Një dekadë më parë titujt kryesorë të medieve vendase shkruanin për një aktor shqiptar që po lakohej në festivale ndërkombëtare të kinematografisë si ai i Venecias. Ishte Vladimir Doda. Në atë kohë kineasti i njohur Alessandro Rossetto e kishte përzgjedhur të riun lezhjan për rolin e Bilalit në filmin “Piccola patria”, fitues i disa çmimeve. Personazhi, një emigrant shqiptar në Itali gjendet përballë paragjykimeve, trysnisë, por edhe ëndrrave të ndrydhura…
Ishin vitet 2012-2013 kur mes angazhimeve akademike, studimeve në Udine dhe specializimit në “La Sapienza”, Doda përpiqej të bënte dhe punë sezonale, e pavarësisht kësaj kishte arritur ndërkohë të fitonte disa role në teatër, të merrte pjesë në festivale dhe të bindte Rossetton e stafin e tij, se ishte aktori i duhur. Pas këtij produksioni që rezultoi i suksesshëm, nuk u desh shumë që të fitonte besimin e një tjetër regjisori italian. Vittorio Moroni e zgjodhi për rolin e Spiros në filmin “Se chiudo gli occhi non sono piu qui”.
më e vështirë 10-15 vjet më parë të ishe i huaj në shtetin fqinj, e megjithatë artisti ishte ndër ata të rinj që, mes roleve që fitonte, vijonte të forconte formimin e tij akademik e njëherazi të përballonte jetesën me mund, duke treguar se shqiptarët nuk kishin asgjë më pak se të tjerët. Pas studimeve pasuniversitare Doda, ndoshta me sigurinë që do t’i jepte çdokujt një formim dhe talent i tillë, rikthehet në atdhe…, pa e ditur ndoshta se atdheu i tij do të bëhej edhe më i vogël se ç’ishte Italia për të huajin Bilal, që ai interpretoi.
Pavarësisht konditave fizike të teatrit “Migjeni”, i ftohti, shpesh mungesa e elektricitetit, pandemia, ajo që rëndonte më shumë për një artist që ka vullnetin dhe aftësinë për të krijuar është heqja e mundësisë për ta bërë këtë. Të huajt vijojnë ta zgjedhin ndërkohë për teatrin, si në shfaqjen “Vizita” të Davide Iodices, apo kinemanë si “I nostri ieri” i Andrea Papinit e të tjera produksione. Tregon kapacitetin e tij edhe në dramaturgji e regjisurë. Kujtoj këtu komedinë e artit “Princesha e Dyrrahut” që shkroi, vuri në skenë e interpretoi bashkë me aktorë të trupës së teatrit “Aleksandër Moisiu” pranë “Eksperimentalit”, duke sjellë me rigorozitet një standard tjetër të të bërit art skenik. Një ndërthurje e ‘backgroundit’ të historikut të teatrit me shqetësimet e aktualitetit në vend. Kush dëgjon historinë e tij mund të mendonte se në këto rrethana Doda do të ishte i përshtatshëm pse jo dhe për teatrot e Tiranës (si artist a drejtues vendoseni vetë). Por, jo! Madje, siç tregon ai tek “Ora e Betit”, do të pushohet pa paralajmërim edhe nga teatri “Migjeni”. Jo vetëm ai, por edhe kolegu i tij Simon Shkreli.
Dy artistë të talentuar, që kanë kontriubuar për teatrin “Migjeni”, për një frymë ndryshe, por që çalojnë, pasi nuk kanë fituar role, veçmas në audicione që nuk janë bërë. Drejtoresha e Kulturës në Bashkinë Shkodër Sara Smaja thotë me pak fjalë se ata që kontestojnë këtë vendim me shumë gjasa s’kanë parë shfaqje e aktorë me sy. (Sa keq mendon shumëkush veçmas kur ke të bësh me Sarën si”figlia d’arte”). Kolegëve Loredana Gjeci dhe Rafael Hoxha nuk denjon t’u përgjigjet në rrjetet sociale, por ndryshe ndodh me Ema Andrean me të cilën ka pasur edhe bashkëpunime, që i tregon se “indikatorët më të mirë për një trup teatrore janë regjisorët”. Regjisorët që nuk kanë zgjedhur aktorët në fjalë sipas Smajës “janë më të mirët në qarkullim dhe nuk u ndërhyn askush”. Pra, regjisorët tanë paskan nuhatje më të fortë edhe se të huajt, si përshembull Michele Casarin që i bëri dy artistwt pjesë “Il giocatore” të Goldonit (bashkëproduksione këto të “Migjenit” me Institutin Italian të Kulturës), hiq këtu mënjanë faktorët e tjerë mbi të cilët shpesh zgjidhen apo nuk zgjidhen aktorë të caktuar. Por, lista e shpërndarjes së roleve të aktorëve që sjell Smaja së bashku me kreun e Bashkisë së Shkodrës Benet Beci tradhëton dukshëm lidhur me regjisorët si “Zota” të pagabueshëm. Ky i fundit, ndryshe nga e drejtorja artiste që nuk përgjigjet, fshin në rrjetet sociale cdo pyetje, cdo koment, që bie ndesh me vendimin se Shkreli dhe Doda nuk duhet të jenë pjesë e trupës së teatrit të Shkodrës, sado pranë Migjenit të jenë.
Por a do të ishin të gatshëm dy zyrtarët më sipër të gjenin qoftë edhe një specialist të fushës që do të vlerësonte “efikasitetin” e aktorëve e të mbërrinte në këto rezultate?!
I vetmi që nuk është shprehur deri tani është zoti Arjan Çuliqi, që mund të thoshte të tijën jo vetëm si administrator, por edhe si regjisor. Kandidaturën e tij për drejtor të teatrit “Migjeni”, afro dy vjet më parë, Doda sicc tregon e paska pritur jo fort përzemërsisht. Shto këtu faktin se aktori ka qenë ativ në mbrojtjen e kauzave më të diskutuara si ajo e ruajtjes së godinës së Teatrit Kombëtar, Parkut të Butrintit etj., si zë kritik me ndërgjegje qytetare, nuk duket si aktor i përshtatshëm për standartet e trashëguara partiake. Ndërsa “mëkati” i Shkrelit është edhe më i pandreqshëm, pasi bashkëshortja e tij është në kahun e kundërt politik, si kryetare e Partisë Demokratike në Shkodër.
Nga forcat opozitare do të kisha uruar që të bashkëpunonin me sindikatat dhe t’i drejtoheshin Avokatit të Popullit, pse jo të mos shërbente mbështetja e kësaj ccështje për të rifituar besimin e qytetarëve se mund të kenë pritshmëri tek ato. Në të kundërt na mbetet ta kërkojmë opozitën brenda maxhorancës, sapo z. Erion Braçe të ketë zgjidhur problemet e konsumit të përditshëm ushqimor. Nga artistët uroj që të bëhen bashkë duke shënuar barrierën e parë për çdo hap që do të lehtësonte më pas deri edhe shkrirjen e mundshme të teatrit. Shpresoj që kjo mos të ndodhë, por e kemi parë që çdo gjë mund të ndodhë, sa kohë që qëndroni të përçarë!
Më kujtohet një dekadë më parë kur mediet shkruanin masivisht për shqiptarin në Festivalin e Venecias, për “Atdheun e vogël” të Bilalit, që sot bëhet atdheu i vogël i Dodës dhe i Shkrelit, papritur të huaj në teatrin e tyre…
P.s. Ilustrimi “Valixhja e emigrantit” e artistit Agim Sulaj.
