1.
Messhekull i ikur, tek paqja dridhej si një fletë e pashpresë vjeshte. Dhe, ndërsa Europa ndjente makthin që afronte, qyteti i vogël Saarbrücken,
i bënte sfidë drojës së kudoshtrirë e festonte.
“Heim ins Reich”, ishte brohoria e bredhtarëve të humbur që ktheheshin në shtëpi.
Ishte viti 1935 kur, Saarlandi, vërtetë, i dëshiruar gjakshëm kthehej në Votrën e tij.
Në fakt, Adolfi që, njëj kohe të dytë, do të shpallej kryedemon i Europës, i hidhte një hije e, natyrisht, i bjerrte legjitimitetin deklarimit referendar.
Veçse, 20 vjet më pas (1955), historia ripohonte në mënyrë të kulluar vullnetin e Saarlandit për bashkim me Gjermaninë, t’ëmën q’e priste!
Kjo është dita më gëzimplote, fliste i emocionuar e krenar në solemnitetin e bukur, kancelari Adenauer, personifikim i Orës së re të Europës.
Ndërkaq, para e mes dy referendumesh, Saarlandi shkruante me dhimbjen e vet një kronikë të lodhshme: okupim, emblema të huaja, sund i gjatë i të shéjtes perandori romake, mëtej, skeptër i Luit të 14 (Provincë e Saarit), intermexo mëvetësie dhe, tutje, shpatë e Napoleonit (Departament i Saarit) identitet provizor, administrim nga Liga e popujve.
Pastaj, ndërrim zotash sërish. Pjesë e Senatit të Prusisë një grimë kohë, më vonë aderim në Mbretërinë e Bajernit (1815-1918), e deri tek viti i Adolfit, njëherë dhe, së fundmi, tek viti i Konradit, herën tjetër!
Për të mbyllur biografinë e rrëzomave të pasosme, ishte hedhur dhe teza që (posi ministri i jashtëm amerikan W. H. Seward që kishte blerë Alaskën), Sarlandi të blihej nga Franca dhe perdja të binte përgjithmonë mbi fatin e keq.
Por, mjerisht, arka federale e moteve të hershme pasnaciste ishte gati bosh. Dhe Saarlandi duhej të parzmonte heshtjen me vështrim të mekur në stinët që alternoheshin në horizont.
2.
Nuk e di pse, por duke lexuar këto radhë nga një libër i madh (“60 minuta histori…”), më vinte vetishëm ngasja mbi një paralele të mundshme midis tij e Kosovës.
Histori e vjetër: Dardani, pjesë e Illyrisë, mësymje perandorie nga Perëndimi dhe i dy të tjerave, barbare, nga Lindja. Stemë e sovranizëm romak, mandej otomanë e sllavë, të egër e obskurë si rrallë ndonjëherë.
Mirëpo, ashtu si Saarlandi, Kosova ruante prorë një status të veçantë, megjithë krrokamën e korbave të zisë. Ishte Vilajet më vete që, madje, përfshinte territore të tërë shqiptare përreth.
Por, sërish, kjo veçanësi ishte krejt tjetërfare. Sepse, ndërsa ernat e Saarlandit rrëzonin shpesh stemat kalimtare, nata e Azisë ishte e gjatë: skllavëri, mort, harrim, makth, skamje, injorancë popullore, vargoj trupi dhe errësirë shpirti…
Aq e pambarim kjo natë, sa që njerëzia nuk e mendonin ndryshe fundin e saj, pos me fundin e botës…
Histori e re: vite të vonshme. Kosova mbetej prapë “zonë e veçantë” (Zhupaní,
Krahinë jugore, Kosmet, Autonomi…), një trup i huaj në tri krijesat sllavojugore me emër, territor dhe popullin e saj shqiptar q’e banonte qysh në fillim të Kohës gadishullin ballkanik.
Madje, përflitej (ndoshta pëshpërimë folklorike) se Amerika i kishte ofruar Serbisë pesë miliardë dollarë për të shitur Kosovën.
Por, edhepse Arka e Uashingtonit ishte plot, tregtiza gjeopolitike me ariun rus pranë, do dilte cung i zi n’mes të udhëmbarës arbnore…
Së mbrami, pas një kalvari apokalipse, do të shpallte pavarësinë e legjitimuar nga Flijimi dhe Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë. Dhe, kështu, pa ndërdyshje, përmes “Translatio imperii” do bënte zgjedhjen e vetme: të ndërkalonte në Perandorinë euroatllantike të lirisë…
3.
Tani përse kaq të errta asimetritë e Europës? Dhe, ndaj, kaq e vështirë e dramatike ndërkalesa, një “Heim ins Reich” shqiptar, gjithnjë i frymës libertare të Adenauerit?
Aq më tepër kur ai pati një faturë të rëndë morale, politike e finansiare për të shlyer!
Ndërkohë që Shqipëria nuk i detyrohet askujt për asgjë. Por, e kundërta, janë të tjerë që i detyrohen: gjak e liri të shkelur, tokë e hapsirë të prerë dhe histori e lumturi të vjedhur!
Sidoqoftë, epilogu saarlandas nuk solli një zgjim të bukur nga ëndrra ylberore.
Saarlandi fitoi “anschluss- bashkimin” e përvuajtur, por, njëkohësisht, do t’a humbiste prapë atë. Shmagjepsja kishte rezervuar hakmarrjen e saj.
Po si kështu?
E vakëta e romantikës konsumohet shpejt e vdes. Jetesa do ishte e vështirë. Saarlandi s’do arrinte të mbajë hapin e mirëqenies q’e besonte në Atdheun e madh!
Që këndej, a mund të kishte një këndvrojtim të tillë gjerman, i ftohtë e kalkulues, “anschlus
– bashkimi” i Kosovës dhe anëve të saj, me Shqipërinë mëmë?
Nuk e besoj. Nëse Saarlandi është tepër i vogël për Gjermaninë, Kosova me vise janë tepër të mëdha për Shqipërinë.
Për luksin e dyanshëm të egoizmit dhe shpërfilljes. E pra, për një thirrje fatale furtunash të reja mbi Dhéun e tyre!
R. K.
Komentet