Ambasadori i ri i SHBA-së, Eric Wendt, ka përfunduar takimin me Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, në Pallatin e Brigadave, ku i ka dorëzuar letrat kredenciale.
Vizita e Wendt zgjati pak më shumë se një orë, ndërsa me këtë akt diplomatik, ai nis zyrtarisht detyrën si përfaqësuesi më i lartë i Uashingtonit në Tiranë, duke i dhënë fund një periudhe prej thuajse tre vitesh gjatë së cilës misioni diplomatik amerikan drejtohej nga të ngarkuar me punë.
Ceremonia zyrtare e pritjes u mbajt në ambientet e Pallatit të Brigadave.
Pas dorëzimit formal të letrave kredenciale, Presidenti Begaj dhe Wendt zhvilluan një takim kokë më kokë.
Eric Wendt vjen në këtë detyrë me një karrierë të gjatë e me përvojë të gjerë në fushën e sigurisë kombëtare dhe diplomacisë ushtarake. Ai ka shërbyer për më shumë se 34 vite në Ushtrinë e SHBA-së, ku mbajti gradën e Gjenerallejtnantit. Ndër të tjera, Wendt ka drejtuar Komandën e Operacioneve Speciale të NATO-s, ku ka bashkëpunuar drejtpërdrejt me trupat dhe drejtuesit e mbrojtjes së Shqipërisë, si dhe ka shërbyer pranë Departamentit të Shtetit në Ambasadën e SHBA-së në Jeruzalem si Koordinator i Sigurisë.
Në rrjetin social Ambasada e SHBA në Tiranë i ka uruar mirëseardhjen Ambasadorit si më poshtë:
Mirë se vjen, Ambasador Wendt! Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Eric Wendt, i paraqiti letrat kredenciale Presidentit Bajram Begaj. Ambasadori Wendt dhe Presidenti Begaj riafirmuan partneritetin e fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë dhe diskutuan për çuarjen përpara të përparësive të administratës së Presidentit Donald J. Trump, përfshirë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, rritjen ekonomike dhe luftën kundër grupeve kriminale transnacionale.

Welcome Ambassador Wendt! The new U.S. Ambassador to Albania, Eric Wendt, presented his credentials to President Bajram Begaj. Ambassador Wendt and President Begaj reaffirmed the strong U.S.-Albania partnership and discussed advancing the priorities of President Donald J. Trump’s administration, including defense cooperation, economic growth, and fighting transnational criminal groups.