund të kontrolloni historikun e një makine përpara se ta blini, duke kapërcyer një pjesë të problemeve që përmendte Akerlof.
Shoferët e taksive e kanë më të vështirë t’ju çojnë në rrugë të gjata dhe më fitimprurëse, pasi aplikacionet si Lyft dhe Uber ju tregojnë saktësisht itinerarin më të shkurtër. Tripadvisor, platforma e njohur e vlerësimeve, ju ndihmon të gjeni restorante që ofrojnë ushqim të mirë. Në fillim të viteve 2000, në Londër kishte mbi 20 filiale të Angus and Aberdeen Steak Houses, lokale të njohura si “kurthe për turistët”. Sot kanë mbetur vetëm katër, dhe ato që ekzistojnë janë dukshëm më të mira.
Fundi i tregjeve të mashtrimit
Zhvillime të tilla çuan analistët të shpallnin fundin e tregjeve të mashtrimit. “Përsosmëria e informacionit po rritet”, – deklaroi Jeff Bezos, themeluesi i Amazon, në vitin 2007. “Shumë teori ekonomike mbi asimetrinë e informacionit, ndonëse të sakta nga ana logjistike, janë bërë të vjetruara në praktikë”, – argumentuan Tyler Cowen dhe Alex Tabarrok nga Universiteti George Mason në vitin 2015.
Sipas vlerësimeve, rreth 25% e shpenzimeve të konsumatorëve në SHBA shkojnë për mallra dhe shërbime me asimetri të fortë informacioni, nga kujdesi shëndetësor te riparimet e shtëpisë, krahasuar me 30% në fillim të mijëvjeçarit. Megjithatë, shumë industri të tilla ende ekzistojnë. Ndërtimi është shembulli më i dukshëm. Ju, si pronarë banesash, rrallë keni njohuri për sistemet HVAC apo lyerjet, çka ju lë të pambrojtur ndaj operatorëve të pandershëm.
Agjentët e pasurive të paluajtshme japin me qira prona problematike që zbulohen vetëm pasi jeni vendosur në to. Avokatët japin këshilla të pasakta, por ju e kuptoni shumë vonë. Mjekët ofrojnë trajtimet më të shtrenjta. Zyrtarët publikë marrin vendime, nga gjobat tatimore te refuzimi i një lejeje ndërtimi, që janë të vështira për t’u kuptuar nëse nuk jeni ekspertë.
Ekonomistët zakonisht janë përqendruar në pasojat e asimetrisë së informacionit rast pas rasti. Në vitin 2012, Susan Woodward nga Sand Hill Econometrics dhe Robert Hall nga Universiteti Stanford zbuluan se huamarrësit e kredive hipotekore humbnin mesatarisht të paktën 1,000 dollarë sepse nuk krahasonin mjaftueshëm ofertat e ndërmjetësve.
Shumë njerëz humbisnin mijëra dollarë sepse nuk rifinancohej kredia në kohë, kur normat e interesit binin. Një studim i publikuar në vitin 2019 në Journal of the American Medical Association zbuloi se sistemi shëndetësor amerikan shpërdoronte deri në 100 miliardë dollarë në vit për “trajtime të panevojshme dhe shërbime me vlerë të ulët”.
Nëse i mbledhim të gjitha këto humbje, rezulton se tregjet mashtruese imponojnë një “taksë efektive” prej qindra miliarda dollarësh çdo vit. Një studim i porositur nga qeveria britanike në vitin 2024 vlerësoi se qytetarët humbnin çdo vit ekuivalentin e 2.5% të PBB-së për shkak të blerjeve të mallrave dhe shërbimeve me cilësi të ulët ose me defekte. Kjo përfshinte gjithçka, nga blerja e një versioni tjetër të të njëjtit produkt, deri te koha që humbisnit duke bërë ankesa. Pavarësisht përmirësimeve që nga koha e Akerlof, tregu i makinave të përdorura mbetet i vështirë për t’u menaxhuar.
Por ndërmarrjet e reja po japin një ide se si mund të duket e ardhmja. CarEdge përdor një negociator të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale për të diskutuar me koncesionarët rreth çmimit dhe kushteve të makinës; Pruvo monitoron rezervimet e rimbursueshme të hoteleve dhe i rezervon automatikisht kur çmimi bie. Modelet e mëdha gjuhësore (LLM) po bëhen tashmë pjesë e përditshme e vendimmarrjes së konsumatorëve.
Një anketë e kompanisë së softuerit Clio zbulon se mbi gjysma e konsumatorëve kanë përdorur ose do të përdornin Inteligjencën Artificiale për të marrë këshilla ligjore. “Stereotipi i ri është se brezi Z nuk blen një makinë pa kaluar më parë kontratën në ChatGPT”, – vëren Financial Dystopia, një llogari e njohur në X.
Kur diçka shkon keq, mund të përdorni chatbot-e për të kërkuar kompensim. Një studim i fundit nga Weixin Liang i Universitetit Stanford dhe bashkautorë të tjerë zbuloi se në fund të vitit 2024, rreth 18% e ankesave financiare të konsumatorëve ishin hartuar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale. “IA do t’i ndihmojë njerëzit që më parë nuk kishin privilegjin e këshillave të mira, të marrin këshilla mjaft të mira”, – argumenton Bret Taylor, drejtues i OpenAI, krijuesit të ChatGPT.
Provat për ndikimin e konsumatorëve të fuqizuar nga Inteligjenca Artificiale janë ende të kufizuara, por shumë domethënëse. Një studim nga Ryan Shea dhe kolegët e tij në Universitetin Columbia raportoi për një eksperiment mbi tregtinë e makinave të përdorura dhe qiradhënien e apartamenteve. Ata zbuluan se përdoruesit që bashkëvepronin me një model Inteligjence Artificiale “përmirësuan ndjeshëm performancën e tyre në negociata”.
Një kërkim tjetër nga Minkyu Shin i City University of Hong Kong dhe bashkëpunëtorët e tij, që analizoi mbi një milion ankesa të dërguara Byrosë Amerikane për Mbrojtjen e Konsumatorëve Financiarë, zbuloi se 49% e ankesave të ndihmuara nga IA përfunduan me kompensim, kundrejt vetëm 40% të atyre të shkruara plotësisht nga njerëzit.
Në ç’masë Inteligjenca Artificiale do t’i eliminojë plotësisht tregjet e mashtrimit, kjo varet nga dy faktorë. Së pari, ju si konsumatorë duhet të dini si ta përdorni siç duhet. Të përsërisni verbërisht këshillat e ChatGPT është më pak efektive sesa ta përdorni si një mjet për të mësuar dhe për të negociuar më bindshëm.
Në këtë drejtim, rezultatet e një prove të zhvilluar nga Jan Biermann (atëherë në Universitetin e Hamburgut), John Horton nga Instituti i Teknologjisë në Masaçusets dhe Johannes Walter nga Qendra Europiane e Kërkimeve Ekonomike ZEW-Leibniz janë inkurajuese. Eksperimenti përfshinte njerëz që duhej të vlerësonin sa pika kishte në një imazh, me forma të ndryshme asistence nga IA. Studiuesit zbuluan se pjesëmarrësit ishin në gjendje “të vlerësonin me kujdes rekomandimet algoritmik duke përshtatur besueshmërinë e tyre në varësi të cilësisë së sugjerimeve”.
Së dyti, ofruesit dhe shitësit ka të ngjarë të kundërpërgjigjen me mjetet e tyre të Inteligjencës Artificiale. Listat e Amazon janë tashmë të mbushura me përshkrime produktesh të krijuara nga IA. Nëse sot përdorni ChatGPT me hidraulikun tuaj, mund ta bindni ta ulë çmimin. Por nëse e përdorni vitin e ardhshëm, ai mund të ketë një model të vetin që i thotë të kërkojë më shumë.
Kompanitë po zhvillojnë tashmë “optimizimin e motorëve gjenerues”, një praktikë që mund të çojë në publikimin e informacionit të filtruar për të promovuar një produkt apo shërbim të caktuar. Me kalimin e kohës, shumë tregje mund të kërkojnë ndërmjetës algoritmikë, ku të dyja palët bien dakord t’u binden vendimeve të një “ankues digjital” të paanshëm. Por një gjë është e qartë: ditët e konsumatorit që nuk di asgjë po marrin fund./Monitor.al
Gjashtë vjet pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit, qindra banorë të pastrehë janë ende në pritje të banesave të premtuara nga programi i Rindërtimit, i cili sipas ekspertëve është dominuar nga zvarritjet, mungesa e transparencës dhe abuzimet.
Pas gjashtë vitesh pritje, një grup njerëzish u mblodh të enjten para portës së shkollës “Lasgush Poradeci” në Kombinat. Me duart që shtrëngojnë letrat e aplikimeve, nervozë dhe të mbërthyer nga ankthi, ata mbajnë sytë nga zyrtari që lexon emrat një e nga një.
Zëri i tij kumbon mes zhurmës dhe trupave që shtyhen për t’u afruar sa më pranë portës.
Ndërsa lista vazhdon, banorët e Kombinatit qëndrojnë pezull mes frikës dhe shpresës, midis asaj që mund të fitojnë dhe gjithçkaje që kanë humbur gjatë viteve si të pastrehë.
Më 4 dhjetor u hodh shorti i rradhës për 80 banorët që presin të marrin një shtëpi nga programi i Rindërtimit, gjashtë vjet pasi tërmeti i 26 nëntorit 2019 shkatërroi banesat e tyre.
Qeveria ka shpenzuar mbi 130 miliardë lekë për programin e Rindërtimin dhe pretendon se mbi 90 për qind e projekteve kanë përfunduar, por qindra familje vazhdojnë të mbeten ende mes katër rrugëve. Sipas ekspertëve, ky është rezultati i një procesi të dominuar nga zvarritjet, mungesa e transparencës dhe abuzimet.
Urbanistja Doriana Musai i lidh vonesat me planet e pastudiuara dhe parregullsitë që shoqëruan programin e rindërtimit. Sipas saj, fatkeqësia natyrore u keqpërdor gjithashtu për qëllime të tjera.
“Brenda një periudhë 2-javore, ende pa kallur të vdekurit, filluam të mendojmë se si ta kalojmë këtë moment. Reagimi aq i shpejtë, i pastudiuar solli prodhimin e shumë akteve, dokumenteve dhe VKM-ve, të cilat me kalimin e kohës tani pas gjashtë vitesh kanë rezultuar totalisht fiktive,” tha Musai për BIRN.
“Kemi zona, të cilat u shpallën zona rindërtimi pa pasur lidhje me dëmet e tërmetit. Një prej tyre është lagja e Kombinatit dhe 5 Maji në Tiranë, ku është vënë re që rindërtimi u përdor si justifikim për të prishur ndërtesa dhe për të ndërtuar objekte të reja, të cilat ende sot janë ose të pabanuara ose të pandërtuara,” shtoi ajo.
Në Kombinat, një grup banorësh refuzuan vendimin e autoriteteve shtetërore për prishjen e pallateve të tyre dhe e çuan çështjen në gjykatë. Nga 67 pallate të shpallura të pabanueshme nga institucionet, u shembën vetëm 35 prej tyre. Në 22 raste, qytetarët e fituan betejën me institucionet dhe ndërtesat e tyre nuk u shembën, ndërsa shumica e tyre ende kërkon një zgjidhje.
Edmond Çata, banor i Kombinatit, thotë se të dy kategoritë e banorëve po përballen tashmë me probleme.
“Nëse ti ke një pallat në këmbë dhe qëndrove ose nëse ti pret të marrësh një apartament të ri, nuk është e qartë dhe nuk ka transparencë për mënyrën se si menaxhohen njerëzit e prekur nga tërmeti. Sepse unë di p.sh., që njerëz që banojnë në pallatet që janë në këmbë që nuk ka vendime për prishjen e tyre, janë ftuar për të marrë dhe kanë marrë apartamente në pallatet e reja,” tha ai.
Sipas Çatës, ata që bënë betejën për mosprishjen e pallateve po përballen tashmë me mungesën e shërbimeve, me sipërfaqe të lëna në mëshirë të natyrës dhe me shqetësimin për gjendjen fizike të pallateve.
Në këtë kompleks banesash në Kombinat, shumë prej apartamenteve janë të pabanuara, sepse pallatet janë ende të pakolauduara dhe ka probleme me ujin energjinë dhe kanalizimet. Situata është e ngjashme edhe tek lagja “5 maji”, ku disa prej banorëve nuk kanë pranuar t’i nënshtrohen kushteve të bashkisë për strehimin dhe kanë refuzuar sipërfaqet e ofruara.
“Me kalimin e kohës, disa prej banorëve arritën të marrin një sipërfaqe minimale, pjesa tjetër vërtiten edhe sot që flasim nëpër Tiranë. Kjo sepse e para objektet nuk janë ndërtuar, e dyta sepse nuk ka pasur dakordësi midis pushtetit lokal dhe vetë banorëve përsa i përket sipërfaqes,” theksoi Musai.
Një pjesë e banorëve, sipas saj, janë të pakënaqur me sipërfaqet e marra, pasi kanë pasur godina 3-4 katëshe ku jetonin së bashku tre apo katër kurora.
Eksperti Zef Preçi, drejtor i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, kritikon mungesën e transparencës me programin e Rindërtimit, ndërkohë që thekson se abuzimi me fondet ka lënë të pastrehë një pjesë të konsiderueshme të banorëve.
“U bë në kushtet e mungesës së transparencës, kryesisht në kontrata të negociuara drejtpërdrejt me përfshirjen e kryetarëve të bashkive, me një rol kordinues por pa një letër të shkruar të ministrit përgjegjës për Rindërtimin, por që në thelb çon në devijimin e fondeve publike apo në cënimin e cilësisë së ndërtimit,” tha Preçi për BIRN.
“Disa ndërtime ngjajnë me geto, ngjajnë me Gazën shumë më tepër se sa me banesa të ndërtuara me para publike,” shtoi më tej ai.
Zvarritjet nuk gjendet vetëm në Kombinat apo në Lagjen 5 Maji, por edhe në zonat e tjera të dëmtuara nga tërmeti. Në Bashkinë e Vorës, rreth 160 familje presin ende zgjidhje për banesën e premtuar. Bashkia e Vorës i tha BIRN se ishte në pritje të fondeve nga Ministria e Infrastrukturës dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Në Marqinet, vetëm pak kilometra nga Tirana, 70 familje vazhdojnë të jetojnë me qira, ndërsa qeveria ka ndërprerë bonusin prej dy vitesh. 50 familje të tjera presin fondet për ndërtimin e shtëpive private në Vorë, Prezë dhe Bërxullë, si edhe 60 familje të tjera që duhet të strehohen në apartamente, por ato janë ende të papërfunduara.
Në mesin e Durrësit, qytetit më të dëmtuar nga tërmeti, një grup pallatesh të shpallura si të pabanueshme vazhdojnë ende të qëndrojnë në këmbë. Banesat janë të braktisura ose janë kthyer në strehë për aktivitete të paligjshme.
Por edhe në blloqet ku ka përfunduar ndërtimi, ekspertët vërejnë cilësi të dobët dhe probleme të tjera të infrastrukturës.
“Blloqe të vogla banimi në miniature, që më shumë duken si lagje provizore ku njerëzit janë vendosur provizorisht, ku hapësirat nuk kalojën 50 a 60 metra katrorë. Duken më shumë si kabina plazhi se sa si lagje të përhershme,” tha urbanistja Musai, ndërsa theksoi se një pjesë e banorëve nuk pranojnë të jetojnë aty për shkak të shpërnguljes nga territori.
“Në procesin e rindërtimit fondet u devijuan për pasurim të paligjshëm, të dyshuar gjerësisht, të zyrtarëve përgjegjës për ndërtime me cilësi të ulët dhe disa prej tyre të pabanueshme. Për ndërtime që nuk harmonizohen me infrastrukturën, sidomos me rrjetin e kanalizimeve dhe furnizimet me ujë etj, si në rastin e Fushë-Krujës,” tha Preçi.
Gjashtë vite pas tërmetit, Ministria e Infrastrukturës apo institucionet të tjera nuk kanë ende një bilanc të qartë për rindërtimin, pavarësisht miliarda lekëve të shpenzuara./BIRN
Një automjet i blinduar ukrainas, i pajisur me tela metalikë në një rrugë pranë Pokrovskut, më 23 nëntor. Foto:Anatolii Stepanov (Reuters)
Siç shihet edhe në fotografinë më poshtë, një tank i mbushur me tela të fortë metalikë është një prej pamjeve më shpjeguese se çka po përdor ushtria ukrainase për t’i luftuar forcat pushtuese ruse prej vjeshtës së këtij viti.
Mbrojtja e re raportohet të jetë krijuar përmes kabllove të çelikut të prera në gjatësi të njëjtë, që më pas janë shpëlarë në fije të veçanta teli. Në fund, telat me gjemba janë fiksuar në tanke apo makina tjera ushtarake.
Të dyja palët në konfliktin në Ukrainë kanë tentuar t’i shmangin sulmet me dronë përmes kësaj mbrojtjeje që njihet edhe si “blindim në formë iriqi”.
Një tank rus i pajisur me mbrojtje në formë iriqi në rajonin ukrainas të Donjeckut.
Iryna Rybakova, zyrtare për media e Brigadës së 93-të të Mekanizuar të Ukrainës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se armatura “e butë” është projektuar “për t’i ngatërruar dronët dhe për të mos i shpërthyer, ose për t’i shpërthyer në distancë”.
Shumica e dronëve kamikazë (FPV) janë të pajisur me një fitil që del nga koka e tyre dhe shpërthen në momentin e goditjes. Armatura e re me maja mund ta ngatërrojë një dron të tillë përpara se fitili i tij të arrijë në një sipërfaqe të ngurtë.
Rybakova tregon se një “tank rus iriq” që është parë afër Toretskut në rajonin e Donjeckut ka arritur t’iu rezistojë dhjetëra goditjeve nga dronët ukrainas FPV dhe më pas është shkatërruar përfundimisht. Sipas saj, mburoja si iriq ofron më pak mbrojtje kundër dronëve kamikazë më të mëdhenj dhe më të shpejtë.
Ushtarët rusë me një tank të pajisur me këtë lloj të mbrojtjes në fomë iriqi në rajonin e Donjeckut. Nëntor 2025.
Carlo Masala, profesor dhe ekspert ushtarak në Universitetin Bundeswehr në Mynih, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbrojtja e re kundër dronëve “duket të jetë një taktikë e re për t’i rikthyer manovrat në luftë”.
Me efektivitetin e dronëve të lirë FPV, të aftë për të shkatërruar tanke me vlerë deri në miliona dollarë, të dyja palët në konflikt janë përpjekur të kryejnë sulme në pajisje të blinduara që dikur ishin në qendër të taktikave ushtarake.
Në muajt e fundit, sipas Masalas, janë parë “vetëm inkursione nga disa ushtarë pas vijave të armikut”. Lëvizjet e mëdha të trupave dhe automjeteve kanë qenë kryesisht të kufizuara në ditët me mjegull kur dukshmëria e dobët zvogëlon kërcënimin e zbulimit.
Një anëtar i ekuipazhit të një tanku rus.
Por mbrojtja e re e pazakontë besohet se vjen me kompromise drastike për ekipet e tankeve.
Shoferi i një tanku rus e ka dhënë së fundmi një intervistë për një media, përgjatë së cilës ka treguar se ka tanke të pajisura me mbrojtje në formë iriqi.
Sipas tij, si rezultat i peshës së shtuar, tanku “nuk ka arritur as 10 kilometra para se një nga [komponentët e sistemit të transmisionit] të dështonte”. Ai ka treguar se mbrojtja e re me aq shumë armaturë në formë iriqi do të thotë se “stresi në komponentët [e tankut] është i madh”.
Masala beson se të meta të tilla “duket se pranohen në mënyrë që të rikthehen manovrat në luftë”.
Ukrainasit duke rregulluar telat plastikë që do të vendosen më pas në një tank.
Zyrtarja ukrainase për media Rybakova ka treguar se ka qenë dëshmitare e një versioni të hershëm të blindazhit në formë iriqi kur një ekip ukrainas i ka lidhur disa kabllo plastike të projektuara për t’i kapur helikat e dronëve.
Automjeti i rëndë është përdorur si karrem për të tërhequr vëmendjen prej trupave ukrainase që po tërhiqeshin nga pozicionet e tyre. “Dronët e armikut fluturuan drejt tankut. Pati rreth pesë ose gjashtë goditje, të cilat ekuipazhi pothuajse nuk i ndjeu”, ka thënë Rybakova.
“Por pastaj armiku hodhi një minë antitank”, e cila, sipas saj, i ka vënë flakën motorit të automjetit.
“Është për të ardhur keq për tankun, por njerëzit mbetën gjallë dhe detyra u krye”, ka thënë mes tjerash ajo.
Komentet