Evropa që dilte nga Lufta e Dytë Botërore duhej të përballej me shumë probleme, i pari nga të cilët qe një rindërtim i thellë material dhe moral. Gabimet e pasluftës së parë nuk duhej të përsëriteshin, ndasitë mes shteteve duhej të reduktoheshin në maksimum. Për të gjithë shtetet perëndimorë ishte e qartë se Gjermania e mundur duhej të përfshihej sa më shpejt në skenën ndërkombëtare. Natyrisht, probleme të reja përvijoheshin në skenarin evropian dhe botëror, jo më i pakti “lufta e ftohtë”, e cila ishte duke e ndarë botën në dy blloqe që i kundërviheshin njëri-tjetrit, të udhëhequr nga SHBA dhe Bashkimi Sovjetik. Domosdoshmëria e një forme uniteti evropian qe tashmë shumë iminente, por ndërkohë strategjitë, madje mund të themi “pozicionet filozofike” mbi atë çfarë duhej të ishin Shtetet e Bashkuara të Evropës qenë të ndryshme. Eshtë folur tashmë për kontrastin mes federalistëve dhe konfederalistëve, ose thënë më mirë mes konstitucionalistëve dhe unionistëve (të parët promotorë të një kushtetute të re evropiane, të dytët më të prirur për një union liberal mes shteteve): nuk ka asnjë dyshim që nuk ishte e mundur (dhe nuk është as sot) të bëje pa entitetin shtetëror, konceptin e shtetit-komb. Në fundin e viteve ’40-të, pas një përplasjeje shumë të fortë mes kombeve e nacionalizmave, perspektiva e një reduktimi të pushtetit shtetëror ishte një hipotezë futuriste. Thelbësore për të kapërcyer impasin e krijuar nga ajo përplasje mes unionistëve dhe konstitucionalistëve ka qenë puna e personazheve si Monnet, De Gasperi, Schuman dhe Adenauer. Forcat në kundërvënie ishin një e djathtë e prirur nga ide nacionaliste – kampion i padiskutueshëm i të cilës konsiderohet presidenti francez Charles de Gaulle – dhe lëvizja komuniste ndërkombëtare. Sa u përket këtyre të dytëve, edhe në dritën e zbulimeve të kohëve të fundit mbi marrëdhëniet e tyre të ngushta me Bashkimin Sovjetik, nuk mund të mos mendohej për një bashkim të fortë evropian, që ndoshta shihej si tym në sytë e kundërshtarit të madh moskovit. Solidariteti i partive të ndryshme komuniste me kishën ruse nuk mund të mos nënkuptonte një politikë obstruksionizmi kundrejt një bashkimi evropian aleat me SHBA. Lufta e ftohtë kushtëzoi në mënyrë të pashmangshme projektin evropian.
Në këtë skenar kundërvënie dramatike mes blloqesh, figura karizmatike e Uinston Churchillit shfaqet si një prej personaliteteve kryesorë që kërkuan të stimulojnë një formë uniteti evropian. Në gusht të vitit 1946, kryeministri britanik kish mbajtur fjalimin e famshëm në Universitetin e Fulton, në Misuri, në të cilin thoshte se “nga Stetino në Trieste kish rënë një perde e hekurt” dhe blloku perëndimor nuk mund të injoronte këtë situatë. Pak javë më vonë, në 19 shtator, Churchill mbajti një tjetër fjalim të rëndësishëm në Universitetin e Zyrihut. Shtetet e Bashkuara të Evropës – kështu deklaroi burri i shtetit anglez – ishin një domosdoshmëri historike. Etapa e parë e këtij revolucioni institucional duhej të ishte krijimi i një Këshilli të Evropës. Churchill aludonte për një union mes shteteve që dëshironin të aderonin, nën udhëheqjen e Francës dhe Gjermanisë. Ky union – i parë si një garanci paqeje e prosperiteti në skenarin e ri ndërkombëtar – duhej megjithatë të konsideronte përjashtimin e Britansië së Madhe.
Farën e kish hedhur tashmë një prej luanëve të mëdhenj të fitores së luftës së fundit. E pamundur të injorohej. Tre vjet më pas, në 17 mars 1948, nisën të vilen frutet e parë: “makina evropiane” ish vënë në lëvizje me firmosjen e Traktatit të Brukselit. Britania e Madhe, Franca, Belgjika, Luksemburgu dhe Vendet e Ulta ranë dakord për një bashkëpunim politiko-ekonomiko-ushtarak. Mes prioriteteve kryesorë ishte padyshim ai i organizimit të rindërtimit të një raporti të ngushtë mes shteteve perëndimorë, nën kuadrin ekonomik të krijuar nga Plani Marshall. Në fakt, në prill, vetë Sekretari i Shtetit i ShBA, Xhorxh Marshall, u bë promotor teorik i organizatës së parë evropiane të pasluftës, që në 1961 mori emrin OCSE.
Në mars u organizua një tjetër kongres i rëndësishëm në Hagë, presidenca e të cilit iu besua Churchillit. Haga – ku u mblodhën figurat politike, industriale, udhëheqës sindikatash dhe intelektualë evropianë – ishte një rast i mirë për të vënë zyrtarisht përballë pozicionet e unionistëve dhe konstitucionalistëve. “Pjellë” e këtij kongresi ishte Këshilli i Evropës, i cili lindi në 5 maj 1949. Një muaj më herët një tjetër organizatë, ushtarake dhe strategjike kish lindur: ishte NATO, në të cilën kishin aderuar thuajse të gjithë vendet e Evropës Perëndimore bashkë me SHBA dhe Kanadanë. Këshilli i Evropës pranoi në gjirin e vet edhe shtete neutralë (Austria, Zvicra e Sudeia) dhe vendosi si një prej objektivave parësorë një bashkëpunim më të ngushtë për “të ruajtur dhe nxitur idealet dhe parimet që janë trashëgimi e përbashkët, si dhe për të favorizuar progresin e tyre ekonomik dhe social”, angazhimin për një konventë evropiane të të drejtave të njeriut, si dhe realizimin e një qendre evropiane të kulturës. Në 10 maj, Ansambea e Këshillit të Evropës mbajti mbledhjen e parë në Strasburg.
Në këtë evolucion dukshëm të shpejtë nuk mund të mos merren parasysh dy erëra “kushtëzuese”, siç ishin grushti i shtetit në Çekosllovaki, vepër e komunistëve të mbështetur nga Moska dhe bllokada e Berlinit nga ana e BRSS. Kolosi sovjetik kallte frikë. Emergjencat ishin një bazë e mirë zhvillimi për idetë konstitucionaliste dhe federaliste evropiane. Kundërvënia ndaj bllokut sovjetik kërkonte, sigurisht, një bashkëpunim të fortë mes shteteve, por në të njëjtën kohë nuk mund të dobësohej shteti si entitet. Kështu që, nisi t’i hapet rrugë një politike minimaliste, e ndërtuar me hapa të vegjël e konkretë, më shumë se sa fortësisht utopiste. Hapi i parë, thelbësor u hodh në Francë. Në fakt, i dedikohet pikërisht veprës së Zhan Monesë projekti për një komunitet të përbashkët të qymyrit dhe çelikut. Pasi u konstatua opinioni i favorshëm i aleatit amerikan për një riafrim total të Gjermanisë Perëndimore, hipoteza e një riarmatimi gjerman dhe një pajtimi tërësor mes Gjermanisë dhe Francës nuk mund të mos kalonte nga një marrëveshje në fushën e burimeve energjetike (nyja antike e Ruhr dhe Saar). Propozimi i Monesë gjeti një aleat tek ministri i Jashtëm francez, Robert Schuman, i cili në maj 1950, në një konferencë shtypi shpalli idenë për të vendosur prodhimin franko-gjerman të qymyrit dhe çelikut nën një autoritet të përbashkët. Bëhej fjalë për një projekt teknik që mori emrin Deklarata Schuman dhe me të cilin, në fjalët e realizuesit të tij, “çdo lloj lufte mes Francës dhe Gjermanisë bëhet jo vetëm e paimagjinueshme, por materialisht e pamundur”. Pasoja e menjëhershme e këtij projekti është “filozofike”: që nga ky moment e tutje, kur një çështje e caktuar ndan disa shtete evropianë, zgjidhja e saj duhet të vijë jo nga marrëveshje dypalëshe, por nga krijimi i institucioneve të përbashkët me mjete të interesit të përgjithshëm. Nuk kish më marrëveshje ndërqeveritare, por “komunitare”.
Tashmë ish mbjellë fidani i parë i Komunitetit Evropian. Një tjetër aspekt thelbësor ishin modalitetit e hyrjes në këtë projekt: Komuniteti nuk lindi nga një akord unanim i të gjithë shteteve perëndimorë, por do të pranonte gradualisht të gjithë ata që ndërkohë do të donin të integroheshin. Një qasje pragmatiste ajo e Schuman, i cili kish kapërcyer polemikat e vazhdueshme mes unionistëve dhe konstitucionalistëve. Në të njëjtën kohë, në 24 tetor kryeministri francez, Rene Pleven, mori një nismë në fushën e mbrojtjes: është Komuniteti Evropian i Mbrojtjes. Projekti që parashikonte riarmatimin e Gjermanisë dhe angazhimin aktiv të saj – qe i destinuar të dështonte pavarësisht mbështetjes prej Ansamblesë së KE.
Në 30 gusht 1954, ishte paradoksalisht pikërisht Ansamblea Kombëtare franceze, që duke reflektuar skepticizmin e forcave politike franceze bojkotoi ratifikimin. Në dështimin e KEM nuk mund të mos konsiderosh rëndësinë e një situate të re politike ndërkombëtare dhe kombëtare franceze. Në 1953 u duk se vdekja e Stalinit do të shkaktonte një përmirësim të marrëdhënieve mes Lindjes dhe Perëndimit. Kësaj iu shtua pastabiliteti politik i Republikës IV franceze, kushtëzuar nga sjellja e kryeministrit Mendes France, krejt pasiv në debatin evropian, si dhe shumë pak luftarak sa i përket kundërshtimit të golistëve dhe komunistëve ndaj projektit mbrojtës superkombëtar.
Në 18 prill 1951, në Paris u firmos traktati themelues i KEQC.
Institucioni do të udhëhiqej nga një autoritet mbikombëtar, nga një Këshill Ministrash i përbërë nga përfaqësues të qeverive të shteteve anëtarë dhe nga një ansamble parlamenare. Raporti mes Autoritetit të Lartë dhe Këshillit të Ministrave erdhi pas një kompromisi të shkëlqyer mes dy vizioneve, federalist dhe konfederalist. Nga ky komunitet do të lindte Evropa e të Gjashtëve (Belgjika, Franca, Italia, Luksemburgu, Vendet e Ulta, Gjermania Perëndimore).
Vitet ’50-të ishin një periudhë plot avantazhe për progresin e idesë evropeiste, shumë më tepër se sa dekada pasardhëse. Pas suksesit të komunitetit, Evropa drejtohej tashmë për nga krijimi i institucioneve të tjerë të ekuilibruar sa u përket dy parimeve të ndryshëm evropeistë.
“Memorandumi Spaak” (që mori emrin e politikanit belg Paul Henri Spaak) në 1955 u bë baza e projektit të ri të Evropës, si dhe paralajmëroi krijimin e dy komuniteteve: i pari, tregu i përbashkët që përfshinte heqjen e pengesave e tarifave doganore, adoptimin e politikave të përbashkëta tregtare, si dhe “lëvizjen e lirë të punëtorëve, mallrave dhe kapitalit”; i dyti kish të bënte me zhvillimin e energjisë bërthamore për qëllime paqësore. Ky propozim u bë bazë e diskutimeve në dyvjeçarin që pasoi.
Në pranverën e 1956, Këshilli i Ministrave aprovoi raportin e Komisionit Spaak dhe nisën kështu në Bruksel negociatat për krijimin e CEE dhe EURATOM. Në këtë fragment historik duhet të konsiderohen disa ngjarje që pa asnjë dyshim kontribuarn në ndryshimin e klimës së gjendjes së krijuar pas dështimit të KEM për shak të Francës: mbi të gjitha evolucioni i Partisë Socialdemokrate gjermane, udhëhequr nga sekretari Ollenhauer drejt pozicioneve evropeistë, faktor që do t’i zgjidhte duart politikës së kryeministrit Adenauer; në vijim, humbja e golistëve (kundërshtarë të Evropës) në zgjedhjet e janarit 1956, që sollën lindjen e një qeverie franceze më favorizuese për diskutimin evropeist. Kriza e Kanalit të Suezit në Egjipt dhe ndërhyrja e armatosur sovjetike në Hungari në të njëjtin vit ishin më pas nxitëset vendimtare për “hedhjen me kokë” në projektin evropeist.
Suezi i kish vënë përballë një realiteti të ashpër francezët dhe anglezët: ekuilibrat e dy blloqeve të kundërvënë mes superfqive impononin një pax ruso-amerikan.
Kriza energjetike që pasoi ngjarjet e Suezit, si dhe presionet sovjetike e amerikane për të detyruar parashutistët anglo-francezë që të hiqnin dorë nga projekti i ndërhyrjes kundër Egjiptit, kishin shtrënguar shtetet evropianë që të mendonin si të mundur, të paktën në terma afatgjatë, mundësinë e një sistemi të përbashkët të mbrojtjes, i cili, duke menduar ngarjet e Budapestit bëhej i domsodoshëm: imperializmi sovjetik qe një rrezik konstant. Në 25 mars 1957, në Romë, qeveritë e Gjashtëshes firmosën dy traktate të rinj evropianë që i dhanë jetë CEE dhe Euratomit. 7 vjet më vonë, në prill 1965, një “traktat bashkimi” do të sanksiononte unifikimin e CEE, CECA dhe EURATOM.
Në mars të vitit 1958 do të mblidhej për herë të parë Ansamblea Parlamentare e përbërë nga 142 delegatë që vinin nga Parlamentet respektivë kombëtarë dhe që kryesohej nga Robert Schuman. Konsolidimi i Komunitetit Evropian do të ndodhte në 30 vitet që do të pasonin, gjithnjë me hapa të vegjël. Mbi të gjitha, do të rregjistrohej zgjerimi në të gjithë shtetet e Evropës Perëndimore
Fillimisht, komuniteti i sapolindur duhej të përballej me mosbesimin e Britanisë së Madhe, gjithmonë kulturalisht hezituese për të patur raporte shumë të ngushta me kontinentin. Ndërsa Shtetet e Bashkuara u demostruan që në fillim mbështetëse të forta të forcimit të Evropës në funksion antisovjetik. Vitet ’50-të u mbyllën me iniciativën e disa shteteve evropiane për krijimin e një zone të shkëmbimit të lirë rajonal, organizim që më vonë do të merrte emrin EFTA.
Vitet ’60-të premtonin të ishin vite ngjitjeje në ndërtimin e kështjellës evropiane. Në 1958, Charles de Gaulle qe kthyer në pushtet në Francë; ndonëse tashmë qe i prirur për një evolucion në drejtimin evropian, gjenerali karizmatik ndoqi gjithmonë një kurs të matur të afrimit me Evropën. Mosbesimi i de Gaulle, njeri i lidhur për shkak të formimit kulturor dhe breznor me ekuilibrat e vjetër gjeo-strategjikë të një bote tashmë në perëndim, shkonin kundër rivalit të përhershëm, Britanisë së Madhe. Natyrisht, ndikimi politik i Londrës mbi kontinentin nuk shihej me sy të mirë nga Parisi. Që nga viti 1961, qeveria konservatore angleze, e drejtuar nga Harold MekMillan, demonstroi një prirje të papritur drejt Komunitetit Evropian. Raportet preferencialë të Londrës me vendet e Komonuelthit e kushtëzonin diskutimin, sepse Londra do të donte të kish nga Evropa një trajtim të ngjashëm (dhe domethënë preferenciale).
Ndërkohë, politika goliste i kundërvihej gjithmonë me vendosmëri çdo lloj hipoteze mbikombëtare. Koncepti i qeverisë franceze bazohej në bashkëpunimin e privilegjuar, por francezët ishin shumë mosbesues ndaj krijimit të institucioneve evropianë. Plani Fushe, nxitur nga Franca, nuk është veçse reflektimi i këtij vizioni poliik, vë theksin në një bashkëpunim me bazë ndërqeveritare. Plani dhe strategjitë franceze nuk u pritën mirë në Uashington ku presidenti Kenedi u shpreh qartësisht në favor të unitetit evropian pa hezitim, për të krijuar një “partneritet mes të barabartish”, mes Evropës dhe SHBA, një tjetër shtyllë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. De Goli shihte në këto lëvizje amerikane dhe në raportin preferencial mes Uashingtonit dhe Londrës, rreziqe autentikë ndaj pavarësisë evropiane, e si pasojë edhe franceze. De Gol do t’i kundërvihej gjtihmonë hyrjes së Britanisë me të drejta të plota të KE. Në fillim të viteve ’60-të, gjenerali ndoqi një politikë afrimi me Gjermaninë për të ritheksuar rëndësinë e raporteve ndërqeveritare, por vendomëria e Bundestagut që konfirmoi besnikërinë ndaj NATO dhe CEE do të sanksiononte fundin e kësaj politike të bazuar vetëm mbi shtetet. Vitet e fundit të krenarisë së Parisit do të ishin braktisja e komandës së integruar të NATO, në maj 1966 dhe politika e “karrikes bosh” në Këshillin e Ministrave evropianë pas vendimeve të kompromisit të Luksemburgut të janarit 1966. Ky kompromis thoshte që, përballë përplasjeve ndërkombëtare duhej të kërkohej gjithsesi një konsensus i përbashkët, më pak i dhimbshëm për shtetet. Në fakt, Franca ishte për ndjekjen e interesave kombëtare. De Gol u largua nga pushteti në 1969.
Fundi i viteve ’60-të pa një ngritje të madhe morale të komunitetit.
Presidenca e re franceze e Zhorzh Pompidu rezultoi diametralisht e kundërt me atë të De Gol. Propozimi i parë i Parisit qe në fakt mbledhja e menjëhershme e një samiti evropian. Kështu që, në 1 dhe 2 dhjetor u mblodh në Hagë një samit që vendosi disa objektiva thelbësorë: zgjerimin e KE, përcaktimin e një unioni monetar dhe ekonomik, si dhe rihedhjen e hipotezës së unifikimit politik. Ishte praktikisht strategjia që do të çonte drejt Maastrichtit.
Në vitin 1973, Mbretëria e Bashkuar hyri përfundimisht në Komunitetin Evropian: referendumi i organizuar nga kryeministri laburist Harld Uilson sanksionoi fitoren e PO-së së hyrjes me 67.2 përqind të votave. Tashmë, KE mund të synonte zgjerimin drejt jugut. Rruga drejt Maastrichtit u shtrua prej Raportit Verner: në vitin 190, ai vuri theksin në rëndësinë e një tregu të përbashkët evropian, që do të kish në themel bashkimin monetar. Futja e një monedhe të përbashkët do të kërkonte krijimin e një organi qendror mbikombëtar për të marë vendime, si dhe bashkërenduar politikat ekonomike të shteteve të ndryshëm. Plani fiksoi edhe një kalendar që sanksiononte krijimin e bashkimit monetar në 1980.
Por kriza ekonomike dhe energjitike e 1973 e anoi këtë projekt.
Në vitet që pasuan, Franca dhe Gjermania nxitën për kriimin e një sistemi monetar evropian, që do të bazohej në një monedhë referuese të quajtur ECU.
Këshilli i Brukselit në dhjetor 1978 do të sanksiononte fitoren e kësaj ideje. Në mars 1979 u krijua kështu sistemi monetar evropian. Në 7 dhe 10 qershor të të njëjtit vit u zhvilluan të parat zgjedhje me të drejtë vote universale për në Parlamentin evropian, që do të mblidhej në korrik në Strasburg. Tashmë, fitorja e federalistëve dukej e sigurtë. Por, në fillimin e viteve ’80-të do të shfaqeshin pengesa të reja në horizont.
Zhak Delor, president i Komisionit Evropian nga 1985 deri në 1995 dhe Margaret Theçer, “zonja e hekurt” e qeverisë britanike, një euroskeptike e deklaruar, përfaqësuan dy këndvështrime kundërvënës në zhvillimin e ri evropian. Ngadalësimi i marshimit drejt Evropës përfundoi me krizën e euroraketave, një prej më të rëndave në kohën e Bllokut të Berlinit. Në vitin 1979, sovjetikët kishin pushtuar Afganistanin, duke hyrë kështu në Vietnamin e tyre personal dhe tashmë i kishin drejtuar raketat e tyre SS-20 për nga kryeqytetet perëndimorë. Në Poloni, gjenerali Jaruzelski vuri në jetë një grusht shteti. Ftohja Lindje-Perëndim solli edhe një herë një solidaritet perëndimor. Qeveritë që erdhën në pushtet në Evropë do të ishin të gjitha, përveç asaj britanike, haptas evropeiste (Miteran në Francë, Kol në Gjermani dhe Gonazles në Spanjë).
Në sallën e Parlamentit evropian do të rezultonte shumë i rëndësishëm aktiviteti i Alterio Spinelit, federalist italian i orës ë parë, i cili do të përpiqej fort për redaktimin e një projekt-traktati që do të sillte në jetë Bashkimin Evropian. Në këtë optikë, Parlamenti evropian fitoi rëndësi të re. Në shkurt 1986 u firmos Akti Unik, frut i një konference ndërqeveritare në vitet e mëparshëm. Akti Unik është praktikisht një reformim i Traktatit të Romës në 197: ai synonte shkathësimin e procesit vendimarrës brenda KE. Akti Unik parashikonte heqjen deri në 1992 të kufijve tregtarë e profesionalë brenda vendeve anëtarë të KE. Akti Unik, ndonëse një moment i rëndësishëm historik në procesin e bashkimit të Evropës, nuk u kursye nga kritikat, mbi të gjitha nga ana e federalistëve si vetë Spineli (“u mbars mali e polli një mi”).
Forcat konservatore të vendeve të ndryshëm akuzonin këtë projekt evropian si një burokratizim të tepërt: në fundin e viteve ’80-të nuk dukeshin të pakët euroskeptikët, të cilët druheshin se Evropa do të shndërrohej në një monstër burokratike larg interesave lokale. Ndërkohë, forcat e ashtuquajtura progresiste, nga ana e tyre, shihnin në Evropën që po lindte në teatër operacionesh liberiste.
Ndërkohë, zgjerimi i projektit evropian përfshiu edhe shtete të tjerë. Më 15 shkurt 1991, Çekosllovakia, Polonia dhe Hungaria firmosën një marëveshje bashkëpunimi që përfaqësonte të parin integrim rajonal që nga fundi i regjimeve komuniste në Lindje. Në 21 shkurt, Çekosllovakia u bë vendi i 25-të anëtar i Këshillit të Evropës. Në 19 qershor, Shqipëria mori pjesë në Konferencën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin Evropian. Nuk ka asnjë dyshim që rëna e regjimeve komuniste në Evropën Lindore në 1989 kish sjellë një ndryshim të thellë në skenarin ndërkombëtar. Në 9 nëntor 1989, bashkë me Murin famëkeq të Berlinit, ranë edhe të gjithë strategjitë evropeiste që konsideronin si terren veprimi vetëm Evropën Perëndimore. Në këtë moment erdhi edhe triumfi i Helmut Kohlit: bashkimi i dy Gjermanive. Një projekt ky që, në atë moment haste më shumë pengesa tek aleatët perëndimorë (e pavdekshme batuta e Xhulio Andreotit: “E dua kaq shumë Gjermaninë, sa dua dy të tilla”), se sa tek Moska e Gorbaçovit.
80 milion gjermanë të bashkuar shkaktonin frikë, Gjermania po shndërrohej në kombin më të fuqishëm të kontinentit, nga pikëpamja demografike e mbi të gjitha ekonomike. Koli po sforcohej gjithmonë për të siguruar aleatët, mbi të gjitha Francën. Në marshimin drejt Maastrichtit do të kish kohë edhe për një projekt në fushën e mbrojtjes mes Gjermanisë dhe Francës: në tetot 1991, Miteran dhe Kol u propozuan aleatëve evropianë një përforcim të UEO, si “pjesë integrale e procesit të bashkimit evropian”, natyrshëm pa kompromentuar raportet brenda Aleancës Atlantike, që mbetej prioritet.
Një Gjermani e re fitoi kështu në pak kohë të drejtat antike politike, territoriale dhe ushtarake dhe nisi kështu një politikë zgjerimi të KE drejt lindjes. 1991 – vit historik, mbi të gjitha për shembjen e Bashkimit Sovjetik – u mbyll me Këshillin Evropian të Maastrichtit në Hollandë. Samiti i të gjithë vendeve anëtarë të KE u mbyll me firmosjen e Traktatit të Unionit. Kjo marëveshje (300 nene, 17 protokolle, 36 deklarata) që duhej ratifikuar nga Parlamentet e 12 vendeve, parashikonte futjen e një monedhe të përbashkët deri në 1999. Përtej këtij hapi historik, Maastrichti paralajmëronte krijimin e një ane të përbashkët të Komunitetit Evropian, si dhe realizimin e një politike të përbashkët të jashtme dhe të mbrojtjes. Marrëveshje të rëndësishme do të arriheshin edhe në fushën fiskale e tregtare. Pas Aktit Unik, mbi të gjitha pas Maastrichtit, strategjia e hapave të vegjël dhe kompromisit qe ezauruar. Madje, me adoptimin e monedhës së përbashkët dhe një strategie të përbashkët të mbrojtjes, Maastrichti ishte tashmë një hap vendimtar në vizionin mbikombëtar. Evropa kaloi kështu nga një Komunitet, në një Union.
Fjalimi i Winston Churchill në Zyrih, 1946: “Le të ngrihet Evropa”
Dëshiroj të flas sot për tragjedinë e Evropës, këtij kontinenti fisnik… themelit të besimit kristian dhe etikës kristiane. Eshtë origjinë e pjesës më të madhe të kulturës, artit, filozofisë, dhe shkencës së kohërave të lashta dhe moderne. Nëse Evropa qe dikur e bashkuar në trashëgiminë e përbashkët, nuk kish kufi në lumturinë, prosperitetin dhe lavdinë që gëzonin 300 apo 400 milion banorë të saj. E megjithatë, pikërisht nga Evropa kanë buruar ato grindje të frikshme nacionaliste, që e kanë origjinën nga kombet teutonikë në fuqizimin e tyre, luftëra që kemi parë në këtë shekull e që edhe në kohën kur jetojmë shkatërrojnë paqen dhe gjymtojnë perspektivën e njerëzimit… Në zona shumë të gjera ekziston një masë e madhe qeniesh njerëzore të munduar, të uritur, të dërrmuar dhe të hutuar, që presin në rrënojat e qyteteve të tyre dhe shohin nga horizontet e errët për afrimin e ndonjë forme të re tiranie apo terrori.
BABEL
Mes fitimtarëve ka një balet zërash, mes të mundurve një heshtje e zymtë dëshpërimi. Këtë kanë marrë të gjithë evropianët të grupuar në kaq shumë shtete e kombe të lashtë dhe këtë kanë marrë të gjithë racat gjermanike, duke dëmtuar njëri-tjetrin dhe përhapur shkatërrim. Në fakt, po të mos kish qenë ajo republikë e madhe përtej Oqeanit Atlantik që kuptoi herët se shkatërrimi apo skllavërimi i Evropës do të mbërrinte dikur edhe atje, atëherë Epoka e Errësirës do të ish kthyer me të gjithë mizorinë dhe mjerimin e vet.
Sërish mund të kthehet. E megjithatë ka një ilaç që, nëse do të përdorej përgjithësisht dhe spontanisht nga shumica e popujve në shumë vende, do të transformonte si një mrekulli të gjithë skenën dhe në pak vite do ta bënte Evropën, apo pjesën më të madhe të saj, po aq të lirë e të lumtur sa është Zvicra sot.
Çfarë është ky ilaç? Eshtë rikrijimi i “stofit” evropian dhe t’i sigurohet atij një strukturë nën të cilën mund të përparojë në paqe, siguri e liri. Ne duhet të ndërtojmë një lloj Shtetesh të Bashkuara të Evropës. Vetëm në këtë mënyrë, qindra miliona punëtorë do të jenë në gjendje të rishijojnë gëzimet e thjeshtë dhe shpresat të cilat e bëjnë të vlefshme jetën.
Procesi është i thjeshtë. Nevojitet vetëm vendosmëria e qindra miliona burra dhe gra për të bërë gjënë e duhur dhe jo të gabuarën dhe si shpërblim të marrin bekim dhe jo mallkim.
… Nuk ka asnjë arsye përse një organizatë rajonale e Evropës të bjerë ndesh me organizatën botërore të Kombeve të Bashkuara. Përkundrazi, mendoj se sinteza më e madhe mund të mbijetojë vetëm nëse bazohet mbi grupime natyrorë. Ekziston tashmë një grupim natyror në hemisferën perëndimore. Ne britanikët kemi komonuelthin e kombeve. Këta nuk e dobësojnë, përkundrazi, e forcojnë OKB. Dhe janë në fakt mbështetja kryesore.
… Ne të gjithë dimë se dy luftërat botërore që kaluam, e kishin burimin tek pasioni i kotë i Gjermanisë së sapobashkuar për të luajtur një rol dominues në botë. Në këtë betejë të fundit janë kryer krime dhe masakra të cilat nuk kanë paralel, që nga koha e pushtimeve mongole në shekullin XIII. Fajtorët duhet të ndëshkohen…
Por pasi kjo të jetë kryer, siç do të kryhet, duhet t’i jepet fund ndëshkimit. Duhet të vijë ai që Gladstone e quajti vite më parë “Akti i bekuar i harresës”. Ne të gjithë duhet t’u kthejmë shpinën tmerreve të së kaluarës dhe duhet të shohim nga e ardhmja. Nëse Evropa duhet të shpëtojë nga mjerimi i pafund dhe në fakt nga fundi i saj, duhet të vijë ky akt besimi në familjen evropiane, ky “akt harrese kundër të gjithë krimeve dhe marrëzive të së kaluarës”.
… Tani dua t’ju them diçka që do t’ju befasojë. Hapi i parë në rikrijimin e familjes evropiane duhet të jetë një partneritet ndërmjet Francës dhe Gjermanisë. Vetëm në këtë mënyrë Franca mund të rifitojë lidershipin moral dhe kulturor të Evropës. Nuk mund të ketë ringjallje të Evropës pa një Francë të madhe shpirtërisht dhe pa një Gjermani të madhe shpirtërisht.
Struktura e Shteteve të Bashkuara të Evropës do të jetë e tillë që do ta bëjë më pak të rëndësishme forcën materiale të një shteti të vetëm. Vendet e vegjël do të kenë po aq rëndësi sa të mëdhenjtë, si dhe do të fitojnë nderin e tyre duke kontribuar në kauzën e përbashkët. Shtetet dhe principatat e lashta të Gjermanisë, lirisht u bashkuan në një sistem federal, kështu mund të ndodhë edhe me Shtetet e Bashkuara të Evropës.
KATËR LIRITË
Nuk do të përpiqem të ofroj një program të detajuar. Ka qindra miliona njerëz që duan të jenë të lumtur e të lirë, në prosperitet e të sigurtë, të cilët duan të gëzojnë katër liritë për të cilat foli Presidenti Ruzvelt, si dhe të jetojnë në përputhje me parimet e mishëruara në Kartën e Atlantikut. Nëse kjo është dëshira e tyre, nëse është dëshira e evropianëve nga shumë vende, ata mjafton ta thonë dhe me siguri që mund të gjenden mjetet për të ngritur makinerinë që do të plotësonte këtë dëshirë.
Por më duhet t’ju paralajmëroj. Koha mund të jetë e shkurtër. Për momentin ka hapësirë frymëmarrjeje. Topat kanë pushuar së qëlluari. Luftimet janë ndalur, por rreziqet nuk janë ndalur. Nëse duhet të krijojmë Shtetet e Bashkuara të Evropës, apo çfarëdo emri që do të kenë, duhet të fillojmë që tani.
Në këto kohë, ne jetojmë çuditërisht dhe të pasigurtë nën mburojën e bombës atomike. Bomba atomike është ende në duart e një shteti e kombi që e dimë se nuk do ta përdorë asnjëherë, përveçse në kauzat e lirisë dhe të drejtës, por mund të ndodhë që pas disa vitesh ky mjet shkatërrimi mund të përhapet dhe ai do të sillte jo vetëm një fund të qytetërimit, por edhe një shpërbërje të vetë globit.
Më lejoni tani të përmbledh propozimet e mia. Synimi ynë i pandryshueshëm duhet të jetë ndërtimi dhe forcimi i Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Brenda këtij koncepti për botën ne duhet të krijojmë familjen evropiane në një strukturë rajonale të quajtur – ndoshta – Shtetet e Bashkuara të Evropës dhe hapi i parë praktik do të ishte krijimi i Këshillit të Evropës. Nëse në fillim shtetet e Evropës nuk duan apo nuk janë në gjendje të hyjnë në union, ne megjithatë duhet të vazhdojmë duke afruar ata që duan dhe munden.
… Në këtë vepër urgjente, Franca dhe Gjermania duhet të marrin së bashku udhëheqjen. Britania e Madhe, Komonuelthi Britanik, Amerika dhe besoj, Rusia sovjetike duhet të jenë miq dhe mbështetës të Evropës së re, si dhe duhet të përkrahin të drejtën e saj për të jetuar. Kështu që, unë ju them: “Le të ngrihet Evropa”./ ELIDA BUÇPAPAJ Botuar më 11.25.2010
Komentet