“Ditën që erdhi haberi… dilni se erdhi E…”
Prisni se ngatërrova regjistër. E nisim sërish, da capo:
— Grua, doli dielli edhe për ne! Je abdejtuar me të fundit? Qeveria rriti rrogat e klasës punëtore dhe shtresave në nevojë, që ia marrsha të keqen!
Por, siç ndodh rëndom në familjet tona, entuziazmi i burrit që lexon titujt e lajmeve u përplas me muret e ftohta të realitetit që mban në dorë gruaja – ekonomistja e vërtetë e familjeve tona me buxhet të kufizuar. Ajo tundi kokën, pa asnjë shenjë gëzimi, dhe aty buzëqeshja më ngriu në fytyrë.
— Më pëlqen ky entuziazmi yt. Po kur ta mbash ti llogarinë e shtëpisë, do ta shohësh rritjen e vërtetë, — më tha me një zë që parashikonte stuhinë.
E ekzagjerove, – iu kundërvura unë. – Tani jemi në kohën kur mund të heqim dhe ndonjë lek mënjanë.
Pas kësaj ndërhyrjeje, me sa duket krejtësisht të pamotivuar, fytyra e gruas u nxi edhe më shumë.
— Sa kafe në ditë pi zotrote? — më pyeti ajo. Kështu nisi “seanca” e llogaritjes; jo me makroekonominë e ministrisë, por me mikroekonominë e bidonit të ujit.
— Dy, – iu përgjigja unë i habitur nga kthesa e gruas. – Të tretën ma ka ndaluar doktori se më ngrihet tensioni.
— Dhe sigurisht i shoqëron me nga një bidon ujë, apo jo?
Nënqesha hidhur. Hajde grua, hajde.
— Po ke parë të pihet kafja pa ujë? Dhe duhet nga ai i paketuari, se po pive nga ai i çezmës, të zë purtha e përfundon tek Infektivi.
Për çudinë time gruaja filloi të avanconte duke u thelluar:
— Po sa ujë paguajmë në muaj si faturë bashkie, e di? Eja të bëjmë një llogari bashkë.
Unë, i gatshëm në punët e shtëpisë, hapa kalkulatorin. Dava uji! Sa rëndoka në buxhetin e familjes?
— Sa ishte fatura e ujit këtë muaj?
— 22 mijë lekë.
Birinxhi. Çfarë janë 22 mijë lekë në fund të fundit? Hiçgjë
— Sa ujë me bidonë konsumojmë në muaj?
Nisa të mendohem.
-Besoj nja 13–15 nga ai 10-litërshi që, me 1200 lekë bidoni, na rezulton nja 20 mijë lekë të tjera.
Kishin ikur më shumë se 40 mijë lekë nga kuleta dhe nuk kisha kuptuar gjë.
— Po katër të rritur në shtëpinë tonë, sa ujë konsumojmë rrugëve, kafeneve apo në zyrë?
Shfryva. Se me këtë punën e matematikës nuk është se i kam pasur punët mirë.
— Po e lëmë me tre bidonë mesatarisht në ditë, nga ata që kushtojnë 700 deri në 900 lekë… — zëri filloi të më dridhej, llogaria po më shtrëngonte fytin.
Fluturuan dhe nja 80 mijë lekë. Bo, bo… u katandis kokoshi një thelë.
— E sheh? — ndërhyri ajo. — Të paktën 120 mijë lekë vetëm ujë! Pra, rreth 22 për qind e 500 mijë lekëshit shkon vetëm për të shuar etjen e për të larë surratin.
Kulmi! Ishim në mesin e dimrit, por gryka m’u tha. Vajta të rrëmbeja një bidon, por kur mendova koston, bërtita:
— Sikter me gjithë ujë! Edhe qumësht dhie të pinim, do na dilte më lirë!
Por nuk mbaroi me kaq. U hap thesi… dhe lista bashkë me të.
— Vazhdojmë me artikujt higjienikë, — vijoi bashkëshortja me tonin standard të ministres së Financave. Më kishte ardhur në majë të hundës dhe vendi s’po më nxinte.
— Po pse, moj grua, u sosën gazetat kështu?
Le që ne në gazeta punojmë, e kemi lëndën e parë falas.
— Eh, po kanë plumb! Mjekët thonë se plumbi është i keq për organizmin. Pastaj shtëpia ka nevojë për letër higjienike, peceta higjienike, solucione higjienike… ka lloj-lloj asortimentesh higjienike sot.
—Po te pjata e gjellës kur do shkojmë?
—Do vemë dhe aty, po prit se ka radhë puna.
— Lëre me kaq! — i thashë duke ngritur duart përpjetë, si i dorëzuar para fatit. —
Se e shoh që, kur të vijë puna te buka, do përfundojmë te misri foragjere, nga ai që përdoret si silazh për lopët e mushkat. Se për brekë, kanotiere e ndonjë bluzë për ndërresë, e kemi gjetur zgjidhjen te “Gabi”.
— Jo po doje edhe pushime në Jug ti…, — shtrembëroi fytyrën ajo, si për ta mbyllur përfundimisht bisedën dhe për ta zbehur deri në fund entuziazmin tim.
— Kështu siç përfunduam, do t’i marr çelësat e tarracës Bajramit. Blejmë dy karrige portative dhe një çadër dhe ja ku e bëmë plazhin, — propozova unë.
Gruaja buzëqeshi dhe aprovoi me një “OK”-ej të plotë.
—E sheh? Filluan të të vijnë mend.
Dhe unë për kompensim i dhashë një tjetër “OK”, sigurisht po aq të plotë.
Qeveria mund të shtojë zero në rrogat tona, por për sa kohë kostoja e jetesës galopon më shpejt se vendimet e Këshillit të Ministrave, ne do ta kapërcejmë gjithnjë me borxhe pragun e shtëpisë. Në fund të ditës, suksesi i një rritjeje rroge nuk matet me duartrokitjet në parlament, por me faktin nëse gruaja do ta tundë kokën për miratim apo si dëshpërim kur të shohë listën e pazarit.
Për momentin, dielli që “doli” mbi strehën e shtëpisë sonë u mbulua sërish nga retë e zeza të bidonëve me ujë, dhe… letrave higjienike.
/Gazeta Panorama







Komentet