Të gjithë trima gjokserreshkur
Hijerëndë e ballëlart,
Ty të kishin vënë në krye,
Moj burrnesha pushkëgjatë !
.
Nëpër shtigje, buzë qiellit,
Ti me çetën ikje larg
Nënat sokëllinin pragjesh,
Ndër oborre piksej gjak.
.
Të rrethonin , të plagosnin,
Shembnin strehët kosovare;
Lart ndër oda, ti në këmbë,
Në bedenë ktheje dritaret…
.
Dhe të ndiqnin gjer në male,
Teksa çeta ikte larg.
Hëna, si fener që s’shuhej,
Përmbi udhë t’hidhte ar…
.
Luftë në male, prehje në mal,
Shi dhe erë dhe, shtegtime…
Shkrepëtinin patkojt dhe qiejt,
Shkrepëtinin pushkët trime !
.
Qave burrin , qave trimat,
Lidhe plagë, të lidhën plagë.
Sa e rëndë jetë e malit,
Moj komitja pushkëgjatë !
.
Gjithë ndjenjat femërore
Diku thellë i ndrydhe ti,
Në një nyje që rëndonte
Si një medalion kujtimi…
.
Përmbi kalë i ndieve vitet,
Në mes luftërash me rrebesh;
Kali yt trokoi ndër male ,
Jelebardhë mes jele resh.
.
Përmbi kalë, për lirinë,
Shkrepe zjarr shkrep më shkrep.
Nuse dymbëdhjetë ditë,
Luftëtare dymbëdhjetë vjet !