VOAL

VOAL

Armë zjarri dhe silenciator, mijëra municione luftarake e uniforma policie, çfarë u gjet në banesën e Ervis Martinajt dhe dy xhaxhallarëve të tij

December 26, 2022

Komentet

“Nuk mund të ndërtohet Parajsa me muratorë të Ferrit”- Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Besim Ndregjoni: Këtë masakër do ta çojmë deri në Strasburg

Presidenti i Unionit të Integrimit të të Burgosurve Politikë Besim Ndregjoni ka deklaruar në studion e News24, se ajo që ndodhi ditën e djeshme në Kuvend në lidhje me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ishte kthim i Kuvendit dekada pas, në kohën e diktaturës.

Ndregjoni u shpreh se Unioni nuk do të qendrojë indiferent ndaj asaj që e quajti një katastrofë, ndërsa shtoi se hapi i radhës do të jetë ndjekja e çështjes në Gjykatën Kushtetuese e deri në Strasburg.

“Ishte një seancë e turpshme, një Kuvend që do t’ia kishte lakmi kuvendi i komunizmit. Nuk mund ta imagjinosh pas 34 vitesh që në një vend që promovon demokraci pa vlera, e kthen politikën në totalitare, sunduese dhe imponuese, me të cilën të detyrojë qytetarët të votojnë siç do partia.

Eliminimi i votës së lirë është diktaturë.
Nuk mund të ndërtohet parajsa me muratorë të ferrit. Nuk mund të ndërtohet demokracia me komunistë.Po të shkatërrosh votën e lirë ti nuk jem më shtet i së drejtës.

Ne si Union nuk do të qëndrojmë indiferentë ndaj kësaj masakre, do ta dërgojmë në Kushtetuese, madje deri në Strasburg”, tha ai.

(BalkanWeb)

Lindita Nikolla jep dorëheqjen nga posti i Kryetares së Parlamentit

Kryetarja e Parlamentit Lindita Nikolla ka njoftuar nga foltorja e Kuvendit se do të tërhiqet nga posti pas 3 vitesh në detyrë.

Nikolla njoftoi se largimi i saj ndodh për shkak të një situate personale shëndetësore, e cila ia bën të pamundur kryerjen e detyrës.

 

Deklarata e plotë:

Të dashur kolegë të maxhorancës parlamentare dhe të respektuar kolegë të opozitës parlamentare!

Këtu, sot, mbyllet shërbimi im trevjeçar në krye të Kuvendit, si rezultat i një situate personale shëndetësore, e cila ma bën të pamundur ta kryej detyrën e lartë të funksionarit të dytë të shtetit me angazhimin kërkues që kjo detyrë kërkon.

Jam përpjekur të jap më të mirën time çdo ditë, për të siguruar mbarëvajtjen e punës së këtij parlamenti. Pa i hyrë në hak askujt në këtë sallë.

Nëse dikujt i kam krijuar një përshtypje tjetër e siguroj se nuk ka qenë në asnjë mënyrë qëllimi im.

Nëse me ndokënd kam gabuar padashje i kërkoj ndjesë.

Nëse në momente të caktuara, aspak të lehta, kur kjo sallë ka përjetuar situata të palavdërueshme konflikti, kam qenë e detyruar të marr anën e arsyes dhe rregullores së këtij Kuvendi, këtë nuk e kam bërë si palë po si e para mes 140 të barabartëve.

Fatmirësisht, përtej akteve të politikës teatrale këtu në këtë sallë, ku kam marrë edhe ndonjë sulm të pamerituar verbal, nga puna jashtë kamerave më mbetet ndjesia e mirë e respektit që më keni dhënë që të gjithë ju. Ju falenderoj të gjithëve dhe shpresoj që të gjithë të keni të njëjtën mbresë nga unë.

Dua të falenderoj të gjithë administratën e Kuvendit për punën e madhe që bën çdo ditë në mbështetje të veprimtarisë parlamentare.

Dua të falenderoj të gjithë punonjësit e shërbimeve mbështetëse për përkushtimin e tyre në punë.

Dua t’ju uroj megjithë zemër të gjithëve ju që të keni motivimin, angazhimin e shëndetin e plotë për të vazhduar misionin fisnik të përfaqësimit të shqiptarëve. Po e mbyll me lutjen që të mos spekulohet politikisht me këtë largim timin të padëshiruar, por të pashmangshëm, sepse besoj që nuk ka asgjë më njerëzore, se sa pamundësia që më detyroi të ndërmarr këtë hap.

Shumë faleminderit me mirënjohje të thellë për kolegët që më dhanë privilegjin e besimit të tyre për këtë detyrë, për zgjedhësit që më dhanë votën e tyre për t’i përfaqësuar në këtë Kuvend, ku do bëj më të mirën deri në fund dhe për familjen time që më ka qëndruar pranë në çdo hap.

Tanimë do të kem më shumë kohë e mundësi t’u qëndroj unë më pranë si familjes, ashtu edhe zgjedhësve të mi.

Një mirënjohje e falenderim të veçantë kryetarit dhe kryeministrit tonë, si edhe shokut tim tanimë të vjetër të armëve, Edi Ramës, pa besimin dhe mbështetjen e tij të përhershme, qysh kur mora drejtimin e njësisë administrative numër 1 të Tiranës 17 vite më parë, nuk do të kisha arritur dot të bëja kaq shumë rrugë.

Gjithë të mirat për ju dhe famijet tuaja. Faleminderit edhe njëherë.

 

(BalkanWeb)

Rama terrorizohet nga Adriana Kalaja, urdhëron që të hetohet për ‘kanosje’

Ashtu siç paralajmëroi mbrëmë kreu i opozitës, Sali Berisha, duket se Edi Rama është terrorizuar nga deklaratat dhe denoncimet e Adriana Kalasë.

Për këtë arsye, Policia e Tiranës e ka referuar Kalanë në prokurori, duke e akuzuar për kanosje për shkak të detyrës.

Procedimi ka nisur për shkak të një deklaratë të saj në protestën përpara Bashkisë së Tiranës, ku deklaroi: “Ju e dini se mua nuk më lodh as mikrofoni, as pistoleta.

Jam këtu për t’i thënë ndokujt, mjaft u more me foton time me pistoletë sepse kam një foto më të bukur ku unë pistoletën e kam vënë në kokë të Edi Ramës”.

Për këtë deklaratë të saj, policia kërkon hetime për kanosje për shkak të detyrës të kryeministrit.

Mbrëmjen e kaluar, kreu i opozitës, Sali Berisha, deklaroi: “Edi Rama tmerrohet se mos po e vret Adriana Kalaja. Edi Rama urdhëron Taulantin e tij të shoqërojë në polici zonjën Kalaja, sepse fjalën e tij, kritikat, i konsideron shigjeta dhe plumba vetë, por jo më pak edhe e shoqja e tij, që u thoshte gazetarëve që po u bëni gjilpëra helmi burrit tim”.

Kujtojmë se Adriana Kalaja ka bërë një seri denoncimesh të forta, të cilat i ka depozituar edhe në SPAK, kundër Edi Ramës dhe Erion Veliajt. sn

Zëri i Amerikës: Ndryshimet në Kod, ekspertët zgjedhorë ‘fshikullojnë’ PD-PS: Dakordësim dypartiak, vjen për interesa personale

VOA/Ilirian Agolli

Në Tiranë, ndryshimet në Kodin Zgjedhor, që mësohet se po kryhen pas dakordësimit mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të opozitës, u pritën me reagime të ndryshme nga ekspertët e pavarur. Ndryshimet përcaktojnë listat e hapura të deputetëve në 2/3 e tyre si dhe mundësimin e votimit të shqiptarëve nga jashtë vendit përmes postës. Por, ndërsa vlerësojnë hapat për votimin e zgjedhësve nga jashtë, nga ana tjetër ekspertët pohojnë se listat e mbyllura në 1/3 e tyre po bëhen për interesa personale të politikanëve kryesorë dhe dëshmojnë mungesën e vullnetit politik të partive më të mëdha për zgjedhje tërësisht të hapura dhe demokratike.

Partia Socialiste dhe Partia Demokratike e opozitës mësohet se kanë rënë dakord për lista të hapura në 2/3 e tyre dhe 1/3 të mbyllura. Ato parashikohet të dorëzojnë në KQZ dy lista; listë shumemërore të fiksuar të kandidatëve, si dhe listën shumemërore të kandidatëve, që i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Lista e fiksuar renditet me shifra duke nisur nga njëshi, ndërsa lista shumemërore e kandidatëve me votim të parapëlqyer nga zgjedhësit vendosen në rend alfabetik sipas mbiemrave të tyre.

Ekspertët e pavarur që ndjekin prej shumë vitesh nga afër proceset zgjedhore në Shqipëri pohuan se ndryshimet e pritshme në Kodin Zgjedhor të dakordësuara mes PS-së dhe PD-së për listat e hapura në 2/3 e tyre dhe votimet nga jashtë vijnë si reagim ndaj vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, nuk përmbushin asgjë nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it mbi përmirësimin e procesit zgjedhor në Shqipëri dhe shmangien e shkeljeve të konstatuara në zgjedhjet e mëparshme.

“Problemet e ngritura nga zgjedhjet e mëparshme, që nuk po trajtohen janë abuzimet me burimet shtetërore, janë financat e partive politike, është frikësimi i zgjedhësve, është përdorimi i administratës gjatë zgjedhjeve. Për ta përmbledhur me një fjali; partia dhe shteti në Shqipëri, po bëhen një dhe kjo është në kundërshtim me dokumentin e Kopenhagës”, thotë për Zërin e Amerikës Dritan Taulla, përfaqësues i Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara.

Ekspertët shprehin shqetësim mbi të njëjtat sjellje shumëvjeçare të partive shqiptare si fajësimi i kundërshtarit politik për gjithçka, mungesë vullneti për zgjedhje demokratike, bllokime të vazhdueshme, sjellje joserioze dhe negociata të fshehta, jo të hapura dhe gjithëpërfshirëse siç kanë bërë thirrje institucionet ndërkombëtare.

“Listat do të jenë faktikisht të mbyllura. Jemi në të njëjtin stanjacion politik për sa i përket pjesës që monopoli dhe ekskluziviteti i listës do të jetë përsëri i kryetarëve të partive. Aty do të jetë preferenciale për kryetarin e partisë, do të jenë njerëzit më të besuar të tij dhe nuk u jepet qytetarëve mundësia që të zgjedhin deputetët që duan ata”, thotë për Zërin e Amerikës Gerta Meta, drejtuese e Shoqatës për Kulturë Demokratike.

Ekspertët vlerësojnë që ndonëse teorikisht në pamje të parë listat janë të hapura në 2/3 e tyre për kandidatët e votave parapëlqyese, metoda e re favorizon dukshëm kandidatët e listës së fiksuar në 1/3, pra paktikisht listat janë sërish të mbyllura në raport me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore, dhe kjo është bërë për qëllime personale të drejtuesve kryesorë.

“Ky qëndrim i shprehur në këtë dakordësim dypartiak vjen kryesisht për interesa personale. Me këto kam parasysh interesin e kryetarit të partisë, udhëheqësisë së partisë dhe njerëzit që kanë fuqi në parti, ata që janë figura kryesore në parti, që duan ta kenë të sigurtë mandatin”, thotë për Zërin e Amerikës Kristaq Kume, drejtues i Institutit për Sistemet Zgjedhore.

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara thekson se mungesa e vullnetit për dialog e kompromis të hapur politik, pamundësia për konsultim publik dhe gjithëpërfshirje, solli dështimin e radhës me reformën zgjedhore dhe mostrajtimin e problemeve madhore që vërehen në integritetin e zgjedhjeve sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, apo të aktorëve vendas që vëzhgojnë e vlerësojnë procesin zgjedhor.

Nga ana tjetër Koalicioni vlerësoi hapat e hedhura për të mundësuar votimin e shqiptarëve nga jashtë vendit.

“Mundësimi i votës së shqiptarëve jashtë vendit është një zhvillim jashtëzakonisht pozitiv. Është një formulë e propozuar për votim përmes postës, dhe pas disa akteve nga KQZ, Komisioneri Shtetëror ka thënë se kjo mund të bëhet nëse ligji vjen brenda korrikut”, tha zoti Taulla.

Ekspertët vlerësojnë se ashtu si edhe në zgjedhje të mëparshme, listat e fiksuara dhe të përgatitura nga kryetarët apo kryesitë e partive pritet të sjellin deputetë me cilësi dhe veprimtari të zbehta, të cilëve u kërkohet vetëm të miratojnë gjithçka që propozon drejtuesi i formacionit të tyre politik.

“Jemi përsëri në të njëjtën gjendje; këtu mendohet vetëm për qasjen e partive të mëdha politike dhe përsëri do të kemi firo të votave të qytetarëve, që nuk nuk do të konsiderohen. Partitë e vogla, ofertat e reja dhe lëvizjet e reja politike me këtë kuadër ligjor do të mbeten në vështirësi dhe përsëri do t’u kërkohen aleanca me partitë e mëdha, murin e të cilave ato kanë premtuar se do ta thyejnë”, thotë zonja Meta.

Nga ana tjetër, votimi i shqiptarëve nga jashtë vendit me postë vlerësohet nga ekspertët si risia më e rëndësishme në zgjedhjet e ardhshme, nisur nga fakti që Shqipëria është i vetmi vend në continent, që nuk e ka ende këtë mundësi, si dhe nga fakti që afro gjysma e votuesve në listat e KQZ-së nuk jetojnë në Shqipëri.

Por ata theksojnë se këto procedura duhen përsosur më tej në të ardhmen, se nuk mjaftojnë që shqiptarët të votojnë nga jashtë, por edhe të përfaqësohen në procesin ligjvënës.

“Dakordësia për ta realizuar deri në fund këtë gjë, siç kërkonte dhe Gjykata Kushtetuese, duhet përshëndetur, sepse më së fundi, në zgjedhjet e vitit 2025 edhe ne do të bëjmë pjesë ndër vendet që ua krijojnë mundësinë shtetasve të tyre që të votojnë pa qenë e nevojshme që të paraqiten fizikisht në qendrën e votimit”, thotë zoti Kume.

Ekspertët pohuan që këto bisedime të partive më të mëdha larg syve të palëve të interesuara për dialog konstruktiv, sjellin rezultate të papritura dhe plot dyshime në minutën e fundit dhe të padebatuara publikisht, ku zakonisht partia dhe shteti nuk janë qartësisht të ndara, duke cënuar parimet demokratike për zgjedhje të lira dhe institucione demokratike të konsoliduara dhe funksionale.

Këlliçi: Reagimi qytetar është i lartë, reagimi i opozitës do jetë dhe më i lartë

Opozita zhvilloi protestën e radhës kundër Erjon Veliajt pas skandaleve të njëpasnjëshme.

Anëtari i kryesisë së PD, Belind Këlliçi, tha se kjo protestë është e 18-ta dhe ështe e paprecedentë.

Belind Këlliçi: Të nderuar qytetarë, vini dhe protestoni pëpara tashmë para asaj që çdo qytetar tashme e di që është selia e grupit të strukturuar kriminal 5D dhe të inceneratorit Tiranë. E cila vijon të drejtohet nga një hajdut i pashembullt, nga një kryehajdut që quhet Erion Veliaj.

Të nderuar qytetarë. Vetëm nga kjo protesta e fundit në këtë javë, kemi zbuluar dy personazhe të reja të grupit të strukturuar kriminal të inceneratorit dhe të 5D. Së pari, ekziston një shtetas që quhet Elton Bualli, ky individ me të cilin jemi konfliktuar fizikisht kur vajtëm për të denoncuar në landfillin e Sharrës, ky individ që është denoncuar me dhjetëra herë nga foltorja e PD. Ky individ figuronte drejtor i inceneratorit të Tiranës, drejtor i inceneratorit në Fier. Personazh kryesor që komunikonte me bandën dhe për interesa të bandës.

Ky mori para për të ngritur edhe një serë me paratë e fermerëve nga programi IPARD, edhe këto para që vijnë për fermerët, do të duhej t’i vidhte inceneratori i Tiranës. Elton Bualli bashke me Stela Gugallen morën plot 310 mijë euro.

Por çfarë ka bërë SPAK-u, do të thoni ju? Kolegët e Erion Veliajt, edhe në ato 8 masa të lëshuara në javën e kaluar nuk kanë patur guxim që të përmendin emrin e këtij individi, i cili është lidhje e drejtpërdrejtë e Erion Veliajt në inceneratorin e Tiranës. I cili komunikonte me bashkinë e Tiranës në mënyrë periodike duke dhënë urdhra se ku depozitoheshin dherat, kush paguante para për dherat dhe kush nuk paguante para për dherat. Dhe menaxhonte punët e përditshme të Erion Veliajt në landfill.

Kemi bërë publike atë çfarë ka kërkuar Gjykata e Apelit të Posaçëm për t’u ardhur në ndihme kolegëve të Erionit në SPAK dhe kolegët e Erion Veliajt kanë vendosur të amnistojnë bandën e inceneratorit të Tiranës dhe bandës 5D.

…Kjo është një është një çështje përtej politikës, përtej të djathtës dhe të majtës. Kjo është një vjedhje e pashembullt. Kjo është një vjedhje që vetëm mediat e paguara nga paratë e inceneratorit të Tiranë me në krye hajdutin famoz Karlo Bollino nuk mundet t’i bëjnë jehonë.

Do të ndalemi pak te ky bandit. Ky bandit i kallëzuar në SPAK si hajdut i tokave publike të Tiranës dhe parave të buxhetit të shtetit, nga mëngjesi në darkë përdor një ngrehinë që e quan media për të goditur opozitën, për të shpifur ndaj opozitës. Ne mediat e Bolinos shihni se inceneratori i Tiranës është shumë i bukur….

Por këta banditë që kanë kapur politikën dhe institucionet shtetërore, kanë kapur pushtetin qendror dhe atë lokal, kanë kapur pushtetin mediatik do të duhet të marrin nga ne përgjigjen e merituar. Ne nuk tërhiqemi nga kauza e mbrojtjes së qytetit të Tiranës….

Edhe pse temperaturat janë të larta, reagimi qytetar është i lartë, reagimi i opozitës do jetë edhe më i lartë! sn

Hajdut tokash dhe fondesh publike- Protestuesit shënjestrojnë Bolinon

Qytetarët e Tiranës dolën sërish sot për të protestuar përpara Bashkisë së Tiranës.

Këtë herë, në shënjestër të pankartave të tyre ishte gazetari Karlo Bolino.

Edhe pse ai ka marrë toka dhe fonde publike, SPAK nuk e ka hetuar për shkak se është lidhje e ngushtë e Erion Veliajt dhe Edi Ramës.

Opozita ka denoncuar vazhdimisht aferat e Bolinos, që shërben si altoparlant i qeverisë. sn

Image

 

Reforma Zgjedhore- BalkanWeb siguron draftin e dakordësuar PD-PS: Më 2025 me dy lista kandidatësh!

Demokratët e drejtuar nga Sali Berisha janë dakordësuar me socialistët e Edi Ramës lidhur me reformën zgjedhore, ndërsa për herë të parë do të aplikohet varianti i një liste, ku pjesa e parë e saj janë emrat e fiksuar, ose të parapëlqyer dhe pjesa tjetër e emrave janë ata që do të “luftojnë’ për votat personale, për të shpresuar se do të marrin një vend në Parlament.

Gazetari i News24 Osman Stafa ka siguruar draftin e dakordësuar mes PD dhe PS, i cili pritet të votohet nga Kuvendi në seancën e së enjtes, e cila do të vijojë edhe të premten.

Referuar variantit të dakordësuar, 1/3 e listës së kandidatëve do të jetë e fiksuar, pra me emra që pavarësisht numrit të votave personale që kanë, nëse subjekti apo koalicioni që i kandidon, marrin mandatet për deputetë hyjnë të Kuvend.

Për ta thjeshtuar nëse në Qarkun e Tiranës janë 36 mandate deputetësh, 12 emrat e parë të listës së kandidatëve të një subjekti zgjedhor, janë emra të fiksuar, mjafton që forca politike të arrijë numrin e votave për të çuar në Kuvend 12 deputetë. Pas këtij numri rendor, do të ketë një garë të hapur mes emrave që renditen, duke hyrë në funksion ai që konsiderohet si votim “parapëlqyes”, që do të përcaktojë më pas se cilët emra do të marrin mandatin, referuar numrit të votave personale.

Referuar ndryshimeve që priten të miratohen, kandidati për deputet, i rregjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

Ky sistem që pritet të aplikohet për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 2025, as më shumë e as më pak, forcon rolin e kryetarëve të partive, që siç duket do të blindojnë me të besuarit e tyre, vendet e sigurta për deputet, sipas qarqeve, ndërsa pjesa tjetër e listës, është një “përplasje” brenda llojit, ku krahas votave të partisë, emrat që renditen në 2/3 e listës, duhet të sigurojnë edhe votat e tyre personale.

Varianti i dakordësuar i reformes se re zgjedhore

“Neni 67
Lista e kandidatëve të partive dhe koalicioneve të partive politike

1. Partia politike ose koalicioni zgjedhor, në kuptim të nenit 65, që është regjistruar në KQZ si subjekt zgjedhor për zgjedhjet në Kuvend, depoziton në KQZ për çdo zonë zgjedhore, jo më vonë se 50 ditë para datës së zgjedhjeve:
a) listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve; dhe
b) listën shumëemërore të kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

2. Emrat në listën shumëemërore të fiksuar të kandidatëve të subjektit zgjedhor paraqiten të renditura sipas rendit shifror, duke filluar nga numri një. Për koalicionet përbri emrit të kandidatit shënohet cilës parti i përket kandidati. Numri i përgjithshëm i kandidatëve në listën e fiksuar është i barabartë me numrin e mandateve për cdo zonë zgjedhore pjestuar për tre. Në rast se nga ky pjestim nuk rezulton numër i plotë mandatesh atëherë në rast se presja dhjetore si pasojë e pjestimit është e barabartë ose më e madhe se 0,5 lista përmbyllet me numrin e plotë pasrendës, ndërsa kur si pasojë e pjestimit rezulton presja dhjetore më e vogël se 0,5 lista shumëemërore e fiksuar e kandidatëve mbyllet me numrin e plotë pararendës.

3. Lista shumëemërore e kandidatëve që i nënshtrohen votimit parapëlqyes nga zgjedhësit është e barabartë me numrin e mandateve për çdo zonë zgjedhore. Renditja e kandidatëve bëhet sipas rendit alfabetik të mbiemrit për secilin prej tyre.

4. Kandidati për deputet, i regjistruar në një listë shumemërore në një zonë zgjedhore, nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

5. Kandidati për deputet, i rregjistruar në listën e fiksuar të partisë politike apo koalicionit nuk mund të jetë njëkohësisht edhe në listën shumëemërore të kandidatëve për deputetë që i nënshtrohen votimit parapëlqyes.

6. Për çdo zonë zgjedhore në zgjedhjet për Kuvendin një çdo tre emra të kandidatëve të listës së fiksuar i përket gjinisë më pak të përfaqësuar dhe një në çdo tre emra të listës shumëemërore që i nënshtrohet votimit parapëlqyes duhet t’i përkasë gjinisë më pak të përfaqësuar.

7. Për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore, kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë regjistrohen në KZAZ-në që mbulon njësinë e qeverisjes vendore brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. KZAZ-ja dorëzon një kopje të listës në KQZ brenda 48 orëve. Kandidati për kryetar të bashkisë dhe lista e kandidatëve për këshillat vendorë depozitohet në KQZ në rastet kur territori i njësisë së qeverisjes vendore nuk mbulohet nga një KZAZ e vetme.

8. Kandidati për kryetar bashkie apo për këshillin e bashkisë nuk mund të regjistrohet si i tillë për një zonë zgjedhore tjetër, qoftë edhe për llogari të një partie apo koalicioni tjetër dhe as si i propozuar nga një grup zgjedhësish.

9. Në zgjedhjet për këshillat bashkiakë një në çdo dy emra të njëpasnjëshëm në renditje të kandidatëve të subjekteve zgjedhore duhet t’i përkasë së njëjtës gjini.

10. Në rast mospërmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen, në lidhje me përbërjen e listës shumemërore KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi.”

(BalkanWeb)

Blushi: Nesër ora 11:00 në protestë, vendi i Erion Veliajt është në qeli jo në bashki

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Tedi Blushi ka bërë thirrje për pjesëmarrje nesër në protestën tek bashkia e Tiranës në orën 11:00.

Blushi shkruan se vendi i Erion Veliaj është në qeli dhe jo në bashki.

Thirrja e Tedi Blushit:

Të bashkohemi të gjithë nesër, në ora 11:00, para Bashkisë së Tiranës, monumentit të korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, për t’i treguar Erion Veliaj se vendi i tij është në qeli, që nga zyra që ka marrë peng me vota të vjedhura do të dalë me çdo çmim, se as mercenari ordiner Dum-Dumani, as McGonigalët, as antiplumbi, as badigardët, as atentatorët tartabiqë dhe as çingijet e propagandës mediatike nuk e shpëtojnë dot!

Erion Veliaj është i pashpresë!

Erion Veliaj do të paguajë për çdo lot të fëmijëve që ju shembi brutalisht shtëpitë, për çdo taksë djerse që vodhi, për çdo dhunë që ushtroi, për çdo hapësirë publike që shkatërroi, për çdo krim që ka kryer!

Kjo është betejë pa kthim!

Gjaku i Ardit Gjoklaj nuk falet! Korrupsioni skizofrenik me inceneratorin fantazmë dhe organizatën kriminale 5D nuk do të amnistohen kurrë! sn

Kalaja paralajmëron arrestimin e Erion Veliajt: Brenda korrikut! ‘Surpriza’ edhe më datë 27!

Aktivistja dhe avokatja e njohur Adriana Kalaja, drejtuesja e njohur e protestave kundër korrupsionit përpara bashkisë së Tiranës, ka paralajmëruar sot arrestimin e afërt të kryebashkiakut socialist Erion Veliaj, i cili, siç u shpreh ajo, e ka mbyllur tashmë historinë e vet, por brenda korrikut do ta mbyllë edhe ligjërisht. Madje, në datën 27 korrik priten edhe “surpriza” të tjera nga SPAK.

Zonja Kalaja ishte e ftuar sot në emisionin Kafe Shqeto në SYRI TV për çështjen e kullave që po projektohen të ndërtohen edhe në Shkodër dhe ndër të tjera, iu bënë edhe këto pyetje nga moderatori.

Flavio: A ka metoda të tjera për të pastruar parët përveç kullave? P.sh. gjysma e Italisë, është e pllakosur nga ndërtesa gjigante bosh.. lagje të tëra.

Kalaja u përgjigj: Po edhe Shkodra është thuajse me ndërtesa pafund bosh dhe po flasim për pallate që shkojnë në 5-6 kate. Shikojmë dhe në Tiranë. Në Tiranë, të deklaruara, 58 mijë apartamente bosh e tani janë bërë edhe më shumë. Por po vijohet çdo ditë: shikojmë si hapet një gropë aty, hapet një gropë këtu. Tani, kjo është një nga strategjitë e pastrimit të parave. Institucionet më te besueshme kombëtare kanë deklaruar që 60% e financimit është jo i ligjshëm. Pra, vetëm kjo shifër duhet të na zgjojë nga kjo apatia që themi se “hë, po e deshi Edi Rama e bën”.

Jo! Ne duhet ta ndryshojmë këtë mentalitet!e them me plot gojën që ne duhet ta ndryshojmë këtë mentalitet sepse me të vërtetë ne ishim një grusht njerëzish aty te Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, por… jo se kemi arritur shumë, por kemi arritur dy gjëra shumë të rëndësishme: kemi fituar betejën morale me pushtetin, kemi fituar edhe betejën ligjore!
Ne, nëse do ta kishim lënë këtë gjë, “se kështu do Edi Rama, se kështu do Erion Veliaj”, sot kullat do të kishin mbaruar. Të jemi koshientë! Sepse strategjia për kullat në qendër të Tiranës, te Teatri Kombëtar…

Flavio: Pra, po thoni që rezistenca duhet?

Kalaja:  Se sot, akoma, akoma, Erion Veliaj, që besoj se brenda këtij muaji do të marrim edhe habere shumë të mira, që do të shkojë aty ku e meriton, akoma nuk ka hapur gropën.

Flavio: Po thoni që brenda korrikut arrestohet?

Kalaja: Brenda korrikut Erion Veliaj (e ka mbyllur historinë me kohë) por brenda korrikut edhe ligjërisht! Do të shkojë aty ku…. Dhe unë e mbaj përgjegjësinë për këtë që deklaroj. Do të kemi surpriza edhe më datë 27, i nderuar!/SYRI.NET

I shfrytëzonin vajzën e mitur si prostitutë, flet nëna: Unë e çoja në shkollë, ata e merrnin me motor

Dëshmon nëna e vajzës 16-vjeçare që shfrytëzohej si prostitutë nga Marsel Baçi, 26 vjeç.

Siç ka dëshmuar nëna e vajzës, krejt ngjarjen e rëndë e ka zbuluar kur një fqinje i ka treguar se e kishin marrë adoleshenten me motor.

‘Më tha një grua në fshat që iku me motorr. Ajo nuk më tregonte se i ka thënë ai mos trego.

E ka kërcënuar. Më tha vajza që do mbytem, i thashë çfarë bëre ti që të mbytesh. E gënjente ai, unë e çoja në shkollë, ai e merrte me motorr.

E pashë që vinte këtej lart dhe i thashë mos hajde më. Më tha që më ngacmonte gjithmonë. Vinin këta nga Podgoria me motorr.

S’kam njeri tjetër, jetoj vetëm me mamanë. Vajza është në Tiranë, do vazhdojë shkollën atje. Do ta çonin te doktoresha’, ka thënë për mediat, nëna e vajzës 16-vjeçare që shfrytëzohej si prostitutë nga Baçi.

Në pranga bashkë me 26-vjeçarin Marsel Baçi është vënë edhe Selam Hyka 41 vjeç. sn

Bledar Koka: Jemi drejt një tjetër kasaphane! PD të refuzojë asgjësimin e koalicioneve

Gazetari Bledar Koka u shpreh se zgjedhjet në Shqipëri rrezikojnë të shkojnë drejt një tjetër kasaphane.

I ftuar në ‘Now me Erla Mëhillin’, Koka theksoi se Partia Demokratike nuk duhet të dalë nga Komisioni Zgjedhor pa zhbërë fillimisht nenin të cilin ai e cilësoi antidemokratik që eliminon koalicionet.

Koka: Ne duhet të flasim e të analizojmë situatën në vendin ku jetojmë e me problematikat që ka, me dramat që na raporton jo opozita, por raportet e OSBE. Pyetja që kam për opozitën është çfarë po bën në tryezë me Damian Gjiknurin, ai është i njëjti që bëri “tërmet” në Dibër, është i njëjti që bëri marrëveshjen.

Ti nuk e zgjedh dot kundërshtarin, por zgjedh dhe imponon kërkesat që ke për kundërshtarin. Nëse Parti Demokratike del nga reforma zgjedhore pa zhbërë nenin anti-demokratik që asgjëson koalicionet në Shqipëri ne po shkojmë drejt një kasaphane tjetër. Koalicionet janë të rëndësishme.

FOTOLAJM- A mban Erion Veliaj antiplumb

Në një foto te marrë dje gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës, duket qartë se kreu i kësaj bashkie Erion Veliaj mban antiplumb.

Se nga kish trembet dhe nga çfarë ka frikë kreu i bashksië së kryeqytetit këtë nuk di njeri ta shpjegojë por në imazhin që po publikojmë duket se Veliaj ka një antiplumb poshtë xhaketës. sn


Send this to a friend