“Unë kam lindur i varfër nën një qiell të lumtur”
“Unë kam lindur i varfër nën një qiell të lumtur”, kështu ka shkruar Kamy i cili lindi më 7 nëntor 1913 në Mondovi, në Algjeri. Qëkur ishte student i filozofisë në Algjeri, ai filloi të meditojë mbi lirinë e njerëzve dhe mbi të keqen. Ndoshta kjo ishte arsyeja pse punimi i diplomës u përqëndrua te pesimistët mistikë të gnostikëve (Metafizika e krishterë dhe neoplatonizmi, 1936). Edhe jeta e tij do të ishte një mënyrë e të jetuarit të lirisë, pavarësisht nga absurditeti i ekzistencës. Ai do të luftonte në radhët e Rezistencës dhe do të krijonte për këtë qëllim edhe gazetën “Lufta”, kryeredaktor i së cilës ishte vetë ai. Sa i famshëm për romanet e tij (I huaji, 1942, Murtaja, 1947, Rënia, 1956), ai do të ishte po aq i famshëm edhe me esetë e tij (Miti i Sizifit, 1942, Njeriu i revoltuar, 1951, Refleksione mbi dënimin kapital, 1957). Kjo krijimtari letrare dhe eseistike bëri që më 1957-n t’i jepet çmimi “Nobel” për Letërsi. Jeta e tij ishte ajo e një humanisti militant, por pa u rreshtuar në ndonjë parti dhe, si i tillë, ai luftoi gjatë gjithë jetës së tij kundër çdo forme të shtypjes dhe të padrejtësisë; kundër dhunës policore në Hungari, kundër dënimit me vdekje dhe për paqen në Algjeri. Vetë vdekja e tij është ilustrim tragjik i doktrinë së tij të absurdit, kur në kulmin e krijimit dhe të lavdisë ai vdiq në një aksident me makinë më 4 janar 1960.
Absurdi i ekzistencës u tematizua në mënyrë të veçantë nga Kamy në veprën Miti i Sizifit. Tema e absurdit është e lidhur edhe me tezën e “qenies të flakur në botë” dhe atë të ateizmit. Por, që në fillim duhet të theksojmë se absurditeti i ekzistencës nuk do të thotë dorëheqje nga përpjekja për të qenë njerëz. Absurditeti i ekzistencës nënkupton se çdonjëra nga ekzistencat tona nuk ka asnjë kuptim absolut, të përjetshëm dhe të pandryshueshëm. Kuptimet e ekzistencave tona duhet të ndërtohen, të krijohen përballë brishtësisë së jetës, pasi këto kuptime edhe mund të thyhen, ato zgjasin për një kohë të caktuar, prandaj gjithçka duhet të rifillojë. Rifillimi i gjetjes së kuptimeve të jetës nuk mund të gjejë një përfaqësim më të mirë se sa në figurën e heroit mitik Sizifit, i dënuar nga zotat për të ngritur një gur të rëndë më majën e një mali, por sa mbërrin aty ai rrëzohet, por ai nuk e braktis këtë punë dhe ringrihet përsëri për të ngritur këtë gur. Po kështu ndodh edhe me ne kur përpunojmë projekte të caktuara për jetën, të cilat edhe pse nuk mund të realizohen, kjo nuk do të thotë që të heqim dorë nga përpjekjet për t’i dhënë kuptim jetës sonë. Nga vetë ekzistenca jonë ne jemi të dënuar për t’u ringritur pa ndërprerje.
Megjithëse mund të duket paradoksale, për Kamynë kjo do të thotë të jesh i lirë, ose “të jesh i dënuar me qenë i lirë”, siç do të shprehej Sartri. Të jesh i lirë do të thotë që se ne duhet ta mbajmë vetë përsipër barrën e kuptimeve të jetës sonë. E thënë me fjalë të tjera, barrën e kuptimeve të jetës nuk e mbajnë as prindërit, as miqtë, as profesorët, as idhujt, sepse secili është i veçantë, absolutisht i veçantë në ekzistencën e vet. Pra, Sizifi është një njeri i lirë, absolutisht i lirë, por jo pse bën atë që i pëlqen, por sepse ai rimerr vetë përsipër, pa u lodhur, detyrën e tij si njeri, ta mbajë vetë barrën e kuptimeve të jetës. “Për të qenë, njeriu duhet të revoltohet, por revolta e tij duhet të respektojë limitin që zbulon në atë vetë dhe ku njerëzit, duke u bashkuar, fillojnë të jenë. Mendimi i revoltuar nuk duhet të kalojë te kujtesa: ai është një tension i përhershëm”, shkruan Kamy te Njeriu i revoltuar. Kështu, parimin e parë të filozofisë karteziane Cogito, ergo sum (Unë mendoj, pra unë jam), ai e shndërroi në “Unë revoltohem, prandaj ne jemi”.
Përmes një intuite të mrekullueshme, ai kapi konfliktin tragjik ndërmjet heroizmit të njerëzve me vullnet të mirë, luftës njerëzore për drejtësi dhe vlera dhe kursit të botës që është totalisht e privuar nga kuptimi, indiferent ndaj idealit njerëzor, me një fjalë “absurde”. “Armiqësia primitive e botës në rrjedhën e mijëvjeçarëve vjen deri te ne. Për një sekondë nuk e kuptojmë më meqë për shumë shekuj ne kemi kuptuar tek ajo figurat e vizatimet që paraprakisht i kemi vënë vetë, meqenëse këtej e tutje nuk kemi më forcë ta përdorim këtë artificë. Bota del jashtë kontrollit tonë meqë bëhet përsëri ajo që është. Këto dekore të maskuara nga veprimet tona të zakonshme bëhen përsëri ato që janë. Largohen prej nesh. Po ashtu siç ka ditë kur te pamja e njohur e një gruaje shohim fytyrën e një të panjohure që kemi dashuruar para disa muajsh ose vitesh, ndoshta do të kërkonim që të mbeteshim papritur vetëm. Por koha nuk ka ardhur ende. Vetëm një gjë. Kjo papërshkueshmëri dhe tëhuajte e botës është përsëri vetë absurdi”. Vuajtja e fëmijëve të pafajshëm, temë e preferuar e Dostojevskit, për Kamynë është imazhi më i pamëshirshëm i kësaj së keqeje thelbësore. Filozofia e Kamysë është një ilustrim i luftës gjeneroze të njerëzve më të mirë ndaj gjithëfuqisë së të keqes.
Për të, e keqja thelbësore e universit, që nuk nënkupton dorëheqjen nga përpjekja për të qenë njerëz, për t’i dhënë kuptim ekzistencës, duhet akoma më shumë që të stimulojë përpjekjet e “njeriut të revoltuar”, i cili në qartësinë më të plotë për absurditetin e ekzistencës përpiqet që t’i zvogëlojë padrejtësitë dhe vuajtjet. Ndoshta ky ka qenë kuptimi i asaj formule që propozoi Kamy më 1948-n, në kuvendin e domenikanëve të Latour-Maubourg: “Pesimist ndaj fatit njerëzor, unë jam optimist përsa i takon njeriut”.
Por Kamy nuk e fsheh faktin e mundësisë së dështimit të përpjekjeve njerëzore drejt lirisë. Kur revolta për qëllime të mira bëhet revolucion i organizuar, pavarësisht nga efikasiteti që fiton për momentin, shoqërohet edhe nga papastërti të rrezikshme. Shpesh revolucionet janë të përgjakshme dhe përfundojnë në diktatura mizore. Në këtë rast këto revolucione shkualifikohen duke i shërbyer së keqes që ato pretendonin ta reduktonin. A do të thotë kjo se ndërgjegjja e mirë e njeriut të ndershëm, që lufton kundër së keqes, larg partive politike dhe ndërmarrjeve historike ambige, është në vetvete plotësisht e pastër? Në fakt, edhe ky i drejtë abuzon me veten dhe gjen egoizmin dhe të keqen në zemër të këtyre virtyteve. Kjo duket më së miri në analizën që i bën Kamy Revolucionit rrancez dhe veprimit të revolucionarëve francezë, apo të Revolucionit rus dhe të veprimit të revolucionarëve rusë… Për një njeri që ka një eksperiencë të jetuar të një regjimi totalitar, siç ishte komunizmi, mendoj se këto janë analizat më të mrekullueshme për të kuptuar të kaluarën tonë të afërt, por pse jo, edhe dështimet e periudhës së tranzicionit. Të gjithëve na kujtohet patosi i luftëtarëve të lirisë pas Luftës II Botërore dhe degradimi drejt tiranisë, terrorit dhe vrasjeve që vazhduan deri në vitet ’90. Kamy na tregon se si protesta legjitime njerëzore mund të manipulohet nga “sharlatanë politikë, siç ishte shprehur dikur bashkatdhetari i tij Tokëvil, dhe kjo bën që sharlatanë të tillë, madje edhe sharlatanë që e marrin shtetin me të qeshur, të fitojnë pas revolucioneve dhe miqtë e vërtetë të popullit të dështojnë.
Ndoshta këtë ka parasysh Kamy kur na sjell këtë sentencë të Saint-Just: “Ai që bën shaka në majë të qeverisë, priret drejt tiranisë”. Sipas tij, të gjithë ata që kanë menduar se do të ndërtonin një mbretëri qiellore në tokë duke rivalizuar edhe Krijuesin duke e ribërë krijimin sipas zgjedhjes së tyre, përfundimi ka qenë fatal për lirinë njerëzore. “Ata që për botën që do të krijonin kanë refuzuar çdo rregull tjetër përveç atë të dëshirës dhe fuqisë, kanë rendur në vetëvrasje ose marrëzi dhe kanë kënduar apokalipsin. Për të tjerët, që kanë dashur të krijojnë rregullin e tyre përmes vetë forcës së tyre, ata kanë zgjedhur paradën e kotë, dukjen ose banalitetin; ose akoma vrasjen dhe shkatërrimin”5. Është e vërtetë se liria është parimi i të gjitha revolucioneve, por historia e revolucioneve të mëdha që filluan pas vrasjes se “mbretit-prift”, në kuptimin që legjitimiteti i mbretit ishte një legjitimitet hyjnor, do të karakterizojë kohën tonë që vazhdon akoma, na thotë Kamy. Përmes një pohimi të mrekullueshëm Kamy do ta përshkruante kështu kohën që do të vinte pas revolucionit jakobin. “Revolucionin jakobin, që u përpoq që të krijonte fenë e virtytit, me qëllim që të bazonte një unitet, do ta pasojnë revolucione cinike, qofshin të djathta ose të majta, që do të tentojnë që ta fitojnë unitetin e botës për të bazuar së fundi fenë e njeriut. Gjithçka që ishte e Zotit tashmë do t’i jepej Cezarit”. Historia do të tregonte se Cezarët modernë do të ishin shumë më gjakësore se ata të antikitetit, sidomos Cezarët e majtë që donin ta shpejtonin historinë. Socialistët autoritarë, na thotë Kamy, gjykonin se historia ecte shumë ngadalë, prandaj që ajo të shpejtohej duhej që misioni i proletariatit t’i jepej një grushti doktrinarësh. Më pas do të ishin këta doktrinarë të parët që do të mohonin këtë mision dhe do ta konfiskonin lirinë e gjallë individuale në favor të një lirie ideale, të cilën e dinte vetëm ky grusht revolucionarësh profesionistë, që më pas do të shndërroheshin në despotë totalitarë.
Duke u ndalur te absurdi nuk duhet menduar se filozofia e Kamysë është pesimiste, por mund të themi se është një filozofi e humanizmit tragjik. Është një etikë e gjenerozitetit të pashpresë.
—
*Universiteti i Tiranës,
Fakulteti i Shkencave Sociale
Komentet