(Sipas ngjarjes së vërtetë që ka ndodhur në Vinarcin e Poshtëm në veriun e Kosovës)
Vinarci kufizohet me fshatrat Vidimriq, Qabër, Gushavc, Koshtovë dhe Zhabar këtej lumit Ibër. Në Vinarc, më 30. 04. 1932, u lind Hamdi Zeqir Hasani, një burrë me virtyte njerëzore dhe kombëtare që u shqua për mikpritje, bujari dhe trimëri. Pikërisht në një ambient të tillë familjar e kombëtar u lind dhe u rrit personazhi i tregimit tonë, Hamdiu, i biri i Hasanit që, së bashku me birin e tij, Cenën, përjetësoi emrin e tij, të familjes dhe të Vinarcit, duke rënë heroikisht në mbrojtje të pragut të shtëpisë gjatë luftës së fundit.
Ai u rrit dhe u burrërua në një familje fisnike e bujare, kullat e së cilës gjithherë kanë qenë të hapura për mikun dhe të mbyllura për armikun. Kur u rrit Hamdiu, u martua me Hajrijen, një malësore nga rrethi i Pazarit të Ri. Nga kjo bashkëshortësi lindën pesë djem dhe pesë vajza, në mesin e të cilëve edhe një nga personazhet tanë, Cena. Hamdiu është dalluar nga të tjerët për nga thellësia e urtësisë dhe tiparet e theksuara të karakterit tipik shqiptar, përfshirë edhe të pamjes fizike. Sytë e tij reflektonin, krahas bujarisë dhe urtësisë, edhe vendosmërinë dhe trimërinë kur ishte nevoja. Në kullën e tij dhoma e pritjes gati gjithmonë ishte e mbushur me miq dhe atdhetarë të shquar. Aty bisedoheshin që nga problemet e ngushta jetësore deri tek ato më të mëdhatë, kombëtare. Këngët e trimërisë që këndoheshin me çifteli dhe sharki nuk kishin të mbaruar. Ashtu si babai dhe gjyshi që kishin pritur e përcjell fytyra të shquara si Azem Bejtë Galica, Ahmet Deliu e të tjerë, edhe Hamdiu me të bijtë priste e përcillte dhe bashkëpunonte me figurat e reja të devotshme kombëtare. Për shkak të karakterit të tij të pathyeshëm, shpesh edhe kishte pasur problem. Në vitet e “Aksionit të armëve”, në kohën Aleksandër Rankoviqit, Hamdiu kishte pasur disa herë telashe. Më vonë, pas rënies së Rankoviqit, ka vazhduar jetën duke u përballur me mbijetesën nëpërmjet punëve të ndershme të fshatit ashtu siç bënin dhe bashkëfshatarët e tij. Në Vinarc i bënin kopshtet përreth lumit Ibër fal të cilit edhe prodhimet ishin të mira për kohën. Hamdiu i urtë e fjalëpakë dhe punëtor i palodhshëm, me kopshtin e vet mbante familjen.
Hamdi Hasani
Më kujtohet si sot se çfarë përshtypje kishin bërë tek ai demonstratat e vitit 1981, sidomos lufta heroike e Tahir dhe Nebi Mehës në atë vit në Prekaz. Hamdiu na thoshte se ata ranë heroikisht për kullat e tyre dhe kullat tona, për këtë vend dhe për ne. Dritë pastë shpirti i tyre, shprehej ai duke prekur mustaqet e veçanta që ta ndillnin imagjinatën mbi heronjtë nga këngët kreshnike. Si sot më rrinë parasysh pamja e tij fisnike, sytë me vibrime shqiponje dhe mustaqet pothuajse të ngjashme me ato të komandantit legjendar, Adem Jashari.
Me Hamdiun kemi këmbyer biseda të llojllojshme. Ai ishte edhe dashamir i librit. I çmonte shumë sidomos të madhin Hasan Prishtina, heroin Isa Boletini etj. “Eh mor miku im, që besa kësaj Serbie do t’ia shohim sherrin sepse kjo vetëm forcën e njeh. Ne duhet ta bëjmë forcën, duhet të bëhemi bashkë në të mirë dhe në të keq, pastaj do të shohim sa të fortë do të jenë këta ardhacakë”. Kështu më thoshte dhe një buzëqeshje e bukur i shfaqej fytyrës si një nur me rrezatim hyjnor. Siç duket ia ndiente zemra se diçka do të ndodhte dhe se lufta çlirimtare me djelmoshat e UÇK-së do të niset e pandalshme, sidomos pas sulmit të parë serb mbi familjen Jashari në Prekazin heroik ku policia serbe mori një goditje shembull. Ai kishte kuptuar që moti se liria vjen vetëm nga qëndresa e bashkuar kombëtare dhe ishte i vëmendshëm ndaj tërë zhvillimeve të kohës. Pas sulmit të parë mbi Jasharët, nga ku u kthyen të turpëruara forcat serbe, ndodhën Qirezi, Likoshani, më pas lufta vigane deri në vetësakrifikim heroik e Jasharëve në Prekaz. Sidomos kjo e fundit, lufta dhe rënia heroike e Adem Jasharit me familje në mars të vitit 1998, bënë që Hamdiu të mendonte seriozisht për kohët që po vinin. Ai bëri një lloj mobilizimi, të themi familjar por, siç thoshte ai, nuk duhet qëndruar duarkryq. Njërin djalë veç e kishte aktivizuar në UÇK, po ashtu edhe të tjerët ishin të përgatitur psikikisht dhe qëndronin në gatishmëri.
Lufta filloi të zgjerohej. Ofensiva e parë serbe në Lubovec të Drenicës (atje Hamdiu e kishte një vajzë të martuar) ishte e rëndë. Dhëndri i Hamdiut që ishte aktivist dhe i mobilizuar në kuadër të UÇK-së kishte nisur familjen për në Vinarc, për strehim te Hamdiu. Ai e kishte ngarkuar familjen në një traktor. Duke shkuar drejt Vinarcit, në Zhabar, traktori aksidentohet me një automjet të policisë serbe, me ç’rast vajzës së Hamdiut i thyhen të dyja këmbët, ndërsa i lëndohet edhe nipi, Rrezarti dyvjeçar. Ngasësi i traktorit kishte ikur nga vendi i ngjarjes me sugjerimin e disa njerëzve që qëlluan në vendngjarje. Disa miq të Hamdiut i kishin bartur vajzën e Hamdiut me kalamajtë e saj deri në Vinarc. Meqenëse vajza e Hamdiut kishte thyerje të dy këmbëve dhe kishte dhimbje të tmerrshme, ishte i nevojshëm trajtimi mjekësor. Atë u detyruan ta dërgojnë në Prishtinë pas dy ditësh. Në Spitalin e Prishtinës, që ishte nën masat e dhunshme, me personel serb, për shkaqe të sigurisë, e paraqitën si një rast i rrëzimit nga shkallët me qëllim që të mos kuptohej puna e aksidentit me automjetin e policisë serbe.
Kulla e Hamdiut priste dhe përcillte mysafirë të shumtë. Ajo u bë edhe vendstrehim i shumë familjeve nga Drenica edhe për faktin se familja e Hamdiut kishte marrëdhënie miqësie me familje të shumta anekënd Drenicës.
Në fillim Vinarci ishte një fshat më i qetë dhe kjo bënte që familje të tëra nga zona e luftës në Drenicë të kërkonin strehim. Në këtë kohë në kullën e Hamdiut shpesh ishin mysafirë edhe pjesëtarë të UÇK-së. Nënë Hajria, një grua shumë bujare, me të dy nuset e dy djemve gatuante natë e ditë për mysafirët dhe të strehuarit që vinin përditë e më shumë. Kjo zgjati deri në kohën e bombardimeve të NATO-s mbi caqet ushtarake serbe.
Cenë Hamdi Hasani
Me fillimin e bombardimeve të NATO-s, më 24 mars, mbi ushtrinë serbe, ushtria, policia dhe paramilitarët serbë u egërsuan aq shumë sa filluan në përmasa të mëdha të zhvillojnë gjenocid mbi shqiptarët. Drama e madhe filloi në këtë kohë. Pas fillimit të bombardimeve të aleancës një pjesë e madhe e popullatës, që ishin strehuar në fshatrat shqiptare në anën veriore të Mitrovicës, filluan të largohen sepse vinin informata të llojllojshme për atë që do të ndodhte.
Hamdi Hasani qëndroi i pathyeshëm me familjen e vet dhe me disa mysafirë që kishin ngelur në kullat e tij. Djalin, Cenën, gjithnjë e kishte pranë. Kulla e tij tanimë po vëzhgohej nga policia serbe. Një ditë, pikërisht më 24. 04. 1999, forca të shumta policore serbe ia mësyjnë kullës së tij. I pari që i kishte vërejtur ishte Ceni. Ai i kishte treguar Hamdiut dhe ky kishte urdhëruar femrat që të iknin nga shtëpia pasi, siç u kishte thënë, nuk do të dorëzohej. Së bashku me grarinë kishte këshilluar edhe të birin, Cenin, të largohej. “Cen, o bir, shko sepse ti je i ri dhe duhet të jetosh, ndërsa unë kam vendosur të mos e lëshoj pragun e shtëpisë dhe dua të vdes me nder”. Cena nuk e kishte dëgjuar. Ai i kishte ngjarë të atit për nga guximi. “Jo, o babë, nuk të lë vetëm për së gjalli”, i kishte thënë i biri.
Hamdiu kishte një revole, Cena një pushkë gjuetie. Ndërsa gratë dhe fëmijët po zhvendoseshin më tutje drejt kullave të tjera të fshatit, policia po i afrohej kullës së Hamdiut. Ata u turrën në oborr dhe nuk e prisnin që para tyre do të shfaqej një burrë me mustaqe. Ato mustaqe mbase u kujtonin më shumë se një burrë të traditës, vetë komandantin legjendar të shqiptarëve, Adem Jasharin. Por, ky plak mbante vetëm një revole. Hamdiu i shkrehu plumbat një nga një mbi trupat e policëve serbë. Policët dhe çetnikët serbë e plagosën dhe mundën ta zinin të gjallë. Në ndërkohë Cena, nga nënkulmi i shtëpisë, shkrehu mbi ta nga arma e gjuetisë. Ai i plagosi në fytyrë tre serbë. Nuk kishte shumë municion, por edhe po të kishte nuk mund të bënte më shumë me një pushkë gjuetie. E kapën të gjallë edhe Cenën. Babë e bir i lidhën dhe i pushkatuan. Vdekja e tyre ishte një shembull heronjsh se si duhet qëndruar për pragun e shtëpisë dhe atdheun.
Atë ditë dukej sikur edhe moti po qante. Sipas dëshmitarit, Ibishit, pas kësaj gjakatarët serbë kishin kontrolluar përreth dhe kur kishin gjetur familjen e Hamdiut gjysmë ore më vonë, kishin pyetur nëse e njihte dikush këtë plak që ngjan në Adem Jasharin dhe djalin që ndodhej me të. Ishte lajmëruar nënë Hajria. “Ai është im shoq, ndërsa djali është im bir”, u kishte thënë ajo me serbishten që e zotëronte pasi kishte prejardhjen nga Pazari i Ri. Disa nga policët i kishin pasur fytyrat e lidhura me fasha të përgjakura. “E shikoni çka na kanë bërë terroristët”, ishin shprehur ata dhe i kishin urdhëruar të gjithë të iknin përgjithmonë në drejtim të Shqipërisë. “Të mos guxojë askush ta kthejë kokën këtej deri përtej Ibrit”, kishin urdhëruar ata mes të sharave dhe britmave. Kështu ka rrëfyer Ibishi për qëndresën heroike të Hamdiut dhe të Cenës, babës dhe birit që vdiqën me besa-besë për atdhe. Ai i kishte parë të gjitha nga ferishtet aty pranë në të cilat ishte fshehur. Pas luftës kjo dëshmi ka shkuar edhe në Tribunalin e Hagës. Me të dëgjuar për rënien e babait, Humdiut (66) dhe vëllait, Cenës (23), Dauti që kishte shkuar në Mikushnicë që ta huazonte një Kalashnikov, sipas porosisë së Hamdiut (ngjarjet qenë zhvilluar më shpejt), ishte kthyer me ca kushërinj dhe shokë dhe i kishte varrosur në oborrin e shtëpisë.
Sot ngrihet çështja e harresës së tyre. Si ndodhi të mos kujtohet atdheu për ta kur dihet si ranë faqebardhë. Ata ia kthyen pushkën armikut edhe pse e dinin se nuk do të mbijetonin. Ranë me besa-besë për ta dhënë shembullin që atdheu mbrohet me gjak. Ata e dinin se po vdisnin me nder, por nuk e kanë ditur se ne do t’i harrojmë sot në liri. Megjithatë, kjo tokë nuk lejon të mbretërojë përgjithmonë harresa. Hamdiut dhe Cenës u takon me plot meritë panteoni i heronjve të Kosovës.
Komentet