Në dhomën e mbushur me kujtime e mall për të birin, na priti Nëna Nesrete dhe Baca Muharrem Kumnova.
Më 31 mars 1999, një javë pasi NATO filloi sulmet ajrore kundër Serbisë, forcat serbe ua morën nga shtëpia djalin, Albionin, së bashku me pesë familjarë të tjerë civilë. Në vitin 2011, trupat e tyre u gjetën në Batajnicë të Serbisë. Përveç Albionit.
Albioni ishte 21 vjeç. Sot u bënë 24 vite nga zhdukja e tij. 24 vite pritje e thirrje të Nënës Nesrete. Thirrje të nënave që kërkojnë fëmijët e zhdukur me dhunë nga Serbia.
Zhdukjet e vrasjet gjatë luftës ishin pjesë e projektit për shfarosjen e shqiptarëve, “Patkoi”. Andaj është e domosdoshme hapja e arkivave shtetërore në Serbi. Sepse familjarët meritojnë drejtësi, kurse kriminelët gjykim.