– dy fjalë për librin “Çamëria… heshtja që vret” e autorit Hyqmet Zane –
Kujtesa vjeshtore e Çamërisë në Vlorë
Me krenari, dhembje e përgjegjësi jo vetëm çamët e Qarkut Vlorë, nga Panajaja në Konispol, nga Rrogozhina në Elbasan, nga Durrësi në Shkodër, nga Tirana në Fier e kudo që jetojnë bijtë e bijat e kësaj krahine të pastër shqiptare, por gjithë labët e ulqinakët, fusharakët e malësorët, dardanët e iliridasit, mbarë Shqiptaria, SHQIPËRIA E PARË do të thosha me zjarr, dëshirë e vërtetësi, është mirë të kujtojmë atë ditë të 30 nëntorit 2025, kur në ambientet e Hotel “Bolonja” në Vlorë, u zhvillua promovimi i veprës “Çamëria – Heshtja që vret” i autorit dhe studiuesit të njohur çam, z. Hyqmet Zane. Ky aktivitet u organizua nën kujdesin e ish – deputetit çam, z. Dashamir Tahiri. Aktiviteti u moderua nga pedagogia Prof. Dr. Monika Hasani, e cila udhëhoqi diskutimet.
Në këtë promovim morën pjesë qytetarë vlonjatë, të cilët mbështetën promovimin e veprës dhe shprehën vlerësimin për punën e autorit. Gjatë aktivitetit, mbajtën fjalën studiuesi z. Ahmet Mehmeti, zj. Monika Hasani,z. Albert Habazaj, zj. Barie Isufi dhe z. Bari Zanaj, të cilët ndanë mendimet dhe analizat e tyre për rëndësinë e veprës dhe trashëgimisë çame.
Gjithashtu u prezantua projekti i veçantë për ndërtimin e një Muzeu Dixhital, me foto dhe kujtime të çamëve në vite, projekt i iniciuar nga Prof.Dr.Monika Hasani; si dhe projekti i nominimit të valles së Osman Takës, si trashëgimi në UNESCO.
Aktiviteti u shoqërua me motive çame, këngë dhe valle tradicionale, nën kujdesin e koreografit çam, z. Sali Nuredini, i cili ndihmoi për të krijuar një atmosferë të veçantë dhe të gjallë. Pjesëmarrës në këtë promovim ishte gjithashtu “Marubi i Çamërisë”, z. Skënder Beqiri, i njohur për fotografitë e tij historike të kapura gjatë shpërnguljes së popullsisë çame në vitin 1944. Ai ruan kujtime të jashtëzakonshme me vlera historike të pamatshme, të cilat janë të rëndësishme për ruajtjen dhe dokumentimin e shpërnguljes së popullsisë çame.
Ky aktivitet, i pasuruar me elemente kulturore dhe historike, shërbeu për të nderuar trashëgiminë e popullsisë çame, si një popull vital, patriot, krenar e me dinjitet, si dhe për të theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së vyer çame.
Vepra “Çamëria – Heshtja që Vret” vjen si një akt i rëndësishëm për të sjellë në vëmendje historinë e një populli që ka vuajtur shumë, por që ka mbijetuar me krenari dhe dinjitet, duke ruajtur traditat e tij unike.
Në përfundim të aktivitetit, mbështetur financiarisht nga z. Gaz Demi, autori i librit, studiuesi z. Hyqmet Zane shpërndau (me autograf ) kopjet e librit “Çamëria-Heshtja që vret”.
Mesazhi i Profesores Monika Hasani Hoshafi: “Në atmosferën e festave të nëntorit, në ambientet e hotel “Bolonja”, Vlorë, u organizua promovimi i librit”Çamëria, heshtja që vret” me autor Hyqmet Zane, pinjoll i familjes Zane, nga Filati i Çamërisë. Aktiviteti mblodhi bashkë patriotë çamë e labë nga tē gjitha ngjyrat politike. Gjatë moderimit të aktivitetit theksova se ky botim pavarësisht karakterit të tij publicistik, përshkruhet nga nje dashuri sipërore e autorit për krahinën e Çamërisë dhe nga një përulësi krenarie për njerëzit e saj. Në libër shpërfaqet identiteti historik, shpirtëror e kulturor i Çamërisë me të gjithë koliritin e saj. Krenari që gjatë moderimit të kisha pranë figurën e z. Skënder Beqiri, i njohur si Marubi i Çamërisë, fotograf i masakrave ndaj popullësisë çame. Aktiviteti u shoqërua me një mozaik kulturor të traditave të kēsaj krahine.
Elma Zeqiri, vajza e zgalemit të detit dhe shkrimtarit Fadil Zeqiri u shpreh:
Më bëhet qejfi Monika që keni organizuar një ditë kaq të këndshme dhe me ngjyra e tradita Çamërie, po më duket që mungojnë shumë zonja çame aty që do i jepnin akoma më ndriçim, kulturë e histori asaj festeje. Të rejat e bëjnë shumë bukur, e vijojnë stafetën me freski e besnikëri.
Fjala labe për Çamërinë
Të dashur vëllezër dhe motra çame! Unë, Albert Habazaj nga Tërbaçi i Labërisë së Lumit të Vlorës – Himarë Vlorë me shpirt ndihem çam po sa ju.
Kam dëshirën dhe nderin tim, që si një bir Labërie ta nis fjalëzën time me vargjet e një vjershe të vjetër botur në vëllimin poetik “Buzëqeshje të grisura”. Një strofë është, dy distikë, “Dy motra” titullohet: “Çamëria, Labëria,/ Lule shege, gjak në rrënjë./ Labëria – Çamëria, janë dy motra bërë një nënë”. Nëna Shqipëri është mëma e gjithë shqiptarëve këtu, në këtë dhè e këto troje, jashtë kufijve politikë e kudo, në rajon, nëpër kontinent e nëpër botë, ku është shpëndarë mërgata e luleve shqipe…
Ndihem shumë i vlerësuar që marr pjesë në këtë manifestim shpirtëror kaq simbolik e domethënës, siç është përurimi (dhe më shumë se aq) i librit “Çamëria… heshtja që vret” e studiuesit të njohur shqiptar, publicistit dhe intelektualit çam, autorit Hyqmet Zane.
Ju faleminderit të gjithëve për mirëpritjen dhe i shpreh mirënjohje vëllazërore Saliut, artistit të përkushtuar çamo – vlonjate Sali Nuredini për vëmendjen ndaj ftesës sime.
Dua të flas e të shkruaj pafundësisht për Çamërinë tuaj, për Çamërinë time; po aq dua të flas pafundësisht për këtë visar të shpirtit çam, për këtë kushtrim të gjakut të bijve dhe bijave më të mira të Çamërisë, prurë me vërtetësi, dashuri e dinjitet nga biri juaj e vëllai ynë Hyqmeti. Por nuk mundem. Nuk mundem se as Hyqmet Zane, edhe pse bëri këtë libër të madh me 93 shkrime në 426 faqe, botuar përgjatë këtij çerek shekullit të fundit në faqet e shtypit të shkruar në gazetat më prestigjioze të vendit, nuk i ka thënë dot të gjitha… Ai do të vazhdojë të thërrasë për kushtrim, deri sa krahu i majtë i Shqiponjës të shërohet, se është lënduar rëndë e gjaku kullon dhembje, aq më keq kur heshtja vret më shumë se plumbi. Vetëm kur të shërohet krahu i majtë i Shqiponjës (se edhe krahu i djathtë Kosova dardane ende dhemb jo pak); pra kur të shërohen të dy krahët e saj, Shqiponja do të fluturojë e lirë dhe krenare, thjeshtë e qytetarisht drejt Perëndimit, drejt botës, drejt jetës dhe këtyre trojeve të lashta do t’i themi me krenari e dinjitet: SHQIPËRIA E PARË.
E kam lexuar librin me vëmendje e dashuri, aty ndihesha entuziast, aty drithërohesha , aty ndihesha kryelartë, aty tkurresha, aty ndihesha i madh, aty mpakesha… Dhe, herë pas here, rikthehesha tek faqja e parë poshtë titullit e sytë më mbusheshin me lot, gati sa të klithja tek lexoja Ahmet Mehmetin me apelin vërtetësisht pikëllues: “Atë që dje e bëri me armët më mizore, sot e bën me heshtej mortore”
Të dashur motra dhe vëllezër çamë! Mendoj se e njoh mirë Çamërinë, se përveç afërsisë gjeografike, historike, etnografike e folklorike, dokeve, zakoneve, traditave të përbashkëta, perlave të shpirtit popullor aq të mrekullueshme, patjetër dhe virtyteve aq të mira që kemi, (por edhe të veseve po ashtu), vetëm unë kam hallën (i ndrittë shpirti ku prehet!) që ka qenë nuse e një djali çamë, ndërkohë që një bilë çame e kam nuse për djalë… Po ashtu kam rreth një gjysmë shekulli njohje e miqësi me të paharruarin Fadil Zeqiri – zgalemin e Çamërisë, me intelektualët e paharrimtë, prof. Selman Sheme e prof. Agim Bido, me poetin e shkëlqyer të Çamërisë Xhemil Lato (i dritëroftë shpirti, atje ku prehet tek në hijen e ullinjve e Panajasë. Siç e nisa miqësinë të dëlirë në vitin 1977 e vijon dhe sot e kësaj dite, madje më të fortë, me lisin e pashkulur nga furtunat, gati shekullorin tonë të paulur pa bastun Marubin e Vlorës dhe Çamërisë Skënder Damin Beqirin e Vrohonait, 97 vjeç djalë… Dhe nga të pesë këta kam mësuar shumë, i kam dëgjuar dhe më kanë dëgjuar. Por kuptova që, me gjithë dëshirën, mundësinë dhe dashurinë, ende nuk e paskam njohur sa dhe si duhet motrën martire të Labërisë – Çamërinë, që u bë therore për Lirinë. Autori, si besnik i së vërtetës, dallohet për qëndrimet konsekuente dhe na jep një panoramë të vërtetash historie dhe vlerësime dhe për Heroin e Popullit Ali Demi dhe dëshmorët e tjerë nga Çamëria që dhanë jetën në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare, po ashtu edhe pjesëmarrjen e djemve çamë në brigadat partizane, dëshmi kjo e antifashizmit të bijve të kësaj treve, në kundërshtim të dokumentuar me tezën greke të “bashkëpunimit me nazistët”
Hyqmet i dashur! Të falënderoj me shpirt për këtë horizont që më çele me librin tënd të madh “Çamëria… heshtja që vret”, edhe pse shumë shkrime të tua i kam lexuar, se i ndjek me ëndje tek “Telegrafi” ynë. Me këtë rast, para jush, motra e vëllezër çamë e labë, para publikut vlonjate e atij shqiptar, dua të falënderoj drejtorin deh kryeredaktorin bujar të gazetës “Telegraf”, vizionarin atdhetar Engjëll Musai për hapësirat që na le në faqet e kësaj gazete me emër jo vetëm Hyqmetit e mua, por edhe publicistëve të tjerë të përkushtuar për Çështjen kombëtare, për Shqiptarinë
Do të më falni për kohën, por më ka lënë mbresa të pashlyeshme shkrimi i Hymetit “Kujtesë pas 60 vjetësh nga vrasja e të ashtuquajturit “grupi i Teme Sejkos” dhe Tahir Demit.
Vërtetësia, logjika e ftohtë dhe natyrshmëria e rrëfimit hyqmetian të bën të futesh në personazhet dhe ngjarjet që shkruan e lë testament brezave që ngrihen, pa e shmangur, pa e retushuar. As kuajt nuk trajtoheshin siç janë trajtuar bijtë e mirë të Çamërisë së begatë nga togat e pushkatimit që zbraznin karikatorët e armëve të tyre pa pikë mëshire mbi bijtë idealistë e të pafajshëm shqiptarë të nënave çame. Ato ditë të zeza të 30 dhe 31 majit 1961. Dhe gjyqi bëhej me altoparlant, që të përhapej sa më shumë në popull e të linte gjurmë të liga demaskimi i tyre, për atë që s’kishte ndodhur kurrë. Asnjë falje për ata 63 njerëz nga Çamëria dhe pjesa brenda kufirit shtetëror përfshirë në atë gjyq monstruoz për të ashtuquajturit “grupe armiqësore” inekzistente të sajuara. Të pushkatuarit dhe të dënuarit llogariten me 1250 vite burgim pa pasur asnjë faj. I mirënjohuri komandant i çetës antifashiste “Çamëria” Haki Rushiti u dënua 3 herë me vdekje në mungesë. Kush mban përgjegjësi për këtë gjëmë për martirët e Çamërisë, që u bënë dëm, sikur të ishin kecër dhe jo atdhetarë dhe bij nënash? Kush do të përgjigjet për këtë çmenduri fatale?! Kush duhet t’u kërkojë falje Presidenti, drejtësia, shteti im çapaçul apo akoma vrëngër do t’i shikojmë vëllezërit tanë jugorë, duke i lënë në mëshirë të fatit, në gojë të ujqve, apo dhe duke i hedhur benzinë zjarrit të stisur midis vedit?! Kërkohet shpagim me faljen që është domosdoshmëri për t’ua bërë në emër të drejtësisë njerëzore dhe jo sorollatje, shushatje e tallje dhelpërive djallëzore. Shovenët grekë i vranë, i torturuan dhe i dëbuan mizorisht nga trojet e tyre stërgjyshore. ata
Të shkruash për të vërtetat e atyre ngjarjeve që ndodhën – na jep mesazhin intelektuali atdhetar Hyqmet Zane – nuk është çështje e një shkrimi, se shumë e shumë herë janë shkruar e dokumentuar pabesitë e bëra dhe barbaritë e zbatuara nga shovenët grekë dhe emisarët e tyre. Ajo që të vjen keq edhe mbas kaq shumë dekadash është: ende edhe sot e kësaj dite nuk është hequr balta që u hodh padrejtësisht mbi këtë popullatë të pafajshme, por edhe mbi viktimat e çamët e Shqipërisë janë trajtuar si hebrenjtë e Europës, por pa u zgjidhur çështja e Çamërisë, çështja kombëtare është sëmurë. “Plag’ e gjak e shpirt që dhëmb,/ Aty ngrehu, aty shëmb,/ Dritë besimi, trimërie,/Marathonomak lirie!”
Tragjedia e krahinës shqiptare të Çamërisë bën apel dhe sikur flet: Mund të më vrasësh mua, por ideali nuk vritet dot. Ai kalon si frymë kombëtare nga brezi në brez.















Komentet