VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ambasadorë mejhanesh – Nga Jeta Dedja

By | October 12, 2021

Komentet

Me këtë ritëm, pas Federatës, do kërkojnë edhe ‘rrugën e Elbasanit’ – Nga Alfred Lela

Sikur asgjë tjetër i tradhton babëzia. Të çimentuar në pushtetin legjislativ, me shumicë të qartë parlamentare dhe në pushtetin ekzekutiv me qeveri pa pengesa legjislative, kjo shumicë, që shihet me dyshim edhe për fijet dhe ndikimin në pushtetin gjyqësor, i është hedhur në grykë të vetmes gjë që i ka mbetur jashtë kontrollit, Federatës shqiptate të Futbollit.

Të supozuar gjithashtu si shumë të afërt me zyrtarë të lartë të Komunitetit mysliman, pas Federatës u mbetet edhe Kisha katolike në Shqipëri.

Babëzia jua hedh në erë qëllimet, edhe në i paçin të mira.

Babëzia e tyre e bën edhe Armando Dukën të duket burrë i mire, edhe në qoftë më i keqi ndër burrat.

Teknologjia e përdorur është e njëjta. Në fillim furnizojnë me informacione, ku e vërteta dhe e rrejshmja vallëzojnë ngjitur, gazetat, portalet dhete televizionet afër tyre, në përpjekje për ta farkëtuar bindjen e opinionit me goditjen.

Më pas hidhen në faza të tjera të sulmit, si kërcënimet, direkte ose jo, shantazhet e paketuara, por edhe fushata e hapur ku ndërthurin vrasjen karakteriale me dhunën terroriste.

E gjithë kjo turli i hidhet një publiku të shushatur nga denduria e informacionit, ndërkohë që nuk është aspak ai synimi i sulmeve verbale apo fizike. Së pari, synohet rreshtimi i medias sipas krahëve dhe, së dyti, ndikimi i procesit gjyqësor nëse puna vjen deri aty.

Pra, parashkruhet skenari, të paktën në 6 aktet e para dhe i mbetet një dore, kinse të panjohur, autoriale, që shtyhet më shumë nga rastësia e ogureve, ta marrë vendimin. Në fund, dihet se shija e aktit final anon gjithmonë nga tragjikja.

Duhet, në fakt, guxim i madh, apo koqe, për të përdorur fjalët e kryebashkiakut për ta centruar skenar asisoj, duke hedhur brenda personazhe në dukje independentë si ‘rruga e Elbasanit’, CIA, FBI, SPAK, e me radhë.

Këtu ose spekulanti politik del mbi politkanin ose ai nuk është më i mirë se ata që i përdor si pika reference në spekulime.

Heshtja e institucioneve të referuara në regjistrimin e kryebashkiakut na thotë se, të përmendurit, o janë indiferentë, o të përfshirë, ose idiotë. Unë do të preferoja këtë të dytën, sepse indiferenca dhe idiotësia janë më vdekjeprurëse se poshtërsia.

Heshtja e tyre, ciladoqoftë arsyeja, në fund mbetet poshtërsi. Për arsye se furnizon me indiferencën e arbitrit rezervuarin ndërkohë deri në grykë të relativizimit. Atë shije tashmë sunduese sipas së cilës asgjë nuk e ka efektin që duhet, sepse çdo gjë është si të tjerat.

Nuk ka akte përgjegjësie sepse nuk ka më dallim mes së mirës e së keqes.

Është një breg ujët e të cilit nuk na ka lagur për të disatën herë. Përgjimet e Habilajve ishin halucinancione. Përgjimet e zgjedhjeve në Durrës e Dibëër ishin deliberacione. Patronazhistët dhe rrogat ishin fiksione. E me radhë.

Kështu po kalon nën mustaqet e SPAK-ut dhe të ‘rrugës së Elbasanit’, edhe ky mi i madh që bën xhiron e mbrëmjeve nga Kryeministria në Bashki e varavingo. Dhe është rritur ky mi. Ka vite që bërtitet në Tiranë watch out for the mice. Kaq shumë herë kaluan ata nën mustaqe, të patrazuar, sa janë rritur e bërë rats.

Një ngushëllim nga e ardhmja thotë: mos u merakosni mund t’ju vijnë të marinuar nga Uashingtoni tetë vite më vonë!

Shkopi dhe karrota* Nga Arben Kallamata

Britanikët, që kanë përvojë jo të pakët në punët e perandorimit – domethënë të nënshtrimit të të tjerëve, përdorin shprehjen idiomatike: carrot and stick (edhe karrotën, edhe shkopin) e dëgjuar rëndom krahas fjalës diplomaci. Është një formë përqasje në marëdhëniet dypalëshe që nuk e kanë shpikur anglezët dhe nuk e kanë përdorur vetëm ata. Në jetë të jetëve ka qënë një metodë e efektshme e shteteve, individëve dhe organizmave (kryesisht të jashtligjshme, mafjoze) për të ushtruar kontroll mbi të tjerët, për t’i detyruar ata të bëjnë atë që do ti.

Ne shqiptarët jemi aq për të qarë hallin saqë të gjithë ata që merren me ne kanë tundimin për të futur në punë shkopin dhe karrotën. Kushdo që ka pasur interes dhe i është dhënë mundësia e ka përdorur. Megjithatë, të jesh vend i vogël nuk do të thotë se je i dënuar të bëhesh viktimë . Në botë gjen raste plot të kombeve më të pakët në numër që dijnë t’i bëjnë ballë shkopit dhe karrotës. Sekreti është të kesh politikanë të aftë dhe të ndërgjegjshëm, që punojnë për të mirën e vendit, mendje të mprehta dhe zemra të ndjeshme. Këta ne na kanë munguar. Ahmet Zogu, me gjithë dinakërinë dhe dëshirën e tij për të bërë diçka, kafshoi më shumë se ç’duhej nga karrota e Italisë, i bindur se do shpëtonte. Atë e gënjeu mendja se Italia nuk do ishte aq e çmendur sa t’i sillte anijet dhe tanket në portet e Durrësit dhe Vlorës. Por, për fatin e tij të keq fqinjët i kontrollonte Musolini, prandaj ne hëngrëm shkopin, shkopin që solli si pasojë hoxhën. Ky, nga ana e vet iu fut si i babëzitur karrotës jugosllave. Pastaj, iu kthye asaj sovjetike. Për t’i shpëtuar drurit të tyre u lëshua pas kinezëve. Në fund fare, e la fare karrotën, e lëshoi popullin e vet të hante bar dhe të duronte shkopin që ai e shmangu nga vetja. Të tjerët që erdhën pas tij as e kanë pasur idenë ç’bëjnë. Ne vazhdojmë të vuajmë nga politikanë jo profesionistë, që nuk kanë asgjë të qartë në lidhje me interesat e vendit dhe që veprojnë me instinkte bajraktarësh, pavarësisht se turma që iu vete nga pas nuk e ka për gjë t’i cilësojë si burra shteti.

Kaq për ne. Të hidhemi te turku. Erdogani është thjesht një diktator. Pa pretenduar se e njoh mirë historinë e Turqisë, unë e shoh Erdoganin si e kundërta e Ataturkut, krijuesit të Turqisë moderne. Ataturku, nga ana e vet, ishte e kundërta e sulltanatit, e kundërta e perandorisë osmane dhe kalifatit. Ai përfaqësonte rrymën politike që e ktheu Turqinë nga monarki islamike në republikë laike dhe e kërkonte zhvillimin e saj jo duke u bazuar te përhapja gjeografike, por te ruajtja e kufijve të një shteti pak a shumë etnik dhe te modernizimi i kombit. Rezultati ekonomik dhe, pak-a-shumë shoqëror, i këndvështrimit të Ataturkut është Turqia e sotme moderne.

Ataturku e njihte mendësinë e popullit që drejtonte, e dinte nostalgjinë e një pjese të turqve për periudhën ‘e lavdishme’ të perandorisë otomane dhe, lidhur ngushtë me këtë, edhe për lidhjen e tyre me fenë (Sulltani ishte njëkohësisht edhe Kalif). Për Turqinë moderne rikthimi i nostalgjikëve në pushtet dhe ringjallja e ëndrrave të vjetra të sulltanatit mbetën gjithmonë rrezik real. Prandaj Ataturku ishte i detyruar të krijonte një sistem të dyfishtë – demokratiko-diktatorial, që të ndalonte pikërisht rikthimin e nostalgjikëve të Perandorisë Otomane në pushtet. Roli i gjykatësit dhe policit për të përcaktuar se kush ishte nostalgjiku që rrezikonte demokracinë iu la ushtrisë turke. Këta ndërhynin me grusht shteti sa herë bindeshin që një parti në pushtet fillonte të vinte ligje dhe merrte masa që dëmtonin vizionin e shtetit laik. Detyrë që ata e kryen për një shekull, derisa doli një njeri dinak si Erdogani, që shfrytëzoi rrethanat për ta thyer sistemin. Jo rastësisht, goditja më e madhe ishte shkatërrimi i ushtrisë, arrestimi i mbi 6000 ushtarakëve në vitin 2016.

Erdogani është e kundërta e Ataturkut. Ai është nga ata diktatorët e rinj, që përpiqen të ruajnë maskën e njeriut të zgjedhur me vota të lira dhe që shfrytëzojnë çdo lloj pjese gri të ligjit për të mbajtur pushtetin. Ashtu si Putini, ai është hedhur nga zyra e kryeministrit në atë të presidentit dhe anasjelltas për të zgjatur në pafundësi qëndrimin në krye (pelivanllëk që e kanë praktikuar edhe të tjerë, nëse iu kujtohet).  Erdogani është tipiku i nostalgjikut që do ta kthejë vendin në lavdinë e dikurshme, në një perandori të madhe islamike. E gjithë praktika e diplomacisë ndërkombëtare të Erdoganit ka këtë drejtim. Turqia duket se ka hequr dorë përfundimisht nga përpjekjet për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian; ajo i ka acaruar marrëdhëniet me partnerët e saj Europianë, madje edhe me Naton dhe është lëshuar me forcë drejt ekspansionit ushtarak, diplomatik, e kulturor.

Le t’i kthehemi shkopijve dhe karrotave. Ndihma e dhënë për tërmetin është pjesë e karrotës. Edhe vizitat që bën Erdogani në Shqipëri (begenisja) duhet parë si karrotë. Ajo xhamija e madhe e ngritur në mes të Tiranës (bashkë me shumë të tjera) janë dhënë si karrotë, megjithëse ato minaret e larta kanë pamjen e shkopijve, hujve. Filmat dhe serialet turq që kanë mbytur programet e televizioneve më të mëdha shqiptare janë padyshim karrota.

Shkopijtë, druri i vërtetë nuk ka nisur dhe ndoshta nuk do të nisë për një kohë të gjatë deri sa të ketë aq shumë shqiptarë që të kenë ngrënë aq shumë karrota sa të jenë të gatshëm t’i ngrenë vithet përpjetë për të pranuar hurin. Ardhja e Erdoganit në Tiranë pikërisht në 17 Janar është një shkop i vogël, shkop prove. Sa për të parë se sa mban kurrizi i shqiptarëve tani për tani. Emërtimi i lagjes “Erdogan” është gjithashtu pjesë e shkopit – dhe një pjesë e ndyrë, e pështirë, sepse ato 450 milion Euro ndihmë i ka dhënë shteti turk, populli turk, jo Erdogani nga xhepi i vet.

Erdogani dhe ata që bëjnë politikën turke e kanë më se të qartë se ç’është Skëndërbeu për shqiptarët. Ata e dijnë që nuk është thjesht një prijës që ka luftuar osmanët para 500 vjetëve, por është simboli, frymëzimi që Rilindasit zgjodhën për të krijuar kombin. Për krijimin e kombit të tyre grekët u frymëzuan nga qytetërimi i lashtë grek; italianët nga qytetërimi i lashtë romak, bullgarët nga lavdia e perandorisë bullgare, serbët dhe sllavët nga pansllavizmi. Shqiptarët e ngritën kombin me fytyrën e Skënderbeut. Të gjitha këto Erdogani i di mirë. Ai zgjodhi pikërisht përvjetorin e Skënderbeut për të ardhur diku aty afër, në Laç dhe për t’iu kujtuar shqiptarëbe se ishte ai që po i mban me karrota. Ndërkohë, shkopi i tij tatonte pulsin patriotik, maste durimin, kontrollonte shkallën e tolerancës ose, për të qënë më të saktë, të nënshtrimit.

Erdoganit dhe erdoganizmit ndoshta mund të mos i vijë kurrë rasti ta përdorë shkopin kundër Shqipërisë ashtu siç e përdori Musolini. Por ndoshta edhe mund t’i vijë. Ku i dihet? Numri i dashnorëve të Babës sa vjen e rritet. Deri para njëzet vjetëve vështirë se gjeje njeri që i qante syri për të. Të paktën askush nuk e shprehte dashurinë publikisht. Sot haxhiqamilët i gjen në të katër anët. Ku dihet ç’ndodh nesër?

 

_____________

*Meqë pakkush mbeti pa dhënë mendim për vizitën në Shqipëri të presidentit turk në 17 Janar thashë se s’do bëhej gjëma po ta jepja edhe unë dylekshin tim.

SKANDALI/ FSHF publikon audiopërgjimin e Erion Veliajt: Do ia nxij jetën. S’jemi kurva që fshihemi. Do i bëjmë shurrën. Futbolli i vetmi ishull që s’e kemi nën kontroll

SKANDALI/ FSHF publikon audiopërgjimin e Erion Veliajt: Do ia nxij jetën. S’jemi kurva që fshihemi. Do i bëjmë shurrën. Futbolli i vetmi ishull që s’e kemi nën kontroll

Federata shqiptare e Futbollit publikois sot audiopërgjimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i cili kërcënon hapur institucionin e futbollit me një fjalor rruge gjatë mbledhjes së mbajtur pasditen e 23 janarit 2022 në prag të zgjedhjeve për shoqatën e Tiranës.

Bëhet fjalë për mbledhjen e mbajtur mes kryetarit të bashkisë Erion Veliaj me anëtarët e Shoqatës Rajonale të Futbollit në Tiranë, në një nga hotelet në qendër të Tiranës.

“Në këtë sallë jemi të paktën 40 vota. 80 burra për 40 vota. Unë me këtë sallë fitoj Tiranën e gjithë Shqipërinë jo më në shoqatë të vogël” thotë Veliaj.

Në audiopërgjim ai sulmon dhe Ora News 

“Unë e kam marrë përsipër, unë i kam dalë ballë, unë i kam thënë që mua më ke përballë. I pa televizioni vetë, bashkë me atë Ylli Pasmaçiun, se tek Ylli do përfundojë kjo histori, do bëhen dy shokë, më mirë të na shohin të gjithë bashkë dhe të themi, po mo po, ne nuk jemi kurva që të fshihemi, jemi burra dhe 40 burra do shkojmë aty dhe do themi këto janë votat tona. Hape derën dhe do ta bëjmë shurrën mu në shtëpinë tate, që të kuptosh që këtu je tall boll dhe po ta bëjmë këtë lojë, dhe po të dalim nga kjo dhomë e zhveshjes në atë fushë, me këtë mentalitet, ne do fitojmë. Jeni dakord?”

Veliaj thotë se jo FIFA e as UEFA por as Jezusi e Muhamedi nuk e ndalin dot luftën e tij me federatën.

Jo Uefa e Fifa të zbresë por Jezusi dhe Muhamedi të zbresin nuk e ndalin dot luftën time. ti nuk mund të besh Bentley me lekët e ___, ti nuk mund të blesh shtëpi me lekët e Mayfair në Londër me lektë tona dhe të ____. Ata mendonin që ishin të pavdekshëm. Ata mendonin që nuk kishte FBI, që nuk kishte DEA, që nuk merrej njeri me kontrollin, nuk merrej njeri me shitjet e ndeshjes, që nuk merrej njeri me kartonat që trafikoheshin, që nuk merrej njeri me borxhet që bëhej pastrim parash. Po tani që janë futur të gjithë këta njerëz që po merren? Do jetë mësim për këdo tjetër.

Erion Veliaj tha se do ia nxijë jetën FSHF-së dhe humb kontrollin duke thënë se do ndërhyjë në të gjitha bashkitë e vendit.

“Anija po mbytet ose hajdeni me ne ti japim një varkë e të kaloni ujin ose do të mbyteni bashkë me të dhe me i çu fjalë Federatës të mos çojnë më letra e budallalliqe se do të mbajnë përgjegjësi penale.”

Është kot për të ndryshuar rregullat dhe shtyrë më ndeshje se ne po na hajnë duart e këmbët për gol. Ne kemi kuorumin ta bëjmë vetë mbledhjen. Nëse nesër ata deri në orën 15:00 thonë ta shtyjmë, nuk shtyhet më. Nëse s’ta mban bytha është problemi yt” .

Pjesë e audiopërgjimit është dhe momenti kur i drejtohet Sulejman Memës kryetarit të Shoqatës së Tiranës

“Po mirë mor Sul që qesh me mu. Si ka mundësi që ju ka marrë dinjtetin, burrërinë. Si mund të presë robi k… e të sillet si rrotë k… ndërkohë që është njeri i futbollit ka luajtur gjithë jetën futboll. Ne nuk jemi kurva që fshihemi. Ne jemi burra. E 40 burra do shkojmë aty për ti bërë shurrën.”

Denoncimi i FSHF 

Përmes një deklarate FSHF beri publike audiopergjimin paraditen e sotme.

“Një fjalor prej rrugaçi e të fortë lagjeje dhenë ca momente si prokuror. Disa prej këtyre akuzave janë nesër do të mblidhemi në Parkun Olimpik të Tiranës do shkojmë tek Federate shqiptare e Futbollit për ti bërë shurrën.  Jo Uefa e Fifa të zbresë por Jezusi dhe Muhamedi të zbresin nuk e ndalin dot luftën time.  Unë do të bëj çdo gjë për tia nxirë jetën këtyre me prokurori e SPAK. Edhe ne të duam të tërhiqemi nuk tërhiqemi dot se prokuroria është vënë në lëvizje. Futbolli është I vetmi ishull që na ka mbetur pa vënë nën kontroll” tha me tej Zyrtari i Federatës Shqiptare të Futbollit, Andi Verçani duke publikuar audiopërgjimin që është gati 30 minuta.

Ndër të tjera ai kërkon që të mbështetet kandidatura e Eduard Prodanit.

“Jam kryetar bashkie dua ta kontrolloj unë futbollin. Shtëpinë time. Futbolli është një nga dhomat e shtëpisë time. Judo të ,mbëshgtesin në bllok Eduard Prodanin”

Fitoi futbolli jo xhepi! Nga Alba Kepi

Fitoi profesionisti jo rrugaçeria!
Fitoi etika e jo harbuteria!
Fitoi historia e nje jete te vertete, ndertuar me dinjitet, pa kompromise, genjeshtra, favore, interesa.
Humbi sajesa, mashtrimi, krimi, kercenimi, pazari politik e pushteti!
Fitoi futbolli me identitet tironas, vellai im.
E nise futbollin ne fushen e zeze se nje lagje te thjeshte e plot halle tironse, e arrite te jesh lojtar i kombetares se te rinjve, lojtar i kombetares se ekipit te pare, lojtar i skuadres se zemres deri sa mbylle karrieren, trajner i skuadres se zemres, drejtor i skuadres se zemres e pate shume here kurajon te largoheshe se nuk pranove manipulime e kompromise!
Dikur zheni ne matematike zgjodhe futbollin per vleren e respektin qe i jepje vetes e pasionit.
Sot po futbollin zgjodhe me te njejten vlere e respekt qe i jep jetes.
Sot fitove ti nje mesues i thjeshte i nje shkolle 8 vjeçare pas vite e vite pune e karriere profesionale.
Sot fitoi futbolli!
Ah sikur te dine ta ruajne e ta kopjojne kete model dhe ne politike!
—-
Lajmi

Krenar Alimehmeti është zgjedhur ditën e sotme si kreu i Shoqatës së Futbollit në Tiranë, pas shumë polemikash në këtë votim.

Alimehmeti mundi në garë kandidatin tjetër, Eduard Prodanin, duke marrë mori 44 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim.

Alimehmeti në një prononcim u shpreh se do të japë më të mirën për futbollin dhe se ka energji për të punuar.

Berlini do një shtet federal europian

“Shtet federal europian”, shkruhet në marrëveshjen e koalicionit të qeverisë së re gjermane. Por ideja e një Bashkimi Europian që bashkëpunon gjithnjë e më ngushtë sot është zbehur. A është Gjermania e izoluar?

Partitë e koalicionit tre partiak, SPD, Të Gjelbrit dhe FDP i kanë vënë vetes detyrë që Bashkimi Europian të zhvillohet më tej në një “shtet federal europian”. Për kohët e sotme një qëllim mjaft ambicioz. Asnjë qeveri europiane nuk guxon të shkojë kaq larg sa ta vendosë në marrëveshjen e koalicionit qeverisës atë që ka shkruar ky koalicion në faqen 131. Në një kohë që vizionet për të ardhmen e BE gjithmonë kanë pasur traditë.

Që në marrëveshjet e Romës në vitin 1957 flitej për “vullnetin e fortë, që të krijohet baza e një bashkëpunimi më të ngushtë mes popujve europianë. Edhe marrëveshja e Lisbonës bën fjalë në vitin 2009 për një “union më të ngushtë”. Jacques Delors, president i Komisionit Europian nga viti 1985-1995 besonte se Europa është si një biçikletë duhet të vazhdojë të ecë pa ndalur në drejtim të integrimit. “Nëse e ndal, rrëzohet.” Deklarata të tilla sot zor se dëgjohen. Dalja e Britanisë së MAdhe nga BE ishte refuzimi më i fortë që i është bërë ndonjëherë idesë së një BE-je më të integruar.

Lamtumira nga vizionet e mëdha

Britanikët gjithmonë ishin skeptikë. Por në mars 2018, ishte kryeministri holandez, Mark Rutte që tha në Berlin. “Ka një narrativ për pashmangshmërinë e një bashkëpunimi më të ngushtë drejt një shteti federal europian. Mua nuk më pëlqen kjo gjuhë e tmerrshme e një unioni gjithnjë e më të lidhur.” Rutte tha se ky është një vizion romantik me të cilin ai nuk do të ketë të bëjë.

Madje edhe presidenti i Këshillit të B, Donald Tusk tha në vitin 2016 (kur nuk ishte më president i këshillit) lidhur me këtë ide. “Nuk është përgjigjja e duhur për problemet tona, ai vizioni adhurues dhe në të vërtetë naiv euroentuziast për të nxitur një integrim total, edhe nëse mbështetësit kanë qëllime të mira. Së pari është thjesht e pamundur, së dyti promovimi i kësaj nxit paradoksalisht atmosferë euroskeptike, jo vetëm në Britaninë e Madhe.” Madje ata që konsideroheshin më shumë miq të idesë europiane, holandezët dhe francezët në vitin 2005 në referendume popullore e refuzuan idenë e një kushtetute europiane. Ata lanë të kuptohej, se më shumë integrim nuk i përgjigjet vullnetit të shumicës. Mjaft qeveri populiste, si në Hungari apo Poloni e kanë refuzuar po ashtu idenë.

Deutschland Berlin | Bundestag | Regierungsbefragung Olaf Scholz | Protest AfD

Shtetin federal “nuk e do askush”

Pra është mjaft e guximshme në një klimë të tillë, që koalicioni i Berlinit synon shtetin federal europian. Studiuesi, Johannes Varwick nga Universiteti Halle thotë për DW. “Edhe nëse partitë qeverisëse vërtet besojnë tek kjo, ideja do të dështojë në realitetet europiane. Në të vërtetë askush në Europë nuk e do këtë.”

Ishte vota e Brexitit që e nxiti juristin Daniel Röder të krijojë lëvizjen e Pulse of Europe, që synon t’i japë hov idesë europiane. Madje edhe ai u “habit” mjaft nga ideja e fiksuar në marrëveshjen e koaliconit, pavarësisht, se askush nuk duhet ta bindë atë për rëndësinë e integrimit të mëtejshëm europian. “Nëse e kupton, se temat e mëdha, si ndryshimi i klimës, integrimi, pandemia, konflikti me Rusinë nuk zgjidhen nga shtete më vete, dhe nuk do t’a lësh gjithçka Kinës apo SHBA, ka nevojë për një integrim të mëtejshëm europian. Por një shtet federal europian nuk është për të “patjetër qëllim.”

Pressekonferenz nach Ampel-Sondierungsgesprächen

Përfaqësues të koalicionit trepartiak, SPD, Të Gjelbrit, dhe liberalët

Europianizëm apo kombëtarizëm?

Përgjigjja për këtë varet nga tematika, nëse dëshirohet më shumë apo më pak thellim integrimi. Në disa sektorë, BE ka shkuar në drejtim të një shteti federal, si psh në tregun e përbashkët apo në tregtinë e jashtme. Në disa sektorë të tjerë shtetet e BE nuk duan të dorëzojnë sovranitetin, por janë të gatshme për miratim reciprok dhe bashkëpunim. Në luftimin e Coronës u bë e qartë, se politika shëndetësore është çështje e shteteve anëtare, disa e kritikojnë këtë, të tjerë e përshëndesin. Nga ana tjetër BE krijoi një fond gjigant të përbashkët, me të cilin mund të zbuten pasojat ekonomike të Coronës. Pyetja që shtrohet është kush paguan, kush përfiton: Në shtetet më të pasura të unionit shpesh ekziston frika se BE po kthehet në një union transfertash për vendet më të varfra.

Eksperti Johannes Varwick mendon, se megjithë skepticizmin është “e drejtë që të mos hiqet dorë nga çdo vizion.” Kurse Daniel Röder nga Pulse of Europe nuk mendon se është e nevojshme të këmbëngulet në idenë e shtetit federal europian megjithëse ai e mbështet zhvillimin e mëtejshëm të BE. Sipas Röder BE “është aktualisht një konstrukt i brishtë dhe mund të veprojë vetëm e kufizuar.”Vetëm  kur ajo të jetë e aftë për të vepruar efektivisht në lojën globale, atëherë do të rritet prestigji i BE si brenda dhe jashtë. dw

Zbulohet dokumenti- Raporti i pagesave për “djegien” e plehrave që ka futur në ankth Veliajn

Ka më shumë se një burim që tregon se Erion Veliaj është tepër i shqetësuar për rrjedhën që mund të marrin hetimet për inceneratorin e Tiranës. Dhe ashtu sikurse tregon një investigim i thelluar që po mbahet tepër sekret, kryer nga kontrolli i lartë i shtetit, ankthi i kryebashkiakut rezulton të jetë i përligjur.

Lapsi.al ka arritur ta sigurojë dhe ta lexojë këtë raport me 64 faqe që ashtu sikurse duket edhe në foton sipër është firmosur dhe vulosur nga grupi i punës së KLSH-së.

Tashmë dihet se Veliaj ka tejkaluar kompetencat e tij duke dhënë miratimin për ngritjen e incenetarorit të Tiranës pa marë miratimin e domosdoshëm nga këshilli Bashkiak (kjo është bërë në një kohë kur opozita ishte ende prezente aty).

Por ajo që vë re Kontrolli i Lartë i Shtetit (Pika 36 faqe 48 e raportit paraprak) është se në shkelje flagrante Bashkia e Tiranës vazhdon që prej vitit 2018 të paguaj kompaninë “Integratet Energy B.V SHPK”, për një shërbim që ajo nuk e ofron. Pra Erion Veliaj paguan me 29 euro për ton për invenerimin e mbetjeve ndërkoohë që inceneratori ende nuk ka filluar punë dhe nuk është në gjendje të kryejë djegjen e tyre. Ne raportin e KLSH thuhet: “Që prej vitit 2018 deri aktualisht, Bashkia Tiranë dhe MIE janë duke paguar tarifën 29 euro/ton mbetje urbane për incenerimin e mbetejeve, për një shërbim ende të pakryer duke qenë se ndërtimi i inceneratorit ende nuk ka përfunduar”.

Gjithashtu grupi i auditimit vë në dukje se atij nuk i është vënë në dispozicion dhe nuk ka parë asnjë dokument që të dëshmojë se tarifa 29 euro/ton të jetë nedociuar mes përfaqësuesve të bashkisë dhe atyre të koncesionarit duke hedhur dyshimin se ajo është vendosur sipas oreksit të privatit. Madje në konkluzionet e veta grupi i KLSH thekson me forcë se kjo shifër e lartë duhet të rishikohet për sa kohë që “Integratet Energy B.V SHPK” nuk ka filluar punë dhe nuk e bën djegjen e plehrave për të cilat paguhet.

Në pikën 13 rekomandohet një vendim që duhet marrë “menjëherë”: “Bashkia Tiranë dhe koncesionari të marrin masa për diskutimin dhe arritjen e një marëveshjeje lidhur me tarifën që duhet të paguajë bashkia në situatën aktuale kur mbetjet e depozituara nuk po trajtohen plotësisht deri në momentin që imianti do të vihet në punë”.

Pra ashtu sikurse shihet, në aferën skandaloze të inceneratorëve për të cilën është arrestuar ish ministri i mjedisit Koka dhe janë në kërkim pronarët koncesionarë, kryebashkiaku i Tiranës, jo vetëm ka tejkaluar kopetencat për ta miratuar ndërtimin e djegësit të Tiranës, por ai ka vazhduar ta paguajë “Integratet Energy B.V SHPK” që prej 2018, ndonëse impianti për djegjen e plehrave ende nuk është ndërtuar. Ndoshta kjo është edhe arsyeja që raporti i KLSH që Lapsi.al ka arritur të sigurojë mbahet “Top Sekret” dhe për publikimin e tij që i bën shumë dëm Erion Veliajt po ushtrohet trysni e madhe.

Poeti i mirënjohur Hamit Aliaj: Shoku dhe sivëllai im Ilir Buçpapaj, që na vetmove këtë të djelë të trishtë janari !

“Fort po shndrit ai diell, e pak po nxe,
Borë e madhe ka ra sivjet,
Randojnë ahat për me u thye..”
……..
Sa qejf i kishe këto vargje të Epikës legjendare,

shoku dhe sivëllai im, Ilir Buçpapaj, që na vetmove këtë të djelë të trishtë janari !

Katër vjet bashkë në të njëjtën dhomë studentore, 50 vjet bashkë në Tropojë, në Kosovë, Shkup, Plavë e Guci, Tiranë e në udhëtimet në Nju Jork!

Si askush tjetër , ti përjetësove në dokumentarët tu në TVSh, pejsazhet dhe ngjarjet historike të Arbërisë.

Të cilësuan “ Njeriu i majëmaleve shqiptare” dhe i tillë do mbetesh përherë !

Na ngrive fjalën, i paharruari ynë !

‘Një dem nuk bëhet mbret vetëm duke hyrë në pallat, por…’, gazetarja e njohur turke arrestohet për fyerje ndaj presidentit Erdogan

Gazetarja e njohur turke Sedef Kabas është burgosur në pritje të një procedimi gjyqësor për fyerje të Presidentit Recep Tayyip Erdogan, bëri të ditur avokati i saj.

Sedef Kabas u arrestua pasi citoi një fjalë të urtë në një kanal televiziv dhe median sociale, duke i referuar një kau. Bazuar në ligjin mbi fyerjet, me dhjetëra mijëra vetë janë ndjekur penalisht për vendosjen në shënjestër të zotit Erdogan, që kur ai u bë president në vitin 2014, pas më shumë se një dekade si kryeministër.

Avokati i gazetares, Ugur Poyraz, shkruante në Twitter se ajo ishte arrestuar zyrtarisht gjatë një paraqitjeje në gjykatë në Stamboll të shtunën. Gjyqtari pranoi argumentin e prokurorisë se gazetarja paraqiste rrezik për t’u larguar nga vendi.

Sedef Kabas, 53 vjeç, ka drejtuar një seri programesh shumë të njohura televizive gjatë një karriere rreth 30 vjeçare.

Ajo u ndalua nga policia në shtëpinë e saj në Stamboll, të shtunën herët në mëngjes pas komenteve të saj në televizionin Tele 1 dhe Twitter.

Figura të qeverisë e dënuan zonjën Kabas, ndërsa politikanët e opozitës mbrojtën të drejtën e saj për të folur lirisht.

Fyerja e presidentit të zgjedhur të kombit tonë, me shprehje të shëmtuara e vulgare, është në fakt një sulm ndaj vendosmërisë kombëtare”, shkruante në Twitter Numan Kurtulmus, nënkryetar i partisë në pushtet.

Kryetarja e partisë opozitare, Meral Aksener, përdori një hashtag në mbështetje të gazetares Kabas. “Kjo mendësi do të iki dhe drejtësia do të vendoset sërish në Turqi“, shkruante ajo.

Fyerjet ndaj presidentit janë shkelje që mund të çojnë në një dënim maksimal prej katër vitesh burg.

Sipas shifrave të Ministrisë së Drejtësisë që nga viti 2014, janë ngritur më shumë se 35,500 padi për fyerje të zotit Erdogan, duke rezultuar në rreth 13,000 dënime.

Turqia ndodhen nën trysni ndërkombëtare për të ndryshuar ligjin. Në tetor, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut tha pas arrestimit të një personi në vitin 2017, bazuar në ligjin e fyerjeve, se autoritetet kishin shkelur lirinë tij të shprehjes./ZiA

 

66- vjeçari Friedrich Merz – kryetari i ri i CDU-së

66 vjeçari Friedrich Merz, pas përpjekjes së tretë, ia doli të zgjidhet kryetar i CDU-së, partisë Merkelit që drejtoi për 16 vjet Gjermaninë, tani në opozitë. Merz do të bashkojë partinë e të rrisë prezencën e grave.

Tani i erdhi radha Friedrich Merzit. Një kongres digjital të shtunën, (22.01) e zgjodhi 66 vjeçarin si kryetar të partisë kristian-demokrate, CDU. Para krishtlindjeve në një votim të 380.000 anëtarëve të partisë, i pari i këtij lloji mes kristiandemokratëve, Merz arriti të fitojë kundrejt kandidatëve Norbert Röttgen dhe Helge Braun. Merz, që nga viti 2018, kur u largua kancelarja Merkel nga posti i CDU-së, është kryetari i tretë që zgjedh kjo parti. “E di që si kryetar i dhjetë i kësaj partie që nga viti 1948 kam mjaft detyra përpara. Dhe kam respekt të madh para kësaj”, tha Merz në një intervistë para kongresit të partisë. Kur Friedrich Merz u përpoq në vitin 2018 të ngrihej në këtë post, CDU-ja ofronte kancelaren -Angela Merkel. Tani CDU-së i mbeten vetëm ulëset e opozitës pranë partisë populiste, AfD.

Merz donte që para 5 vjetësh të zgjidhej kryetar

Merz bëri të ditur, se ai “patjetër do të jetë i hapur për të gjithë bazën e partisë dhe do të trajtojë të gjitha temat, që partia i vlerëson si të rëndësishme.” Ai shpreson t’ia dalë “që t’i integrojë të gjithë në drejtimin e partisë në një mënyrë të tillë, që prej kësaj të krijohet një imazh i përbashkët”, në të cilin kanë vend ide të ndryshme politike, opinione dhe rryma të partisë.

Deutschland Friedrich Merz wird neuer CDU-Parteivorsitzender

(Nga a majta) Helger Braun, Friedrich Merz dhe Norbert Röttgen

Merz më në fund po e merr pushtetin që e dëshironte prej kohësh. Juristi i çështjeve ekonomike, lindur në vitin 1955, vjen nga një zonë rurale në landin më të populluar në Gjermani, Renani-Veriore Vestfali (NRW). Me gruan e tij Charlotte, drejtoreshë e një gjykate ai është i martuar që në vitin 1981, çifti ka tre fëmijë të rritur. Merz për herë të parë hyri në vitin 1994 në Bundestag si kandidat i CDU-së. Që atëherë Angela Merkel dhe ai përfaqësonin rryma të ndryshme brenda CDU-së.

Politikani konservator do të modernizojë partinë

Merz ka qenë shumë më konservator dhe tradicional. Në luftë për kreun e grupit parlamentar në vitin 2002, atij iu desh të pranonte humbjen para Merkelit në ngjitje dhe në vitin 2004 ai u largua i pakënaqur nga drejtimi i partisë, pastaj në vitin 2009 edhe nga Bundestagu. Në vitet e mëpasme, Merz bëri një karrierë të rëndësishme në ekonomi. Në vitin 2016 ai u zgjodh drejtues i filialit gjerman të administruesit më të madh të pasurive në botë, Blackrock.

Kur Merkel bëri të ditur largimin e saj nga posti i CDU-së në vitin 2018, Merz ishte i gatshëm të kandidonte, por ai duhej sërish të pranonte humbjen ndaj Annegret Kramp-Karrenbauerit. Kurse në janar 2021, Merz humb para Armin Laschetit, të dy kryetarët e mëparshëm ishin brenda partisë mbështetës të politikës së Merkelit. Merz që atëherë qëndroi në distancë dhe ishte kritik. Në një intervistë ai e cilësoi performancën e qeverisë Merkel “tejet të dobët”.Pas rezultatit të dobët në zgjedhjet e shtatorit 2021, Merz përpiqet tani të bashkojë partinë e të modernizojë ku mundet.

Drejtues të rinj në kryesi

Merz propozoi senatorin e Berlinit për shëndetësinë, Mario Czaja, 46 vjeçar si sekretar të përgjithshëm të CDU-së dhe deputeten 34-vjeçare, Christina Stumpp nga Baden-Vyrtembergu si zëvendëssekretare të përgjithshme, një post që duhet të krijohet nga një kongres partie me prezencë. Mes anëtarëve të rinj të kryesisë së partisë, gjenden më shumë femra së më parë. Merz formuloi në javët e shkuara një refuzim të qartë për bashkëpunim të partisë së tij me AfD. Dhe pak pas vendimit të bazës për të ai u shpreh që çiftet homoseksuale duhet të kenë mundësi për adoptimin e fëmijëve. Pozicione këto që janë mjaft të ndryshme nga qëndrimet e tij të mëparshme. Merz ndryshon.

Friedrich Merz që gjatë viteve të para të tij si deputet i Bundestagut konsiderohej një nga oratorët më të mirë konsiderohet si një europian i bindur. Para zgjedhjes si deputet i Bundestagut ai ka qenë nga viti 1989, 5 vjet deputet i Parlamentit Europian.

Deutschland Bundestag | Armin Laschet und Friedrich Merz

Armin Laschet dhe Friedrich Merz

Transatlantik me idenë e deklaratës tatimore në kartonin poshtë krikllës

Friedrich Merz ka lidhje të forta transatlantike. Askush nga drejtimi i CDU-së në dhjetë vitet e fundit nuk kanë qenë aq shpesh në SHBA sa Merz. Liberalizmi ekonomik i SHBA e ka ndikuar dhe tërhequr gjithmonë Friedrich Merzin. “Ne do të kuptoheshim mirë”, tha ai njëherë për presidentin e atëhershëm, Donald Trump.” Shumë njerëz në moshë e kujtojnë Friedrich Merz me idenë e thjeshtëzimit të deklaratës tatimore në Gjermani që mund të kryhet vetëm brenda një kartoni të vogël poshtë krikllës së birrës. Idenë ai e paraqiti në vitin 2003, por nuk tha se si do të realizohet në praktikë. Sfida e parë për Merz është në fund të marsit, kur zhvillohen zgjedhjet në landin Saar. E deri tani nuk dihet, nëse CDU do mund të ruajë aty pozicionin kryesues në këtë land.

Friedrich Merz u zgjodh me shumicë votash kryetar i partisë CDU, të shtunën (22.02) , por zgjedhjet digjitale formalisht do të pasohen nga një votim me letër, rezultati i të cilit do të bëhet publik më 31 janar.

Rreth etimologjisë së fjalës ARBËR/ARBËN – Nga Bledi Filipi

 Vijimësia iliro-shqiptare që del me lidhjen e emrit kombëtar të shqiptarëve në mesjetë (me burimet bizantine “Αλδανοι”, “Αρδανιται” vendi “Αρδανον”, në burime latine Albanenses/Arbaneses, në shqipe arbër/arbën, arbënesh/arbëresh,  arbënor/arbëror. (Domi, 1982:17)

Emër i lashtë i shqiptarëve deri në mesjetën e vonë, që u zëvendësua në periudhën e pushtimit osman me emrin e sotëm shqiptar. Fjalë e mbarë gjuhës,  sipas prof. Çabejt dhe Topallit me  kuptim të errët.

Për herë të parë dëshmohet nga gjeografi aleksandrinas Klaud Ptolemeu, në një hartë të shek. II të erës së re, ku shënohet fisi Albanoi, si njëri prej fiseve ilire , edhe qyteti Albanopolis në Shqipërinë e Mesme, afërsisht midis Durrësit dhe Dibrës. Prej emrit të këtij fisi rrjedh edhe emri i shqiptarëve, i gjuhës dhe vendbanimit të tyre. Si fjalë e dokumentuar në gjuhën shqipe dëshmohet te Buzuku (XVIII/2b)

(Çabej II, 1976:61)

G.Mayerit dhe P. Skoku arrrijnë në këtë mendim: me emrin arbëresh, arbënor  emërtohen edhe shqiptarët në Greqi dhe Itali, për të cilët emërtimi shqiptar është krejtësisht i panjohur. Ndërsa Mayeri shkon edhe më tej: me këtë emër emërtohen banorët e bregdetit në veri të Korfuzit dhe të prapatokës së tij, rreth Vlorës, Kurveleshit etj., që i përgjigjen kryesisht Kaonisë së vjetër. Kjo zonë quhet edhe labëri, lapëri, çka është një metatezë sipas ligjit fonetik të sllavishtes albëri për arbëri për /l/-e së cilës krahasohet me greqishten. (Mayeri,2007:51)

Pederseni mendon se kjo fjalë ka lidhje me një fis shumë të vjetër , dhe merr për primare arb – , dhe mendon për një afrim të  arbën-it  me greqishten (jetim), duke parë aty  emrin e një fisi të shkulur prej tij. (Pederseni, 2003:111)

Ndërsa për Joklin  kjo fjalë e mbarë gjuhës ka të bëjmë nje një emër paraindoevropian. Hani dhe pas tij Temascheku, e afronte këtë emër me disa emra antik të Ballkanit Perëndimor dhe me emrin e ishullit Arbe (Rab/Rabënë) të Adriatikut Verior; po kështu edhe Shuflai. Ai shënon se sllavët viset e Shqipërsië së sotme në kohën të mesme i kanë quajtur me emrin Rabënë, përkatësisht Arëbanëse dhe në gjuhën shqipe me mbiemrin rabënëski, i cili del në mbishkrimin sllav të Karl Topisë (1381).

Profesor Demiraj,  qartëson se:  më të vjetrat duhet të jenë trajtat Rabënë dhe rabënëski  ku rrokja nistore ar- e Arbënë është shndërruar në ra- në bazë të dukurisë së njohur të metatezëstë bashkëtingëlloreve lëngore në sllavishten e Ballkanit dhe në sllavishten perëndimore në përgjithësi. Dukuria e metatezës së lëngëzoreve apo “ligji i hapjes së rrokjeve të mbyllura nëpërmjet metatezës” në lëngëzoret e sllavishtes perëndimore dhe e Ballkanit, është përftuar vonë, nga fundi i shekullit të IX të erës sonë. Pra, trajta më e vjetër Rabënë ˂ Arbënë, që ka pësuar metatezën ar-˃-ra, ka hyrë në sllavishten e Ballkanit nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta midis stërgjushërve të shqiptarëve dhe stërgjyshërve tanë veriorë sllavë në periudhën e shekullit të IX dhe para shekullit XII, d.m.th. përafërsisht aty nga shekulli i X ose të shumtën në shekullin e XI. Por, po të kihet parsysh se emri Arbanon a Albanon dëshmohet tek të huajt qysh në shekullin e XI, çka parakupton përhapjen më të hershme të këtij emri, atëherë duhet pranuar që ndër fqinjët tanë veriorë ky emër do të jetë përhapur jo më larg se shekulli i X i erës sonë.

(Demiraj, 1988:223)

Por disa gjuhëtarë (Pedersen, Jokli, Çabej)  kanë marrë parësore rrënjën arb- , që kanë krijuar arbër/arbën si forma prej vendit Arbëni/Arbëri dhe gjuhës arbënisht/arbërisht. Në burime historike ky emër përmendet së pari në shek.XI nga kronistët bizantinë Mihal Ataliates dhe Ana Komnena. Forma arbën ka depërtuar edhe në gjuhë të tjera  ballkanike skr.Rabънꞃъ, bullg. Arbanasim, rum.vj.Arbanas gr.Αρβανον, turq.Arnaut etj. (Topalli, 2017:113)

Ashtu siç ndodh me emrat e fiseve  dhe të popujve, në fillim ky emër i përkiste populαlsisë që banonte në Shqipërinë e Mesme dhe rreth shek.XIV , u shtri në gjithë vendin, duke u bërë emri kombëtar i shqiptarëve që në kohë të Skënderbeut, si edhe ata që emigruan në Greqi a Itali mbajtën emrin e vjetër arbëreshë. Edhe në shkrimet e vjetra te Buzuku, Budi, Bardhi, Bogdani ndeshet ky emër.

Profesor Topalli shkon edhe më tej, duke hedhur mendimin se për dy rrënjët alb dhe arb përfaqësojnë një fjalë të vetme, që ka ardhur përmes gojës së shqiptarëve nga lashtësia deri në ditët e sotme; por ndryshimi që paraqesin ato për punë të lëngëzoreve nuk shpjegohet me ligjet historike të shqipes. Prandaj, njëra prej tyre është ndryshuar  duke u lidhur a duke u përzier me ndonjë fjalë tjetër të ngjashme, ose në antikitet mund të kenë qenë të dyja trajtat, një dukuri e njohur edhe për disa trajta të tjera.

Rrënja alb ka përparësinë e dokumentimin e saj më të hershëm, afërsisht para 2000 vjetësh; kurse rrënja arb- ka mbështetje  në vijimësinë e saj në gojë të banorëve që e mbajnë këtë emër si dhe emërtimet e shumta në toponimi. Topalli del në përfundimin se po të nisemi nga forma alb, kjo mund të lidhet me rrënjën alb  i bardhë, lat. albus , kurse ndryshimi isaj në arb  ka ndodhur duke u përzierë me emrin “arë”, “fushë” ashtu si del në shprehejn mal e arbën “ mal e fushë”, që ka  Kurbini, zonë ku shtrihej fisi i i albanëve, duke pasur parasysh fushën ndërmjet  Matit e Erzenit; khs. edhe te Logoreci: Mal e arbën u dyndën; Qiti në mal e n’arbën; I ra malit e arbnit kryq e tërthuer; Cordignano e Dema: arben “fushë”.  (Topalli, 2017:113)

Por profesor Topalli shkon edhe më thellë në analizën e tij: shënojmë se një rrjedhë të drejtpërdrejtë indoevropiane nga rrënja aru- (Çabej) nuk do të përligjte praninë e –b-së, meqenëse zhvillimi fonetik i /rv/˃/rb/ ka ndodhur vetëm në huazimet latine (lat.corvus-˃ korb), por ajo dhe fjalë të trashëguara, ku një –u- pas një lëngëzoreje ka rënë (khs.ie.aru-˃arë). Formime nga ky emër janë: Arbëni/ Arbëri për vendin, arbënesh/arbëresh e arbënor/arbëror për banorin, arbënisht/arbërisht për gjuhën.

KURUMI… DHE MALI QË S’BËZÂN! – Nga REX KASUMAJ

Kallnor 2022, Berlin

 

1. Rezolutë për ardhmërinë…

Referendumi serbian, dhe loja mjeruese e ca flegrave shqiptare, janë pas nesh. Në fakt, mjerimi i një krahu politik shqiptar është ende këtu: i pranishëm e i pabesë si rrallëherë.

Ndërkaq, Rezoluta nuk ishte akt shkresurinash që shpejt pluhuri i mbulon. Aq më pak personalizim meritash apo kolektivizim i fajit hipotetik.

Ajo rrjedhoi një Mendim i lartë politik dhe Kulturë e gurëvënë shtetërore.

E pra, krejt ndryshe nga një politikë e fshehtë kulisash a kafehanesh, ku ndehen pasionet dhe myshket filli orientimor.

Që këtej, duke mos qenë një akt ad hoc e kalimtar tek vdes me ditën, Rezoluta nuk i përket njëj Votre politike. Jo, jo. I përket të gjithave. Vetë Republikës për legjislaturat që janë e që do vijnë.

Ajo, ndaj, do të shërbejë si themel veprimi saherë dikush, Serbia si definicion, të agresojë shtetërisht Kosovën. Lirinë e saj që çdo ag zgjohet me kujtimin e gjakut, martirëve dhe flijimtarëve!

Është, prandaj, një udhë e legjitimuar edhe për ata që, pa higjienë kombëtare, ultë e meskinërisht refuzuan atë. Madje, asistencën fizike, ndërsa miratohej Gërma dhe Fryma e saj…

2. Kurum, Kurum…

Tërmetohemi e ngrihemi dhe lumnojmë e trishtemi bashkë…

A nuk e tha këtë turku Erdogan në Laç, në zemër të Shqipërisë?

S’kish si të ndodhte ndryshe. Vëllazërisë, e jo pushtimit mbi 400 vjeçar, do t’i thurte elozh dhe kryeparlamentarja Linditë. Kurse, si për t’a ftilluar më hollë, Kurum pasha nxitoi të thotë: jemi t’një rrënje të përbashkët!

Turqit paskëshin rrënjë pellazgo-ilire? Çudi, thashë. Ndoshta. Historia, s’është bërë veçse një copë letër.

Dhe rrënja sa vete e zgjërohet. Tani dhe serbët duan akomodim tek ngrohtësi e saj. S’qenkëshin dyndur barbarisht nga Tejkarpatet dhe, ashtu si gënjejnë me doktrinë, gërrithen të shpallin autoktoninë…Vuajnë për vdekje zilinë pse, si thoshte Fishta, kur zbritën në gadishullin ilirik, shqiptarët kishin kryer tashmë ciklin mijëvjeçar të qytetnísë!

Por, ndërsa i mendoja gjakftohtësisht marrëzitë, kujtova strategjistin etnik Davutogllu. Është krejt e kundërt fjalë e tij. Janë shqiptarët, pohon ai, që aderojnë vjetërsisht në rrënjën osmane. Kanë devijuar pak, por shpreson të kthehen shpejt në origjinë. E pra, etnia, gjuha e kultura arbnore s’qenkan tjetër pos një devijim që do kthehet një ditë në amzën e vet…

Natyrisht, aleancat gjeopolitike kanë interes e formulë tjetër. Veçse, sidoqoftë, Qenia kombëtare është masa e fundme e tyre!

Vërtetë Shqipëria, si Irani dikur, duhet të ndërrojë emër. Nëse Irani braktisi të vjetrin për të marrë emrin e ri, Shqipëria duhet hequr të riun për të rimarrë emrin e lashtë: ILIRI!

3. Mali që s’bëzânë…

“Kështu mund t’i ndodh kujtdo”, është titull i një romani që kisha lexuar qysh në vitet studentore.

Autorin nuk e mbaj mend, por ishte një triler plot fantazi e situata të pamundura ku ndjeje dhembshuri për heroin pse pandehej për veprën e pakryer dhe fajin e pabërë. Megjithë ngulmërinë që të besohej, ai nuk provonte kurrësesi pafajsinë e vet.

Do të evokoja rastësisht këtë lexim të hershëm, teksa më mahniste një karrierë.

Të gjithë përreth, pak a shumë, i ngjasojnë fabulës së epërme. Venë, vijnë e sërish venë! Herë me faj, e herë viktimë. Dhe kur përmbysen, disa tyresh vështirë arrijnë të dëshmojnë se s’kanë hak as hile në punën e ligë.

Vetëm Njëri në të gjithë Etnikumin shqiptar njeh prorë horizontalen e shtrirë deri në lodhje. Nuk rrëzohet, nuk ngrihet, nuk merr detyrime shteti, nuk bredh selive fuqimëdha të botës, nuk viziton as metropolet e dy Republikave amë dhe, rrallë ndonjëherë, shfaqet shkurt e tretet vazhdimisht në mister…

I tillë, Ai ka fituar tashmë një status të paparë: statusin e Malit që s’bëzânë. Majës së tij Alpine. Fryjnë erëra, bie dëborë, shpesh, sa shpesh shi e rrebesh, nxeh e pjekë njai diell, stuhitë rrafshojnë kodrina dhe ndryshojnë relief, por Ai, vetëm Ai, mbetet në fron. Sfinks sovran. Instancë frymore. Pa Kohë e pa Fund. I admiruar dhe i frikshëm. I frikshëm për të bërat, dhe, aq më tepër, për të fshehtat që bluan për robërit e tij…

Ky është Ahmeti A., prijësi i përjetshëm i shqiptarëve të Iliridës së heshtur. E harruar ngadalthi në kronikën e dhimbjes!

Mirëpo, e Keqja ka dhe ironinë që sëmbon. Nuk është përherë një dorë tek e vetme përzien letrat e fatit.

Sado deshpëruese gjeopolitika, sado defekte demokracia dhe sado dhunëtar a mashtrues shteti i shpifur sllav, janë shqiptarët që gozhdohen, disi vullnetarisht, në fatkeqësinë e vet!

R.

Mes katolikëve të Mirditës Berisha denoncon “vllazërinë” islame Rama -Erdogan

Nga qyteti i Mirditës ku po mbante foltoren e radhës shefi historik i demokratëve komentoi edhe shantazhin e presidentit islamo konservaror të Turqisë, para deputetëve shqiptarë, për të dorëzuar rrjetin terrorrist të gylenistëve. “Çdo kryetar shteti që vjen në Shqipëri është i mirëpritur, por kërkesa e Erdoganit u bë në emër të “vllazërisë” dhe në kuptimin që kjo fjalë merr në kontekstin islamik” komentoi Berisha.

Në fakt të njëjtin koncept pranoi edhe Edi Rama kur iu përgjigj një ditë më pas se “mes vëllezërve nuk ka borxhe”.

Po ashtu, shpesh në publik Erdogani i thërret kryeministrit shqiptar “vëlla Edi”.

Pikërisht këtë lidhje që i kapërcen kufijtë e shtetit laik ka dashur të denoncojë Berisha duke ngritur sallën në këmbë në Mirditë. “Ne të huajt i kemi miq, por vëllezër jemi me njëri tjetrin, me katolikët e Rëshenit dhe me ortodoksët e Korçës” tha ai.

Me deklaratën e tij Berisha ka dashur të distancohet nga koncepti i vllazërisë i cili shpesh i është mbi vendosur shtetit ligjor kur ka qenë puna për të ekstaduar aktivistët gylenistë apo për ti bërë presion shkollave të rrjetit gylenist që për Erdoganin kondiderohen si terroristë të FETO-s.

Edhe herë të tjera Berisha ka riskuar të merret me këtë temë duke denoncuar grupin e xhamisë që po i shërben sot Bashës dhe duke nxjerrë përfundimin se përse ai që e etiketon si “Lul brava” nuk i denoncocon kurrë efektet ekstra ligjore që prodhon vllazëria mes Ramës dhe Erdoganit e cila tani po bëhet e rrezikshme edhe për mëvetësinë e komunitetit musliman shqipëtar. Lapsi


Send this to a friend