Në mëngjes, në mes të verës, ra borë, e rëndë
e lagur. Qajnë kopshtet e tmerruara. E shënoj këtë
dhe hesht, ngase jam mësuar me çudirat. Shikoj, nëpër vrimën
e dyqanit, kalojnë fytyra të ngrysura, dhe të heshtura. Ku do të
arrijnë, Zoti, që i di të gjitha? Nuk blasfemoj, vetminë
e këtillë e kam pranuar si dhuratë, jo dënim, si dhunti, kurrsesi
si tmerr. Vijnë, e di, afër mëngjesit, disa njerëz. Do të duhej
edhe sonte të ketë vdekur dikush. Shpirti im është i gatshëm, si
lapsi dhe letra para meje. Heshtja dhe pikëllimi. Kë mbrëmë e shtyve
nëpër qytet? Emrin e kujt
do ta përmendim
që në mëngjes, më duhen edhe kafe, ditëve të tjera? Duhet
të jem i urtë, le të më shihet tmerri i pritjes në
fytyrë. Se gjatë më është dashur ta kuptoj:
ky është qytet ku janë të gjitha sëmundjet ngjitëse. Rritet
dashuria si verdhëza dhe si murtaja. Edhe urrejtja njësoj pjell.
A jam, ndoshta, shumë vetëm? Nuk është mirë,
aq kam vuajtur në vetmi. A po mendoj mirë, Zot?
Kështu njëherë (dhe kjo është shkruar) i kuq
ra shiu mbi qytet, rrëmuja dhe frika rriteshin
si parazitët. E ka pak shpirtra të shëndoshë në qytet. Me të drejtë
është ashtu. Se nga vjen sëmundja – e kam të qartë,
por nga vjen shëndeti? Pyesin për këtë disa njerëz rreth meje
(që siç janë i pranoj, duke e ditur se as dy nuk janë njësoj,
as para Tëndes, as parafytyrës sime), a pyesin?
Dhe a e dinë se i vështroj? Sesi do t’u dridhej vetëm zemra
kur t’i shohin këto radhë! A po gaboj me
veten, vetëm atëherë për të tjerët jam i mirë. Ndaj
tyre a po gaboj, drejtësinë ndaj vetes ta përmbush.
Ç’është atëherë e vërteta, më thuaj, Zoti im? Të lutet
modestia e tij Mulla Mustafa, që dëshira të tjera nuk ka, përveç
qetë të jetë, edhe më qetë të shkojë, kur të vijë ora.
(Përktheu: Fatime Imeraj – Zeqiri)
- Basheskia, mulla Mustafa – shkrimtar kronikash që ka pasqyruar ngjarjet në Sarajevë dhe në tërë Bosnjën në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. (Ka shkruar turqisht, është përkthyer edhe në gjuhën boshnjake).
Komentet