Behlul Jashari është shembull i atdhedashësit dhe gazetarit të karrierës, i cili për më shumë se gjysmë shekulli me dinjitet, profesionalizëm, guxim dhe përkushtim i shërbeu të vërtetës, të drejtës për informim dhe çështjes kombëtare shqiptare. Jo vetëm dëshmitar e kronist i ngjarjeve më të rëndësishme politike e shoqërore të historisë moderne të Kosovës, ai ishte edhe dokumentues e arkivues i kujdesshëm i tyre.
Përveçse kishte raportuar për Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut 1990, të cilën në editorialin e publikuar të nesërmen në ballinën e Rilindjes e kishte vlerësuar si “fillim i fundit të pabarazisë e padrejtësive”, me qëllim që ky dokument historik të mos binte në duart e forcave okupatore serbe, Behluli e kishte marrë atë duke e ruajtur dhe u kujdesur për të. Pas luftës, origjinalin e Deklaratës e kishte dorëzuar në Arkivin Shtetëror të Kosovës, ku ruhet edhe sot.
Kur në gusht të vitit 1990 regjimi serb me masa të dhunshme mbylli gazetën Rilindja, ai nuk pranoi terrin informativ dhe në fillim të vitit 1991, si kryeredaktor i parë themelues, nisi botimin e të përditshmes së rezistencës Bujku. Në vitin 1992, Behluli vendosi kontakte dhe u bë korrespondenti i parë në Prishtinë i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH), duke shënuar një moment historik në bashkëpunimin mediatik të Kosovës dhe Shqipërisë. Nëpërmjet Tiranës, raportimet e tij, veçmas gjatë viteve të luftës, u bënë lajme në mediat ndërkombëtare. Përkundër arrestimit, përndjekjes e kërcënimeve nga regjimi serb, ai nuk i ndali raportimet, nga greva e minatorëve te lufta çlirimtare.
Në Kosovën e lirë, ai vazhdoi me këmbëngulje angazhimin për ridaljen e gazetës Rilindja, punëtorët e së cilës u dëbuan nga pallati i saj në kohën e administrimit të UNMIK-ut dhe e cila më vonë u mbyll përfundimisht, me gjithë kundërshtimet. Në vitet e fundit të karrierës, Behluli punoi si korrespondent i gazetës Dielli, të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Jashari, miqve dhe bashkëpunëtorëve! Nderime jetës dhe veprës së Behlulit.