Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se është e papranueshme që një zëvendëskryeministre e akuzuar për vjedhje të 53 milionë eurove të vijojë të qëndrojë në detyrë, ndërkohë që qytetarët që protestojnë në mënyrë paqësore për të drejtat e tyre arrestohen.

Në një intervistë për News24, Lapaj iu referua zv.kryeministres Belinda Balluku, duke theksuar se kjo situatë, sipas tij, tregon standard të dyfishtë të shtetit. “Balluku që akuzohet për vjedhje të 53 milionë eurove është në zyrë, ndërsa katër qytetarë që protestojnë në mënyrë demokratike arrestohen. Kjo është republika që ne duam ta thyejmë dhe ta ndryshojmë”, u shpreh ai.

Lapaj bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke kërkuar që protestat të mos shihen vetëm si zgjidhje për halle personale, por si një kauzë e përbashkët. Ai theksoi se protesta do të vazhdojë, pavarësisht kushteve të vështira me të cilat po përballen protestuesit.

Sipas Lapajt, gjatë natës protestuesve nuk u janë lejuar çadrat, ngrohëset, batanijet dhe asnjë mjet tjetër për të përballuar temperaturat e ulëta. “Një pjesë e jona e kaloi natën në shesh, pa asnjë kusht minimal. Unë do të qëndroj edhe sot”, deklaroi ai.

Lapaj bëri të ditur se një ditë më parë kishte qenë në spital, por theksoi se gjendja e tij shëndetësore është e qëndrueshme. “Fizikisht ndihem mirë, por po përballemi me kushte shumë të vështira”, përfundoi ai.

Adriatik Lapaj: Balluku që akuzohet për 53 mln euro vjedhje është në zyrë. Ndërsa 4 qytetarë që protestojnë në mënyrë demokratike arrestohen. Kjo është republika që duam ne të thyejmë, të heqim. Sepse atë që vjedh e mban në zyrë. Të gjithë ata që më dëgjojnë, të mos kujtohen vetëm kur kanë hallin e tyre…

Mbrëmjen e djeshme një pjesë e jona e kanë kaluar në shesh dhe nuk na janë lejuar as ngrohje, as çadra. Ne jemi duke vazhduar, unë do qëndroj dhe sot. Unë dje isha në spital, por ende ndihem fizikisht mirë, por jemi duke u përballur me kushte të vështira.