Të martën, në Prishtinë, është sjellë trupi i pajetë i ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili është ndarë nga jeta ditën e hënë, në Turqi, ku po trajtohej nga goditja në tru.
Që nga ora 10, nën organizimin e Komisionit të veçantë shtetëror, në hollin e Kuvendit të Kosovës janë mbajtur homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi.
Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës në largim, Isa Mustafa, është mbajtur mbledhje komemoracioni për ish-kryeministrin Rexhepi, në të cilën ishin të pranishëm drejtuesit e institucioneve të larta të shtetit, përfaqësues të partive politike dhe familjarët e ish-kryeministrit Rexhepi.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka vlerësuar lartë figurën e ish-kryeministrit Rexhepi, duke cilësuar atë si një humanist, atdhetar dhe burrështetas të shquar të vendit.
“Bajram Rexhepi kishte profil të lartë të politikanit me mbështetje të gjerë qytetare dhe me besim nga bashkësia ndërkombëtare. Me ndarjen e tij të hershme nga jeta, familja humbi njeriun e dashur, ndërsa institucionet e vendit burrështetasin e shquar. Ne, bashkëmendimtarët, kolegët dhe miqtë e tij, do ta ruajmë përjetë kujtimin për të. Mençuria, urtësia dhe largpamësia e tij, do të jenë udhërrëfyes në rrugën tonë për përparimin dhe forcimin e shtetit tonë. Lavdi jetës, veprës dhe emrit të doktor Bajram Rexhepit”, tha presidenti Thaçi.
Kryeministri i Kosovës në largim, Isa Mustafa, e ka vlerësuar Bajram Rexhepin si një personalitet që ka dhënë kontribut shumëdimensional për vendin, jo vetëm për shkak të pozitave të larta shtetërore, por edhe për shkak të aktivitetit të tij në shërbim të jetës dhe shëndetit të njerëzve, si dhe në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës.
“Ai do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministër i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në ndërtimin e shtetit tonë. Për ne që e njohëm dhe punuam me të, në kuadër të jetës institucionale dhe politike, Bajram Rexhepi do të mbetet në mend si një politikan që e mbante fjalën dhe të cilit mund t’i besohej. Njeri konstruktiv, i dijshëm, komunikues, bashkëpunues dhe korrekt. Bajrami la gjurmët e tij të pashlyeshme në institucionet më relevante të Kosovës, në kohë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme të shtet-ndërtimit tonë”, theksoi Mustafa.
Në emër të familjes, vajza e ish-kryeministrit Rexhepi, Vanesa Rexhepi, ka falënderuar institucionet e Kosovës, por edhe shtetin e Turqisë, për angazhimin e tyre për trajtimin e babait të saj gjatë kohës sa ishte i sëmurë.
“Në nderim të më të dashurit tim, babait tim, doktor Bajram Rexhepit, edhe pse e pikëlluar dhe e katandisur nga dhimbja për vdekjen e tij, do ta përballojmë pikëllimin me krenarinë që na e la në trashëgimi, me personalitetin e tij prej një punëtori, humanisti dhe trimi të madh. Virtytet e larta të babit tim, dashurinë, sinqeritetin, butësinë dhe këshillat e tij, do t’i ruajmë dhe t’i kultivojmë me përkushtim për breznitë e reja”.
Homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi janë mbajtur edhe në qytetin e Mitrovicës, nën organizimin e Kuvendi Komunal të Mitrovicës së jugut.
Komentet