Darina Tanushi- 54% e delegatëve të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike janë shprehur kundër një koalicioni të mundshëm me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Ky është konkluzioni i anketimit të bërë nga Instituti i Studimeve Politike, gjatë të dielës së kaluar, me delegatë të Kuvendit të PD-së. Sa trafikohen votat në zgjedhje parlamentare dhe më pas edhe në partitë politike? A ka të inkriminuar dhe të korruptuar në partitë politike dhe a duhet të përjashtohen ata? A do të ketë veting në politikë? Cili është identiteti dhe lidhja me të djathtën? Cila do të jetë e ardhmja e koalicionit politik PD-LSI? A mund të ketë politikë kur një në pesë delegatë politikë është me status papunësie dhe mbi 40% janë familjarisht mbështetës të vendosur të një force politike? Cilat janë pikëpamjet e delegatëve të Kuvendit të Partisë Demokratike mbi sistemin zgjedhor dhe problematikat kryesore politike në vend?

Këto janë disa nga çështjet e anketuara. Anketimi nxori në pah problematika të rëndësishme, ku ndodhen partitë politike, politika dhe demokracia e brendshme brenda tyre. Shumica e të dhënave lidhen me PD, por një pjesë e tyre janë reflektim edhe i gjendjes jashtë saj, në spektrin e gjerë politik. Të dhëna të tilla si vullneti i qartë i delegatëve për të larguar nga partia personat e inkriminuar dhe të korruptuar, mbështetja masive për veting në politikë, bindja se reformimi tërësor i sistemit përfaqësues dhe politik është zgjidhja më e mirë për të ardhmen, apo mbështetje e fortë për depolitizimin e administratës zgjedhore, – janë risi pozitive dhe tregojnë nivel të lartë ndërgjegjësimi politik të delegatëve, – në disa raste edhe në kontrast me lidershipin politik të vetë forcës politike.
Gjetjet kryesore
Numri i delegatëve që janë kritikë me marrëveshjen politike Rama-Basha në maj 2017 është 4% më i lartë se numri i atyre që japin vlerësime pozitive për këtë marrëveshje. Rreth 11% kanë opinion të ndërmjetëm, duke konsideruar elementë të tjerë pozitivë/negativë në marrëveshjen dhe ecurinë e saj gjatë procesit zgjedhor. Shumica e delegatëve, në raportet 46% me 42% japin vlerësim pozitiv për ministrat teknikë dhe rolin e tyre në qeveri. Rreth 12% më shumë delegatë refuzojnë që në të ardhmen të ketë një marrëveshje të re, ose vijim të marrëveshjes politike midis PD e PS lidhur me reformat. Nga totali i të anketuarve rezulton se 51% janë kundër një pakti të ri politik, 39% janë pro dhe 7% kanë mendim alternativ. Në kulmin e partneritetit aktiv midis PD e LSI, më shumë se gjysma e delegatëve të PD (54%) janë kundër një koalicioni zgjedhor 2019 dhe 2021 me LSI. Përqindja e atyre që janë pro këtij koalicioni është 37%, pra 2% më pak sesa ata që mbështetin një marrëveshje politike me PS. Preferenca një pakti të ri politik me PS ose vijim të marrëveshjes aktuale me të, në të dyja rastet është më e lartë sesa koalicioni elektoral me LSI.
Komentet