Iku dhe kjo vjeshtë, mos qaj…
Bardha Alimeta është një artiste e lindur! Jo vetëm për artin e saj si në pikturë, poezi dhe prozë, por edhe për shpirtin e bukur. Në përditshmërinë e saj, Bardha është një njeri i lirë, pa komplekse, do të bukurën dhe e shpreh atë në art.
Pikturat e saj nuk janë thjesht një fantazi. Aty ka jetë, ka art, ka lirshmëri dhe bukuri mahnitëse që tërheq artdashësit në ekspozitat e saj. Bota e saj femërore shprehet me art në pikturë dhe përshkruhet bukur në krijimtarinë letrare.
Në poezitë e saj shpaloset dashuria, por edhe dhimbja shpirtërore. Bardha me vargjet e saj është përherë në kërkim të dashurisë njerëzore në kërkim të lumturisë. Poezitë e saj janë shpirtërore, janë poezi që të bëjnë për vete dhe teksa i lexon humbet në një botë tjetër. Në një botë ku njeriu gjen të bukurën, emocionin…
Në poezitë e saj jeta shpaloset me të gjitha ngjyrat. Aty ka lirizëm, ka figuracion, krahasim dhe metafora. Në poezi Bardha është vetvetja, e thjeshtë, e dashur, kërkuese dhe këmbëngulëse për të arritur atë që dëshiron. Gjithkush që lexon poezitë e Bardhës gjen aty veten dhe vihet në kërkim të poezisë së saj.
Po kaq mahnitëse dhe mbreslënëse Bardha na shfaqet edhe në prozë, krejt e veçantë dhe befasuese. Jeta e përditshme, shqetësimet e kohës, malli për vendlindjen, për gurgullimën e Shkumbinit dhe për fëshfërimën e pemëve gjejnë hapsirë në prozën e saj.
Në tregimet e Bardha Alimetës ka dritë, ka kontakt me njerëzit, atmosferë dhe jetë. Bardha është gjithnjë në kërkim të së bukurës dhe përjetimet, ndjenjat i shpreh me mjeshtëri në prozën e saj duke e bërë lexuesin të ndjehet mirë…
Bardha Alimeta ka botuar pesë libra me poezi dhe prozë si dhe ka çelur tre Ekspozita vetjake në pikturë.
Botë që nuk e ndjej (Poezi).
Shpirti im më përket mua (Poezi).
Gjurmë në udhë (Poezi).
Nostalgji e hidhur (Prozë).
Fluturzat e kuqe (Prozë).
Ka çelur tre Ekspozita vetjake në pikturë, 2009/ 2019/ 2020. Ekspozita e fundit u çel gjatë izolimit prej Covid-19
Bardha Alimeta punon edukatore zhvillimi me fëmijët me aftësi ndryshe në Librazhd. Puna e saj e përditshme e ka bërë atë që të përjetojë çaste të bukura, por edhe trishtim kur përballet me vështirësitë e njerëzve. Kjo ka bërë që Bardha të shkruajë poezi të bukura dhe të ndjera.
Për lexuesit e gazetës po sjellim një tufë poezish të bardha, ashtu siç është edhe emri i autores!
Rexhep Polisi
Poezi nga Bardha ALIMETA
Çast dimri…
Më ngroh ky zjarr,
Edhe kjo verë zjarrminë ma shton.
Mendja turbullt pranë zjarrit shtegton…
Më deh kjo verë me aromën e saj.
E dua këtë çast dimri
Ku mik zjarrin, verën, librin kam…
Mendimet më ngatërrohen prej verës
Shpirtin ma ngroh ky zjarr,
Kjo verë mendjen ma merr…
E dua këtë çast dimëror.
Pranë zjarrit një libër, një gotë verë në dorë…
E dua këtë vetmi në këtë çast dimëror…
Iku dhe kjo vjeshtë, mos qaj…
Po bien gjethet…
Po veniten nga shkëlqimi i tyre.
Era i hedh sa andej këtej…
Pa e ditur se ku përfundojnë,
Po shkon kjo vjeshtë,
Ashtu si shumë të tjera.
Dimri përgatitet të vijë.
Po ikën edhe kjo vjeshtë,
Që shpirtin ma mbush plot trishtim,
Të florinjtën e saj më nuk do ta shoh,
Po magjinë saj nuk kam për ta harruar.
Po ikën dhe kjo vjeshtë që aq shumë e dua,
Po bien gjethet, era fryn me tërbim…
Nga xhami vështroj shiun plot mall.
Po bien gjethe, ranë, shiu i shplanë,
Balta i përbalt, era i vërvit…
E eta vazhdon ciklin e saj,
Si çdo ditë,
Pa ty pranë…
Koha ikën,
Shiu pushon,
Dielli lind e perëndon,
Kujtimet mbesin të paprekshme,
Dashuritë, njerëzit vdesin…
Po bien gjethet si në çdo vjeshtë
Era i poshtëron,
Shiu i lag, toka i fsheh në thellësi të saj…
Iku dhe kjo vjeshtë, mos qaj.
Po fryne erë, ndjej aromën e saj në ikje
Tek largohet
E mplakur për t’u rilindur pas një kohe tjetër…
Nëntor 2018
Rrugët e qytetit tim…
Rrugë që më rritën,
Ma njohin dhimbjen,
Trishtimin, dashurinë.
Me dhanë gezim, lumturi,
Hapsirën pa kufij…
Kam ecur e rëndur mbi to,
Jam rrëzuar e ngritur sërisht,
Në këto rrugë takat e mia
Kane lënë melodinë e tyre të bukur
Pa stonaturë, ecje të sigurt
Drejt asaj që quhet e ardhme…
Tek te shoh ty…
Tek shikoj detin në syte e tu
Eshtë si të jem pranë tij,
Tek shoh flokët e argjendtë
Me ngjyren e arit të krahasuar.
Do jesh patjetër i dashuruar
Dhe buzën tënde ëmbël kur të flet
Me një burim të pastër ngjet.
Kur etja shpirtin ta ketë tharë,
Të pish aty sa më parë…
Atje diku në lartësi
Do doja të isha larg,
Larg, nuk e di se ku..
Do doja ta thyeja këtë mërzi
Në ndonjë vend pa asnjë njeri.
Të mos them as mirëmëngjes,
Të mos dëgjoj as kush vdes,
Të jem shumë larg botës së tyre,
Diku atje në lartësi
Të ndjehem vetë si Perendi…
Kujtime dhe asgjë tjetër
Një fjalë të ngrohte të mos ndjejmë dimër,
Një dashuri të na shërojë…
Me mijëra fjalë të thëna së bashku,
E mira botën ta mbulojë…
Tingull si i askujt tjetër
Harrove zërin tim,
Tingull si i askujt tjetër
Tani të vjen nga larg
Si zhurma e këmbanës së vjetër,
Një zhurmë që të zgjon
kujtime dhe asgjë tjetër…
U deshëm…
Të takova sërish,
M’u duk si hera e parë,
Të dy u puthëm, u prekëm…
Të dy digjeshim zjarr!
Dhe pse kishim shumë kohë
Që bashkë ishim të ndarë…
U deshëm serish plot mall
Ashtu si ditën e parë.
Dhimbje
Ti ma lëndove shpirtin,
E fjalët më të rënda m’i the,
Por dhimbja më e madhe ishte
Kur ti më aty nuk qe…
Ti nuk je Perëndi,
Jo, as që dua të mendoj
Për gjithçka që bëre ti.
Ti nuk je Perëndi,
Ka të tjera dashuri…
Nëse s’do vije
Një jetë pa ty ta mendoja.
Do plakesha shumë shpejt,
Pritjen tënde s’e dua,
As me sekonda të jetë,
Zemra do t’i pushonte rrahjet
Nese s’do vije ti shpejt…
Nuk ishte ëndërr
Si një degë ulliri
Ku dua të shplodhem,
Krahët seç m’i hape,
Trupin ma mbështolle,
Zemra rrihte fort,
Buzët zjarr lëshonin,
Përvëlim i tyre,
Vapën ç’ma kujtonin,
Detin kaltërosh,
Netët plot magji…
Jo, kjo nuk ishte ëndërr,
Por ish dashuri…
Poezi e shpirtit
Poezi e shpirtit tim,
Ti që më shplodh në dëshpërim,
Me ngazëllen, më ledhaton…
Ti je mike që s’tradhëton.
Gjithë botën e largoj
Kur me ty dua të shkoj,
Poezi shpirti që fuqishëm rreh
Ti nuk njeh hipokrizi, sa e pastër je…
Komentet