Akademia e Forcave të Armatosura ka reaguar lidhur me akuzat nga opozita për një punë të dytë si mjek në një spital privat ndaj Presidentit të Republikës, njëkohësisht Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bajram Begaj.
Në një deklaratë zyrtare, AFA ka mohon çdo akuzë dhe sqaron se bëhet fjalë për detyrime të prapambetura financiare ndaj stafit akademik të angazhuar në kërkimin shkencor në periudhën 2013 – 2018, ku ka qenë pjesë edhe Begaj, si mjek ushtarak.
“Në lidhje me pagesat të cilave i janë referuar disa media, sqarojmë se: për angazhimin e stafit akademik gjatë viteve 2013 – 2018, Akademia e Forcave të Armatosura, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me aktet nënligjore që rregullojnë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë, ka shlyer gjatë viteve 2022 dhe 2024 detyrimet e prapambetura financiare ndaj të gjithë personelit akademik të përfshirë në këtë proces”, thuhet në deklaratë.
AFA shprehet se procesi është zhvilluar në mënyrë të barabartë, transparente dhe me dokumentacion të plotë financiar e administrativ, i cili mund të verifikohet nga çdo institucion kompetent.
Kujtojmë se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat, denoncoi Presidentin e Republikës Bajram Begaj për shkelje të rënda, duke dorëzuar edhe kërkesën për shkarkimin e tij.
Sipas Bardhit, Presidenti Begaj përveç punës paradite si kryetar shteti, pasdite kryente punën e mjekut, ose më saktë të konsulentit në një klinikë mjekësore private.
“Nuk dimë si ta quajmë, Presidentin paraditë, mjekun pasdite. Nuk kishte ndodhur kjo me asnjë president më parë. E kanë pasur pagën dy herë më të ulët. Ky është paradite President, pasdite shkon për 200 euro si konsulent në një rrjet të klinikave private spitalore, të rrjetit Acibadem”, tha ndër të tjera Bardhi.
Deklarata e plotë e AFA
Akademia e Forcave të Armatosura përgënjeshtron të gjitha akuzat e ditëve të fundit në lidhje me pagesat e kryera ndaj Presidentit të Republikës së Shqipërisë, njëkohësisht Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, sh.t.z. Bajram Begaj.
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, sh.t.z. Bajram Begaj, në funksionet e tij të mëparshme si mjek ushtarak, ka qënë në të kaluarën pjesë e ekipeve të kërkimit shkencor ushtarak së bashku me një staf akademik prej 15 profesorësh dhe është angazhuar në udhëheqjen e temave shkencore të ciklit të tretë të studimeve (Doktoratë) në periudhën 2013 – 2018 pranë AFA.
Sqarim mbi pagesat
Në lidhje me pagesat të cilave i janë referuar disa media, sqarojmë se: për angazhimin e stafit akademik gjatë viteve 2013 – 2018, Akademia e Forcave të Armatosura, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe me aktet nënligjore që rregullojnë arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqipërisë, ka shlyer gjatë viteve 2022 dhe 2024 detyrimet e prapambetura financiare ndaj të gjithë personelit akademik të përfshirë në këtë proces.
Procesi është zhvilluar në mënyrë të barabartë, transparente dhe me dokumentacion të plotë financiar e administrativ, i cili mund të verifikohet nga çdo institucion kompetent.
AFA mbetet plotësisht e hapur për çdo verifikim nga organet përgjegjëse dhe fton median të ushtrojë misionin e saj mbi bazën e fakteve të verifikuara, duke shmangur keqinformimin e opinionit publik. Panorama