Lirinë e deshën, për liri luftuan, lirinë e gëzojmë. Vepra e vëllezërve Yll, Agron dhe Mehmet Bytyqi është ndër shembujt më të lavdishëm të dashurisë për atdhe, kurse vrasja e tyre dëshmi e pamohueshme e krimeve të shtetit gjenocidal të Serbisë. Ata ishin dënuar nga një gjykatë serbe me 15 ditë burgosje pasi kishin kaluar pa qëllim kufirin e Serbisë, teksa po përcillnin një familje rome që po udhëtonte nga Prizreni drejt Serbisë, vetëm disa ditë pas çlirimit të Kosovës. Kur po përfundonin dënimin, të tre u dërguan në një bazë trajnimi të policisë serbe, ku u vranë me plumba pas koke dhe ua zhdukën gjurmët. Trupat e tyre u gjetën në vitin 2001, në një varrezë masive në Petrovo Sello, në Serbi, bashkë me shqiptarë të tjerë të vrarë nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Duke i kujtuar dëshmorët e kombit, ne ia përkujtojmë vetes se sa i lartë ishte çmimi që kemi paguar për lirinë që e gëzojmë dhe shtetin që kemi, dhe i rikujtojmë botës krimet çnjerëzore të Serbisë, për të cilat mungon ende drejtësia.
Ideali i tyre na shërben si udhërrëfyes për të ecur përpara, në mënyrë që të arrijmë atë çfarë ata e kanë dashur e për të cilën janë flijuar. Yllin, Agronin dhe Mehmetin do t’i kujtojmë përgjithmonë dhe brezi ynë e ka për detyrë që këtë ta bëjnë edhe brezat pas nesh.
Lavdi vëllezërve Bytyqi dhe gjithë dëshmorëve të kombit shqiptar!