“Në altar për herë të dytë me gjarprin” është fjali mungesore. Me kundrinor të thënë dhe kryefjalë të pathënë. Madje nuk ka nevojë që gjarprin ta vë mes thonjëzave teke ‘…’ apo çifte “…” as ta dalloj me nistore të madhe.
Jo rrallë këto kohë ne dëgjojmë nga mediat se filan bukuroshe, në filan metropol të botës, e dashuruar me ndonjë nga kafshët ekzotike shtëpiake, të shpallë martesën me aligatorin e shtëpisë, me gjarprin piton të shtëpisë apo me peshkun e ylbertë të shtëpisë.
E sjell këtë përqasje shkurtimisht për të dalë tek premtimi për martesë të dytë midis LDK-së dhe Hashim Thaçit, ky i fundit i njohur edhe me pseudonimin Gjarpri. E bëj këtë për të nënvizuar qysh në fillim përfundimin tim se kjo martesë e dytë e premtuar është e panatyrshme, është më e panatyrshme se martesa e parë.
Martesat me aligatorë, me gjarprinj apo me peshq të vërtetë janë martesa simbolike. Si të tilla, ato janë të pakonsumueshme. Ndërsa martesa mes LDK-së dhe Gjarprit hyn në martesat e konsumuara.
LDK-ja, nën petkun e Fatmir Sejdiut, ka bërë një martesë të mëparshme me Thaçin. Më 2007 kjo u arsyetua me interesat kombëtare të Kosovës në prag dhe në periudhën menjëherë pas pavarësisë. Bashkëqeverisja shkoi gjithnjë e më keq, por martesën nuk e zhbëri LDK-ja, e zhbëri Gjarpri. Kosova shkoi në krizë të thellë institucionale në shtator të vitit 2010, pastaj në zgjedhje të parakohshme, ku LDK-ja humbi edhe një të tretën e elektoratit të saj, edhe ai gati i përgjysmuar më 2007, falë veprimeve të papërgjegjshme të Sejdiut. LDK-ja nuk pati as vullnetin, as fuqinë për ta penguar asnjërin nga këto zhvillime.
Nga fillimi deri në fund kjo martesë mbeti e panatyrshme. Por LDK-ja u betua se kishte nxjerrë mësime që kurrë më të mos bëjë koalicion me PDK-në. Me këtë betim të saj dhe me këtë premtim të kryetarit post Sejdiu e të udhëheqjes së saj, LDK hyri edhe në zgjedhjet e tjera, të parakohshme, të 8 qershorit 2014.
Një vajtje e dytë në altar, siç u premtua më 19 nëntor, tingëllon si një ngjarje hollivudiane. Por, mjerisht, është më se prozaike, më se e panatyrshme, më se e përçudshme. Shumëkujt në LDK i ishte dukur, madje, e panatyrshme edhe marrëveshja e 10 qershorit e kësaj partie me AAK-në dhe Nismën (LAN) e zgjeruar pastaj me Vetëvendosjen (VLAN). Edhe ndërkombëtarët, përfshirë miqtë perëndimorë, edhe ata amerikanë, u befasuan, sepse kishin menduar se, ndoshta, edhe para 8 qershorit, do të kishte pasur një koalicion PDK-AAK.
Kjo hamendje, madje, u aktualizua edhe kësaj jave, kur mediat, sidomos rrjetet sociale u mbushën me diversionin propagandistik se AAK e tradhtoi VLAN-in dhe u bashkua me PDK-në. Haradinaj dhe AAK u dërguan në kryq. Ky ritual madje vazhdonte edhe kur në media zinte vend gjithnjë e më shumë lajmi se LDK dhe PDK ishin marrë vesh për koalicionin qeverisës. Brenda çastit, të njëjtët diversantë që kishin kryqëzuar Haradinajn dhe AAK-në për një vepër faji të hamendur, u hodhën në mbrojtje të Isa Mustafës dhe LDK-së për një vepër faji tashmë të kryer.
Marrëveshja PDK-LDK tingëllon aq e panatyrshme, sa do të tingëllonte e natyrshme marrëveshja PDK-AAK, PDK-Nisma, PDK-Vetëvendosje. Sepse mes këtyre partive dhe PDK-së ka vetëm hatërmbetje. Ndërsa LDK-ja ka një bilanc tejet të rëndë të shkaktuar nga PDK-ja. Do të dukej kështu sikur LDK-ja vuan nga sindromi kolektiv i Stokholmit.
Kjo është arsyeja pse unë, qysh gjatë pranverës së këtij viti, iu jam kundërvënë në LDK atyre, të njohur si sejdistë apo kriptothaçistë, që mëtonin se do të ishte i mirëpritur një koalicion i të mëdhenjve LDK-PDK në qeverinë e pas 8 qershorit, nën shembullin e SDU/SPDsë së Gjermanisë. Kam dhënë argumente të panumërta dhe mund të jepen argumente të pafundme pse koalicioni LDK-PDK është aq i panatyrshëm sa është koalicioni CDU/SPD i natyrshëm. Ky i fundit, sa herë që është përsëritur në realitetin gjerman, ka qenë i suksesshëm. Ngaqë në partitë perëndimore si CDU e SPD partneriteti shikohet si partneritet dhe jo si diversion, si mbytje e partnerit me të cilin vë kokën në të njëjtin jastëk, siç e shikojnë bizantinët e PDK-së. Kam argumentuar se sado bizantin mund t’i duket vetja kreut të LDK-së, ai nuk mund të jetë aq bizantin sa kreu i PDK-së.
Gjatë fushatës, e kemi të gjithë të freskët, LDK-ja i akuzonte të trija këto parti se pas 8 qershorit do të bëheshin me PDK-në. Por, ndërkohë, siç del, Lutfi Hazirët, bënin mësitnitë, pra kishin rolin e sekserëve, mes liderëve të këtyre partive para, gjatë dhe pas fushatës. E përmend Lutën, siç i thonë në Kosovë, sepse ai, po me mësitni, me shkuesi, thonë se e kapi vetë postin e kryetarit të Gjilanit.
Deri në çastet kur po hedh këto rreshta, ende PDK-ja nuk ka dalë me ndonjë vendim për të hequr dorë nga posti i kryeministrit. Është fare ngat mendjes që Hashimi të kërkojë të qëndrojë në karriken e kryeministrit deri në fund të vitit 2016, kur të kalojë në karriken e presidentit. Vetëm atëherë Isa Mustafa do të bëhej kryeministër.
Nëse konsumohet, edhe kjo martesë e dytë do të mbetet e panatyrshme. Dhe në LDK ajo do të kënaqë vetëm një rreth të ngushtë lëdëkëistësh që kanë punuar për Thaçin këto vite. Qeveria e re, edhe nëse do të ketë në krye liderin e LDK-së, në fakt vetëm sa do të ketë emrin e tij, sepse Kosova do të vazhdojë të qeveriset nga Hashim Thaçi.
LDK-ja ishte shumë e pakënaqur nga qeveritë e saj të kryesuara nga kryeministra me prejardhje nga AAK-ja. Ndonëse ajo atje e kishte shumicën dërmuese të ministrave. LDK-ja ishte e pakënaqur edhe kur kishte kryeministër të qeverisë në mërgim Bukoshin.
Isa Mustafa, nëse e merr tash apo në fund të vitit 2016 postin e premtuar nga Thaçi, do të ishte kryeministri i dytë që nxjerr LDK-ja. Është një realitet i dhimbshëm që partia e Ibrahim Rugovës, e Fehmi Aganit, e Xhemajl Mustafës, e Enver Malokut, e Ukë Bytyçit, e Sali Cekajt, e Smajl Hajdarajt e plot figurave të tjera, partia e intelektualëve të shquar, të mos ketë ende sot e kësaj dite kandidatura bindëse për kryeministra. Kjo ka ardhur vetëm falë mbylljes që iu bë LDK-së ndaj personaliteteve pas vdekjes së Ibrahim Rugovës, falë revanshizmit që u ndoq ndaj këtyre personaliteve sidomos nga Sejdiu.
Mungesa e theksuar e personaliteteve në udhëheqje, e bën edhe më të dyshimtë rolin që do të ketë LDK-ja në qeverinë e përbashkët me PDK-në. Kështu ajo do të jetë jo vetëm thellësisht e mbivotuar në Qeveri dhe në Kuvend nga PDK-ja dhe nga pakicat, por edhe do të jetë në hije të figurave nga partitë e tjera në këto institucione.
Të gjitha të dhënat tregojnë se marrëveshja e 19 nëntorit është një pabesi e madhe e LDK-së ndaj VLAN-it, aq sa është një pabesi edhe më e madhe ndaj anëtarësisë dhe elektoratit të saj, por edhe ndaj shpresave që kishin edhe të tjerët në Kosovë jashtë kësaj përkatësie.
Hashim Thaçi edhe këtë marrëveshje e bëri më 19. Ashtu si më 19 (prill) e bënte me Daçiçin. Duket se kjo datë ka domethënie për të. Ndoshta e mban si datë fatsjellëse. 19 nuk është një numër i bekuar në shkrimet e shenjta. Përkundrazi. Dhe është e vështirë të presësh që të jetë i tillë për Kosovën.
Nga sa kam mundur të mësoj nga lajmet që kam lexuar, marrëveshja e arritur me Hashimin e shpreh vullnetin e Isa Mustafës dhe të ekipit të tij të ngushtë. A do të ketë LDK-ja kësaj radhe prirjen, dëshirën apo fuqinë për t’iu kundërvënë këtij realiteti apo thjesht do të pajtohet me vullnetin e kreut të saj? Përgjigja ndaj kësaj pyetjeje ka të bëjë me të ardhmen e LDK-së sa dhe me të ardhmen e Kosovës.