“E kaluara si strehë: Gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës” i antropologes amerikane Janet Reineck është promovuar në Prishtinë. Disertacioni i saj paraqet një studim të thellë antropologjik, një etnografi të studiuar mirë, ku autorja paraqet dimensione të shumta të jetës në Opojë dhe fshatra të tjera në Kosovë.
Janet, përmes temës së doktoratës për antropologjinë e Kosovës dhe antropologjinë shqiptare në përgjithësi vjen me plot risi, studim të cilin siç thotë ajo vetë, e ka shumë përzemër dhe për të cilin ka punuar për disa vite me radhë.
Antropologu, Arsim Canolli ka thënë se autorja gjatë kërkimeve të saj në vitet e ’80-ta ka studiuar traditat shqiptare dhe botëkuptimin. Ai ka shtuar se, në libër pasqyrohen rregullat e Kanunit që rregullojnë familjen, zakonet, rolet e grave dhe martesat, eksploron ndikimin e migrimit në identitetin shqiptar dhe efektin që ka pasur në ruajtjen e vlerave dhe sjelljes tradicionale.
Ndërsa antropologja dhe përkthyesja e librit “E kaluara si strehë, gjinia, migrimi dhe ideologjia te shqiptarët e Kosovës”, Lumnije Kadriu ka thënë se, edhe pse hulumtimi paraqet krahinën e Opojës aty gjen shumë elemente të përbashkëta të fshatrave kudo në Kosovë.
“Opoja mbetet një krahinë e veqantë me veqori historike, kulturore, sociale, e cila me këto veti e bën shumë atrakive për studiuesit. Sa i përket hulumtimit mund të them se është një antropologji e thellë, e ka bërë një etnogtafi të ngeshme, ku shpërfaqen dimensione të ndryshme edhe kulturore edhe sociale të cilat autorja i sjell si njohuri gjatë qëndrimit të saj të gjatë Kosovë, duke bërë biseda në formë të intervistave me banorët e atyre zonave”, ka thënë përkthyesja Kadriu.
Ndërsa antropologja, Janet Reineck, autore e librit mes emocioneve falënderoi përkthyesen dhe të pranishmit, deri sa ka treguar shkurtimisht rreth punës së saj studimore rreth mbledhjes së të dhënave.
“Qysh në vitet e ’80-ta kemi bërë përpjekje dhe jemi takuar nëpër oda me burra, kemi debatuar me ta, i kemi pyetur se përse nuk po I qoni çikat në shkollë. Si po mendoni se mund të avanconi deri sa çikat nuk po I qoni në shkollë. Kjo ka qenë një metodë shumë interesante për ta nxjerrur botëkuptimin e tyre. Por unë mendoj që për ti njerrur këto fakte duhet të jetë një antropologe grua. Sepse vetëm një grua mund të rrijë edhe me burra edhe me gra dhe të bisedojë me ata. Unë i kam veshur pantallonat dhe jam ulur këmbëkryq me burrat në oda dhe kemi biseduar me orë të tëra për historinë e shumë tema tjera”, ka thënë ajo.
Reineck ka shtuar se pas takimeve e bisedimeve të gjata me burrat e opojës ka biseduar edhe me gratë e vajzat.
“ Pastaj kam shkuar te gratë, kemi ndejtur me ato në mënyrë shumë intime dhe kemi biseduar për gjithçka”.
“Në ato vite kam shkuar në Ferizaj, me tren, në një dasëm. Dua t’ju them se për asnjë moment nuk më kanë lënë vetëm, ishte kohë e komunizmit dhe pushtetarët më shihnin me dyshim. Por pavarësisht krejt vështirësive, unë e kam kuptuar se po e dua Kosovën, sofrën, bukën, pitet, çajin, muzikën, vallen, gjuhën dhe gjithçka të këtij vendi”, është shprehur ajo.
Më 1 shtator 2022 antropologia amerikane Janet Reineck publikoi librin “Një amerikane në Kosovë”- libër që ia dedikoi shqiptarëve për siç tha “hapjen e një bote të re për të.” Kjo autore ka botuar disa libra.
