Edhe tetë-nëntë javë pas zgjedhjeve të 8 qershorit 2014, edhe rreth tri javë pas konstituimit të Kuvendit të ri të Kosovës dhe fillimit të Legjislaturës së tij V, institucioni Sovran i Republikës së Kosovës vazhdon të jetë me licensë të pezulluar.
Përgjigja ndaj pyetjes së mundshme pse nuk po zhbllokohet Kuvendi i ri i Kosovës dhe nuk po lejohet të fillojë veprimtarinë e tij, mund të gjendet vetëm në kontekstin e poshtëshënuar:
Kuvendi i ri i Kosovës, siç është përmendur shpesh këto ditë e, tashmë, këto javë, në një ndër veprimet e tij të para ka për të miratuar Gjykatën Speciale, e cila do të merret me lëndën e raportit të prokurorit Williamson.
Komentet nga vetë politika e Kosovës, nga të gjithë krahët e saj, kanë qenë pozitive ndaj hapjes së kësaj gjykate. Krejt të ndryshme, në fakt, me komentet e grupeve të interesit pranë qeverisë në largim.
E udhës do të ishte që vonesat për krijimin apo për mbarëvajtjen e Gjykatës Speciale të Kosovës të mos i vonojnë, të mos i pengojnë, pak më shqip – të mos i mbajnë peng zhvillimet e Kosovës. Nuk ka asnjë arsye thelbësore pse Kosova të bëhet më tej pjesë e fatit të atyre që nuk e meritojnë.
Nga Kuvendi me përbërje të re do të dilnin institucionet e reja të vendit, së pari, sa më shpejt – do të dilte Qeveria e re e Kosovës. Janë një mori reformash urgjente për t’u ndërmarrë nga këto institucione të reja, nga të cilat, ndër më urgjentja, reforma zgjedhore. Shumë faktorë, të Kosovës dhe perëndimorë, kanë përsëritur se Kosova, me mendje në kokë, nuk mund të hyjë më në kurrfarë zgjedhjesh me ligjin zgjedhor në fuqi.
Vonesa e licensimit të Kuvendit të ri të Kosovës, pra lejimit të veprimtarisë së tij, sjell paralizën e të gjitha institucioneve të Kosovës, praktikisht paralizon jetën e Kosovës. Por kjo deri sot është gjetur si e vetmja rrugë për të vonuar edhe krijimin e Gjykatës Speciale.
Natyrisht, kështu është dëshmuar mungesë e plotë e mendimit krijues, çka është më pasoja për të gjitha proceset e Kosovës.
Ndërkohë ka marrë sërish hov propaganda e para 8 qershorit se vetëm një qeveri e kryesuar prej PDK, mundësisht një Thaçi 3, do të sillte institucione bashkëpunuese me Gjykatën Speciale, çka është tejet e pabazë dhe tejet boshe qoftë edhe thjesht si propagandë.
Kjo propagandë është në sfondin e strategjisë së mbylljes së Legjislaturës V të Kuvendit të Kosovës ende pa filluar, fikja e saj qysh në embrion, çka do të përbënte, në të vërtetë, vetëm hallkën e parë të zinxhirit të vonesave të reja në krijimin dhe funksionimin e institucioneve të Kosovës.
Një realitet i tillë i nxjerr krejtësisht jashtë loje institucionet vendëse të Kosovës. Dhe do të krijonte precedentin e rifillimit nga zero.
E gjitha të lë, përfundimisht, përshtypjen se, kur është marrë vendimin për të shmangur votën e 8 qershorit apo për ta shfuqizuar votën e 8 qershorit, nuk është parashikuar rrugëdalja nga situata që krijohet nga ky vendim, nuk është menduar edhe shmangia e pasojave negative të afateve të ndryshme. Është menduar, pra, vetëm zgjidhja e atypëratyshme, zgjidhja e çastit, por nuk është menduar më tej. Ka munguar çdo vizion.
Kështu që, edhe sot e kësaj dite, kushedi edhe për sa kohë, kemi dhe do të kemi pa licensë veprimi Kuvendin e ri të Kosovës të dalë nga vota e 8 qershorit 2014, rrjedhimisht Kosovën e kemi pa institucione. Këtë do ta vuajnë, para së gjithash si precedent, të gjitha institucionet e reja të Kosovës, së paku në legjilaturat e afërta.
Prandaj dhe ky shkrim, si asnjëherë, nuk mëton as nuk merr përsipër të propozojë rrugëdalje dhe nis që në titull me përmbyllësen ‘prandaj’.