Pak ditë përpara se të ndahej nga jeta, Ardian Klosi, të cilin e takova rastësisht në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke ecur një copë rrugë së bashku, më tha:
“Duke sjellë në mend tani Dorin (Teodor Kekon), kujtoj që, edhe se ishim thuajse moshatarë, ne nuk kemi qenë miq, por njiheshim prej shumë vitesh, dhe, kur takoheshim bisedonim aq sa mund të bisedojnë dy njerëz kur takohen rastësisht. Nuk e di, kjo ka ndodhur ndoshta se për disa vite unë nuk isha në Shqipëri, por, për një gjë jam i sigurt edhe sot: sa here takoheshim, bisedonim me dëshirë e kënaqësi edhe se mund të mos ndanim gjithnjë e për gjithçka të njëjtat mendime…”
Pastaj, disa hapa i bëri në heshtje derisa, në një moment ndaloi dhe më tha duke më parë në sy: Meqenëse ti mbledh gjithçka lidhet me Dorin, do të të jap një dokument interesant. Ai është për mua, por dhe jo vetëm për mua, pasi, fatin tim të asaj dite, në një mënyrë apo në një tjetër, e pësuan edhe një pjesë e atyre që kanë firmosur atë dokument. Kush më shpejt, kush më vonë, thuajse të gjithë u larguan. Dorit, me sa kujtoj, i erdhi radha pas meje. Dhe, nuk mund të ndodhte ndryshe përderisa Sali Berisha, ky idhtar i vargjeve të Majakovskit “kur themi Partia nënkuptojmë Lenini, kur themi Lenini nënkuptojmë Partia” mendonte mbi të gjitha dhe në çdo moment si t’i spastronte radhët e partisë nga njerëzit që mendonin ndryshe nga ai. Shpëtuan vetëm ata që nuk firmosën”, e mbylli bisedën ai dhe qeshi…
Ky ka qenë takimi ynë i fundit me Dan Klosin dhe kështu e mbaj mend Dan Klosin atë fillim marsi 2012.
Kaluan ditë dhe, më 31 mars 2012 Dan Klosi më dërgoi në email dokumentin të skanuar bashkë me shënimin përcjellës:
“I dashur Ilir. Po ta nis dokumentin e premtuar. Përjashtimi im u vendos nga S. Berisha. Interesante është që disa nga anëtarët e bordit drejtues si … nuk pranuan të nënshkruajnë pro meje. Shënimi i Dorit kuptohet qartë. Gjithë të mirat, Ardiani”.
Komentet