Kancelari gjerman Friedrich Merz i bëri thirrje Gjermanisë të marrë një rol më të madh në arenën ndërkombëtare, gjatë një fjalimi në konferencën e Christian Democratic Union (CDU) në Stuttgart, në një periudhë kur, siç theksoi ai, rendi botëror po riformësohet me shpejtësi.
Merz nënvizoi se rregullat dhe balancat tradicionale ndërkombëtare nuk funksionojnë më si më parë, duke theksuar nevojën që vendi të përshtatet me realitetin e ri.
Duke paraqitur një udhërrëfyes të ri strategjik, ai foli për një politikë që do ta vendosë Gjermaninë si një aktor kyç brenda një Evrope të bashkuar, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vizionin e shtetit gjerman.
Në fjalimin e tij, kancelari u ndal veçanërisht te siguria në Evropë, duke shprehur shqetësim për luftën në Ukrainë. “Kërcënimi ndaj lirisë sonë është i prekshëm”, deklaroi ai, duke përmendur si shembuj sulmet kibernetike ndaj rrjeteve të të dhënave, sabotazhet ndaj infrastrukturës energjetike, atentatet në zemër të Evropës, spiunazhin, propagandën dhe dezinformimin sistematik.
“Nuk jemi në luftë, por nuk jemi më as në paqe”, theksoi Merz.
Ai paralajmëroi kundër asaj që e quajti “pacifizëm naiv”, duke thënë: “Kush kërkon sot një pacifizëm naiv, ushqen luftërat e së nesërmes”. Njëkohësisht, u zotua për vazhdimin e mbështetjes ndaj Ukrainës.
“Qëndrojmë në krah të popullit ukrainas, pa nëse dhe pa por”, deklaroi ai, duke shtuar se “nuk do ta pranojmë kurrë mënyrën se si një regjim kriminal rus zhvillon sistematikisht luftë kundër popullsisë civile të këtij vendi”.
Marrëdhëniet me SHBA-në dhe sfidat e reja
Pavarësisht tensioneve në rritje, Merz ritheksoi rëndësinë e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara. “Për të gjitha tensionet politike që po përjetojmë aktualisht me SHBA-në – amerikanët janë miqtë tanë, miqtë e mi, dhe duhet të mbeten miqtë tanë”, u shpreh ai, duke theksuar se kjo miqësi nuk do të braktiset lehtësisht.
Megjithatë, ai pranoi se SHBA-ja po tregon gjithnjë e më pak interes për rolin e saj si garantuese e rendit ndërkombëtar dhe si rregullatore e besueshme e zhvillimeve globale. Sipas tij, Gjermania zgjat dorën për një partneritet të rinovuar, por duhet të pranojë se “në të ardhmen do të duhet të marrim fatin tonë në duart tona”.
Në përmbyllje, Merz paraqiti vizionin e tij për një Gjermani që ecën me vetëbesim në një botë në riorganizim: “Duam të jemi të sigurt, duam të jemi të fortë dhe duam të jemi të lirë”, veçanërisht në bashkëpunim të ngushtë me partnerët evropianë të vendit. Panorama